Ballina Aktualitet Kolonel Demiraj bën Zbulimin që dridh Kombin: Ja Zyra ku u diskutua...

Kolonel Demiraj bën Zbulimin që dridh Kombin: Ja Zyra ku u diskutua copëtimi i Kosovës!

Mirëmbrëma, të dashur miq!

Mirë se vini në këtë bisedë të radhës. Sonte kemi një ftues special, mikun tonë, kolonel doktor Dritan Demiraj, i cili na bashkohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë ditë të shënuar për mbarë shqiptarinë, në këtë ditë kaq të madhe për të gjithë ne – Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Një festë e cila ujit me gjak, ujit me mund, sakrificë dhe përkushtim. Ujit me vetëflijimin e njerëzve më të ndershëm të kësaj toke, që sakrifikuan gjithçka, dhanë gjithçka, ofruan gjithçka dhe nuk u ndalën kurrë, derisa, bashkë me miqtë e Shqipërisë, arritën në ditën e festës së tyre të madhe.

Sot, kjo ditë e shënuar vjen në një kontekst të ri historik. Historia e gjakut, e persekutimit, e nënshtrimit dhe e shkatërrimit nga makineria serbe e Sllobodan Millosheviçit, na ka çuar në këto ditë të mëdha. Por ne duhet t’i kuptojmë ato në një trajektore tjetër. Jemi në vitin 2025 dhe e festojmë pavarësinë nën trysninë e zhvillimeve të jashtëzakonshme ndërkombëtare. Kështu e kemi festuar gjithmonë, kështu e kemi kuptuar gjithmonë lirinë: me sakrificë dhe në rrethana të vështira.

Por sot jemi në një udhëkryq të ri historik. Duhet të kuptojmë: cilat janë sfidat e vërteta të kësaj pavarësie? Çfarë përfaqëson ajo? A është një pavarësi e qëndrueshme apo mund të jetë në rrezik? Bota po kalon nga një rend i vjetër botëror në një rend të ri, ku loja është e pasigurt. A jemi në rrezik apo duhet të flemë të qetë? A ka vend për panik?

Fati i Kosovës, i Shqipërisë, i shqiptarëve kudo që janë, ndodhet në një udhëkryq të madh historik. Dhe këtë udhëkryq duhet ta kuptojmë mirë. Bashkarisht me kolonelin Dritan Demiraj, prej kohësh po përpiqemi të hedhim dritë mbi situatën makro dhe më pas atë mikro, këtu në Ballkan dhe në Shqipëri, për të kuptuar sfidat e vërteta të shqiptarëve.

Nuk ka diskutim: liria ka emër. Ajo është UÇK-ja. Ajo është Adem Jashari dhe të gjithë ata që dhanë jetën. Por shqiptarët, pasi mësuan emrin e bukur të lirisë, sot duhet të kenë parasysh se edhe tradhtia e ka një emër. Dhe ne, nëse nuk e dimë, duhet ta mësojmë. Ta skalisim atë në memorien tonë shpirtërore, mendore, intelektuale dhe historike, në mënyrë që ta shijojmë lirinë sa më gjatë dhe ta konsolidojmë atë.

Pa e kujtuar emrin e tradhtisë, rrezikojmë të na prishet festa.

Hyjmë te tema.

Kolonel, mirë se erdhët në këtë bisedë të radhës, në këtë ditë të Pavarësisë së Kosovës, që e festojmë në rrethana të veçanta dhe të rrezikshme. Bashkarisht do të shohim çfarë po ndodh në Kosovë, në Shqipëri dhe në botë.

Mirë se erdhët, kolonel! Mirë se ju gjej dhe gëzuar 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës!

Kolonel Dritan Demiraj:
Gëzuar! Suksese këtij populli që ka vuajtur kaq shumë nën regjimin kriminal të Millosheviçit dhe që ka gjetur forcën – shumë më shpejt se qeverisja e Shqipërisë dhe e vendeve përreth – të integrohet, të reformohet dhe të performojë me sukses, më shumë se shumë vende me demokraci më të vjetër.

Shpresojmë dhe urojmë që sa më shpejt të na kthehen në Kosovë Gjeneral Rexhep Selimi, Hashim Thaçi, Veseli dhe Krasniqi.

Kreshnik Osmani:
Dakord, kolonel. Le të bëjmë disa pyetje të rëndësishme. Sot pashë një atmosferë festive në Prishtinë. Pashë mobilizim, dashuri, respekt, festë dhe protestë. Festë, sepse ne kemi të drejtë të gëzohemi që fituam pavarësinë me gjakun e derdhur. Por kishte dhe protestë për padrejtësinë e re historike që po kurdiset ndaj shqiptarëve.

