Deklaratat përfundimtare të të akuzuarve në Gjykatën Speciale
Kryetari i trupit gjykues, z. Smith: Deklaratat e tyre, secili prej të akuzuarve ka 20 minuta për fjalimet e tyre. Deklaratat duhet të trajtojnë vetëm aspekte që janë relevante për këtë proces gjyqësor. Ju lutem të akuzuarve të flasin ngadalë për hir të përkthimit. Do të fillojmë me zotin Thaçi. Zoti Thaçi, fjala është për ju.
Deklarata përfundimtare e Hashim Thaçit
I nderuar kryetar i trupit gjykues, zoti Smith, të nderuar gjyqtarë, të nderuar të gjithë të pranishëm, përshëndetje edhe juve të gjithë që na përcillni nga galeria.
Dje në Kosovë u shënua 18-vjetori i pavarësisë së Republikës së Kosovës. Më 17 shkurt 2008, duke ndjerë rrahjet e zemrave të stërgjyshërve tanë, shpallëm Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Dëshiroj që sot nga kjo sallë të përcjell urimet më të përzemërta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për këtë festë madhështore.
Të nderuar gjyqtarë, për gati tre vite në këtë sallë gjyqi keni dëgjuar akuzat e prokurorisë dhe argumentet e mbrojtjes. Keni parë faktet, keni dëgjuar të vërtetën. Éshtë vetëm një e vërtetë: që akuzat nuk qëndrojnë. Unë jam plotësisht i pafajshëm. Por e kam thënë dhe e them sërish me bindje të plotë: unë bashkëndjej dhe shpreh keqardhje për të gjitha viktimat që ka pasur Kosova, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.
Të nderuar gjyqtarë, në kohën e masakrave në Qirez, Likoshan, Prekaz, në fillim të vitit 1998, unë isha student në Universitetin e Zyrihut. Unë nuk po bëja plane si ta merrja kontrollin në Kosovë, po bëja plane si t’i përgatisja provimet në universitet. I vetmi njeri që po bënte plane morbide ishte Slobodan Millosheviçi – plane për një gjenocid tjetër, për një zhanocid të ri në Kosovë.
Si shumë qytetarë të tjerë kosovarë, edhe unë më herët u detyrova ta lë Kosovën, sepse regjimi i Millosheviçit më kishte ndjekur. Ai më kishte dënuar në mungesë me akuzën se kisha shkelur ligjet e tij diskriminuese. Më vonë, po i njëjti regjim do të dënonte në mungesë edhe presidentin Clinton, sekretarin Olbrajt, kryeministrin Bler, kancelarin Shrëder, presidentin Shirak, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, zotin Solana dhe të tjerë – dënime në mungesë.
Prandaj, duke i parë masakrat ndaj popullit tim, unë, sikurse të tjerët, nuk mund të qëndroja indiferent. Vendosa të kthehem në Kosovë në pranverën 1998. Ky ishte vendim krejtësisht personal i imi, i askujt tjetër, sepse nuk mund të qëndroja anash, ndërsa familja dhe populli im përballej me shfarosjen. Bëra atë që do të bënte secili prej jush, nëse vendi juaj, populli juaj, do të përjetonte atë që e përjetoi populli im. Për këtë jam shumë krenar dhe nuk pendohem asnjëherë.
Të nderuar gjyqtarë, prokuroria pretendon se qëllimi ishte marrja dhe ushtrimi i kontrollit në Kosovë. Kjo jo vetëm që është plotësisht e pavërtetë, tejabsurde, por është edhe thellësisht ofenduese. Éshtë ofendim për kujtimin e mijëra heronjve që dhanë jetën për liri. Éshtë ofendim për dhjetëra mijëra viktima të pafajshme të vrarë gjatë masakrave. Éshtë ofendim dhe e padrejtë edhe për përpjekjet e NATO-s dhe Aleancës perëndimore, me të cilat unë bashkëpunova ngushtë.
Më lejoni të përsëris një të vërtetë të përjetshme: i vetmi, ama i vetmi kundërshtar i imi, i popullit të Kosovës dhe i botës demokratike, ishte Sllobodan Millosheviçi. Éshtë e rëndë ta dëgjosh këtë akuzë. Fakti që disa prej nesh sot jemi gjallë është krejtësisht rastësi dhe fat. Unë nuk u ktheva për të rrezikuar jetën time për kontroll dhe pushtet; u ktheva në atdhe, duke rrezikuar jetën time, për liri dhe paqe.
Pyetja që shtrohet sot është: marrja e kontrollit prej kujt? E vërteta është se kontrolli dhe pushteti ishin plotësisht, në gjithë territorin e Kosovës, në duart e hekurta të Sllobodan Millosheviçit. Shqiptarët nuk ushtronin pushtet; ata shtypeshin nga pushteti i Millosheviçit. Misioni ynë si popull ishte i qartë: mbijetesa, liria dhe paqja. Unë nuk kisha fare iluzione, por shpresa jonë e vetme për shpëtim ishte bota demokratike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO. Prandaj i tërë fokusi im ishte ndërtimi dhe forcimi i kësaj aleance. Për këtë qëllim unë udhëtova në shumë kryeqytete – Bruksel, Londër, Berlin, Paris, Bernë, Oslo, Vjenë – për t’i bindur për kauzën tonë të drejtë, por kudo që isha, isha në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët e administratës amerikane.
Millosheviçi e kishte filluar luftën në Kosovë, ndërsa ne kosovarët vetëm po vetëmbroheshim. Por luftën mund ta përfundonte vetëm NATO, askush tjetër, dhe ashtu ndodhi. Po të mos ishte intervenimi i NATO-s, liri e Kosovës nuk do të kishte, nuk do të kishte as pavarësi. Prandaj, pavarësia nuk ishte instrument për të marrë pushtet, por për dinjitet.
Të nderuar gjyqtarë, kjo prokurori më ka thurur shumë lavde dhe më ka ndarë tituj e grada, por e vërteta është krejt tjetër. Unë nuk isha ai i cili e transferova rezistencën nga Perëndimi në Kosovë; unë iu bashkova rezistencës në Kosovë. Nuk ishte kthimi im nga Perëndimi arsyeja pse UÇK-ja po masivizohej – arsyeja ishte Sllobodan Millosheviçi. Më bukur se kushdo e ka thënë sekretarja e shtetit Medlin Olbrajt, e citoj: “Millosheviçi me sjelljet e tij ndaj popullit të Kosovës është rekrutuesi më i madh i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.”
