Nga Hamdi Islami
Kishte kaluar mesi i verës dhe kullosat afër fshatit ishin tharë. Kafshët s’kishin më çka të hanin. Do të shkonin në Livadhçike e do të dilnin deri në Pramka, një vend i hapur në mes të malit, pak më poshtë bjeshkës.
Nëna ua vuri bukën, gjizën, një shishe dhallë në torbë e ata i morën përpara lopët, dhitë, edhat e nja dhjetë copë dele që kishin. Kur dolën në Tërnica, një mera mbi fshat ku vetëm fieri kishte mbetur në këmbë, u takuan edhe me barinj të tjerë. Kafshët u derdhën pas kullotjes por, si s’gjetën gjë për të ngrënë, morën përpjetë e kaluan Gjurzit e Bardhë. Barinjtë u shkuan pas. Në Livadhçike kishin çka të hanë, se u futën në fierin e madh ku, aty-këtu, gjetën ndonjë tufë kullose që kishte mbetur, edhepse atje kullotnin edhe kafshët e mëhallëve të tjera. Kështu, dalëngadalë ato iu afruan Hurdhës së Çollakut e prej aty, hynë rrugës së ngushtë për të dalë në Bresavden. Atje ia dhanë nëpër hamulloret po, përveç ndonjë gjurmexhe, gjë tjetër nuk u zuri dhëmbi. Vazhduan ecjen në rrugën e kamionëve. Gjatë saj gjetën jo vetëm ujë për të pirë nëpër gjollet e mbetura nga vija, po aty-këtu edhe ndonjë tufël kullose të blertë përreth tyre.
Mesi i ditës i gjeti në Pramka. Të nxehtit e madh kafshët i çoi të zënë menjëherë hijet e të mrizonin. Barinjtë e uritur u shtruan të hanë bukë. Nxorën nga torbat e janxhikët secili bukën e vet, bukë misri që i ngjanin njera tjetrës si veza vezës. Eh, sa shijshët që u vinte! Merr bukë, merr gjizë e pi dhallë! Vetëm buka u dukej gjithmonë pak. Le pastaj kur pinin ujin e ftohtë akull te burimi që gjendej pak më lart, në mes të pyllit.
Por, ç’e do. Buka u mbeti në gojë. Nga mali përballë, panë të dilnin njeri pas tjetrit tre policë të veshur me uniformë, çizme deri në gju, me automatikë në krah e me kaçketa në kokë. I pari i pa Bajrami i Eshrefit të Deharit që ishte me fytyrë andej. Ai befas e ndali përtypjen. U bëri me kokë të shikonin andej. Ata ecën drejt tyre. Kur ata u afruan, mezi u ngritën, se ndjenë t’u ishin këputur këmbët nga frika.
Çfarë bëni këtu? – u tha njeri prej tyre në gjuhë të vet. Barinjtë u shikuan njeri me tjetrin dhe rudhën krahët.
– Çfarë bëni këtu, – u foli tjetri që dinte shqip. – Po kullotim lopët, – u përgjigj Bajrami, si më i madhi që ishte. Ai që foli shqip ia përktheu atij që foli i pari. – Ka kalue këndi dikush? – pyeti tani ai që dinte
shqip.
Po, – ia bëri menjëherë Bajrami, duke lëvizur kokën poshtë e lart, – kaluen dy veta. Njeni ishte hipët mbi gomar e tjetri mbi mushkë..
Ata u shikuan me njeri tjetrin.
– Ishin t’armatosët? Kishin pushkë keshtu si ne? – Jo. Nuk kishin. Njeni mbante sëpatën në dorë. – Ashtu, ë? – ia bëri polici që fliste shqip dhe i foli tjetrit në gjuhë të tij. Pastaj u nisën të përpjetës dhe hynë në
pyll.
Çfarë kërkojnë? – pyeti Cami, si ta dinte që Bajrami e di. Sytë e të gjithëve u drejtuan kah ai. Mbi ta u trokiste frika.
– Eee, s’e dini ju, – tha dhe u ul. I gozhdoi sytë te këmbët e Lavdimit dhe nisi tregimin me zë të ulët. – E di unë çka kërkojnë. Kërkojnë Xhelal Gjurën e Shipkovicës. Xhelal Gjura është nji trim i madh që me një grup shokësh prej shtatë – tetë vetësh lëviz nëpër male. Janë të armatosët. Ka vite që, kur çel gjethi, ai vjen nga bjeshkët bashkë me shokët e tij dhe rri nëpër male, deri sa të bie gjethi përsëri në vjeshtë. Pastaj shkon prapë. Se çfarë pune bën, nuk e di, por e di që këta policë atë e kërkojnë. Kërkojnë ta zënë. Është i pakapshëm. Këtë ma ka thënë daja im, që është nga Xherma. Po ju mos zini në gojë askund se ju kam tregue.