Kolonel, a është Kosova realisht e pavarur, apo po përjetojmë një iluzion dhe po e kënaqim veten? Mund të themi se jemi të pavarur, apo Kosova është thjesht formalisht e njohur si shtet? Çfarë duhet t’u themi shqiptarëve në këtë moment?

Kolonel Dritan Demiraj:
Sigurisht që Kosova është e pavarur. Është e njohur nga më shumë se 100 vende, përfshi shumicën e vendeve me demokraci të konsoliduar. Por ajo që ka më shumë rëndësi se të gjitha, është se kemi mbështetjen e yllit polar, të vendit që është orientimi i padiskutueshëm për të dy vendet tona: Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ato mundësuan krijimin e shtetit të Kosovës dhe vazhdojnë ta mbështesin atë në të gjitha reformat, jo vetëm politike e diplomatike, por edhe në fushën e sigurisë.

Megjithatë, momenti në të cilin kemi hyrë është delikat. Bota po shkon drejt një rendi të ri, ku tre aktorët kryesorë do të përplasen për interesat e tyre kombëtare. Ne e kemi diskutuar: fati i shqiptarëve qëndron tek orientimi ynë ndaj SHBA-ve. Strategjia e Sigurisë Kombëtare e dhjetorit 2025 e përfshin Ballkanin Perëndimor, Shqipërinë dhe veçanërisht Kosovën, duke e formatuar përfundimisht këtë rajon në sferën perëndimore.

Por kjo nuk do të thotë se duhet të flemë të qetë. Rreziqet dhe kërcënimet po paraqiten çdo ditë e më shumë, jo vetëm nga Serbia, por edhe nga vende të rëndësishme që qëndrojnë pas saj.

Kreshnik Osmani:
Kolonel, sapo thatë diçka shumë të rëndësishme: SHBA-ja mbetet ylli ynë polar. Megjithatë, propaganda dhe lëvizjet tektonike kanë lëvizur shumë. Në trojet tona tashmë ka zëra që thonë “nuk e duam më Amerikën, do bëhemi me Kinën, do bëhemi me Rusinë”. YouTube-i, portalet, të gjitha janë përfshirë nga një investim i madh propagandistik.

Ju thatë se Amerika po përplaset me dy fuqitë e tjera. Në këto kushte, a mund të rrezikojmë ne shqiptarët të shkojmë për kusur? Nëse Rusia, Kina dhe Amerika merren vesh për të evituar një përplasje të madhe, a na lënë ata mënjanë?

Kolonel Dritan Demiraj:
Jo, unë nuk besoj se rrezikojmë. Po të ishim në një zonë si Lindja e Mesme, si Tajvani, mund të rrezikonim. Por duke marrë parasysh bashkëpunimin, strategjinë e sigurisë kombëtare dhe interesin amerikan për avancimin e demokracisë dhe thellimin e marrëdhënieve, situata është ndryshe. Pavarësisht se jemi një sipërfaqe e vogël, interesi i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor është shumë i rëndësishëm. Ato nuk e lejojnë këtë rajon të bëhet sferë e Kinës apo Rusisë, sepse është një rrugëkalim kyç për interesa gjeostrategjike dhe të sigurisë gjeoekonomike.

Kreshnik Osmani:
Bukur. Kjo nuk do të thotë që ne do të fusim këmbët në ujë të ftohtë. Po manipulohet çështja shqiptare. Humbja e sovranitetit nuk vjen domosdoshmërisht nga një pushtues i jashtëm. Në shtetin tonë amë, ne po dobësohemi çdo ditë nga një kastë politike që po na shpartallon me shpopullim dhe dobësim të shtetit.

A kemi ne një rol tjetër përveç ruajtjes së orientimit strategjik? A duhet të komunikojmë me amerikanët si partnerë strategjikë, duke u treguar se ku po çalojmë, apo të mbështetemi tek ata që “dinë më mirë” dhe të presim çfarë do të zbresë nga qielli – hotele, rrugë, çokollata?

Kolonel Dritan Demiraj:
Më lejo të të falënderoj për këtë pyetje. Ajo që po ndodh është se kundërshtarët tanë strategjikë kanë gjetur forma të reja për të na goditur. Ato veprojnë nëpërmjet emërimit, mbështetjes, financimit dhe përdorimit të rrjeteve të dhe të organizatave të ndryshme, për t’i drejtuar shqiptarët nën sundimin e Serbisë.