UÇK-ja nuk ishte shtet, nuk ishte ushtri e një shteti. Ai ishte organizim popullor që po mbrohej nga një shtet agresor. Fakti që UÇK-ja nuk ishte organizuar ashtu siç pretendon prokuroria, nuk e zbeh aspak rolin e saj për lirinë e Kosovës, nuk e bën kauzën e saj çlirimtare më pak fisnike, e as arritjen e pavarësisë më pak historike. Fitorja e Kosovës ishte më shumë politike dhe diplomatike. Suksesi më i madh i popullit të Kosovës ishte bashkëpunimi i plotë dhe besimi te Perëndimi. Ata na ndihmuan pikërisht sepse e dinin se kush ishim dhe çfarë qëllimi kishim. Unë, me asnjë çmim, në asnjë rrethanë, nuk do të rrezikoja këtë aleancë, sepse ashtu do të rrezikoja vetë lirinë e Kosovës, do të rrezikoja ekzistencën tonë kolektive.
Synimi ynë ishte paqja, nuk ishte lufta. Kur bota demokratike vendosi të thërrasë Konferencën e Paqes në Rambuje, ne iu përgjigjëm pozitivisht ftesës së tyre. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një nga tre grupet përfaqësuese të Kosovës në këtë konferencë. Megjithatë, gjatë gjithë procesit në Rambuje dhe Paris, ne punuam si delegacion i Kosovës. E pranuam Marrëveshjen e Paqes, edhe pse ajo nuk i plotësonte të gjitha kërkesat tona legjitime. Kosova zgjodhi paqen dhe demokracinë; Serbia zgjodhi luftën dhe gjenocidin.
Për të ndihmuar bashkësinë ndërkombëtare, ashtu siç na ishte kërkuar nga perëndimorët, të tre grupet – Lidhja Demokratike e Kosovës, UÇK-ja dhe LBD-ja – u pajtuan për formimin e një qeverie të përbashkët që do të funksiononte deri në zgjedhjet e para të lira demokratike në Kosovë. Ishte marrëveshje për t’i bashkuar forcat dhe energjitë për një qëllim të përbashkët: lirinë e Kosovës. Sot, si mundet dikush të pretendojë se qëllimi ishte marrja e kontrollit të Kosovës, kur ne pranuam që bashkësia ndërkombëtare ta kishte fjalën kryesore në Kosovë, e pastaj që UÇK-ja t’ia dorëzonte armët NATO-s, siç ndodhi më vonë në qershor-shtator 1999?
Pas kapitullimit të Millosheviçit, Kosova u fut në administrimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara – fakt i njohur botërisht. UNMIK-u sqaroi që në fillim se i gjithë pushteti ekzekutiv, legjislativ dhe ai gjyqësor ishte në duart e tyre. Këto ishin rrethana krejt të tjera. Më pas, unë punova me UNMIK-un dhe me partitë e tjera politike për të ndihmuar në zbatimin e mandatit në të mirë të popullit të Kosovës. Punova me strukturat e përbashkëta të UNMIK-ut. Të nderuar gjyqtarë, gjatë tërë kësaj kohe, i vetmi pushtet që kisha unë ishte pushteti i zërit tim.
Dhe, të nderuar gjyqtarë, siç e keni parë gjatë procesit gjyqësor, unë e përdora zërin tim për të promovuar një shoqëri shumëetnike dhe tolerante në vendin tim, në Kosovë. Ishte gjëja më e drejtë dhe më e duhur që mund të bëja. Kur në Kosovë po hapeshin varre gjithandej për mijëra viktima, mijëra të zhdukur nuk gjendeshin, mijëra pengje shqiptare ishin marrë me vete në Serbi – dhimbja ishte e thellë dhe kolektive. Ajo që mund të bëja, ajo që po bëja, mund të kishte pasoja fizike, por edhe elektorale. Por Kosova ishte më e rëndësishme sesa fati im personal.
Pas hyrjes së NATO-s në Kosovë dhe largimit të forcave serbe, qytetarët e Kosovës nuk po luftonin; ata po festonin lirinë e shumëpritur. Gjatë nëntë viteve të para, 1999-2008, unë i bëra thirrje popullatës të kishte durim, të ishim tolerantë, të bashkuar dhe të kishin besim te partnerët ndërkombëtarë. Pavarësia ishte fryt i aleancës sonë me botën demokratike. Pas pavarësisë, punuam me Bashkimin Evropian, me SHBA-në dhe faktorë të tjerë relevantë për normalizimin e raporteve me Serbinë.
Të nderuar gjyqtarë, ajo me çka u përballëm nuk ishte vetëm periudha e luftës; ishte një shekull shtypje dhe aparthej. Traumat kolektive shkaktuan edhe ndjenjën e fortë të zemërimit dhe hakmarrjes gjatë dhe pas luftës. Presidenti Klinton erdhi në Kosovë menjëherë pas lufte dhe na tha: “Ne e fituam luftën, ndërsa ju duhet ta fitoni paqen.” Unë e mora këtë mesazh shumë seriozisht. E përdora zërin tim për të bërë thirrje për paqe, tolerancë dhe unitet. Gjatë pjesës më të madhe pas luftës, deri në shpalljen e pavarësisë, unë nuk isha në pushtet; isha jashtë pushtetit. Edhe kur erdha në pushtet me fitore elektorale, gjatë tërë kohës respektova normat demokratike dhe rezultatet e zgjedhjeve. Kurdo që partia ime ishte në pushtet, ishte gjithmonë në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe parti të tjera politike shqiptare dhe joshqiptare. Së bashku e bëmë shtetin e Kosovës realitet.
Por, të nderuar gjyqtarë, propaganda ruse dhe serbe nuk do të ndaleshin lehtë. Pasi dështuan ta delegjitimojnë pavarësinë e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë këtu në Hagë, ia mësyën Këshillit të Evropës. Ringjallën pretendimet e tmerrshme për trafikim organesh – pretendime këto që ishin hetuar edhe më parë nga Tribunali i Hagës, nga UNMIK-u dhe EULEX-i dhe ishin hedhur poshtë si të pabaza. Sapo u publikua raporti i Dik Martit, si kryeministër i Kosovës atë kohë, mblodha përfaqësuesit kryesorë ndërkombëtarë, ambasadorët e Kuintit në Kosovë dhe udhëheqësit e EULEX-it. Kërkova dhe një tjetër hetim të pavarur. Ata premtuan. Dik Martin ra viktimë e fushatës së tyre; ata ushqyen me informacione të rreme dhe në fund tentuan edhe ta vrisnin për të fajësuar neve. Qëllimi ishte shumë i qartë: të diskreditohej projekti më i suksesshëm politik dhe ushtarak ndërkombëtar në dekadat e fundit – historia e suksesit të Kosovës.
