Është një zhgënjim për delegacionin brazilian që hyn në Zyrën Ovale më 26 maj. Siguria e Shtëpisë së Bardhë nuk pati kohë të kontrollonte fanellat e kombëtares së futbollit që Flavio Bolsonaro, me kravatë në ngjyrat e Brazilit, vëllai i tij Eduardo, si dhe Paulo Figueiredo, nipi i gjeneralit të fundit që drejtoi diktaturën ushtarake (1964-1985), kishin ndër mend t’ia dhuronin Donald Trumpit. Por kjo nuk mjafton për ta prishur atmosferën. Lideri republikan shfrytëzon rastin për t’u interesuar për shëndetin e mikut të tij Jair Bolsonaro – babai i Flavios dhe Eduardos dhe ish-presidenti brazilian, dikur i mbiquajtur “Trumpi i tropikëve” – të cilin e kishte pritur me shumë bujë në rezidencën e tij Mar-a-Lago në vitin 2020. Amerikani e di se patriarku, i cili tashmë po vuan në arrest shtëpiak një dënim me 27 vjet burg për përpjekjen e dështuar për grusht shteti në vitin 2023, vazhdon t’i tërheqë fijet.
I paduruar për t’u zyrtarizuar nga Partia Liberale (e djathta radikale) si kandidat në zgjedhjet presidenciale të 4 dhe 25 tetorit, Flavio, 45 vjeç, ka ardhur me një kërkesë shumë konkrete. Në një garë shumë të ngushtë në sondazhe me udhëheqësin aktual të majtë, Lula, ai i sugjeron presidentit të Shteteve të Bashkuara që dy organizatat kryesore kriminale të vendit, “Primeiro Comando da Capital” (Komandoja e Parë e Kryeqytetit) dhe “Comando Vermelho” (Komandoja e Kuqe), të klasifikohen si “organizata të huaja terroriste”. Një mundësi që deri tani është refuzuar nga administrata Lula në Brasília, e cila ende e ka të freskët në kujtesë rrëmbimin e presidentit Nicolás Maduro në Venezuelë dhe druhet se një klasifikim i tillë mund të përdoret në të ardhmen për të justifikuar operacione ushtarake amerikane në territorin brazilian.
Vetëm dy ditë pas vizitës së vëllezërve në Uashington, dëshira e tij plotësohet nga Marco Rubio, sekretari amerikan i Shtetit me origjinë kubane, i cili u kushton vëmendje të veçantë çështjeve të Amerikës Latine. Episodi ilustron njëkohësisht efikasitetin e lobimit të familjes Bolsonaro dhe realitetin e ndërhyrjeve amerikane që shoqërojnë jetën politike braziliane. “Flavio dhe vëllai i tij po përpiqen qartazi ta bindin administratën amerikane të veprojë në mënyrë armiqësore ndaj qeverisë së Lulës, me qëllim që të favorizojë kampin e së djathtës ekstreme”, thekson Thais Pavez, politologe dhe drejtoreshë e firmës së konsulencës Estratégia Latina.
Eduardo Bolsonaro jeton në Shtetet e Bashkuara
Për ta realizuar këtë punë ndikimi, klani mund të mbështetet te përfaqësuesi i tij më i mirë, Eduardo Bolsonaro, 42 vjeç, ish-deputet brazilian që ka marrë leje qëndrimi të përhershëm në Shtetet e Bashkuara. Që prej marsit 2025, djali i tretë i Jair Bolsonaros bën një jetë të rehatshme në Teksas, në një rezidencë luksoze me pishinë dhe fusha tenisi, e financuar pjesërisht me paratë e babait të tij. “I kam depozituar dy milionë [realë] në llogarinë e tij. Gjithçka është më e shtrenjtë jashtë vendit, kam dy nipër. Ai jeton jashtë vendit dhe nuk dua të ketë vështirësi”, është justifikuar ish-kreu i shtetit, i vetëdijshëm se djali i tij nuk pritet të kthehet së shpejti në vend.
Në fakt, më 16 qershor, Eduardo u dënua me katër vjet burg – dhe iu ngrinë pasuritë – pasi i kishte kërkuar haptazi administratës Trump të ushtronte presion mbi gjyqtarët e Gjykatës së Lartë Zgjedhore, në mënyrë që ata të tregoheshin më të butë me babanë e tij, të cilin familja e paraqet si një “të burgosur politik”. Puna e tij për minimin e institucioneve rezultoi e frytshme, pasi në korrik 2025 Uashingtoni vuri në përdorim një arsenal të tërë masash shtrënguese kundër instancës më të lartë gjyqësore braziliane: revokimin e vizave amerikane të disa gjyqtarëve dhe zbatimin nga Departamenti i Thesarit të Aktit Magnitsky – ngrirjen e pasurive të mundshme në Shtetet e Bashkuara – kundër gjyqtarit Alexandre de Moraes, përgjegjës për procesin ndaj Jair Bolsonaros dhe armik i betuar i familjes.
