Ballina Aktualitet Ngatërroi Zyrën e Librave Amë me Komunën e Zhelinës, Blerim Sejdiu padit...

Ngatërroi Zyrën e Librave Amë me Komunën e Zhelinës, Blerim Sejdiu padit gazetarin: Kjo nuk është gazetari, por shpifje me pagesë

Nga Blerim Sejdiu

Nuk deshta të merrem, por jam betuar se do ta luftoj çdo të pavërtetë, për hirë të qytetarëve të mi.
Para një jave ngrita padi për shpifje ndaj një portali, i cili temat e ditës i shndërron në “shërbime me porosi”, duke trilluar sikur Komuna e Zhelinës ka shitur tokë shtetërore, edhe atë: “për interesa personale”.
Sot (20.08.2025) po e bëj hapin e radhës, padi tjetër për shpifje. Kësaj radhe kinse Komunës së Zhelinës i është ndërprerë rryma elektrike. Një trillim i pastër, i fabrikuar qëllimisht për të dëmtuar imazhin tim, për një defekt me rrymën elektrike të një zyre – atë të Librave Amë në Zhelinë – e cila nuk është as kompetencë e komunës sonë.
Gazetaria e vërtetë është e shenjtë, por ç’është kjo që po praktikohet? Kjo nuk është gazetari, por shpifje me pagesë. Tentativë për të njollosur punën time dhe për të mashtruar qytetarët me lajme të rreme.
E vërteta është më e fortë se çdo shpifje. Ndaj, çdo herë që dikush guxon të sajojë, të trillojë apo të më ngarkojë me diçka që nuk më takon, do të përballet me drejtësinë.