Monologu i Mustafa Nanos mbi faljen e myslimanëve në bulevard, simbolet fetare në hapësirën publike dhe pelegrinazhin e presidentit Bajram Begaj në Mekë hap një debat të ndjeshëm mbi raportin mes fesë, shtetit laik dhe shoqërisë shqiptare. Në qendër të tij nuk qëndron vetëm kritika ndaj një rituali fetar të shfaqur në publik, por edhe pyetja më e gjerë: deri ku shkon e drejta e besimit për t’u manifestuar në hapësirën e përbashkët dhe ku fillon detyrimi për të respektuar karakterin laik të shtetit?
Nano e ndërton argumentin e tij mbi idenë se besimi është e drejtë individuale dhe komunitare, por jo mjet për dominim simbolik të hapësirës publike. Ai kritikon jo vetëm faljen e myslimanëve në bulevard, por edhe kryqet në maja malesh, kambanat, ezanin dhe çdo formë tjetër të ekspozimit fetar që, sipas tij, tejkalon kufijtë e praktikës private dhe merr kuptim politik.
Pjesa më e fortë e monologut lidhet me presidentin Bajram Begaj. Sipas Nanos, pelegrinazhi i kreut të shtetit në Mekë nuk është thjesht akt personal besimi, por gjest publik me peshë institucionale, që krijon precedent dhe bie ndesh me traditën shekullare të shtetit shqiptar. Për të, presidenti mund të besojë dhe të lutet privatisht, por duhet të jetë shumë më i kujdesshëm kur veprimet e tij personale marrin kuptim kombëtar.
Ky monolog pritet të ngjallë debat, sepse prek një nga temat më delikate të shoqërisë shqiptare: bashkëjetesën fetare, laicitetin, lirinë e besimit dhe kufijtë e shfaqjes së fesë në publik. Nano flet nga pozita e një kritiku të hapur të religjionit, por njëkohësisht thekson se do ta mbronte të drejtën e besimtarëve për ta ushtruar lirshëm fenë e tyre, për sa kohë kjo nuk shndërrohet në presion simbolik mbi të tjerët.
MONOLOGU I PLOTË:
“Pse më shqetëson falja e myslimanëve në bulevard”
Monolog i Mustafa Nanos — Arnaudistan
Përpara pak ditësh, menjëherë pasi myslimanët shqiptarë festuan Kurban Bajramin, madje atë ditë u përhap edhe lajmi që presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka bërë një pelegrinazh në Mekë dhe aty u pa duke bërë ritualin e zakonshëm.
Unë bëra një koment — një koment që e publikova në rrjetet sociale — dhe do ta them edhe më poshtë se çfarë thoja në koment. Por më bën përshtypje — siç më bën përshtypje gjithmonë — një numër njerëzish që reagojnë me një zemërim dhe me një mungesë përmbajtjeje të çuditshme.
Pra, është një reagim ndaj një njeriu që thotë të vetën, jep mendimin e vet, bën komentet e veta lidhur me besimin e tyre. Janë njerëz që çfarë nuk thonë në rrjete sociale, gjithmonë duke pretenduar se janë besimtarë myslimanë. Ky është pretendimi i atyre.
Dhe unë ndonjëherë pyes veten: si është e mundur që këta njerëz besojnë se ka një Zot — i cili i inkurajon, u jep lejen, i lejon — që t’u derdhen me tërbim, me inat, me urrejtje ndaj disa njerëzve të tjerë që kanë mendimet e tyre?
Pyetja ime është: me të vërtetë besojnë këta se ekziston një Zot i tillë? Me të vërtetë besojnë se duke më sharë mua, duke sharë njerëz të tjerë si puna ime, ata janë duke përmbushur vullnetin e Zotit të tyre? Nëse ata besojnë një Zot të tillë, unë mendoj se është një Zot i gabuar.
