Nga Konrad Schuller
Në fakt, presidenti rus synonte ta mposhtte Ukrainën në front. Meqenëse kjo nuk po funksionon, ai po mbështetet te terrori me bombardime. Ja si mund të ndalet.
Vladimir Putini e ka ndryshuar planin e tij për fitoren në Ukrainë. Planin e vjetër e kishte formuluar në vitin 2024. „Trupat tona po përparojnë përgjatë gjithë vijës së kontaktit“, tha ai atëherë. „Çdo ditë, pak a shumë“, derisa Ukrainës të mos i mbeteshin më ushtarë. Në fund, Rusia do ta konsumonte armikun në front.
Por tani po ndodh ndryshe. Përparimi rus ka ngecur dhe humbjet po rriten. Sipas vlerësimit të ushtrisë britanike, Rusia deri tani ka humbur një milion e gjysmë ushtarë. Gjysmë milioni janë vrarë dhe një milion janë plagosur. Humbjet e Ukrainës me gjasë janë tre deri në katër herë më të vogla. Sulmi është, fundja, më vdekjeprurës se mbrojtja.
Prandaj Rusia tani ka një plan të ri për fitoren. Ajo nuk dëshiron më ta mposhtë Ukrainën në front, por përmes një „lufte të qyteteve“, domethënë me sulme ajrore në të gjithë vendin. Në fund të shtatorit, Putini e formuloi këtë duke thënë se „masat hakmarrëse“ të Rusisë janë aq „shkatërruese“, saqë armiku tashmë po lutet për paqe. Kanali në Telegram „Rybar“, një nga platformat më të mëdha propagandistike të Rusisë, komentoi se „lufta e qyteteve“ do ta shndërronte Ukrainën në një aset të pavlefshëm për sponsorët e saj perëndimorë dhe në këtë mënyrë do ta detyronte të pranonte „paqen“. Për këtë arsye, raketat dhe dronët janë „më të leverdishëm“ sesa qindra mijëra ushtarë të rinj në front.
Ky plan po jep efekt. Lufta e Donald Trumpit kundër Iranit po i angazhon armët amerikane të mbrojtjes në mbarë botën. Për Ukrainën pothuajse nuk mbetet asgjë dhe raketat ruse tani pothuajse gjithmonë arrijnë objektivin. Përveç kësaj, dronët rusë me rreze të gjatë veprimi po kalojnë aktualisht nga motorët me helikë në motorë reaktivë dhe tani janë shumë më të rrezikshëm. Më parë Ukraina arrinte të rrëzonte 90 për qind të tyre; në shtator, vetëm 55 për qind.
Megjithatë, Rusia është nën presionin e kohës. Ekonomia e luftës po kërcet nën barrë dhe kanali propagandistik „Rybar“ shkruan se, për shkak të kostove të larta dhe radhëve para pikave të karburantit, as „lufta e qyteteve“ nuk mund të vazhdojë përgjithmonë. Prandaj, me gjasë, Putini do të përpiqet ta çojë Ukrainën drejt kolapsit gjatë dimrit të ardhshëm. Ndërprerja e ngrohjes, si dhe shkatërrimi i industrive dhe centraleve elektrike, synojnë ta detyrojnë vendin të dorëzohet.
Tri masa mund të ndihmojnë tani. Së pari, Gjermania dhe aleatët e tjerë të Ukrainës duhet të japin një kontribut edhe më të madh për mbrojtjen ajrore. Së dyti, duhet bërë më shumë për të zvogëluar të ardhurat e Rusisë. Pas sulmit ndaj aeroportit Leipzig/Halle, qeveria federale gjermane njoftoi se do të ndërmerrte masa kundër flotës së fshehtë të cisternave ruse. Tani mund të bëjë atë që ka thënë.
Së treti, Ukraina ka nevojë për aq shumë ndihmë financiare, sa Rusia të mos mund të shpresojë se do ta bombardojë deri në falimentim. Zelensky së fundmi ka thënë se buxhetit për vitin 2026 i mungojnë 24 miliardë euro. Ekspertët në BE nuk e vënë në dyshim në parim këtë shifër, por po e vonojnë disbursimin e fondeve, sepse vendi po zvarrit reformat për të cilat është rënë dakord. Për vitin 2027, sipas të dhënave nga Kievi, mungojnë madje 69 miliardë euro. Prandaj, pasuria shtetërore ruse me vlerë rreth 210 miliardë euro, e ngrirë në BE, duhet që që këtë vjeshtë të transferohet nga ofruesi belg i shërbimeve financiare Euroclear dhe institucione të tjera te vetë BE-ja dhe t’i jepet Ukrainës si hua.
Kjo do t’i sillte dobi edhe Gjermanisë dhe aleatëve të saj. Nëse ndihma për Ukrainën financohet me paratë ruse, parti si AfD-ja ose Rassemblement National francez do ta humbnin argumentin me efekt te votuesit se në vend mungojnë kujdestarët për të moshuarit, sepse të gjitha paratë po digjen në Ukrainë.
Ndihma për Ukrainën, sidoqoftë, kushton më pak sesa mosdhënia e saj. Në vitin 2024, Instituti për Ekonominë Botërore llogariti se, pas një fitoreje ruse, Gjermanisë do t’i duhej që në planin afatgjatë t’i rriste shpenzimet e mbrojtjes në dhjetë deri në njëzetfishin e mbështetjes së tanishme për Ukrainën, në mënyrë që ta frenonte Rusinë nga sulme të tjera. Edhe në planin afatshkurtër është e kushtueshme t’i lihet dorë e lirë Putinit. Për shkak të bllokimit të rrugëve të eksportit përmes Detit të Zi, çmimet e drithërave në mbarë botën janë rritur deri në 25 për qind dhe disa tashmë parashikojnë viktima nga uria në Jugun Global.
Megjithatë, nëse Ukraina do ta marrë ndihmën e nevojshme, kjo varet edhe nga Zelensky. Që nga revolucioni proevropian i vitit 2014, vendi ka bërë shumë përparim në luftën kundër korrupsionit, por jo mjaftueshëm. Kjo ka pasoja. BE-ja po mban pezull fonde, ndërsa mbështetësit e Putinit në AfD po përqeshin. Zelensky është i madh në luftën kundër armikut të jashtëm. Nëse Ukraina do të mbijetojë, ai duhet të bëhet i madh edhe në luftën kundër armikut të brendshëm.
Burimi: F.A.Z.
Konrad Schuller
Korrespondent politik i Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung në Berlin.