Pas një copë herë ata i trazuan kafshët që përtypeshin nën hije. I morën përpara e i drejtuan andej kah ishte Rrasa e Gjanë. Pak më poshtë kishte një burim. Në udhën e ngushtë mes drurësh, kafshët u radhitën varg, si njerëz, dhe filluan t’i shpejtojnë hapat. E dinin edhe ato burimin dhe ai i tërhiqte si magnet në atë të nxehtë të madh. Të parat arritën dhitë. Vunë buzët njera pas tjetrës te lugu i gurit ku rridhte uji. Të fundit mbërritën delet. Kur lopët u vunë të kullosin fangun në lëndinën rreth moçalit, edhe ato u afruan e vunë buzët te burimi. Rradhën e kishin barinjtë. Ata pritën të kullohet. Pastaj, njeri pas tjetrit vunë gjunjët në dy rrasat dhe mbushën grushtet. Si ndenjën një copë herë në lëndinën e blertë, u nisën përsëri asaj udhe, për të dalë te Vorri i Hajdutit, nja gjysmë ore larg. Edhe kafshët e dinin atë rrugë, se e kishin kaluar kushedi sa herë në të dyja drejtimet. Ato e dinin edhe burimin tjetër që ishte aty afër, pak në të djathtë. Sapo arritën, pa u thënë njeri, ato lanë rrugën dhe u derdhën përsëri pas ujit e kullosës. Barinjtë u ulën sipër burimit dhe e shtruan përsëri bukët që u kishte mbetur. Ha bukë e pi ujë, ha bukë e pi ujë. Aty sipër, në rrugën që merrte kah Guri i Sidollit, dëgjuan ca vëzh-vëzhe. Vunë vesh. Dallohej qart se po ecte dikush. Frika u hyri prapë në bark. Bajrami i Eshrefit u ngrit dhe hapi degët që preknin në tokë. Shikoi një copë herë andej.
Janë po ata policët që i pamë te Pramkat. Mos u trembni. Nuk besoj të vijnë këtu, – tha ai.
I shikoi më gjatë. Pa që ata morën kah Përroi i Thatë dhe dolën në sinorin e Shipkovicës. Të gjithëve u erdhi zemra në vend, kur më nuk dëgjoheshin hapat e tyre.
Dielli kishte marrë kah perëndimi. Edhe kafshët ishin ngopur dhe ndonjera nga lopët ishte ndalur e përtypej
në vend.
– Shkojmë? – tha Bajrami, si më i madhi që ishte, – të nisemi më herët, se kemi shumë të ecim deri në katund. U ngritën. I morën kafshët përpara dhe dolën te Vorri Hajdutit.
T’kem ta di, si i i ka mbet këtij vendi emni Vorri i Hajdutit, – tha Cami, kur u ndodhën te rrafsha me kaçuba të
rralla.
Sytë e të gjithëve u drejtuan kah Bajrami, se vetëm ai mund të dinte diçka për këtë. Kur kafshët morën teposhtë, ai u ndal te një tume dhe bëri me dorë përtej do gëmushave. Po u kallzoj unë edhe për këtë që ta dini, – mori fjalën ai, dhe vazhdoi: – në këtë vend të rrafshtë janë vorret e dy hajdutëve që i ka vra Emini Ramizit, prej katundit tonë. Kanë qenë shumë të rrezikshëm dhe askush s’ka mund t’u del përpara. I kanë vjedh e plaçkit katundarët, ua kanë marrë dhentë e lopët prej ahuri. Ia kishin vjedh edhe Eminit, por ai, me karabinë në dorë, u vihet mbas. Ata ik e ai mbas. Mbërrijnë deri këtu dhe ndalen. Ia kthejnë pushkët. Ata me një anë, Emini në anën tjetër. Pam, pum, pam, pum, gjithë ditën. Më në fund, Emini i mashtron. E vendos kësulën e bardhë në një gur prapa gemushës ku kishte zënë pozicionin dhe vetë u del mbrapa. Ata vazhdojnë të qesin në kësulë. Por kot. Ai prej përmbrapa i vret që të dy. Pastaj i vorros këtu diku. Vorret nuk u dihen tamam, po emni prej aty i ka mbet vendit. Këte ma ka kallzue Mijazimi i Kamberit.
Ata rrëshqitën tatëpjetës t’i arrinin kafshët që ishin larguar. Vetëm kur dolën në Pramka, panë që ato e linin këtë vend e hynin xhadesë që i nxjerrte në Bresavden. Dielli kishte perënduar. Rrezet e fundit të tij preknin kurrizet e Maleve të Thata. Kur arritën në Livadhçike, ndonjë bulkth ia nisi këngës aty-këtu. Dalëngadalë po binte terri. Dritat e fshatrave të fushës, po edhe të qytetit, xixëllonin si yje të shpërndarë.Thundrat e kafshëve preknin pa u dëgjuar pluhurin e rrugës që ishte në të mbaruar…
Nga libri „Gjurmëve të jetës“ i Hamdi Islamit