Kjo nuk është rastësi. Politika e shpopullimit, varfërimit, mungesës ekonomike, dhe përdorimi i karikaturave në media tregon hallin e madh që u është ngjitur me ne, që i denoncojmë këto skema antishqiptare. Po zbatohet porosia e Çubrilloviçit: “Vendosni në krye të shqiptarëve njerëz që ua nxijnë jetën, që i përçmojnë, i shtypin, i zhvendosin”. Dhe pikërisht kjo është strategjia që po ndjek sot një pjesë e politikës shqiptare.

Kreshnik Osmani:
Do të vijmë tek metodat dhe skemat. Po ua çjermim maskën dhe do ta vazhdojmë, natë për natë, ditë për ditë. Shqiptarët nuk janë budallenj.

Kosova, kolonel, a e ka rrezikun më të madh nga Serbia apo nga pisllëku i brendshëm që gatuhet në kazanin shqiptar?

Kolonel Dritan Demiraj:
Të dyja janë rreziqe shumë të mëdha. Unë personalisht do t’i ndaja 50 me 50. Serbia do të vazhdojë të përdorë influencën e saj, organizatat ndërkombëtare dhe mbështetësit e saj, si Rusinë. E keni parë Zaharovën si i referohet Kosovës për të justifikuar krimet në Ukrainë.

Por rreziku nga brenda vjen në dy drejtime: nga politika e Shqipërisë, e cila shpesh tenton t’i fusë thikën kryeministrit Kurti për t’i bërë qejfin Serbisë; dhe nga një pjesë e opozitës kosovare dhe nga politikanë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, që bashkëpunojnë me Ramën për interes të Vuçiqit. Një pjesë e tyre tashmë janë diskredituar dhe populli i ka injoruar me votë.

Kreshnik Osmani:
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut më thonë shpesh: “Kreshnik, fol edhe për ne, se jemi të harruar”. Ata nuk kanë lidhje me Ramën; është historia e lidhjes së Ali Ahmetit me Ramën. Ata i dhanë përgjigjen Ali Ahmetit dhe nuk mund t’u thuhet më se janë përgjegjës. I përshëndes vëllezërit tanë atje – janë njerëzit më patriotë që ka kombi.

Kolonel, Marko Rubio erdhi në Europë me një fjalim ndryshe nga ai i JD Vance vitin e kaluar. Amerika po ndryshon qasje? A mundet Ballkani të bëhet sërish zonë pazaresh midis aksit euroatlantik, Kinës dhe Rusisë?

Kolonel Dritan Demiraj:
Absolutisht jo. SHBA-ja do të forcojë aksin euroatlantik. Një Amerikë e fortë me një Europë të fortë dhe të unifikuar përbëjnë një mburojë gjithnjë e më të fortë ndaj akseve agresive të Kinës, Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut. Deklarata e Rubios në Mynih ua prishi ëndrrat aktorëve antiperëndimorë që financojnë përçarjen Amerikë-Europë.

Sa i përket Ballkanit, unë kam besim te SHBA-ja. Europa, historikisht, sa herë ka pasur interesa, e ka shitur kombin shqiptar. Ja ku jemi sot, të ndarë në pesë shtete. Por pavarësisht mbështetjes së SHBA-ve, shqiptarët duhet të përgjegjësohen dhe të largojnë liderët që u shkaktojnë dhimbje.

Kreshnik Osmani:
Çfarë do të thotë rendi i ri botëror për Kosovën e brishtë? Mjafton të kesh të drejtën historike, apo duhet të kesh forcë shtetërore dhe diplomaci aktive?

Kolonel Dritan Demiraj:
Pa diskutim që nuk mjafton e drejta historike. Kosova kufizohet me Serbinë, që ka kryer gjenocid, dhe me Shqipërinë, lideri i së cilës bashkëpunon me Serbinë, siç e pa të gjithë me “Ballkanin e Hapur” – një instrument për t’i futur vendet nën ndikimin serb.

Kosova duhet të forcojë masat e sigurisë, institucionet e mbrojtjes dhe të anëtarësohet në NATO. Këtu luan rol vetëm SHBA-ja. Dhe kombi shqiptar duhet të unifikohet, të flasë me një zë diplomatik. Kudo që kërcënohet shqiptari, faktori shqiptar duhet të jetë i unifikuar për të projektuar forcë.

Kreshnik Osmani:
Bashkimi kombëtar është një çështje që trazon shpirtrat. Në këto kushte botërore, a është ai një domosdoshmëri strategjike apo një ide romantike?

