Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka inkurajuar privatisht Ukrainën të përshpejtojë sulmet e thella në territorin rus. Trump madje duke e pyetur presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, nëse ai mund ta godiste Moskën nëse SHBA-të do të siguronin armë me rreze të gjatë veprimi, raportoi ditën e sotme Financial Times, duke cituar njerëz të informuar mbi diskutimet.
Duke cituar dy persona të njohur me bisedën midis Trump dhe Zelensky, kjo media shkruan se presidenti amerikan e kishte pyetur homologun e tij ukrainas nëse mund të godiste objektiva ushtarake thellë brenda Rusisë nëse ai ofronte armë të afta për ta bërë këtë. Nga ana tjetër Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të mediave të huaja për koment.
“Volodymyr, a mund ta godasësh Moskën?… A mund ta godasësh edhe Shën Petersburgun?” tha Trump, sipas Financial Times.
Lajmi vjen ndërsa Trump duket se po përmirëson raportet me Ukrainën pas muajsh të tërë marrëdhëniesh të trazuara, duke i ofruar armë të përparuara vendit të shkatërruar nga lufta nëpërmjet një marrëveshjeje me NATO-n dhe duke e kërcënuar Rusinë me “tarifa të ashpra” nëse Putin nuk pranon një marrëveshje paqeje brenda 50 ditësh.

Analiza e DW: A mund ta frikësojnë Putinin kërcënimet e Trump?
50 ditë, ky është afati i fundit. Pastaj vendosen tarifa ndëshkuese 100 për qind. Si afati ashtu edhe kërcënimi vijnë direkt nga Shtëpia e Bardhë dhe shënojnë ndryshimin e qëndrimit tëDonald Trump, për momentin. Presidenti amerikan po i jep Kremlinit afat deri në fillim të shtatorit për t’i dhënë fund luftës kundër Ukrainës. Nëse deri atëherë nuk ka një “marrëveshje” ose të paktën një armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës, tha presidenti amerikan, tarifat ndëshkuese prej 100 përqind do të vendosen për të gjithë ata që ende bëjnë biznes me Rusinë, duke mbushur kështu “arkën e luftës” të Kremlinit.
Pas muajsh bisedimesh, duket se durimi i Donald Trump me Vladimir Putinin po merr fund. Trump tha, se ka dëgjuar shumë fjalë (nga pala ruse), po pastaj Kievi bombardohet përsëri natën tjetër. “Nëse doni të dini të vërtetën, Putini po na flet shumë budallallëqe.”
Sanksionet dytësore mund ta godasin rëndë Rusinë
Sanksionet dytësore, me të cilat kërcënon Trump mund ta ndryshojnë gjendjen. Ato do ta godisnin fort Rusinë, sepse synojnë edhe burimin më të rëndësishëm të të ardhurave të Rusisë: shitjen e lëndëve të para, veçanërisht naftës dhe gazit. Rreth gjysma e buxhetit të shtetit rus financohet nga burimet e lëndëve të para. Gjatë tre viteve e gjysmë të luftës, nuk është arritur të ulen ndjeshëm të ardhurat ruse nga biznesi i naftës dhe gazit. Kremlini i anashkaloi sanksionet e mëparshme, për shembull, me të ashtuquajturën flotë në hije. Kërcënimet e Trump, të ashtuquajturat sanksione dytësore, shkojnë një hap më tej: Ato kanë për qëllim të dekurajojnë blerësit e lëndëve të para ruse. Nëse të ardhurat e Rusisë nga biznesi i naftës dhe gazit do të reduktoheshin ndjeshëm, kjo do të krijonte probleme të mëdha financiare për Kremlinin dhe ta bënin më të vështirë mbajtjen në punë të makinerisë së luftës.
Kërcënime me pikëpyetje
Megjithatë, kërcënimi i Trump, sado i fortë që mund të tingëllojë, është i mbushur me disa pikëpyetje. Mënjanimi i naftës ruse nga tregu, e cila përbën 10 përqind të tregut global, ka të ngjarë të shoqërohet me turbulenca masive në çmimet e naftës dhe nuk do të jetë e realizueshme në një afat të shkurtër.
Pikëpyetja tjetër: A do të ishte Donald Trump realisht i gatshëm të rrezikonte për Ukrainën një mosmarrëveshje të re tarifore me Kinën ose Indinë, ndër blerësit më të mëdhenj të naftës ruse. Pasojat e një mosmarrëveshjeje të tillë tarifore do të ndikonin edhe në Shtetet e Bashkuara dhe ka të ngjarë të çonin në trazira të reja në tregun global. Kurse lidhur me gazin rus, sanksionet dytësore do të ishin gjithashtu problematike edhe për partnerët evropianë. Si Austria edhe Hungaria gjithashtu blejnë gaz rus.
Senatori republikan Lindsey Graham, i cili e mbështet propozimin për sanksione dytësore, kishte bërë thirrje më parë për tarifa deri në 500 përqind. Graham bëri fjalë për një “çekiç goditës” në dispozicion të Trump për t’i dhënë fund luftës. Por duket se Donald Trump ka zgjedhur opsionin shumë më pak të ashpër.
50 ditë i ofrojnë presidentit amerikan mundësi të mjaftueshme për të ndryshuar edhe më tej qëndrimin e tij, por edhe Rusisë mundësinë për të përparuar më tej në fushën e betejës. Tarifat prej 100 përqind do të ishin gjithashtu dukshëm më të ulëta se sa janë diskutuar më parë. E ndoshta prandaj edhe bursa e Moskës reagoi ndaj deklaratës së Trump me rritje të kursit.
Bursa e Moskës u rrit me më shumë se dy përqind pas deklaratave të Trump, me shumë mundësi nga lehtësimi i ndjerë që kërcënimi i presidentit amerikane ishte më pak drastik nga sa kishin frikë disa./DW















