Në disa vende, një në pesë persona vuan nga një çrregullim mendor. Pse gratë preken më shumë se burrat, çfarë i shqetëson më së shumti të rinjtë dhe ku regjistrohen më shumë raste: një pasqyrë globale përmes hartave.
Rreth tetë miliardë njerëz jetojnë në Tokë. Gati 1,2 miliardë prej tyre vuajnë nga një çrregullim mendor dhe, që nga viti 1990, numri i tyre pothuajse është dyfishuar. Për shkak të kësaj rritjeje dramatike, studiuesit shkruajnë në një studim të botuar në revistën shkencore “The Lancet” se çrregullimet mendore janë bërë tashmë shkaku kryesor i dëmtimeve shëndetësore në nivel global. Sipas tyre, ato kanë tejkaluar sëmundjet kardiovaskulare, kancerin dhe çrregullimet e sistemit muskulor-skeletor.
“Nuk do ta kisha menduar se shifrat do të ishin kaq të larta”, thotë për SPIEGEL Damian Santomauro nga Universiteti i Queensland-it, i cili udhëhoqi studimin. Ai dhe ekipi i tij i kontrolluan të gjitha të dhënat dy herë për t’u siguruar për saktësinë e tyre. “Por gjithçka rezultoi e saktë”, thotë ai. “Kjo është alarmante.”
Për studimin, Santomauro dhe ekipi i tij analizuan sa shpesh shfaqen çrregullimet mendore dhe sa e madhe është barra që ato shkaktojnë. Për këtë qëllim, ata vlerësuan studime nga vende dhe rajone të ndryshme të botës. Me metoda statistikore, plotësuan boshllëqet për vendet ku kishte pak ose aspak të dhëna. Rezultatet u analizuan sipas gjinisë, për 25 grupmosha, 21 rajone dhe 204 vende e territore, për periudhën 1990–2023.
620 milionë gra, 552 milionë burra
Janë veçanërisht dy diagnoza që kanë ndikuar në rritjen globale të rasteve: depresioni i rëndë dhe çrregullimet e ankthit janë shtuar ndjeshëm që nga viti 1990.
Gratë preken në mënyrë disproporcionale. Në vitin 2023, në mbarë botën, 620 milionë gra të të gjitha grupmoshave jetonin me një çrregullim mendor, ndërsa e njëjta gjë vlente për 552 milionë burra.
“Këto dallime ka të ngjarë të jenë rezultat i një kombinimi kompleks faktorësh”, thuhet në studim.
Gratë përballen me një rrezik më të lartë nga dhuna në familje dhe abuzimi seksual. Përveç kësaj, ato marrin më shpesh përsipër përgjegjësi kujdesi emocionalisht të lodhshme dhe janë të ekspozuara ndaj pabarazive strukturore, si diskriminimi gjinor.
Ndërsa gjatë 30 viteve të fundit janë shënuar përparime të mëdha në kujdesin për shëndetin fizik të grave, veçanërisht në fushën e shëndetit të nënave, rezultatet e analizës aktuale tregojnë një prirje të kundërt në shëndetin mendor. Sipas studiuesve, që nga viti 2019, pavarësisht moshës, rastet e depresionit janë rritur me 24 për qind, ndërsa çrregullimet e ankthit me 47 për qind.
Krahasimi global: Holanda në krye, Gjermania ndër vendet me shifra të larta
Në mbarë botën, barra e çrregullimeve mendore është rritur gjatë dekadave të fundit. Rritja më e madhe është regjistruar në rajonet perëndimore të Afrikës Subsahariane, ndërsa në Azinë Lindore ka qenë më e ulëta.
Normat më të larta në krahasimin global regjistrohen kryesisht në vendet me të ardhura të larta, ku përfshihen Australia, Amerika e Veriut dhe Britania e Madhe. Shifrat më të larta në botë – afro 23.000 të prekur për çdo 100.000 banorë – regjistrohen në Holandë. Në Gjermani, gati 15.000 nga 100.000 banorë vuajnë nga një çrregullim mendor.
Këto të dhëna krijojnë një hartë me shumë zona të kuqe, pra me shumë vende dhe rajone ku çrregullimet mendore janë veçanërisht të përhapura. Megjithatë, është e vështirë të nxirren modele të qarta globale, pasi një pjesë e konsiderueshme e të dhënave janë vlerësime statistikore. Ndikimi i faktorëve të tjerë, si ndryshimet demografike, nuk mund të përcaktohet lehtësisht nga këto të dhëna.
A ndikon ndërgjegjësimi më i madh në rritjen e shifrave?
Perceptimi ndaj çrregullimeve mendore ka ndryshuar ndjeshëm vitet e fundit, veçanërisht në vendet e pasura. Deri në vitin 1991, homoseksualiteti ishte ende pjesë e listës së diagnozave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. A mund të ketë ndikuar ky ndryshim në ndërgjegjësim në rritjen e rasteve?
