Ballina Aktualitet Opinione SHTETET KU S’KA ASOCIACIONE PËR MINORITETET

SHTETET KU S’KA ASOCIACIONE PËR MINORITETET

Nga Xhelal Zejneli

Bashkimi Evropian apo ShBA-ja kurrë s’kanë treguar interesim të formojnë në ndonjë vend të Evropës apo të Ballkanit asociacion apo bashkësi komunash me shumicë të një grupi etnik të caktuar, përkundër faktit se minoritete ka në shumë vende të gadishullit apo edhe të kontinentit. Për themelimin e një krijese të tillë i janë vënë vetëm Kosovës. Madje për një minoritet që nuk përbën më shumë se 3-4 për qind të popullsisë së përgjithshme të vendit. Për një pakicë që i gëzon të gjitha të drejtat sipas standardeve më të larta, si në asnjë vend tjetër të BE-së. 

Uashingtoni, Berlini dhe Parisi mund të krijojnë: 

– entitet për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, të cilët përbëjnë një të tretën e popullsisë së përgjithshme të këtij vendi dhe ku sllavo-maqedonasit përbëjnë jo më shumë se gjysmën e popullsisë së tij; 

– entitet apo asociacion për shqiptarët në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë); 

– asociacion për boshnjakët në Sanxhak të Serbisë.

Uashingtoni dhe Brukseli duhet të ndalin eksodin e hungarezëve të Vojvodinës apo ta rikthejnë autonominë e dikurshme të saj, të suprimuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit në kohën e jogurt revolucionit (revolucioni i kosit) të vitit 1988. 

Asociacion do të mund të kishin edhe shqiptarët në Mal të Zi, të cilët si pasojë e një gjenocidi të heshtur të kryer nga autoritet malazeze, dita-ditës shpërngulen për në Amerikë;

Qendra politike të Perëndimit mund të krijojnë asociacione edhe:

– për hungarezët në Rumani ku sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011jetojnë 1.227.623 banorë, apo 6,1% të numrit të përgjithshëm të popullsisë së këtij vendi;

për hungarezët në Sllovaki ku sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, banojnë 458.467 hungarezë, që përbëjnë 8,5% të popullsisë së përgjithshme të këtij vendi: 

për bashkësinë turke në Bullgari ku sipas regjistrimit të popullsisë të viti 2011, 8.8% e popullsisë së përgjithshme të këtij vendi janë turq;    

– për grupet etnike në Greqi – për shqiptarët, për sllavo-maqedonasit dhe për turqit, ekzistimin e të cilëve Athina e mohon. Greqia është shteti më jodemokratik i BE-së. Është për t’u habitur sesi ky vend ia ka dalë të bëhet anëtar i strukturave euroatlantike. Është pranuar në BE ngase ndodhet në vijën e parë të frontit përballë Turqisë.  

*   *   *

Ka edhe të tjera shtete ku mund të formohen asociacione. Numri i serbëve në Kosovë është i vogël për të pasur asociacion. Serbia në Kosovë ka qenë kolonizuese dhe pushtuese. Që nga viti 1877 e këndej ajo në Kosovë ka kryer gjenocid. Në vitin 1999 ajo e k humbur luftën pushtuese në Kosovë. Humbësi dhe agresori duhet të dënohen dhe jo të shpërblehen. Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq (1970- ), ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë Ivica Daçiq (1966- ) dhe ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë Aleksandar Vulin (1972- ) duhet t’i dorëzohen Gjykatës së Hagës që të përgjigjen për krime kundër njerëzimit.  

*   *   *

COPËTIMI I HUNGARISË NË TRIANON NË VITIN 1920  – Gjatë Luftës së Parë Botërore Hungaria ka qenë në anën humbëse për arsye se ka qenë pjesë e Austro-Hungarisë humbëse. Pas kësaj lufte, me Marrëveshjen e Trianonit (Treaty of Trianon) të nënshkruar më 4 qershor të viti 1920 midis Hungarisë, në një anë dhe vendeve të Antantës, në anën tjetër, Mbretërisë Hungareze të dikurshme iu mor një pjesë e madhe e territorit. Si humbëse, Hungarisë iu desh të pajtohet me marrëveshjet paqësore nënçmuese. Fuqitë ngadhënjyese nuk i kursyen fare armiqtë humbës. 