Por nuk janë të gjithë myslimanët — janë një pakicë. Janë një pakicë myslimanësh dhe myslimanesh që zemërohen sa herë që dikush thotë një gjë, bën një vëzhgim kritik, apo jep një shenjë mospajtimi me mënyrën se si myslimanët i shohin gjërat. Kritika për Islamin, kritika për ritualet fetare — këta njerëz duhet të mësohen.
Nuk është vetëm problemi i Shqipërisë, është problem gjithandej. Myslimanët kanë një lloj lëkure të hollë dhe sa herë që dikush bën kritika ndaj Islamit, ata kërcejnë menjëherë. Duhet të mësohen me faktin që në këtë botë nuk ekzistojnë vetëm ata.
Edhe në Shqipëri nuk ka vetëm myslimanë. Sigurisht që janë një masë e madhe — mund të jenë edhe mbi gjysma — por nuk ka rëndësi. Ka të tjerë që nuk janë myslimanë. Edhe ky vend është i joni, është i të gjithëve.
Myslimanët ia njohin vetes lirinë për të manifestuar besimin e tyre — dalin nëpër rrjete sociale me emrat e tyre, me emra rremë, bëjnë rituale. Pra, ata e njohin lirinë e tyre. Duhet të na njohin edhe neve lirinë — lirinë për të thënë se besimin e tyre e shohim pak të çuditshëm, ose mënyrën se si e manifestojnë e shohim me tone kritike.
Tani, çfarë thoja unë në komentin tim?
Unë mora shkas, në radhë të parë, nga fakti që myslimanët shqiptarë kanë pushtuar edhe bulevardin. Fillimisht ata kishin Sheshin Skënderbej. Atëherë u tha se do të ndërtohej Xhamia e Madhe — e cila më në fund u ndërtua — dhe se ajo praktikë do të mbyllej, do të merrte fund, njerëzit do të luteshin në xhami. Por, edhe nëse xhamia nuk i nxë, do të luten aty rrotull. Pastaj myslimani nuk ka nevojë domosdoshmërisht për xhami për t’u lutur. Myslimanët mund të luten kudo — mund të luten në shtëpi, në çfarëdo vendi, sado të vogël.
Kështu që këtë lloj manifestimi — duke pushtuar edhe bulevardin — unë e shoh si një manifestim të natyrës politike. Ata bërtasin në mënyrë arrogante prezencën e tyre. Mesazhi që unë marr nga ky lloj manifestimi, kur ata pushtojnë bulevardin dhe e zaptojnë për orë të tëra, është: “ky vend na përket neve, ne jemi këtu zotër.”
Në fakt, ata janë shumicë. Ata e kanë voce in capitolo edhe për të drejtuar këtë vend, edhe për të komanduar këtë vend. Por në të njëjtën kohë, do ishte mirë të mbanin edhe ca përgjegjësi. Nëse punët në këtë vend shkojnë keq, fajin nuk e kanë të tjerët — fajin nuk e kanë qafirët. Fajin e kanë ata që marrin meritat, ata që kanë pretendimin për të komanduar këtë vend.
Nëse shoqëria është e korruptuar, e pamoralshme — fajin e ka Islami, përderisa shumica janë myslimanë. Mund ta themi këtë gjë.
Sidoqoftë, ky ishte një spekulim. Por qëllimi im është t’i mësoj myslimanët me faktin se, nëse ti pretendon të drejta, ti ke edhe detyrime — ti mban edhe përgjegjësi. Nuk merr vetëm të drejtat dhe kaq. Përgjegjësitë i mban ti.
Pse më shqetëson fakti i lutjeve dhe i faljeve në bulevard? Mua, në përgjithësi, më shqetëson ekspozimi i ndjenjave fetare në publik, apo ekspozimi i simboleve fetare në publik.
Në disa vende të Shqipërisë ka kryqe të larta të vendosura në maja malesh. Pashë nga Korça — diku midis Kolonjës dhe Korçës, duke udhëtuar — në majë të një mali ishte një kryq i madh. Edhe kjo është arrogancë, një provokacion i panevojshëm që bëjnë të krishterët. Nuk e kuptoj pse nuk mjaftojnë me besimin e tyre, por duhet të ekspozojnë edhe simbole që ushtrojnë një lloj efekti te të gjithë njerëzit — edhe ata që nuk janë të krishterë.