Kur votuam në Parlamentin e Kosovës për themelimin e kësaj gjykate, ne besuam se ajo do t’i trajtonte akuzat e raportit të Dik Martit dhe do të vepronte në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Në praktikë, asnjëra as tjetra nuk ndodhi. Unë jam kritikuar shumë dhe kritikohem ende në Kosovë pse e mbështetëm themelimin e kësaj gjykate. Kritikët thonë se kjo gjykatë synon kriminalizimin e luftës sonë për liri dhe të idesë së pavarësisë. Këtë nuk e kam besuar në atë kohë kur e votuam, por uroj sinqerisht që koha të dëshmojë se unë kisha të drejtë, e kritikët e kishin gabim. Kjo prokurori, në vend që t’ia heqë renë e zezë Kosovës, kërkon t’ia zëshë diellin me një stuhi të zezë. Të ashtuquajturën “ndërmarrje e përbashkët kriminale” – shumë nga akuzat që kam dëgjuar nga kjo prokurori, të nderuar gjyqtarë, në këtë sallë i kam dëgjuar edhe gjatë fushatave zgjedhore në Kosovë, ama janë të njëjta.
Éshtë e vërtetë e dhimbshme që kjo prokurori përpiqet t’i hedhë poshtë dëshmitë e zyrtarëve të lartë të NATO-s, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Britanisë së Madhe dhe të OKB-së në këtë gjykatë – të atyre njerëzve që ishin tërë kohën bashkë me ne në terren, që ishin sytë dhe veshët e Perëndimit në Kosovë. Për më keq, kjo prokurori pretendon se unë i paskam qitë në lajthitje gjatë gjithë kohës së luftës. Kjo është krejt qesharake. Si duket, kjo prokurori sërish më mbivlerëson më tepër se ç’meritoj. Nga ana tjetër, kjo prokurori lartëson në qiell dëshmi të fabrikuara nga epoka e regjimit të Sllobodan Millosheviçit. Kështu, ajo e injoron vetë të vërtetën.
Të nderuar gjyqtarë, krejt në fund…
Kryetari i trupit gjykues, z. Smith: Zoti Thaçi, e keni kaluar kohën e caktuar.
Hashim Thaçi: …në Rambuje unë mbështeta kërkesën që Tribunali për ish-Jugosllavinë t’i hetojë krimet e supozuara nga të gjitha palët. Nga përfundimi i luftës, të gjitha kompetencat për hetimin e krimeve të luftës ishin në duart e Tribunalit për ish-Jugosllavinë, UNMIK-ut dhe EULEX-it; unë e mbështeta punën e tyre. Asnjë i akuzuar në Kosovë për krime lufte nuk ishte arratisur dhe asnjë gur nuk është lënë pa lëvizur për të kundërshtuar proceset ligjore gjatë 25 viteve të pasluftës. Pas shpalljes së pavarësisë, kur unë isha kryeministër i Kosovës, unë pajtova që hetimet e pavarura për krime lufte të mbesin në duart e EULEX-it. Si president i Kosovës, angazhova ekspertë eminentë ndërkombëtarë dhe vendorë të të gjitha komuniteteve për të krijuar një forum të drejtësisë tranzicionale për viktimat – Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin. Por e vërteta është se drejtësia për viktimat nuk mund të ndërtohet duke ndjekur të pafajshmit; pajtimi nuk mund të ndodhë me ndjekje selektive dhe etnike.
Të nderuar gjyqtarë, fjalia e fundit: Gjatë gjithë jetës sime unë isha përkrah popullit të Kosovës në mbrojtje të lirisë, jetës dhe dinjitetit njerëzor, gjithmonë duke udhëhequr nga idealet perëndimore të demokracisë, barazisë dhe drejtësisë. Sot, në përfundim të këtij procesi, e kam vetëm një lutje: të nderuar gjyqtarë, që vendimi juaj të jetë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, ligjet, provat dhe faktet. Provat e paraqitura e bëjnë shumë të qartë se akuzat nuk qëndrojnë. Prandaj, i vetmi vendim i drejtë është pafajësia e plotë. Ju faleminderit shumë.
Kryetari i trupit gjykues, z. Smith: Faleminderit, zoti Thaçi. Zoti Veseli, është fjala për ju tani.
Deklarata përfundimtare e Kadri Veselit
Përshëndetje. (Kërkon falje) Ishte gabimi im, kërkoj falje. Edhe njëherë, përshëndetje të gjithë të pranishmëve në sallë, përshëndetje të gjithë mysafirëve të cilët janë në sallën e pritjes, faleminderit shumë. Përshëndetje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.
I nderuari kryetar i trupit gjykues, të nderuar anëtarë të trupit gjykues, në fund të gjykimit tim po ju drejtohem për të theksuar një pikë të vetme, por të jashtëzakonshme rëndësie: Gjykata duhet, me çdo kusht, të mbrojë drejtësinë, të vërtetën dhe paanësinë. Kjo nuk është thjesht një detyrë ligjore; është kontributi i saj më i madh dhe trashëgimia që do të mbetet prej kësaj gjykate.
Ky është edhe shkaku pse iu bashkova atyre mijëra grave dhe burrave që u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e Kosovës. Dhe pse i kam shërbyer gjithë jetën time vendit tim, që çdo qytetar të gëzojë drejtësi dhe që bota ta njohë të vërtetën për kombin tonë. Edhe në momentet më të errëta, nuk e humba kurrë besimin se e drejta, e vërteta dhe liria do të triumfonin. Kam besuar gjithmonë se populli i Kosovës, si çdo popull tjetër në botë, kishte të drejtën e patjetërsueshme për të jetuar në liri dhe me dinjitet. Kam besuar se vuajtjet do të merrnin fund dhe se drejtësia do të vinte, edhe nëse vonë.
Në të njëjtën kohë, kurrë nuk kam besuar se dhuna, urrejtja apo hakmarrja mund të jenë udhërrëfyes të ndershëm. Ato shkatërrojnë shpirtin e një populli, jo vetëm të viktimës. Urrejtja është vetëm një formë tjetër robërie. Liria nuk mund të arrihet përmes padrejtësisë, as paqja nuk mund të ndërtohet mbi krim. Një kauzë e drejtë nuk mund të mbrohet me mjete të padrejta. Ky nuk ka qenë vetëm një parim teorik për mua, por një bindje e thellë morale që ka udhëhequr secilin veprim timin.
