Gjykata ka dënuar me gjithësej 50 vite e gjysmë burg gjashtë anëtarë të grupit të Gërçecit, të akuzuar për trafik kokaine dhe dy vrasje të porositura nga hakmarrja.
Fadil Bajramovski, Sevdi Aziri, Nexhati Iseni dhe Besim Asani u shpallën fajtor nga gjykata për veprën penale “Prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”. Bajramovski, Aziri dhe Iseni u dënuan me nga pesë vite burg, ndërsa Asani u dënua me gjashtë vjet burg.
Kurse, Fati Sulejmanovskin gjykata e denoi me një vit e gjashtë muaj burg për veprën “Pjesëmarrje në grup kriminal” dhe 14 vjet burg për veprën penale “ Vrasje”, ose me një dënim të vetëm me burg prej 14 vjet e gjashtë muajsh. Shulejb Sulejmanovski u denua me dy vjet burg për veprën “Pjesëmarrje në grup kriminal”dhe 14 vjet burg për veprën penale “Vrasje”, ose me një dënim të vetëm me burg prej 15 vjetësh.
Grupi ka vepruar në mënyrë të vazhdueshme nga viti 2019 deri në 2021, duke trafikuar kokainë nga Shqipëria dhe Belgjika në Maqedoni, ndërsa komunikimi i tyre është dokumentuar përmes aplikacionit “Sky”. Hetimi nisi ndaj 15 personave, në mesin e të cilëve disa kanë vdekur dhe disa mbeten ende të paarritshëm dhe po kërkohen ndërkombëtarisht.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/
Gjithsej 50 vjet e gjysmë burg janë shqiptuar për gjashtë anëtarë të grupit të “Gërçecit”, të arrestuar në janar të vitit të kaluar. Katër prej tyre u dënuan për përfshirje në blerjen e paautorizuar të 15 kilogramëve drogë narkotike – kokainë, transportimin dhe shitjen e saj në tregun e brendshëm të vendit, ndërsa dy të tjerë për bashkim kriminal me qëllim kryerjen e veprës penale vrasje të dyfishtë nga hakmarrja dhe me porosi.
Gjykata i shpalli fajtorë Fadil Bajramovski, Sevdi Aziri, Nedxhat Iseni dhe Besim Asani për veprën penale “Prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekurzorëve” sipas nenit 215 paragrafi 3 i Kodit Penal.
Bajramovski, Aziri dhe Iseni u dënuan me nga pesë vite burg, ndërsa Besim Asani me gjashtë vite burg.
Dy të tjerët u shpallën fajtorë për veprat penale “Bashkim kriminal” nga neni 394 paragrafi 3 dhe “Vrasje” nga neni 123 paragrafi 2 pika 5 e Kodit Penal.
Fati Sulejmanovski u dënua me një vit e gjashtë muaj burg për veprën “Bashkim kriminal” dhe 14 vjet burg për veprën “Vrasje”, ose një dënim unik prej 14 vjetësh e gjashtë muajsh.
Shulejb Sulejmanovski u dënua me dy vjet burg për veprën “Bashkim kriminal” dhe 14 vjet për “Vrasje”, ose një dënim unik prej 15 vjetësh burg.
Grupi nuk ka vepruar në mënyrë të rastësishme, por në mënyrë të vazhdueshme, së paku nga qershori i vitit 2019 deri në mars të vitit 2021. Në hetim janë përfshirë 15 persona, prej të cilëve disa janë të ndjerë dhe disa ende të paarritshëm për organet e ndjekjes.
Gjyqtarja Fanka Jançulova Mihajllovska, gjatë shpalljes së aktgjykimit, tha se ekzistenca e grupit kriminal konfirmohet përmes përsëritjes së vazhdueshme dhe organizimit të blerjes së drogës, si dhe përmes përdorimit të të njëjtit automjet Porsche Cayenne për blerjen e drogës nga Shqipëria dhe më vonë nga Belgjika.
“Fadil Bajramovski ka qenë i vetëdijshëm dhe ka komunikuar e ka koordinuar marrjen dhe transportin e drogës përmes aplikacionit SKY, ndërsa i akuzuari Besim Asani nuk është një person që rastësisht e ka transportuar drogën, por ka qëndruar për një muaj e gjysmë në Belgjikë. Duke analizuar komunikimin nga aplikacioni SKY për marrjen e drogës nga Shqipëria, është e qartë se kosovari është i akuzuari Sevdi Aziri, i cili e ka transportuar drogën nga Shqipëria,” tha gjyqtarja Jançulova Mihajllovska.
Nga qershori i vitit 2019 deri në mars 2021, Sheval Muaremi dhe persona të tjerë të paidentifikuar kanë formuar dhe udhëhequr një grup për transport dhe shpërndarje të paautorizuar të drogës në Maqedoni. Grupi kishte rënë dakord për blerjen e 14 kilogramëve kokainë nga Shqipëria me çmim prej 33 mijë eurosh për kilogram dhe më pas kishte organizuar transportin përmes Kosovës drejt Maqedonisë.
Gjykata, gjatë shpalljes së vendimit, deklaroi se vrasja është pjesë e një plani më të madh kriminal për eliminimin e personave që i pengonin, dhe si dëshmi për këtë është fakti se viktima ishte zgjedhur në mënyrë të vetëdijshme dhe të arsyeshme.
“Ata e kanë vendosur me vetëdije dhe kanë qëndruar në vendimin për vrasjen e dyfishtë, që është karakteristikë e grupit kriminal. Nga komunikimi në SKY, është fakt se viktima është zgjedhur në mënyrë të qëllimshme dhe të arsyeshme, sikurse edhe blerja e armës me silenciator, jelekëve antiplumb dhe bliceve për veturë. Nga komunikimi është e qartë se vrasja e dyfishtë është e lidhur me përleshjen me grupin kriminal ‘Dukanxhik’ në Aleksandar Palace. Duke marrë parasysh të gjitha rrethanat, së paku tre persona kanë marrë pjesë në vrasjen e dyfishtë, pa marrë parasysh nëse Fati apo Shulejb ka shtënë ose ka drejtuar veturën,” tha gjyqtarja.
Mbrojtja ka kundërshtuar disa nga provat e siguruara përmes aplikacionit SKY, por Gjykata i ka pranuar ato pasi janë marrë me ndihmë juridike ndërkombëtare nga Franca.
Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në janar të vitit 2024 hapi hetim ndaj 15 personave, ndërsa në korrik 2024 paraqiti aktakuzë në Gjykatën Penale Themelore Shkup kundër pesë personave. Për katër persona që janë të paarritshëm për organet e ndjekjes, prokuroria përmes Ministrisë së Drejtësisë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në përputhje me Ligjin për ndihmë juridike ndërkombëtare në çështje penale. Kështu, për dy persona janë dorëzuar dokumente për ekstradim në Emiratet e Bashkuara Arabe, për një person në Kroaci dhe për një tjetër në autoritetet spanjolle. Procedurat për ekstradim po zhvillohen në përputhje me ligjet procedurale të vendeve ku ndodhen të dyshuarit dhe ndaj tyre do të vazhdohet procedura hetimore pas sigurimit të pranisë së tyre, njësoj si për të dyshuarit e tjerë.