Edhe unë, po të isha në krye të punëve të këtij vendi, do të ndaloja ekspozimin e simboleve fetare në publik. Do të ndaloja kambanat, do të ndaloja kryqet, do të ndaloja ezanin, dhe do të ndaloja edhe këto manifestime. Shoh edhe fotografi të vajzave të veshura me burka — do të ndaloja edhe burkat.
Por, për të mos u konsideruar despot apo diktator, do të organizoja një referendum, ku do t’u bëja pyetjen shqiptarëve: jeni dakord apo jo që nëpër maja kodrash të ketë kryqe? Që të dëgjoni ezanin pesë herë në ditë? Që të dëgjoni kambanat — ata që jetojnë afër kishave? Që të dilni në rrugë dhe të shihni gra të mbuluara, pa ditur nëse janë gra apo burra?
Do të bëja një referendum. Nëse 50%+1 thonë “jo, nuk jemi dakord”, unë do t’i ndaloja. Nëse 50%+1 thonë “po, nuk kemi problem”, atëherë do të lejoheshin. Por do të bëja një referendum — nuk do të lejoja spektakël publik me besimin fetar, me ndjenjat fetare, me simbolet fetare.
Ne jemi mësuar tani që ezani — i cili jepet pesë herë në ditë — ta pranojmë si diçka normale, si një rregull, si një normë të përditshme të jetëve tona. Në fakt, nuk është kështu.
Ezani, për mua, duhet ndaluar. Sigurisht, duhet bërë referendum dhe pastaj vendosin shqiptarët. Por unë thjesht po jap opinionin tim, sepse ka shumë njerëz në Shqipëri që nuk janë besimtarë myslimanë — dhe myslimanët e dinë vetë, sepse janë në kontakt me njerëz si puna ime, që janë ateistë ose të krishterë. Dhe askush nga ata që nuk janë myslimanë nuk ka pse të dhunohet nëpërmjet lutjeve të tilla publike.
Ezanin, ashtu siç bëhet në shumicën e vendeve të Europës, do ta ndaloja. Dhe kjo nuk ka të bëjë me thelbin e besimit Islam — nuk është fare thelbi i besimit Islam.
Muezini i parë, Bilali, ka ekzistuar në shekullin e shtatë. Dhe dakord — për shumë shekuj ka qenë e natyrshme, sepse as ora nuk ekzistonte, njerëzit nuk dinin ta matnin kohën, dhe duhej një Bilal, një muezin, që të njoftonte publikun: “ejani, mblidhuni, tani është ora e lutjes.” Sot njerëzit kanë celular — edhe njeriu më i varfër, më i këputur, ka një celular. Dhe në celular mund të shohësh orën — ti e di se kur vjen ora e lutjeve.
Kjo është arsyeja praktike që po jap. Por arsyeja kryesore pse ezani nuk duhet të jepet është sepse i përket vetëm një pjese të caktuar të popullsisë shqiptare. Në vendet e Europës ezani nuk lejohet.
Unë e kuptoj: atje ku është një fshat ku 100% e banorëve janë myslimanë — dhe është e provuar kjo gjë — mund të ketë muezin dhe mund të dëgjohet ezani. Ose në Orosh, ku janë të gjithë katolikë — atje mund t’i bien kambanës, mund të vendosin kryq, sepse janë 100% katolikë. Por në shumicën dërrmuese të vendeve të Shqipërisë, gjëra të tilla nuk ka pse të lejohen.
Ka edhe diçka tjetër, sepse këtu është trashur zullumi. Myslimanët ndoshta kënaqen, por unë mendoj se edhe vetë myslimanët duhet të jenë të parët që duhet të jenë të pakënaqur ndaj kësaj përpjekjeje për ta shtrirë politikisht fenë e tyre — sepse kjo krijon një lloj reaksioni, dhe reaksioni pastaj mund të shoqërohet me gjëra të tjera.
