Ballina Lajme NGROHJA GLOBALE RRIT MADHËSINË DHE RREZIKSHMËRINË E KOKRRAVE TË BRESHRIT

NGROHJA GLOBALE RRIT MADHËSINË DHE RREZIKSHMËRINË E KOKRRAVE TË BRESHRIT

Një studim i ri sugjeron se ngrohja globale ka të ngjarë të çojë në stuhi breshri më të mëdha dhe më të fuqishme.

Sipas një studimi të publikuar këtë javë në revistën shkencore “Nature”, ndryshimet klimatike, të shkaktuara nga djegia e lëndëve fosile, po krijojnë kushte të favorshme për formimin e breshrit, duke rritur masat e ajrit të paqëndrueshme dhe të pasura me energji.

Sipas parashikimeve, deri në fund të këtij shekulli numri i stuhive globale me kokrra breshri më të mëdha se një gogël e madhe do të rritet nga 38 deri në 47 për qind, varësisht nga sasia e gazrave serrë që bota do të vazhdojë të lëshojë në atmosferë.

Stuhitë e breshrit zakonisht nuk janë vdekjeprurëse për njerëzit, por shkaktojnë dëme të mëdha ekonomike. John Allen, profesor i meteorologjisë në Universitetin e Michiganit dhe bashkautor i studimit, deklaroi se ky fenomen u kushton Shteteve të Bashkuara rreth 10 miliardë dollarë në vit, ndërsa në nivel global rreth 80 miliardë dollarë.

Sipas profesorit Allen, stuhitë e breshrit shkaktojnë më shumë dëme sesa tornadot.

“Në vitet e fundit kemi parë kokrra breshri me madhësi rekord. Kjo më shqetëson jashtëzakonisht shumë, sepse nuk kemi krijuar ende një mjedis vërtet të sigurt për t’i përballuar goditjet e breshrit”, tha ai.

Simulimet kompjuterike të Allen tregojnë se, me përparimin e ndryshimeve klimatike, do të rritet edhe shpeshtësia e kokrrave të mëdha të breshrit. Sipas tij dhe shumë shkencëtarëve të tjerë, pikërisht këto kokrra të mëdha shkaktojnë pjesën më të madhe të dëmeve.

Sa më e fuqishme të jetë stuhia e breshrit, aq më të rënda janë dëmet.

Kokrrat më të mëdha të breshrit janë më të rënda dhe bien me shpejtësi më të madhe, prandaj godasin me forcë më të madhe.

“Kokrrat e vogla të breshrit mund të dëmtojnë të korrat, por kokrrat e mëdha me diametër rreth 5 centimetra mund të dëmtojnë seriozisht automjetet, çatitë, panelet diellore dhe shumë lloje të tjera infrastrukture”, tha Andreas Prein, studiues i klimës në ETH Zürich, i cili nuk ishte pjesë e studimit.

Allen shpjegoi se një vrimë e shkaktuar nga breshri në çati mund të riparohet lehtë, por nëse shumë kokrra të mëdha breshri godasin njëkohësisht çatinë, zakonisht duhet të zëvendësohet e gjithë çatia, gjë që kushton shumë.

Ai shtoi se me ngrohjen e klimës, përmbajtja e avullit të ujit në atmosferë rritet me gati 4 për qind për çdo gradë Fahrenheit, që është rreth 7 për qind për çdo gradë Celsius. Kjo rrit energjinë e disponueshme në atmosferë.

“Kjo rritje do të thotë se do të kemi më shpesh rryma ngjitëse më të fuqishme. Kjo çon në më shumë stuhi me rryma ajrore aq të forta sa të prodhojnë breshër”, shtoi Allen.

Megjithatë, ai shpjegoi se me rritjen e temperaturës së ajrit ka më pak ajër të ftohtë në shtresat e sipërme të atmosferës që mund t’i ruajë kokrrat më të vogla të breshrit. Për këtë arsye, ato priren të shkrihen më shumë para se të arrijnë në tokë, ndërsa kokrrat më të mëdha ndikohen më pak dhe e ruajnë madhësinë e tyre.

Studimet e mëparshme janë përqendruar kryesisht te stuhitë e breshrit në Shtetet e Bashkuara, vendi me numrin më të madh të këtyre stuhive.

Studimi i ri është udhëhequr nga autorë nga Kina. Për më tepër, shumë kërkime të mëparshme kanë marrë parasysh vetëm mundësinë e rritjes së shpeshtësisë së stuhive të breshrit, por jo ndryshimet në madhësinë e kokrrave.

Stuhitë e breshrit janë problem global.

Sipas Allen, rritja më e madhe e kokrrave të mëdha të breshrit pritet në Argjentinë, Evropë, Kanada dhe në rrafshinat veriore të SHBA-së. Në disa zona tropikale, përkundrazi, mund të ketë rënie të breshrit, sepse kokrrat më të vogla priren të shkrihen më shpejt para se të arrijnë në tokë.

Allen theksoi se stuhitë e breshrit nuk janë problem vetëm për Shtetet e Bashkuara. Edhe pse SHBA-ja pëson humbje të mëdha nga këto stuhi, dëmet që ky fenomen shkakton në nivel global duket se janë rritur me shpejtësi vitet e fundit.

Autorët e studimit analizuan dy kategori kokrrash breshri: ato me diametër më të vogël se 30 milimetra dhe ato me diametër më të madh se 30 milimetra. Kjo madhësi është midis një gogële dhe një topi golfi dhe i afrohet madhësisë së një monedhe amerikane 50-centëshe.

Ekipi hulumtues hartoi skenarë të ndryshëm bazuar në emetimet e karbonit që vijnë nga djegia e qymyrit, naftës dhe gazit natyror.

Skenari relativisht optimist parashikon një ndotje jo shumë të lartë nga karboni dhe një rritje të numrit të stuhive të rënda të breshrit me rreth 38 për qind. Ndërsa skenari më pesimist parashikon një rritje globale të temperaturës me gati 2 gradë Fahrenheit, përkatësisht rreth 1 gradë Celsius më shumë krahasuar me skenarin tjetër, duke çuar në rritjen e numrit të stuhive të rënda të breshrit deri në 47 për qind.

“Ky është një sinjal i qartë i ndikimit të ndryshimeve klimatike. Meqë gjithnjë e më shumë njerëz jetojnë në zona të rrezikuara nga breshri, ndërtohen më shumë shtëpi, ngrihen më shumë parqe diellore dhe zhvillohet infrastruktura, rreziku dhe dëmet do të rriten”, tha Walker Ashley, profesor i meteorologjisë në Universitetin Northern Illinois, i cili nuk ishte pjesë e studimit.