Familja ime dhe unë kemi jetuar nën persekutim të vazhdueshëm të shtetit serb. Ky nuk është përshkrim abstrakt; është një realitet konkret i cili ka prekur secilin anëtar të familjes sime, por edhe mbarë popullin tim. Burrat, gratë, fëmijët, pa përjashtim, përballeshin çdo ditë me padrejtësi, frikë dhe pasiguri. Unë e di çfarë do të thotë të jesh i pambrojtur; e di çfarë do të thotë të jetosh nën kërcënim të vazhdueshëm. Kjo është një përvojë që nuk ia dëshiroj askujt, por më mësoi edhe një të vërtetë thelbësore: në padrejtësi, njeriu duhet të ruajë integritetin moral dhe vlerat themelore humane.
Disa mund të pyesin: janë vetëm fjalë këto, apo janë pasqyruar edhe në jetën dhe veprimet e mia? Përgjigja ime sot është e qartë: jo vetëm në fjalët e mia, por mbi të gjitha në provat e paraqitura para kësaj gjykate. Pas dekadash hetimesh, dokumentesh dhe dëshmish të panumërta, nuk ka asnjë provë që të tregojë se kam kryer ndonjë krim. Nuk është provuar asnjë veprim i kundërligjshëm nga ana ime. Kjo nuk është çështje interpretimi; kjo është çështje fakti.
Sa i përket pjesëmarrjes time në luftë, ajo nuk ka lindur prej dëshirës sime për konflikt. Unë kam dëshiruar gjithmonë një jetë të thjeshtë, të jetoja në vendin tim me dinjitet, në paqe me familjen time. Kam qenë student kur u shfuqizua autonomia e Kosovës dhe universiteti u sulmua nga forcat serbe. Kam marrë pjesë në aktivitetet paqësore për mbrojtjen e të drejtave tona themelore. Por të gjitha këto të drejta na janë mohuar. Autonomia e Kosovës u hoq; ne studentët u përjashtuam nga konviktet dhe fakultetet; profesorët tanë u përjashtuan të gjithë; populli ynë u privua nga mundësitë më elementare për të jetuar si qytetarë të lirë dhe të barabartë.
E vërteta e asaj që po ndodhte tashmë dihet botërisht: Serbia dhe Sllobodan Millosheviçi kërkonin kontroll mbi të gjithë popujt e Jugosllavisë. Kjo tendencë çoi pastaj në epokën e luftërave dhe urrejtjes në ish-Jugosllavi, që çoi drejt shkatërrimit të vetë saj. Në fillim të vitit 1990, unë jam larguar nga Kosova. Ka qenë një largim i detyruar, por edhe një mundësi për një jetë më normale, për një të ardhme të ndërtuar mbi dije dhe përparim. Por, ndërsa unë jetoja në një vend të lirë, vendi im po përjetonte vuajtje të thella në robëri. Gjendja në Kosovë u shndërrua në mohim dhe përjashtim të shumicës. Pas Marrëveshjes së Dejtonit, shqiptarët në Kosovë si shumicë kanë mbetur fare të përjashtuar; nuk mund të jetonin lirshëm, por vetëm mbijetonin nën kanosje, kërcënim dhe represion.
Në fillim të vitit 1998, unë isha në Universitetin e Friburgut në Zvicër, kur ndodhi masakra e Likoshanit. Ishte një tragjedi e rëndë dhe mizori që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë në Kosovë. Tragjedia në Prekaz më 5-6 mars 1998, nuk ka qenë një akt i izoluar, por vazhdim i masakrave të kryera nga forcat serbe. Akte të tilla terrori tejkaluan frikën normale të popullit të thjeshtë dhe drojën e intelektualëve dhe politikanëve në Kosovë. Terrori dhe masakrat si ato në Srebrenicë kishin filluar të ndodhnin edhe në vendin tim. Në Kosovë, nuk mund të qëndroja indiferent, ndërsa populli im po përballej me shkatërrim. Për mua, jeta kishte kuptim vetëm nëse populli im mund të jetonte në liri. Prandaj u ktheva në Kosovë – jo si ushtar i trajnuar, por si një individ ende në studime. U ktheva jo me urrejtje, por me bindje. U ktheva sepse ndjeva detyrim moral ndaj vendit tim. U ktheva sepse nuk mund të qëndroja indiferent ndaj vuajtjeve të popullit tim. Synimi im ishte i qartë: të kontribuoja për lirinë dhe drejtësinë e popullit tim, por mos t’i bëja askujt padrejtësi.
Kam parë këta muajt e fundit në këtë sallë se sa lehtë disa e nënvlerësojnë vështirësinë e ndalimit të një konflikti dhe ndërtimit të paqes. Por historia na mëson se ata që vendosin paqe shpesh përballen me pasoja. Duke parë realitetin e sotëm, kur bota ka aq shumë nevojë për paqe, është e qartë se ajo nuk arrihet gjithmonë lehtë dhe për ta ruajtur atë shpesh është edhe më e vështirë.
I nderuar trup gjykues, krijimi i kësaj gjykate dhe funksionimi i saj deri më sot është rezultat i një debati të gjerë në vendin tim. Por mbi të gjitha, ajo që duhet të mbizotërojë prej saj është drejtësia dhe paanëshmëria në gjykimin e të vërtetës dhe realitetit objektiv në të cilin kemi vepruar. Unë qëndroj në këtë proces me bindje dhe besim se e vërteta nuk ka arsye të ketë frikë nga drejtësia dhe se drejtësia mund të vonohet, por nuk mohohet kurrë.
Kam vepruar me këtë bindje, kam jetuar me këtë bindje. Sot, këtu para jush, qëndroj me këtë bindje dhe me siguri mund të them: Unë e di kush jam. Unë e di çfarë kam bërë dhe çfarë nuk kam bërë. Veprimet e mia kanë qenë njerëzore dhe ligjore. Ndërgjegjja ime është e pastër; historia ime është transparente. Tani, çdokush mund ta shohë atë edhe në këtë proces gjyqësor.
Duke mbyllur fjalën time, i nderuar trup gjykues, me respekt për secilin në këtë sallë, edhe jashtë saj, edhe pse mund të mos pajtohemi, dua të theksoj: ne të gjithë jemi qenie humane, me prirje dhe mendime të ndikuara nga ata që na rrethojnë dhe ambienti ku jetojmë. Besimi im tek e vërteta dhe drejtësia mbetet i palëkundur dhe dua të besoj fuqishëm se në vendimin tuaj do të mbisundojë vetëm e vërteta, paanësia, drejtësia dhe ligji.