Myslimanët vetë nuk duhet t’i gëzohen faktit që, le të themi, në një fshat të caktuar ku janë dy myslimanë, ndërtohet një xhami. Nuk ka pse të ketë xhami. Ata dy myslimanë le të gjejnë një xhami dhe të luten. Pse duhet t’ua çojnë xhaminë te dera?
Kjo gjë ka ndodhur në Skrapar, ku unë jam rritur. Atje ka një popullsi bektashiane. Dhe bektashizmi — e dini ju — nuk ka të bëjë me xhaminë. Nuk ka pasur kurrë minare. Ka pasur faltore të tjera, ka pasur teqe — por xhami kurrë. Në vitet 2000 është ngritur një xhami. Një njeri, që unë nuk e di kush është, e ka ngritur me para arabe — të ardhura nga vendet e Gjirit, sepse ato kanë para pa fund — thjesht si shenjë e dominimit të territorit. Në Skrapar nuk ka myslimanë, ose mund të ketë tre-katër vetë. Madje, ditën e premte atje dëgjohet edhe ezani. Arrogancë e dy vetave ndaj një qyteti të tërë.
Dhe kryeministri shqiptar e presidenti shqiptar këto gjëra i dinë me siguri. Nëse nuk i dinë, kanë humbur kontaktin me realitetin. Ata nuk shqetësohen.
Këtë gjë e kam parë edhe në Përmet. Kalova dy netë atje — para dy-tre javësh — dhe më bëri shoqëri ezani. Përmeti është tradicionalisht një qytet ku fetë janë të ndërthurura, popullsitë e besimeve të ndryshme jetojnë bashkërisht. Kam përshtypjen se shumica duhet të jetë ortodokse. Numri i besimtarëve myslimanë në Përmet jam i sigurt që nuk është më shumë se dhjetë. E megjithatë, atje dëgjohet ezani.
Tani, permëtarët dhe skraparinjtë duhet të organizojnë një referendum dhe t’i japin stop. Madje, xhamia në Skrapar duhet të prishet. E shëmtuar është — kush nuk e ka parë, të shkojë ta shohë. Po duhet prishur, se nuk ka lidhje me ata njerëz. Ata janë bektashinj. Le të ndërtojnë një teqe. Madje, teqet e Skraparit janë historikisht të famshme. Teqe të prishura. Dhe këto teqe kanë luajtur një rol të madh gjatë Rilindjes Kombëtare.
Pra ka një lloj abuzimi me frymëzime jo shqiptare, për të dominuar territorin. Është një gjë që nuk duhet të ndodhë — nuk i bën mirë as Islamit vetë, as reputacionit të Islamit mes shqiptarëve, as myslimanëve vetë.
Myslimanët nuk kanë nevojë të dominojnë territorin. Ata kanë nevojë — unë e supozoj kështu — që në ushtrimin e besimit të tyre të mos i pengojë askush. Kanë nevojë të kenë të drejtën e plotë ta ushtrojnë besimin e tyre. Dhe këtë të drejtë ata e kanë, e kanë fituar. Nuk ua cënon kush. Dhe nëse ua cënon dikush, unë vetë — megjithëse jam ateist dhe jam kritik ndaj Islamit — unë do të dilja në rrugë për t’ua mbrojtur të drejtën e tyre të besimit. Nuk jam dakord me besimin e tyre, por do të dilja në rrugë që t’ua mbroja atë të drejtë.
Dhe shoh këtu — që pasi përmenda presidentin, pasi përmenda kryeministrin që nuk shqetësohen — madje luajnë pak me ndjenjat fetare të popullsisë, sepse i shohin besimtarët thjesht si votues, si numra.