Kolonel Dritan Demiraj:
Pa diskutim që është domosdoshmëri strategjike. Ajo që ndodhi shekullin e kaluar duhet të korrigjohet. Bota po riformatohet dhe ky është momenti që edhe kombi shqiptar të krijojë kushte për t’u bashkuar. Ndoshta jo në masën e dikurshme, por në bashkëpunim me SHBA-në dhe BE-në, duhet të krijohen kushtet që të gjithë shqiptarët të jenë më të bashkuar në rajon.

Kreshnik Osmani:
Politikanët me kollare presin miratime ambasadash. Ne, pa kollare, do të themi të vërtetat. Në një botë ku mbijeton vetëm i forti, a e meriton sakrifica sublime e Adem Jasharit dhe e UÇK-së një klasë politike si kjo?

Kolonel Dritan Demiraj:
Absolutisht jo. Madje, ajo e meriton të neveritet nga një klasë e tillë. Të japësh gjakun e familjes, të shuhesh për tokë dhe atdhe, dhe të kesh sot këta që të tradhtojnë… Liria ka pasur emër, por edhe tradhtia nuk është pa emër. Jeni plotësisht të drejtë.

Kreshnik Osmani:
Kosova është pa koordinim me Tiranën. Dje ishte Rama te Kurti. Kurti e priti, por i mbylli derën. Rama shkoi në Prishtinë për t’u treguar lojtarëve të rendit të ri se “unë e kontrolloj Kosovën”. Por Kurti refuzoi konferencën e përbashkët, duke i thënë botës se nuk e ka atë në xhep. Shqiptarët në shekullin XXI, a do të arrijnë një fitore strategjike apo do të vazhdojnë të ekzistojnë për mbijetesë?

Kolonel Dritan Demiraj:
Shqiptarët do të arrijnë fitore strategjike vetëm kur të zgjohen nga gjumi, sidomos qytetarët e Shqipërisë. Ata po flenë ndërkohë që vidhen, tallen dhe shkatërrohen, ndërsa rinia po largohet masivisht. Fitorja vjen kur të bashkohen për të larguar ata që po u shkaktojnë këtë dhimbje të organizuar, nëpërmjet varfërisë dhe mungesës së së ardhmes.

Sa i përket garës se kush është lider i shqiptarëve, Rama shkoi në Kosovë dhe u kthye me bisht ndër shalë, sepse Kurti e fitoi këtë betejë.

Kreshnik Osmani:
Në 2018-2019, u fol për korrigjim kufijsh dhe shkëmbim territoresh. Hashim Thaçi ishte pjesë e asaj logjike, Rama mbrojtës i tezave nga shkëmbimi te Asociacioni. A ishte Thaçi naiv apo ra në kurthin e Ramës?

Kolonel Dritan Demiraj:
Jo, nuk ishte as njëra, as tjetra. Thaçi ishte pjesë. Unë kam informacion të sigurt dhe po e them publikisht: të gjitha planet për Kosovën – për ndarjen, për veriun, për komunat serbe – janë bërë në zyrën e Vuçiqit në Beograd, në praninë e Sorosit Jr., të Ramës dhe të Aleksandër Vucic. Ato ishin të futura në korniza të arta, në harta. Thaçi ishte dakordësuar nga larg. Kjo është 100% e vërtetë dhe e dinë edhe agjencitë e inteligjencës.

Kjo tradhti ka emrin e kryeministrit shqiptar Edi Rama. Pse e bëri? Le ta shpjegojë ai. Por unë kam informuar institucionet më të larta, përfshi Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit, për rëndësinë e pengimit të këtyre projekteve.

Kreshnik Osmani:
Atëherë, liria paska emër, por edhe tradhtia s’ka mbetur pa emër. Minishengeni Ballkanik, ulja me Vuçiqin, lënia e Kosovës jashtë, presioni për Specialen – e gjitha ishte pjesë e kësaj.

Rama shkoi dje në Kosovë për t’i treguar botës se e ka Kosovën në xhep. Kurti i tha “jo”. Rama ka vënë bast për një bordin e paqes me Trumpin. A është ky një bixhoz, një strategji kazinoje, apo një komandë e Trumpit për ta mbajtur në pritje derisa t’i vijë koha?

Kolonel Dritan Demiraj:
Është një komandë momentale. Rama nuk ka asnjë lidhje reale me administratën Trump. Ai përplaset me ta për trafiqet, drogat dhe korrupsionin. Koha që po blen me paratë e shqiptarëve nuk është pranim në klubin e liderëve të rinj. Është thjesht një hua kohore, derisa të gjenden liderë të tjerë. SHBA-ja nuk ka luksin të krijojë trazira në Shqipëri tani, sepse fokusi i saj është diku tjetër: Lindja e Mesme, Ukraina, Kina. Por kjo nuk do të thotë se Rama ka mbështetje afatgjatë.

