Ballina Aktualitet Në përkujtim të njëvjetorit të ndarjes nga jeta të aktivistit Bajram Qazimi

Në përkujtim të njëvjetorit të ndarjes nga jeta të aktivistit Bajram Qazimi

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Themelues i shoqatës “Zenel Hasani” dhe kontribues i shquar në edukimin e brezave në Danimarkë.

Sot, me dhimbje dhe mall të thellë, shënojmë një vit nga ndarja e jetës e një prej figurave më të respektuara të komunitetit shqiptar në Danimarkë, aktivistit dhe humanistit të përkushtuar Bajram Qazimi.

Një emër që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e mërgatës shqiptare, Bajram Qazimi ishte themelues i shoqatës shqiptare në Danimarkë – “Zenel Hasani”, një organizatë që u kthye në vatër të bashkimit, kulturës dhe ndihmës reciproke për shqiptarët në mërgim. Me përkushtim të madh dhe dashuri për kombin, ai u angazhua fuqishëm për të ruajtur gjuhën, traditat dhe identitetin shqiptar në një vend të huaj.

Bajrami u emërua dy her radhazi kryetar i shoqatës “Zenel Hasani”, ku dha një kontribut të çmuar në arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj, duke u bërë për ta një shembull frymëzues dhe një udhërrëfyes i palodhur.

Por përtej kontributit publik, Bajram Qazimi ishte edhe një baba i përkushtuar, krenar për dy vajzat e tij Valmira dhe Jasmina, të cilat i rriti me dashuri, sakrificë dhe udhëzim të drejtë. Të dyja përfunduan me sukses studimet e larta në Danimarkë në fushën e mjekësisë – arritje që për Bajramin ishin burim i një krenarie të veçantë.

Fatkeqësisht, në ditën e dasmës së vajzës Jasmina, mungoi prania e tij fizike – një boshllëk që nuk zëvendësohet, por që u ndje thellë në çdo zemër që e deshi.

Bajrami la pas një boshllëk të madh jo vetëm në zemrat e familjes së tij, por edhe në zemrat e gjithë atyre që patën fatin ta njohin dhe të punojnë krah për krah me të. Kujtimi i tij mbetet i gjallë përmes veprës që ndërtoi, shpresës që përcolli dhe brezave që ndikoi.

Në këtë ditë përkujtimore, i shprehim ngushëllimet më të përzemërta familjes Qazimi, dhe lutemi që shpirti i Bajramit të pushojë në paqe.

KUJTIMI YT DO TË JETOJË PËRHERË NDËR NE, BAJRAM!

Havzi Sulejmani – Xhaxhi

Danimarkë