Ka pasur studiues të cilët kanë thënë se ndëshkimi i pamëshirshëm i Gjermanisë humbëse pas Luftës së Parë Botërore, ka qenë një prej shkaqeve kryesore të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore. Sipas disa studiuesve, është paradoksale që Hungaria të jetë dënuar më fort se Gjermania dhe Austria. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së paqes në Trianon, Hungarisë i është marrë 72% e territorit të dikurshëm, ndërsa rreth 3.300.000 hungarezë kanë mbetur jashtë kufijve të saj.

Në dobi të Rumanisë i është marrë Transilvania (Erdeli). Zonat veriore të Hungarisë i takuan Çekosslovakisë, përkatësisht Sllovakisë së sotme.. Gradishqa (Burgenlandi) i takoi Austrisë, ndërsa Prekmurja, Megjimurja Baranja, Banati dhe Baçka i takuan Mbretërisë së Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve (më vonë: Mbretëri e Jugosllavisë).

Marrëveshja e Trianonit e ka marrë emrin sipas pallatit Trianoni i Madh (Grand Trianon) që ndodhet nnë afërsi të Versajës (Versailles), për arsye se marrëveshja është nënshkruar aty. Vendimet e sipërthëna, edhe sot hungarezët i quajnë të padrejta dhe vështirë i falin ato.

*   *   *

HUNGAREZËT NË RUMANI Sipas regjistrimit të popullsisë në Rumani, të vitit 2011, bashkësia hungareze në këtë vend përbëhet prej 1.227.623 vetëve. Kjo pakicë etnike përbën 6,1% të numrit të përgjithshëm të popullsisë së Rumanisë. Pjesa më e madhe e hungarezëve etnikë jeton në rajonet të cilat para Traktatit të Trianonit të vitit 1920, kanë qenë pjesë të Hungarisë. Hungarezët në Rumani jetojnë në Transilvaninë lindore. Rajoni më i njohur njihet si Sekler, d.m.th. Székely Land (rumanisht: Tinutul Secuiesc; hungarisht: Székelyföld në të cilat hungarezët përbëjnë shumicën e popullsisë. Të drejtat e hungarezëve etnikë në Rumani, me dekada ndodhen në qendër të konflikteve politike midis Hungarisë dhe Rumanisë. “Për të ruajtur identitetin e vet dhe për të siguruar përparim ekonomik” – siç thuhet – hungarezët etnikë në Rumani kërkojnë autonomi territoriale.

HUNGAREZËT NË SLLOVAKI Hungarezët në Sllovaki janë bashkësia kombëtare më e madhe në Sllovaki. Sipas regjistrimit të popullsisë në Sllovaki në vitin 2011, 458.467 vetë janë deklaruar hungarezë. Kjo përbën 8,5% të popullsisë së përgjithshme të Sllovakisë. 508,714 banorë apo 9.4% e popullsisë deklarojnë se gjuhë amtare e kanë hungarishten. Hungarezët në Sllovaki kryesisht janë të përqendruar në pjesën jugore të vendit, pranë kufirit me Hungarinë. Ata paraqesin shumicë në dy qarqe: në Komarno dhe në Dunajska Streda.

Pas disfatës së Fuqive Qendrore në frontin e Perëndimit në vitin 1918, midis fuqive aleate ngadhënjyese dhe Hungarisë, në Konferencën e paqes në Paris të mbajtur në vitin 1920, u nënshkrua Traktati i Trianonit. Me këtë traktat, territori i Mbretërisë Hungareze u zvogëlua dukshëm. Si pasojë, Hungaria e Epërme në të cilën sllovakët përbëjnë strukturën etnike dominonte, iu bashkëngjit Çekosllovakisë.

