Ballina Aktualitet SPAK i sekuestroi telefonin/ Çfarë thoshte pak ditë më parë Ardi Veliu...

SPAK i sekuestroi telefonin/ Çfarë thoshte pak ditë më parë Ardi Veliu për akuzat e trafikut të armëve

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

SPAK ka zhvilluar sot kontrolle në disa ambiente në kuadër të hetimit për çështjen “KAYO”, ndërsa administratorit të kompanisë shtetërore, Ardi Veliu, raportohet se i është sekuestruar telefoni.

Kontrolle janë kryer edhe në ambiente të lidhura me biznesmenin Ron Yeffet dhe kompaninë TIMAK, ndërsa hetuesit kanë sekuestruar dokumente dhe materiale që do t’i nënshtrohen verifikimit.

Zhvillimi i sotëm rikthen në vëmendje intervistën që Ardi Veliu dha vetëm pak javë më parë në “Opinion” në një kohë kur në publik ishin hedhur akuza dhe pretendime nga Arben Ahmetaj për një skemë të dyshuar të trafikut të armëve, ku përmendeshin KAYO, TIMAK Defence dhe biznesmeni Ron Yeffet.

I pyetur drejtpërdrejt nga Blendi Fevziu për përfshirjen e KAYO-s në këto pretendime, Veliu e mohoi kategorikisht.

“Nuk jemi përfshirë në trafik armësh. Zero”, tha ai. Administratori i KAYO-s deklaroi gjithashtu se kompanitë dhe fabrikat që kishte marrë në pronësi KAYO nuk kishin kapacitet prodhues në atë moment.

“Deri më tani përfshirja e KAYO-s është zero, se fabrikat që kemi marrë dhe i kemi në pronësi, aktiviteti është zero i prodhimit”, deklaronte ai.

Gjatë intervistës, Veliu foli edhe për marrëdhënien me TIMAK Defence, për përfshirjen e Ron Yeffet dhe për investimin e deklaruar prej 15 milionë eurosh për rivitalizimin e ish-uzinës së traktorit. Sipas tij, marrëdhënia kontraktuale ishte zhvilluar përmes TIMAK dhe investimi ishte në proces.

Sot, vetëm disa javë pas atij qëndrimi publik, emri i Veliut rikthehet në qendër të zhvillimeve hetimore, këtë herë për shkak të veprimeve të SPAK dhe sekuestrimit të telefonit të tij.