I zemëruar nga trajtimi gjyqësor që iu bë Bolsonaro-s së vjetër, Trumpi vendosi po atë muaj, në korrik, tarifa doganore prej 50 për qind ndaj produkteve braziliane. Masa u shpall e pavlefshme nga Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara dhe një vit më vonë u ul në vetëm 25 për qind, por ajo i përkeqësoi ndjeshëm marrëdhëniet diplomatike, tashmë të ndërlikuara, midis Lulës dhe Trumpit.
Doktrina “Donroe”
Kjo armiqësi është pjesë e një projekti më të gjerë. Që prej publikimit në vitin 2025 të Strategjisë së tij të Sigurisë Kombëtare, presidenti amerikan pohon vullnetin për të rivendosur epërsinë e Shteteve të Bashkuara në të gjithë kontinentin. Trumpi dëshiron të zbatojë doktrinën e tij të famshme “Donroe” [shënim i redaksisë: e frymëzuar nga presidenti James Monroe, i cili në vitin 1823 synonte t’i linte “Amerikat amerikanëve”]. Dhe në Uashington, klani Bolsonaro shfaqet si kali ideal i Trojës. “Marrja e kontrollit të Venezuelës, afrimi me Argjentinën [e Mileit] dhe kalimi i Kolumbisë dhe Kilit në të djathtën ekstreme ishin hapat e parë”, analizon José Vicente de Sá Pimentel, ish-ambasador i Brazilit. “E ndihmuar nga afërsia mes dy familjeve, marrja e ekonomisë kryesore të kontinentit, e pasur me toka të rralla dhe naftë, do të ishte qershia mbi tortë.”
Në këtë mjedis të trazuar, çdo anëtar i familjes luan rolin e vet për t’u rikthyer në pushtet. “Flavio është figura kryesore që ndjek gjurmët e të atit. Michelle, bashkëshortja e tij, synon votat e grave dhe të ungjillorëve. Ndërsa Carlos, djali i tij i dytë, është strategu që po mendon të kandidojë për Senat”, shpjegon Leandro Consentino, profesor në Insper të São Paulos. Eduardo, ndërkohë, prej kohësh po përgatit terrenin në Shtetet e Bashkuara. Babai i tij madje ishte pranë emërimit të tij si ambasador i Brazilit në Shtetet e Bashkuara, përpara se të detyrohej të tërhiqej përballë krizës së shkaktuar në dhomën e lartë të parlamentit.
Një takim me Bannonin
Klanet Trump dhe Bolsonaro ndajnë gjithashtu një afërsi të caktuar ideologjike. Pikërisht në Nju Jork, në zyrat elegante të Breitbart News, një faqe informative e së djathtës ekstreme, Eduardo takohet për herë të parë në vitin 2018 me Steve Bannonin, ish-strategun konspiracionist të Donald Trumpit, i cili e fut atë në qarqet e Conservative Political Action Conference (CPAC), që është shndërruar në tubimin e madh vjetor të botës MAGA. E gjithë kjo galaktikë nacionaliste vë në dyshim besueshmërinë e votimit elektronik në Brazil, megjithëse ai konsiderohet ndër më të sigurtit në botë. Kjo fushatë masive për diskreditimin e institucioneve pati pasoja dramatike në të dyja anët e kontinentit. Pas sulmit ndaj Kapitolit nga mbështetësit e Trumpit në vitin 2021, Brazili përjetoi në vitin 2023 një përpjekje për grusht shteti të kryer nga mbështetësit e Bolsonaros.
Tre vjet më vonë, shqetësimet vazhdojnë të jenë aktuale. Dhe Lula kundërsulmon. Nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, më 22 shtator, ai i bëri thirrje gjithë botës si dëshmitare përballë ndërhyrjeve amerikane. Brazili “nuk ka vend në oborrin e askujt”, deklaroi me forcë udhëheqësi i së majtës së Amerikës së Jugut. Në sallë, delegacioni amerikan qëndroi i palëkundur. “Në këto zgjedhje, Lula përpiqet të tregojë se ai përfaqëson zgjedhjen e sovranitetit përballë komprometimit të interesave kombëtare nga Flavio”, vëren Oliver Stuenkel, studiues në Fondacionin Getulio Vargas.
Që në marsin e kaluar, Darren Beattie, zyrtar i lartë i Departamentit amerikan përgjegjës për çështjet braziliane, nuk u lejua të hynte në territorin e vendit më të madh të Amerikës Latine. Ky diplomat që vjen nga e djathta radikale, i cili duhej të merrte pjesë në një forum për mineralet kritike, kishte shtuar në agjendën e tij një takim me Flavio Bolsonaron dhe babanë e tij. Brasília e refuzoi prerazi. Nuk ka dyshim se dyert do t’i hapen nëse kandidati i mbështetur nga Uashingtoni fiton zgjedhjet në tetorin e ardhshëm./Burimi: /L’Express