I nderuar trup gjykues, duke qenë se dje ka qenë dita e pavarësisë së shtetit tim, kam vetëm një përshëndetje në fund për të gjithë qytetarët e vendit tim: Urime Pavarësia! Ta gëzoni, qytetarë të Republikës së Kosovës, lirinë! Zoti e ndihmoftë Kosovën dhe njerëzit e saj të mirë!
Në fund, kam dëshirë të bëj edhe një përshëndetje të veçantë për familjen e një miku tim dhe mbrojtësi, të cilin sot nuk është. Në të njëjtën kohë, dua të falënderoj edhe ekipin tim mbrojtës për profesionalizmin e tyre dhe sinqeritetin në mbrojtjen time. Ju faleminderit të gjithëve!
Kryetari i trupit gjykues, z. Smith: Faleminderit, zoti Veseli. Zoti Selimi, fjala është për ju.
Deklarata përfundimtare e Rexhep Selimit
I nderuar trup gjykues, i nderuar kryetar, të nderuar të pranishëm, lejoni t’i përshëndes familjen dhe miqtë e mi lart në galeri, si dhe gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Éshtë hera e tretë, dhe shpresoj të jetë e fundit, që unë marr fjalën në këtë sallë gjyqi. Kanë kaluar më shumë se pesë vjet nga fillimi i këtij procesi gjyqësor. Këto pesë vjet nuk kanë qenë të lehta për ne, por as të parëndësishme për historinë e vendit tim. Megjithatë, le të shërbejë gjithë kjo si një mundësi dhe shans i mirë për drejtësinë. Pas gjithë këtyre viteve, ka një element pozitiv: shpresoj se trupi gjykues e ka pasur kohën e mjaftueshme për ta kuptuar se lufta jonë ishte e drejtë dhe se pretendimet e prokurorisë nuk qëndrojnë.
Në fjalën time në këtë sallë në prill të vitit 2023, kur ky proces sapo kishte filluar, thashë se po përballesha me një aktakuzë të pabazuar. Sot, pas gjithë këtij rrugëtimi, rrjedha e procesit më ka dhënë të drejtë. Akuzat ndaj nesh janë tërësisht të pabazuara dhe të padrejta.
Unë nuk jam ngritur sot këtu ta mbroj veten time, sepse këtë gjë e dinë më së miri dhe e kanë bërë avokatët e mi. Nuk jam këtu as për t’ju treguar juve për drejtësinë, sepse ju e dini më mirë se çdokush atë. Unë sot jam këtu për t’ju kërkuar që pikërisht ta ushtroni atë drejtësi.
Edhe pse kanë kaluar gati tre vjet nga fillimi i këtij procesi, prokuroria ka vazhduar të mbështetet në pretendime që nuk kanë bazë në të vërtetën dhe në një përpjekje të vazhdueshme për ta njollosur një luftë që në thelb ishte çlirimtare. Megjithëse prokuroria, që në fillim të paraqitjes së saj të fjalës përfundimtare, deklaroi se nuk kërkon dënimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, gjatë gjithë kohës që pati në dispozicion, shënjestër e saj ishte pikërisht Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Ushtria Çlirimtare dhe në veçanti qëllimi i saj, që ishte pavarësia e Kosovës. Madje, krijohej përshtypja sikur vetë pavarësia po trajtohej si një qëllim i përbashkët kriminal.
Në përpjekje për ta ngarkuar me përgjegjësi Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, prokuroria mbajti qëndrime akuzuese si, citoj: “Shtabi i Përgjithshëm kërkonte pavarësinë”, apo më tutje, “Shtabi i Përgjithshëm deklaroi se nuk do ta mbështeste autonominë”. Éshtë e vështirë të kuptohet se kundër kujt realisht është ngritur kjo aktakuzë: kundër nesh për veprime konkrete, apo kundër nesh sepse luftuam për pavarësinë e Kosovës? Kjo mbetet për t’u vlerësuar nga ju, i nderuar trup gjykues.
Po aq problematike është përpjekja e prokurorisë për ta ndarë shoqërinë e Kosovës në dysh – në ata që ishin për pavarësi dhe në ata që ishin për autonomi – sikur të donte që me çdo kusht të krijonte përçarje mes qytetarëve të Republikës së Kosovës. Për ta ilustruar këtë, po parafrazoj atë që prokuroria deklaroi në paraqitjen e provave javën e kaluar: “Shtabi i Përgjithshëm kërkonte pavarësinë e Kosovës; partitë politike që mbështesnin autonominë konsideroheshin tradhtare”. Të nderuar, në Kosovë nuk ka pasur kurrë asnjë parti politike shqiptare që ishte kundër pavarësisë, dhe rrjedhimisht asnjë që e mbështeste ndonjë autonomi në Serbi. Të gjitha partitë politike shqiptare ishin për pavarësinë, ashtu siç ishte dhe vetë qëllimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ta paraqesësh mbështetjen për pavarësi si kërkesë radikale dhe autonominë si “moderne”, është një sulm jo vetëm ndaj historisë së Kosovës, por edhe ndaj së ardhmes së saj.
Sikur prokuroria përpiqet të na ndajë ne shqiptarët mes veti dhe ta barazojë UÇK-në me krimet e Serbisë. Askush nuk mund ta bëjë as njërën, as tjetrën. Lufta çlirimtare nuk mund të barazohet me shtetin vrasës të Serbisë. Ta barazosh rezistencën e një populli të shtypur me një plan kriminal do të thotë ta vendosësh në të njëjtin nivel rezistencën e të shtypurit me projektin e shtypësit. Ky barazim nuk është vetëm i pasaktë, por thellësisht i padrejtë.
Të përpiqesh të ndërhysh me qëllim në ndryshimin e fakteve historike përmes akuzave me pretendime të shtrembruara, është thjesht të përpiqesh ta rishkruash historinë. Por historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet, aq më tepër në një sallë gjyqi. Historinë e Kosovës e kanë shkruar me çmimin e sakrificës qytetarët e saj, luftëtarët e lirisë dhe dëshmorët e atdheut.
