Ballina Kronika Vazhdojnë kërkimet për tre shtetasit e Kosovës të zhdukur në lumin Lepenc...

Vazhdojnë kërkimet për tre shtetasit e Kosovës të zhdukur në lumin Lepenc (FOTO+VIDEO)

Njësitë speciale të policisë maqedonase dhe të drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim po vazhdojnë kërkimet për tre shtetasit e Kosovës të zhdukur në lumin Lepenc afër Shkupit, disa kilometra larg vendkalimit kufitar mes dy shteteve në Bllacë.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, vetura me të cilën po udhëtonin katër persona, shtetas të Kosovës, është aksidenuar me një veturë tjetër me targa të Shkupit, dhe më pas vetura ka rënë në lumë.

Njëri nga katër personat që ndodhej në veturë ka arritur të dalë prej saj, ndërsa të tjerët së bashku me mjetin janë zhytur në Lepenc.

“Aksidenti ka ndodhur në rrugën Shkup-vendkalimi kufitar Bllacë, kur në një aksident trafiku janë përfshirë një veturë Volkswagen me targa të Shkupit, e drejtuar nga B.B. nga Shkupi dhe një veturë BMW me targa të Kosovës, e drejtuar nga H.P. nga Kosova, e cila pas aksidentit ra në lumin Lepenc. Në automjetin BMW, përveç shoferit, ndodheshin edhe tre pasagjerë. Një person është nxjerrë nga lumi dhe është transferuar në spitalin ‘8 Shtatori’, ndërsa për tre të tjerët policia vazhdon kërkimin”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Autoritetet më vonë gjatë 18 qershorit njoftuan se kanë ndaluar shoferin e automjetit me targa të Shkupit.

“Sektori i punëve të brendshme në Shkup po vazhdon hetimet lidhur me incidentin në rrugën Shkup-vendkalimi kufitar Bllacë dhe me urdhër të prokurorit publik, drejtues i automjetit Volkswagen Turan, me inicialet B.B. është ndaluar për hetime të mëtejme”, thuhet njoftimin e MPB-së.

Në momentin e aksidentit sipas policisë maqedonase, ka pasur prurje të mëdha të lumit Lepenc për shkak të reshje të rrëmbyeshme të shiut.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës njoftoi se ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, së bashku me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, kanë dalë në vendin e ngjarjes. Ata i ka shoqëruar zëvendësministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Nazim Bushi.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes procedurave të përshpejtuara ka lehtësuar dhe koordinuar kalimin e njësiteve të specializuara të kërkim-shpëtimit nga Kosova për në territorin e Maqedonisë së Veriut, pas kërkesës së autoriteteve maqedonase”, thuhet në njoftim.

Në operacionin e kërkim-shpëtimit, sipas MPJD-së, po marrin pjesë edhe njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.

“Ka piskatur nga atje poshtë”, flet dëshmitari në aksidentin ku vetura me targa të Kosovës ra në lumin Lepenc

Një taksist nga Kosova sot në rrugën Shkup-Bllacë, respektivisht para tunelit ka treguar se çfarë ka parë gjatë ditës së djeshme në aksidentin mes dy veturave, ku vetura me targa të Kosovës ra në lumin Lepenc, ku si rrjedhojë 3 persona rezultojnë të zhdukur, ndërkaq një i mitur është shpëtuar, përcjell TV21. Taksisti thotë se në fillim kanë parë vetëm veturën e aksidentuar “VW Touran” nga Shkupi, ndërsa më pas kanë vërejtur se një veturë ka rënë në lumë.

“Duke ardhur nga Shkupi, minutat kanë qenë në pyetje që kur ka ndodhur aksidenti, të gjitha copat e plastikës i kemi parë në asfalt, copa të parakolpit, duke mos e menduar se është vetura atje poshtë. Kur e pamë një “Tauran” me tabela të Shkupit, ngjyrë hiri e mbyllur, ne menduam se vetëm ai është rrokur, por e shihnim dhe kërkonim edhe makinën tjetër. Kur ka piskatur nga atje poshtë, atje ku ka rënë vetura me njerëzit brenda, nuk shihej vetura, kjo shenjë shumë e keqe për mendimin tim, por ai që piskaste, për besë, po më vjen keq ta flas këtë fjalë, por nuk e kam pasur guximin që të afrohem as aty afër të shoh se e kam ditur se është e pamundur, se veç Allahu mund të iu ndihmojë dhe kushdo qoftë, jemi njerëz, ishalla çka vjen prej Zotit duhet të pajtohemi, veç duhet pasur shumë kujdes. Edhe timoni është një lloj arme për mendimin tim. S’kam koment më shumë. Ngushëllime familjes dhe duhet pasur kujdes sa më shumë, se po shoh çka mos”, tha taksisti nga Kosova.

Vetura me targa të Shkupit dyshohet se tejkaloi kolonën dhe shkaktoi aksidentin, Angellov: Kërkimet për shtetasit kosovarë po zhvillohen në kushte të vështira

“Lumi është i thellë dhe shumë i shpejtë që paraqet rrezik për zhytësit”, ka thënë ai.

Bëhet fjalë për persona të cilët me automjetin me targa të Kosovës gjatë aksidentit të djeshëm kanë rënë në lumin Lepenc në rrugën Shkup – VK Bllacë. Në automjetin, përveç shoferit ka pasur edhe tre udhëtarë. Një person është nxjerrë nga lumi dhe është dërguar në SPQ “8 Shtatori”, ndërsa tre personat e tjerë janë ende në kërkim.

Sipas informacioneve fillestare nga Prokuroria Themelore Publike, deri te aksidenti ka ardhur kur vetura e tipit “folksvagen turan” me targa të Maqedonisë së Veriut ka tejkaluar një kolonë veturash.

“Në momentin kur ka arritur paralelisht te vetura me targa të Kosovës “BMW” e cila ka lëvizur në të njëjtën kolonë, dy veturat janë afruar dhe janë përplasur njëra me tjetrën, pas së cilës vetura me targa të Kosovës me katër udhëtarë ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në lumin Lepenc”, thuhet në kumtesën e PP.

Prej atje theksojnë se shkaqet e përplasjes janë ende duke u konstatuar.

Arrestohet shkupjani që ishte përfshirë në aksidentin ku vetura me targa të Kosovës ra në lumin Lepenc

@tn.lajmelokale
@tetovanews