Kreshnik Osmani:
Të lidhim me Kosovën. Izraeli aneksoi Bregun Perëndimor, duke i dhënë fund praktikisht çështjes palestineze. Kosova, me 100 njohje dhe mbështetjen e Amerikës, a rrezikon të pësojë një goditje të ngjashme nga Serbia, apo mund të themi se Serbia nuk është Izrael?

Kolonel Dritan Demiraj:
Pa diskutim që s’ka analogji. Serbia ka vetëm Rusinë pas, e cila ka vetëm fuqi ushtarake, por jo fuqinë që ka Izraeli në politikën amerikane. Interesat e SHBA-ve në Lindjen e Mesme janë jetike për energjinë dhe sigurinë globale. Kosova është një investim i drejtpërdrejtë i SHBA-ve, por i një natyre tjetër. Nuk ka paralelizëm. Dhe rezistenca palestineze do të vazhdojë, pavarësisht aneksimeve.

Kreshnik Osmani:
Me Amerikën të fokusuar në Lindjen e Mesme dhe Iranin, Rama po tenton të hidhet nga barka e europianëve tek ajo e Trumpit. Po bën akrobaci. Në këtë kohë, Serbia po bëhet agresive, po vjen në Tiranë, po kontrollon ekonominë dhe mediat. Dominimi sot nuk bëhet me ushtri, por me para, biznes dhe televizione.

Në Tiranë ka disa personazhe tragjikomike që pretendojnë se vijnë nga Amerika dhe u fusin shqiptarëve një qetësues, një valium, duke u thënë “mos u rebeloni, mos u organizoni”. Ata na targetojnë ne, na quajnë spiunë. Kush fshihet pas kësaj shiringe me morfinë?

Kolonel Dritan Demiraj:
Unë nuk i kam dëgjuar, por më kanë thënë njerëzit. Mesazhi im është: mos dëgjoni gënjeshtra. Ja sa i shqetësuar është Edi Rama nga organizimi ynë në Amerikë, sa nuk ka lënë njeri pa më marrë në telefon. Shërbëtorët e tij më kërkojnë të ndaloj. Por unë i them atij personazhi: nuk ke fuqi të më kërcënosh, as të më heqësh pasaportën. Ne jemi njerëz që i kemi shërbyer Amerikës në fronte lufte dhe vazhdojmë t’i shërbejmë kombit, pa marrë asnjë cent prej tij.

U vërtetua se ai financohet nga Edi Rama dhe është pjesë e strategjisë së tij. Ne po organizojmë diasporën në 24 shtete të Amerikës. Nuk kemi asnjë cent, por kemi vullnetin e njerëzve të ndershëm. Milionerët shqiptarë duhet të zgjohen dhe të financojnë lëvizjen kombëtare, jo të paguajnë qindra mijëra euro për këngëtarë tallava.

Kreshnik Osmani:
Ky kanal shikohet nga 150-200 mijë shqiptarë në ditë, vetëm nga Amerika. Ne po bashkojmë njerëzit pa logo partiake, pa interesa personale. Është një presion që i bëhet administratës Trump, siç bëjnë të gjitha lobet normale në botë. Edhe lobi somalez ka fuqi në Uashington, sepse organizohet.

Ne nuk merremi me personazhet tragjikomikë që kërcënojnë se do na heqin pasaportat. Ata janë thjesht humori i ditës. Por ajo që na tërbon është se po e kthejnë fuqinë më të madhe në botë në një estradë.

Kolonel, faleminderit për këtë bisedë. Ishte kënaqësi.

Kolonel Dritan Demiraj:
Kënaqësia është e imja. Një falënderim i veçantë për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Mos harroni, ne nuk do të jemi kurrë vetëm. Do t’ua zbulojmë të gjitha skemat, të gjitha manualet e mashtrimit. Jemi në emergjencë kombëtare dhe duhet të lëvizim shpejt.

Kreshnik Osmani:
Zoti na ndihmoftë! Gëzuar festën e Pavarësisë së Kosovës! Kosova e zemrës, Dardania, Ilirida, Malësia, Lugina, Çamëria – kudo ku ka shqiptarë, rrofshi e qofshi! Të bashkuar rreth idealit të madh kombëtar, rreth gjakut të derdhur dhe sakrificave sublime.

Faleminderë, kolonel! Natën e mirë dhe mirë u dëgjofshim!