Kur Serbia dhe Millosheviçi vrisnin moshatarët e mi, helmuan nxënës dhe studentë, i largonin prindërit tanë nga puna, mbyllnin shkolla e spitale, na ndiqnin për të na vrarë dhe zbatonin spastrim etnik e gjenocid – çfarë duhej të bënim ne? Të mos reagonim? Serbia kurrë nuk e fshehu qëllimin e saj ndaj shqiptarëve. Në këtë sallë gjyqi dëgjuam dëshminë e gjeneralit Klark, i cili gjatë një takimi që kishte pasur me kasapin e Ballkanit, dëgjoi prej tij qëllimet e hapura për shqiptarët. Ne dhe gjithë opinioni që e përcillte atë dëshmi, dëgjuam gjeneralin e NATO-s teksa tha, citoj: “Millosheviçi më tha se e dimë se si të sillemi me shqiptarët – duhet vrarë të gjithë. Dhe ne e dinim këtë, sepse Serbia kurrë nuk e fshihte qëllimin e saj ndaj shqiptarëve.” Prandaj pyes sërish: çfarë duhej të bënim ne? Ta prisnim radhën për t’u vrarë, apo të iknim nga vendi dhe shtëpitë tona? Asnjërën. Prandaj duhej të rezistonim. Prandaj unë besoja se Kosova kishte nevojë për vetëmbrojtje, kishte nevojë për njerëz të gatshëm ta jepnin edhe jetën për vendin e tyre, kishte nevojë për dikë siç ishte Adem Jashari dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Prandaj unë iu bashkova Adem Jasharit.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk u krijua nga dëshira, por nga nevoja. Ishte reagim ndaj dhunës sistematike dhe mohimit të dinjitetit. Nuk ishte aventurë, ishte mbijetesë. Të nderuar, unë isha pjesë e një ushtrie vullnetare – 100% vullnetare – e përbërë nga civilë, mësues, studentë, bujq, punëtorë, prindër; njerëz që u detyruan t’i marrin armët sepse nuk kishin rrugë tjetër.
Në një pjesë të parashtrimeve të saj, prokuroria, në mënyrë të çuditshme dhe në formë akuze, më cilëson si një njeri “të afërt me Adem Jasharin” dhe si “organizator që gëzonte respekt”. Nuk është e qartë nëse kjo është menduar si akuzë apo si vlerësim. Për mua, të qenit bashkëluftëtar i Adem Jasharit është nderi më i madh që mund ta kisha. Po ashtu, e konsideroj nder edhe cilësimin si një nga themeluesit kryesorë të UÇK-së. Nëse këto cilësime shndërrohen në akuza, atëherë problemi nuk qëndron te unë, por tek ata që i trajtojnë nderin dhe përgjegjësinë historike si faj.
Po, kam bartur armë. Armët ishin për mbijetesë. Shumë nga bashkëluftëtarët e mi kanë vdekur duke i siguruar ato. Ne kërkuam ndihmë dhe armë edhe nga vendet mike, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjë që është trajtuar edhe në këtë sallë. UÇK-ja nuk kishte qëllim tjetër përveç lirisë. Nuk kishte plane për të sulmuar civilë apo kundërshtarë politikë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte parti politike, ishte ushtri çlirimtare.
Madje, edhe nëse lufta në Kosovë nuk do të ndalej në qershor të vitit 1999 dhe do të vazhdonte deri në ditën e sotme, unë ende do të isha ushtar i atdheut tim – kuptohet, nëse nuk do të isha vrarë deri më tani, për çka gjasat ishin reale. Jam i bindur se bëmë gjënë e duhur. Edhe sot do të bëja të njëjtën gjë. Liria, paqja dhe demokracia arrihen duke u përballur me agresionin. Prandaj edhe NATO na mbështeti, prandaj na mbështetën edhe vendet tuaja.
Prokuroria, në dosjen e saj përfundimtare, kërkon dënime jashtëzakonisht të rënda, aq të gjata saqë në thelb synojnë të na ndalojnë përgjithmonë kthimin në vendin tonë. Nëse do të kthehem në Kosovë tash e tutje, varet nga vendimi juaj. Por prokuroria duhet ta kishte kuptuar se, kurdo që të kthehem, unë do të kthehem në Kosovën e lirë, në Kosovën për të cilën jam krenar, që i kam dalë zot në kohën më të duhur dhe për lirinë e së cilës kam qenë dhe mbetem i gatshëm ta jap edhe jetën, sikur që do të kërkohej nga unë.
Në respekt të secilit prej jush në këtë sallë, besoj se po të ishin vendet tuaja në rrethana të njëjta me ato që përjetoi Kosova, do të vepronit njësoj. Jam i bindur se edhe ju do të luftonit për njerëzit dhe vendet tuaja, ashtu siç kanë bërë paraardhësit tuaj para se vendet tuaja të bëheshin të lira e demokratike.
Gjatë luftës ndodhin shumë gjëra. Ka kaos, frikë, veprime individuale dhe dhimbje të akumuluar nga vite të tëra shtypjeje. Lufta gjithmonë lë pasoja dhe viktima. Pikërisht këto viktima kanë nevojë për drejtësi të mbështetur mbi të vërtetën, sepse drejtësia që nuk mbështetet në të vërtetën i lëndon viktimat për herë të dytë dhe e shkatërron vetë qëllimin e saj.
Pas gjithë asaj që dëgjuam nga palët gjatë këtyre viteve, kërkesa ime është e thjeshtë: që vendimi të mbështetet vetëm në atë që është provuar, jo në atë që është sugjeruar; në fakte, e jo në hamendje; në ligje, e jo në përshtypje. Jam besimplotë se drejtësia, dhe vetëm drejtësia, do të na kthejë në atdhe neve që jemi këtu të akuzuar.
Në fund, dëshiroj t’i falënderoj ekipet tona të mbrojtjes, dhe në veçanti ekipin tim të udhëhequr nga Xhefri Roberts, për angazhimin profesional në mbrojtjen time, në mbrojtje të së drejtës dhe, mbi të gjitha, në mbrojtje të luftës sonë të drejtë. Por mbi të gjitha, i falënderoj bashkëqytetarët tanë që besojnë në pafajësinë tonë. Mbështetja e tyre ka bërë që prangat që më kanë rënduar të mos i ndiej si barrë, veçanërisht kur ato pranga tanimë nuk i rëndojnë Kosovës, ashtu siç i kanë rënduar gjatë gjithë kohës sa ishte nën pushtimin e egër të Serbisë.
Thuhet se njerëzit që bëjnë diçka të mirë për atdheun e tyre janë njerëz me fat. Duket se unë jam njëri prej tyre. Ju faleminderit.
Kryetari i trupit gjykues, z. Smith: Faleminderit, zoti Selimi. Zoti Krasniqi, tani është fjala për ju.