HUNGAREZËT NË SERBI Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 1948, në Serbi kanë jetuar 433.701 hungarezë. Në vitin 1961 janë regjistruar 449.586 hungarezë. Për nga numri, hungarezët në Serbi sot janë grupi etnik i tretë. Me kalimin e kohës, numri i hungarezëve në Serbi apo në Vojvodinë, bie në mënyrë drastike. Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, në Serbi kanë jetuar 253.899 hungarezë, që përbën 3.53% të popullsisë së Serbisë. Prej tyre, 251,136 jetojnë në Vojvodinë, ku përbëjnë 13,00% të popullsisë së përgjithshme të saj. Numri i hungarezëve në Serbi apo në Vojvodinë, sipas regjistrimit të viti 1961, krahasuar me regjistrimin e vitit 2011, pothuajse është përgjysmuar. Sipas regjistrimit të viti 2022, numri i hungarezëve në Serbi apo në Vojvodinë, në krahasim me regjistrimin e vitit 2011 ka rënë për 70.000 mijë. Sot aty figurojnë 184.442 hungarezë.          

Kjo ka ndodhur kryesisht si pasojë e politikës shkombëtarizuese dhe asimiluese të Serbisë ndaj tyre. Si pasojë e politikës diskriminuese serbe, një numër i hungarezëve janë shpërngulur nga Vojvodina. Në vitin 2014, 119.000 hungarezë të Vojvodinës kanë kërkuar shtetësi të dyfishtë, d.m.th. përpos shtetësisë serbe, edhe shtetësi hungareze.

Në Vojvodinë jetojnë 26 grupe etnike apo minorite. Ajo e ka statusin e një kuazi-autonomie. Në Serbi jetojnë 5.360,239 serbë. Përpos tyre, aty jetojnë edhe: hungarezë, boshnjakë, shqiptarë, romë, sllovakë, kroatë, jugosllavë, rumunë, vlleh, malazias, maqedonas, myslimanë, bullgarë etj. 

KRIMET E KOMUNISTËVE JUGOSLLAVË NDAJ GJERMANËVE prag të Luftës së Dytë Botërore, në Mbretërinë e Jugosllavisë ka pasur rreth 500.000 gjermanë etnikë. Kanë qenë të përqendruar kryesisht në Vojvodinë dhe në Sllavoni. Pas vitit 1944, nën akuzën kolaboracionist, komunistët jugosllavë apo serbosllavë, ndërmarrin spastrimin etnik dhe shfarosjen e tyre. Në vitin 1945, pjesëtarët e bashkësisë etnike gjermane, komunistët jugosllavë apo serbosllavë i kanë dëbuar, i kanë internuar, i kanë mbyllur në kampe të përqendrimit, i kanë ekzekutuar pa gjyq. Kolaboracionistë nuk kanë qenë të gjithë gjermanët. Ekzekutime pa gjyq kryejnë vetëm ideologjitë barbare. Ekzekutimet, qofshin edhe me gjyq, nuk janë veçse barbari.

Në artikullin “Kapitulli më i tmerrshëm i tragjedisë gjermane në Jugosllavi”, studiuesja Rosina T. Shmit (Rosina T. Schmidt) shkruan se në kampet e vdekjes kanë qenë të mbyllur rreth 200 mijë civilë gjermanë. Ato kanë ekzistuar deri në vitin 1948. Pas vitit 1944, prej krimeve komuniste, në Jugosllavi janë vrarë mbi 100 mijë gjermanë. Sipas të burimeve jugosllave, në kampet e vdekjes kanë qenë të mbyllur rreth 125.000 gjermanë, kryesisht civilë. Prej tyre kanë mbijetuar rreth 80.000. Shumica kanë vdekur nga uria, nga sëmundjet dhe nga kushtet higjienike të këqija. Të mbijetuarit i kanë deportuar dhe i kanë internuar. Burimet jugosllave thonë se rreth 300.000 gjermanë që kanë qenë në Vojvodinë dhe në Sllavoni kanë ikur bashkë me Wehrmacht-in dhe me njësitë SS. 

Prindërve gjermanë u janë marrë 40.000 deri 45.000 fëmijë dhe me qëllim asimilimi, u janë dhënë prindërve sllavë. Këtu kemi të bëjmë edhe me serbizimin e civilëve gjermanë. Ndarja e fëmijëve prej prindërve të tyre paraqet krim kundër njerëzimit. Sjellja e partizanëve dhe e komunistëve jugosllavë apo serbosllavë ndaj civilëve gjermanë po ashtu paraqet krim kundër njerëzimit. Për këtë askush nuk është përgjigjur. Sipas burimeve kroate, numri më i madh i vdekjeve ka ndodhur në vitet 1945-1946.

