Një tragjedi e rëndë ka tronditur Kosovën dhe Shqipërinë, pasi dy të rinj nga Kosova humbën jetën në det, pasditen e së mërkurës, në zonën turistike të Ranës së Hedhun në Shëngjin. Tre shokë të tyre arritën të shpëtohen dhe u dërguan për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Lezhës, transmeton Tetova News.
Viktimat janë identifikuar si Leonit Aliu nga Fushë-Kosova dhe Jetmir Binaku nga fshati Gllobar i Drenasit. Fillimisht, disa media raportuan emra të tjerë, por nga njoftimet e mëvonshme të familjarëve, klubit “Fushë Kosova” dhe Komunës së Drenasit, rezulton se dy të rinjtë që humbën jetën janë Leonit Aliu dhe Jetmir Binaku.


Ngjarja ndodhi rreth orës 16:30, kur pesë të rinjtë nga Kosova ishin futur në det për t’u larë. Për shkak të erës së fortë, deti ishte i trazuar dhe dallgët e fuqishme i morën të rinjtë, duke i vënë në rrezik për mbytje.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, fillimisht të rinjtë kanë kërkuar ndihmë, ndërsa thirrjet e tyre janë dëgjuar nga pushues, banorë të zonës dhe punëtorë që ndodheshin pranë. Dëshmitarët kanë treguar se pesë personat u nxorën nga uji pas ndërhyrjes së qytetarëve dhe të personave që ndodheshin në zonë, ndërsa më pas u transportuan me urgjencë drejt spitalit.
Në operacionin e shpëtimit ndihmuan edhe qytetarë me Jet Ski, të cilët në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Policinë e Lezhës dhe ekipet e emergjencës, arritën t’i nxirrnin nga deti pesë të rinjtë nga Kosova.
Dy prej tyre nuk arritën t’u mbijetonin pasojave të mbytjes, ndërsa tre të tjerët, Dion Myftari, Arbër Beqaj dhe Drilon Rrustemi, u dërguan në Spitalin Rajonal të Lezhës. Fillimisht gjendja e tyre u raportua e rëndë, për shkak të sasisë së madhe të ujit që kishin gëlltitur, por më vonë u konfirmua se ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe nën kujdesin e mjekëve.
Policia e Lezhës njoftoi se menjëherë pas marrjes së sinjalizimit, në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë Kufitare, Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë dhe ekipet e emergjencës. Sipas policisë, të rinjtë ishin futur në det për t’u larë, por për shkak të dallgëve të shkaktuara nga era e fortë u gjendën në vështirësi dhe rrezikuan të mbyteshin.
Pas tragjedisë, ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, vizituan tre të mbijetuarit në Spitalin Rajonal të Lezhës. Ambasadori bëri të ditur se gjendja e tyre është e mirë dhe se ata po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor.
“Gjendja e tyre ishte shumë e mirë. Ngjarje shumë tronditëse, por ne jemi këtu të bëjmë atë që duhet bërë, për të informuar familjarët e dy viktimave”, deklaroi ambasadori Durmishi.
Ambasada e Kosovës në Shqipëri njoftoi se familjarët e dy viktimave janë lajmëruar dhe janë nisur drejt Shqipërisë. Sipas Ambasadës, autoritetet lokale në Lezhë janë angazhuar për procedurat e mëtejshme, ndërsa kryetari i Bashkisë së Lezhës ka siguruar mjetet e nevojshme për transportin drejt Tiranës.
Për Jetmir Binakun ka reaguar edhe Komuna e Drenasit. Kryetari Ramiz Lladrovci i ka shprehur ngushëllime familjes Binaku, të afërmve dhe miqve të të ndjerit. Në telegramin e ngushëllimit thuhet se kjo humbje e rëndë dhe e parakohshme ka prekur jo vetëm familjen, por gjithë komunën e Drenasit.
“Kjo humbje e rëndë dhe e parakohshme ka prekur jo vetëm familjen, por edhe gjithë komunën e Drenasit. Në këto momente dhimbjeje, ndajmë pikëllimin me familjen Binaku dhe lutemi që ata të gjejnë forcë për ta përballuar këtë tragjedi”, thuhet në telegramin e Komunës së Drenasit.
Ndërkohë, për Leonit Aliun kanë reaguar familjarët dhe klubi i futbollit “Fushë Kosova”, pjesë e të cilit ishte i riu nga Fushë-Kosova.
Ngushëllime për familjet e viktimave ka shprehur edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Ai tha se e ka marrë me hidhërim të thellë lajmin për vdekjen e dy të rinjve nga Kosova dhe uroi shërim sa më të shpejtë për tre të mbijetuarit.
“Kjo tragjedi na kujton rëndësinë e kujdesit dhe respektimit të çdo mase sigurie në plazhet tona”, u shpreh Begaj, duke u bërë thirrje institucioneve qendrore, vendore dhe operatorëve turistikë që të marrin të gjitha masat për sigurinë në plazhe gjatë sezonit veror.
Ngushëllime ka shprehur edhe ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila bëri të ditur se institucionet e Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare dhe po ofrojnë mbështetjen e nevojshme.
Tragjedia ndodhi në fillim të sezonit turistik dhe ka ngritur sërish shqetësimin për sigurinë në plazhe, sidomos në ditët kur deti është i trazuar. Sipas raportimeve nga vendngjarja, deti në zonën e Ranës së Hedhun ishte shumë i trazuar gjatë ditës, ndërsa dallgët e forta dyshohet se u bënë shkak për mbytjen e dy të rinjve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike./TetovaNews