Deklarata përfundimtare e Jakup Krasniqit
I nderuari kryetar i gjyqit, të nderuar gjyqtarë, e përmes jush përshëndes po ashtu gjithë qytetarët e Kosovës që festuan pavarësinë e tyre, qytetarët që jetojnë në liri, në pavarësi dhe me drejtësi.
Qëndroj sot këtu para jush, të nderuar qytetarë, jo si një kriminel që përshkruan aktakuza e prokurorisë, por si një njeri i lindur dhe i kalitur në luftra për dinjitet njerëzor, nga një popull që refuzoi të zhdukej nga politika e krimit dhe e gjenocidit të Serbisë.
Pjesën më të madhe të jetës sime e kam kaluar i udhëhequr nga bindja se qeniet njerëzore meritojnë të jetojnë në liri. Pas më shumë se pesë vjetësh burgim të padrejtë dhe, sipas mendimit tim, të panevojshëm, jam angazhuar që herët për të dhënë një rrëfim të vërtetë të luftës sonë për pavarësi kundër politikave të persekutimit dhe gjenocidit të regjimit serb, të cilat sollën vuajtje dhe shkatërrim të paparë për popullin e Kosovës.
Për më shumë se pesë vjet, besoj se më janë mohuar të drejtat e njeriut të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe liritë themelore. Ndër to, më e rëndësishmja është e drejta për të jetuar në liri, veçanërisht e drejta e një njeriu në fazën e fundit të jetës së tij për të jetuar vitet e mbetura me dinjitet, pranë familjes dhe në atdheun e lirë. Kjo gjë më është bërë pa i shkaktuar padrejtësi askujt, pa ia rrezikuar jetën asnjë njeriu të vetëm. Përkundrazi, kam rrezikuar jetën time, jo vetëm gjatë luftës çlirimtare, por që nga vitet 1972-73, së bashku me familjen time, me bashkëkombasit e mi, me bashkëfshatarët e mi, në besimin se errësira e padrejtësisë do të thyhej me agimin e shpresës. Kjo është arsyeja pse unë u angazhova për çlirim dhe barazi për të gjithë.
Theksoj veçanërisht periudhën pas 11 qershorit të vitit 1998, kur dola hapur me emrin tim të plotë dhe pa maskë si zëdhënës i UÇK-së. Rreziqet ishin të jashtëzakonshme, por nuk u shqetësova për sigurinë time, sepse më udhëhiqte përkushtimi im ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe ardhmërisë së tyre.
Sot ndodhem në vitin tim të 16-të të burgimit, vetëm se luftova për liri dhe pavarësi të popullit tim. Thashë në vitin e 16-të, sepse 10 vjet e më tepër burg i kam kaluar nga viti 1981 deri në vitin 1991. Të kesh kaluar 16 nga 75 vitet e jetës në burg dhe të jesh privuar nga ajri i lirisë, nuk është diçka e vogël; është diçka e madhe.
Dalja ime publike më 11 qershor 1998 tregoi se unë isha kundërshtar i politikave gjenocidale të Serbisë dhe ndodhi pak kohë pas masakrave serbe në Qirez, Likoshan dhe Prekaz, ku humbën jetën 83 njerëz, shumica prej tyre fëmijë, gra dhe të moshuar, të paarmatosur, të vrarë në shtëpitë e tyre. Këto vrasje brutale shënuan një pikë these të ndërgjegjes për një brez të tërë shqiptarësh.
Çfarë më shtyri të ndërmarr këtë akt jashtëzakonisht të rrezikshëm për atë kohë? Robëria e gjatë, persekutimet, rrahjet, dhunimet, burgimet e shumta dhe ekzekutimet e pandërprera që shënuan gjithë shekullin e 20-të. Këto akte mizore nuk më thyen, përkundrazi, më bënë të vendosur që drejtësia të mos thyhej mbi shpinën e tiranisë që përjetuam. Dashuria për jetën dhe lirinë më bëri ta marr këtë rol. Një njeri nuk zgjedh lehtë rezistencën; ai e zgjedh atë kur çdo derë tjetër drejt dinjitetit është e mbyllur.
Më u mohua dhe më u ndalua e drejta më njerëzore e çdo personi të lindur i lirë dhe e çdo njeriu të arsyeshëm që e njeh vlerën e dinjitetit njerëzor dhe barazinë e të gjithëve: e drejta për ta dashur hapur vendin tim, për të punuar për të dhe për të përcjellë atë që kam mësuar përmes dekadash jete dhe sakrificash. Por për këto virtyte u prangosa më 4 nëntor 2020.
Akuzat e prokurorisë kundër nesh dhe UÇK-së janë ndërtuar mbi narrativat e atyre që shkaktuan disa luftëra në gjithë federatën jugosllave brenda një dekade të vetme. Nuk besoj se kjo akuzë i shërben ndonjë drejtësie, e sidomos jo drejtësisë që shoqëritë demokratike pretendojnë ta arrijnë. Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi gjuhën e ish-shtypësve; ajo duhet të qëndrojë mbi prova të besueshme dhe mbi të vërtetën.
Padrejtësia e këtij rasti është e shkruar në vetë aktakuzën. Mua më ngarkohen role autoriteti dhe përgjegjësi që nuk i kam pasur kurrë. Kjo nuk ishte çështje dallimi në interpretimin e fakteve; ishte shpifje. Figura e përshkruar në dokumentin e prokurorisë nuk është njeriu që qëndron sot para jush. Jam mirënjohës ndaj atyre dëshmitarëve që erdhën këtu dhe patën guximin ta thonë të vërtetën për atë se kush isha dhe kush nuk isha. Ata nuk erdhën për të mbrojtur mua, por për t’i mbrojtur faktet, realitetin tonë historik të Kosovës. Dëshmitë e tyre konfirmuan një realitet të thjeshtë: unë nuk zotëroja pushtetin, komandën apo funksionet që më atribuohen në këtë rast.
Kur e vërteta thuhet thjeshtë, ajo nuk ka nevojë për zbukurime. E gjithë bota e di se NATO-ja ndërhyri kundër krimeve të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë. NATO-ja dhe bota demokratike nuk janë rreshtuar kurrë me terrorizmin apo gjenocidin. Pa atë ndërhyrje dhe mbështetje ndërkombëtare, liria jonë nuk do të ekzistonte. Por pa rezistencën tonë fisnike, ajo nuk do të ishte arritur kurrë.