“Jo domosdoshmërisht”, thotë Santomauro. Për të shmangur një efekt të tillë, ai dhe ekipi i tij nuk u mbështetën te diagnozat e regjistruara apo te të dhënat e trajtimeve. “Gratë kërkojnë më shpesh ndihmë profesionale sesa burrat, të rinjtë më shpesh sesa të moshuarit dhe njerëzit me të ardhura më të larta më shpesh sesa ata me më pak mundësi financiare.” Vetëm mbështetja te diagnozat zyrtare do të shtrembëronte pasqyrën reale.
Më domethënëse për studiuesit ishin përgjigjet e vetë njerëzve për mënyrën se si ndiheshin për periudha të gjata kohore. “Nëse ndihen të dëshpëruar për një kohë të gjatë ose nëse nuk funksionojnë normalisht në jetën e përditshme”, thotë Santomauro. “Një ndërgjegjësim më i madh nuk mund të shpjegojë një gjendje të tillë të vazhdueshme.”
Sipas tij, ka shumë gjasa që numri i rasteve në vendet me të ardhura të ulëta të rritet edhe më tej në të ardhmen. Sëmundjet infektive po zëvendësohen gradualisht nga sëmundjet jo të transmetueshme.
“Diabeti, kanceri dhe çrregullimet mendore do të bëhen një problem gjithnjë e më i madh për shumë shoqëri.”
Në shumë vende, veçanërisht në Afrikë, shifrat mund të jenë më të ulëta për shkak të mungesës së të dhënave. Problemet e shëndetit mendor vazhdojnë të stigmatizohen dhe shpesh nuk diskutohen hapur. Në raste të tjera, simptomat klasifikohen ndryshe. Ato nuk shfaqen gjithmonë vetëm në nivel psikologjik.
“Një dhimbje në gjoks shpesh nuk njihet si sulm paniku”, thotë Santomauro. “Ka mundësi që në shumë vende ne ende ta nënvlerësojmë përhapjen e çrregullimeve mendore.”
Pandemia la gjurmë veçanërisht te të rinjtë
Pandemia e COVID-19 ndikoi ndjeshëm në rritjen e rasteve, veçanërisht te të rinjtë e moshës 15 deri në 19 vjeç, pavarësisht rajonit ku jetonin.
Në Gjermani, në vitin 2019 – vitin e fundit para pandemisë – në grupmoshën 15–19 vjeç regjistroheshin rreth 19.600 raste për 100.000 banorë.
Në vitin 2022, kur kufizimet dhe masat e kontaktit po hiqeshin gradualisht, shifra ishte rritur në afro 27.000 raste për 100.000 banorë.
Kjo e vendoste Gjermaninë mbi mesataren e Bashkimit Evropian, e cila ishte 22.300 raste për 100.000 banorë.
“Me pandeminë, shifrat u rritën ndjeshëm”, thotë Santomauro. “Por ky trend kishte filluar shumë kohë më parë.”
Sipas tij, gjatë dekadave të fundit janë zbehur premtime tek të cilat brezat e mëparshëm mund të besonin: mundësia e ngritjes sociale, ideja se puna të çon drejt suksesit, blerja e një shtëpie, krijimi i familjes dhe plakja në paqe. Për shumë të rinj, këto premtime nuk duken më të realizueshme.
Ankthi për të ardhmen dhe roli i rrjeteve sociale
Ajo që shqetëson më shumë të rinjtë në Gjermani ndryshon sipas sondazheve. Një luftë e mundshme në Evropë renditet ndër shqetësimet kryesore, së bashku me pasojat e ndryshimeve klimatike dhe ndikimin e ekstremizmit.
Santomauro e quan këtë “paradoksale”. Edhe te të rinjtë, çrregullimet mendore janë më të përhapura në vendet me të ardhura të larta sesa në ato me të ardhura më të ulëta. Kjo ndodh megjithëse të rinjtë në vendet më të varfra shpesh përballen tashmë me problemet që shqetësojnë bashkëmoshatarët e tyre në vendet e pasura.
“Ndoshta kjo ndodh sepse shumë njerëz thjesht nuk kanë kapacitet të merren me shëndetin mendor”, thotë ai.
Nga ana tjetër, ekziston një ngjashmëri e madhe në mbarë botën, pavarësisht vendit apo nivelit të të ardhurave: rrjetet sociale.
Ekspertët paralajmërojnë prej kohësh se përdorimi i rregullt i rrjeteve sociale mund të ndikojë negativisht në shëndetin mendor. Të rinjtë flenë më pak, përjetojnë më shumë stres dhe kanë më shumë gjasa të jenë të pakënaqur me trupin e tyre.
“Duhet urgjentisht të vëzhgojmë se si po zhvillohet ky trend te të rinjtë”, thotë Santomauro. “Dhe të studiojmë me kujdes se çfarë ndikimi kanë masa të tilla si kufizimi i moshës për qasjen në rrjetet sociale.”/TetovaNews