Kryeministri e ka bërë zakon: çdo vit organizohet ndonjë iftar dhe aty mban një fjalim. Mezi e pret fundin e Ramazanit — mezi pret ta organizojë, me taksa, me paratë e taksapaguesve, një iftar — dhe mban një fjalim mizerabël. Ai ka edhe fjalime të bukura, por nëse do të veçoni nga tërësia e fjalimeve të tij ato më mizerablet, janë fjalime të mbajtura gjatë iftarit me rastin e fundit të muajit të Ramazanit. Myslimanët ndoshta i pëlqen, por të më besojnë mua — janë fjalime të pashijshme që të hapin barkun.
Ai ka bërë një kombinim sinkretik të doktrinave të ndryshme — gjë që e bën gjithmonë. Merr ca gjëra nga Bibla, merr ca gjëra nga Kurani, fillon dhe flet për besimin e vet fetar. Ai vetë është katolik, por gruan e ka myslimane. Dhe nuk janë të vërteta as njëra as tjetra: as Rama praktikisht nuk është katolik, as shoqja e Ramës nuk është myslimane. Janë të origjinës katolike dhe myslimane. Pra, është një lojë që kryeministri shqiptar e bën vazhdimisht me fetë.
Pse? Sepse, edhe njëherë, i sheh shqiptarët si votues. As nuk bëhet merak për besimin e tyre fetar. Ashtu si nuk bëhem merak as unë. Por unë, nëse ua cënohet e drejta fetare, bëhem merak — sepse u thashë: unë dal në rrugë. Ai, nuk besoj se do të dilte. Ai i përbuz vetë, ndoshta, më shumë se sa unë.
Ndërsa ky zotëria — presidenti — na befasoi. Ne nuk e dinim se ky është besimtar mysliman syni. Unë kam pasur rastin të bëj një bisedë me presidentin e Republikës. Ai më ka thënë se është nga Skrapari — me origjinë nga Skrapari, i rritur në Kavajë apo në Berat, nuk e di saktë. Por me rrënjë nga Skrapari. Dhe Skrapari është bektashian. Sigurisht, një bektashi mund të konvertohet, mund të bëhet mysliman syni — nuk ka asnjë pengesë. Por ne duhej ta dinim përpara se ky të bëhej president: çfarë marrëdhënie ka ky me besimin? Ne nuk kemi pse ta marrim vesh që ky është besimtar mysliman syni, ta marrim vesh në momentin që ky vendos të bëjë një pelegrinazh në Mekë — siç është ky rasti.
Tani, gjëja tjetër që mua më bën përshtypje në historinë e presidentit ka të bëjë me faktin se, për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, kreu i këtij shteti bën një gjest të tillë. Dhe nëpërmjet këtij gjesti, ai krijon një këputje brutale, një thyerje brutale, me një traditë të fortë — të përuruar dhe të manifestuar nga Ismail Qemali, nga Ahmet Zogu, nga Enver Hoxha, nga Sali Berisha e të tjerë. Pra nga të gjithë ata që kanë qenë në krye të shtetit — apo, le të themi, kanë pasur timonin e vendit në dorë, siç ishte rasti i Enver Hoxhës.
Le të ndalemi tek rasti i Ismail Qemalit. Ismail Qemali ka qenë mysliman syni. Ne nuk kemi informacion të plotë lidhur me raportin që ai ka pasur me fenë myslimane, por nuk kemi asnjë provë se ai ka pasur të njëjtin raport që ka Bajram Begaj.
Ne dimë që në Vlorë, në vitin 1912, është ngritur flamuri. Ekziston dhe një fotografi — 1913, por sidoqoftë, ka qenë një përpjekje për të imituar atë që ndodhi në nëntor 1912. Dhe nuk ka asnjë provë se njerëzit që shpallën pavarësinë e Shqipërisë — që ishin të shumtë, ishin myslimanë dhe jo myslimanë, me gjak e me traditë, me prindër myslimanë, myslimanë të vërtetë — nuk ka asnjë provë se këta njerëz, pasi shpallën pavarësinë ose pak para, bënë një seancë lutjeje në stilin mysliman apo në stilin e krishterë.