Veprimi i UÇK-së dhe veprimet e mia, si gjatë luftës ashtu edhe pas saj, në çdo rast i dhanë përparësi paqes, dhe kjo është dëshmuar. Zëra të besueshëm e kanë dëshmuar këtë. Ne qëndrojmë sot këtu padrejtësisht, por historia do ta kuptojë pse vepruam.
Nuk mjafton vetëm fakti se jemi të akuzuar; duhet të flas për realitetin historik që e rrethon këtë çështje. Krimet dhe persekutimet nga forcat serbe që e formësuan atë periudhë janë të pandashme nga veprimet që ju kërkohet të gjykoni. Ato nuk janë zhurmë në sfond; janë të shkruara në historinë publike me shkronja shumë të mëdha për t’u fshirë. Ato mbeten pjesë e realitetit që ju kërkohet të gjykoni. Bashkohem me avokatët e mi duke ju kërkuar, gjykatës të nderuar, ta mbani fort në mendje atë histori, sepse gjykimi pa kontekst rrezikon ta ngatërrojë pasojën me shkakun. Ju lutem, mos e bëni atë gabim.
Lufta jonë nuk ishte unike në histori. Çdo komb që ka kërkuar lirinë nga një pushtim i paligjshëm, i ngjashëm me aparteidin, është përballur me akuza se rezistenca është kriminale. Megjithatë, e drejta ndërkombëtare pohon se popujt që përballen me persekutim sistematik nuk janë armiq të drejtësisë; ata po veprojnë në pajtim pikërisht me parimet mbi të cilat qëndron drejtësia.
Brezi ynë kishte një vizion: jetën në liri, barazinë, demokracinë, sundimin e ligjit. Ishte ky vizion që udhëhoqi luftën, e cila kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
Gjykatës të nderuar, populli ynë kurrë nuk ka kërkuar shkatërrimin e një kombi tjetër, etnie apo feje. Ne luftuam vetëm për jetën, lirinë, demokracinë, barazinë dhe drejtësinë – jo për të kontrolluar territor për dominim, për lakmi apo përfitim kriminal. Qëllimi ynë ishte ta kthenim Kosovën te populli i saj, te i gjithë populli i saj, që ata të jetonin me dinjitet, siguri dhe me të drejta të barabarta. Çdo akuzë që thotë të kundërtën është vazhdim i gënjeshtrave të prodhuara nga regjimi kriminal i Serbisë.
Për të gjithë veprimtarinë time politike, të nderuar gjyqtarë, vërtetë jam krenar. Zëri im qëndronte për lirinë. Bëra atë që besova se e kërkonte fisnikëria njerëzore. Asnjë dëshmitar nuk ka thënë ndryshe. Ju kërkoj t’i shikoni provat dhe dëshmitë në mënyrë objektive, dhe aty do të gjeni të vërtetën. Drejtësia nuk i frikësohet shqyrtimit; ajo varet prej tij.
Gjykatës të nderuar, e përsëris me respekt edhe njëherë: populli ynë kurrë nuk planifikoi shkatërrim apo torturë. Ne kërkonim jetë në liri dhe pavarësi – asgjë më shumë, asgjë më pak. Sot, populli ynë jeton në liri. Nëse dashuria për lirinë gjykohet si krim, atëherë vetë historia do të dënohet.
Qëndroj para jush ashtu siç kam qëndruar gjatë gjithë jetës sime: i përgjegjshëndaj së vërtetës dhe i patrembur prej saj. Ia kushtova jetën time bindjes se njerëzit e meritojnë lirinë. Nëse kjo bindje gjykohet si krim, atëherë historia vetë do të japë ditën e saj, shumë kohë pasi kjo gjykatë të ketë folur.
Ju kërkoj ta gjykoni secilën provë me durim dhe pa paragjykim, dhe nuk do të gjeni një ndërmarrje kriminale, por një histori njerëzore të formësuar nga shpresa dhe domosdoshmëria, nga besimi në fitore dhe në demokraci. Nëse kjo bindje për lirinë tonë gjykohet drejtë këtu, atëherë drejtësia, jo vetëm që do t’i shërbejë meje, por do të nderojë parimin që krijoi këtë gjykatë.
Unë këtu po e përfundoj fjalën time, duke kërkuar drejtësi, e cila shihet qartë. Faleminderit për vëmendjen tuaj.
Kryetari i trupit gjykues, z. Smith: Faleminderit, zoti Krasniqi.
Përpara se ta mbyll çështjen gjyqësore, dua t’ju kërkoj palëve dhe pjesëmarrësve nëse dëshirojnë të ngrenë ndonjë çështje të tyre përfundimtare.
ZPS-ja, z. Holling? Jo, nuk kemi asnjë çështje.
Z. Smith? Z. mbrojtësi i viktimave? Jo.
Z. Misiç? Jo.
Z. Dixon? Jo.
Z. Roberts? Jo.
Znj. Gendra? Jo, nuk kemi çështje tjetër.
Përpara se të përfundoj këtë çështje gjyqësore, dua t’ju kujtoj pjesëmarrësve dhe palëve që, në pajtim me rregullin 136, nuk mund të bëjnë parashtrime të tjara para trupit gjykues në këtë fazë, në përjashtim të rrethanave përjashtimore dhe nëse kërkesat janë të përligjura. Sigurisht që kjo nuk ka të bëjë me çështje të cilat duhet të rishikohen në mënyrë të rregullt, si për shembull ndalimi në paraburgim.
Trupi gjykues dëshiron të falënderojë të gjitha ekipet e mbrojtjes dhe të gjithë personat të cilët kanë ndihmuar për realizimin e suksesshëm të kësaj çështjeje gjyqësore. Jemi ndjerë shumë të ndihmuar prej kontributeve tuaja për të siguruar drejtësinë e procesit. Edhe ekipet e mbrojtjes dhe të akuzuarit kanë marrë shërbime efektive gjatë gjithë kohës. Dëshirojmë gjithashtu të falënderojmë Njësinë për Menaxhimin e Gjykatës për punën e tyre të shkëlqyer dhe mbështetjen gjatë gjithë këtij procesi gjyqësor. Gjithashtu, jemi shumë mirënjohës stenografëve, përkthyesve dhe të gjithë stafit të Zyrës Administrative për mbështetjen e vazhdueshme.
Do të vazhdojmë të jemi në kontakt të vazhdueshëm, sipas nevojës, me palët, sa takon datës së shpalljes dhe shqyrtimit të aktgjykimit. Në përputhje me rregullin 136, paragrafi 1, kjo çështje gjyqësore mbyllet këtu. Seanca përfundon. Sekretari, të gjithë në këmbë./TetovaNews