Pushtetarët jugosllavë planifikonin që deri në vitin 1947 në mbarë Jugosllavinë të mos mbetej asnjë gjerman. Spastrimi etnik në Vojvodinë dhe në Sllavoni, d.m.th. dëbimi i gjermanëve apo shfarosja e tyre, rezultoi me popullimin e këtyre rajoneve me popullsi serbe. Qëllimi ishte ndryshimi i strukturës etnike të atyre rajoneve dhe mbizotërimi i elementit serb.     

BASHKËSIA TURKE NË BULLGARI Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, në Bullgaria ka pasur 7.364.570 banorë. Në periudhën e viteve 2001-2011, janë larguar nga vendi 175.244 vetë. Këta janë vendosur në Spanjë, në Itali dhe në Gjermani etj. Sipas regjistrimit të sipërthënë, 84,8% e popullsisë kanë qenë bullgarë etnikë; 8,8% – turq dhe 4,9% – romë. Në Bullgari ka pasur rusë (9.978); armenë (3.684); vlleh (në veri – rumunë, ndërsa në jug – arumunë); pomakë (bullgarë të fesë islame të cilët flasin bullgarisht). Sipas regjistrimit të vitit 2001, pakica turke banon sidomos në provincat Kërxhal, Razgrad, Tërgovishte, Silistra dhe Shumen. Pomakët banojnë kryesisht në provincën Smolan. 

Në vitet ’80 të shekullit XX, regjimi komunist kishte hartuar projekt për asimilimin e dhunshëm të turqve dhe të myslimanëve të tjerë në Bullgari. Vajtja e rreth 340.000 turqve etnikë nga Bullgaria për në Turqi në muajt qershor-shtator të viti 1989 ka qenë spastrim etnik dhe jo shkuarje vullnetare, siç proklamohej në atë kohë. Kjo është dëshmuar nga dokumentet e reja të publikuara nga arkivi bullgar. Në fillim të spastrimit etnik, në korrik të vitit 1989, diktatori komunist Todor Zhivkov (1911-1998) deklaron: “Ballafaqohemi me një eksod masiv… që për ne është i domosdoshëm dhe i volitshëm. Po qe se nuk bëjmë diçka që këta 200 mijë deri 300 mijë vetë të largohen, brenda 15 vjetëve Bullgaria s’ka për të ekzistuar. Ajo do të bëhet Qipro e dytë” duke aluduar në ishullin të ndarë në vitin 1974 në pjesën veriore turke dhe në atë jugore greke.        

 GRUPET ETNIKE NË GREQI – Sipas burimeve greke, Greqia na qenkësh shteti etnikisht më i pastër në Ballkan. Grekët përbëkan mbi 95% të popullsisë së përgjithshme të shtetit. Pakica etnike janë shqiptarët, turqit dhe maqedonasit. Të dhënat zyrtare të Greqisë për numrin e grupeve etnike në këtë vend janë të pasakta. Numri i banorëve që u përkasin grupeve etnike në këtë vend është shumë më i madh se numri i pasqyruar nga politika zyrtare greke. Qeveria greke zyrtarisht njeh vetëm një minoritet – myslimanët e Trakisë. Gjatë historisë, sllavët në Maqedoninë greke, Greqia i ka konsideruar grup linguistik dhe jo kombësi. I ka quajtur grekë sllavofonë ose grekë dygjuhësorë. Në fund të shekullit XIX dhe gjatë gjithë shekullit XX, ndaj grupeve etnike jogreke Greqia ka ushtruar gjenocid. Është i njohur në histori pogromi ndaj çamëve. Në qershor të vitit 1944, zervistët, të udhëhequr prej gjeneralit Napoleon Zerva (1881-1956), hyrën në Çamërinë e mesme, ndërsa në shtator të po atij viti, pushtuan edhe Çamërinë veriore. Gjatë këtyre ekspeditave vrastare kryen krime çnjerëzore mbi popullsinë e pafajshme shqiptare të Çamërisë, e cila u shpërngul në Shqipëri. Pas mbarimit të luftës, këtij iu dha posti i ministrit në qeverinë greke.     

@tn.lajmelokale
@tetovanews