Pse nuk e bënë? Jo sepse nuk kishin besim fetar — sepse unë thashë, nuk e dimë saktë çfarë lloj besimi fetar ka pasur Ismail Qemali dhe të tjerët. Por këta ishin njerëz shekullarë, njerëz laikë, kishin respekt për shtetin që donin ta ndërtonin — dhe donin ta ndërtonin sipas shembullit të shteteve perëndimore.
Pra, është një praktikë e gjatë shekullariste që ka karakterizuar historinë politike të shqiptarëve — qysh nga Rilindja Kombëtare. Naim Frashëri, vëllezërit Frashëri, besimtarët e tjerë të asaj kohe që ishin eksponentë të rëndësishëm të Rilindjes — ata nuk e kanë fshehur se kanë aspiruar për një komb dhe për një shtet shekullar, ku feja dhe shteti të ndaheshin qartë.
Dhe ky president — Bajram Begaj — nuk e përfaqëson me dinjitet këtë traditë. Nuk mund të dalë, kur dëshiron, dhe të thotë “unë nuk pyes për traditën.” Fakti që ai ka qenë i pari — kjo është një lëvizje pionere, krijon një precedent. Dhe kjo mund të kishte ndodhur një ditë, por unë do të prisja ta bënte një njeri me reputacion të jashtëzakonshëm kombëtar, me kredenciale të fuqishme akademike, me njohje të mira të feve, kulturave dhe qytetërimeve. Gjë që nuk është rasti i presidentit tonë aktual — with all due respect, nuk është ky rasti.
Kështu që ajo që bëri presidenti Bajram Begaj — nuk e di nëse e ka bërë në konsultim me të tjerë; nëse e kanë këshilluar kështu, e kanë këshilluar gabim. Qoftë edhe për faktin se ai ka të drejtë të lutet sa herë të dojë — edhe në presidencë, edhe në zyrë, mund të lutet sa herë dojë. Por gjeste të tilla publike, që kanë konotacion dhe rezonancë kombëtare, një president duhet të jetë i kujdesshëm.
Nuk mund të bëhej me shpengimin me të cilin Bajram Begaj e bëri këtë gjë — shkoi, bëri haxhin, u tregoi të gjithë shqiptarëve, shkoi me paratë e presidencës — të cilat janë para të taksapaguesve — mori gazetarë me vete, e filmuan, e fotografuan. Dhe nuk ka pasur asgjë të drejtë ta bënte këtë gjë.
Këto ishin kritikat që unë bëra te komenti im, për shkak të të cilit pati një lloj reagimi nga disa myslimanë në rrjetet sociale. Janë komente të bëra në bona fide — me dispozicion të vullnetit të mirë. Janë kritika. Nuk po kritikoj Islamin për hir të kritikës — unë e bëj këtë vetëm kur kam përballë dikë që mund të luajë rolin e kundërt, ose e bëj për librat e mi. Nuk e sulmoj kurrë, nuk e kritikoj kurrë Islamin ashtu, në vaj — për të bërë monologje të tëra dhe për ta kritikuar me forcë e ashpërsi. Jo. Unë dua ta bëj këtë gjë kur kam përballë një njeri që mund të luajë rolin e kundërt.
Dua të përsëris edhe njëherë idenë time: ajo që ka bërë presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, është një gjë e fortë, e rëndë. Për mua, është e vetmja gjë që këtij presidenti do t’i mbetet — në arkiva apo në histori. Ai do të hyjë në histori vetëm për këtë gjë. Nuk besoj se ka pasur raste të tjera kur të manifestojë fuqinë e vet dhe ndonjë rol të vet. Gjëja më e fortë, më spektakolare që ka bërë, është pikërisht haxhi në Mekë. Dhe nuk besoj se është nderi i një presidenti të regjistrohet në histori vetëm për kaq pak gjë.















