I arrestuari, kryetari i Bashkisë Metropolitane të Stambollit (İBB), Ekrem İmamoğlu, mori fjalën në seancën e dytë të çështjes së İBB-së… Në fjalimin e tij, İmamoğlu tha: “Këta miq dërgojini në shtëpitë e tyre. Problemi i këtij sistemi është me mua. Unë jam gati ta zhvilloj këtë proces këtu me ju. E bëj mbrojtjen time. Këta njerëz gjykojini në liri.”
Në gjyqin ku po gjykohen gjithsej 402 të pandehur, nga të cilët 106 ndodhen në paraburgim, po vazhdon dita e dytë e procesit për Bashkinë Metropolitane të Stambollit (İBB).
Në seancë, mori fjalën kandidati i burgosur i CHP-së për president dhe kryetari i İBB-së, Ekrem İmamoğlu.
JA TEKSTI I PLOTË I FJALIMIT QË İMAMOĞLU MBAJTI NË GJYKATË:
Kryetari i Gjykatës: Për çfarë qëllimi kërkuat të drejtën e fjalës?
Ekrem İmamoğlu: Tani, i nderuar gjyqtar, siç e vlerësoni edhe vetë, kur dëgjuat pak më parë qoftë edhe përmbledhjen, mendoj se në çdo rresht përmendej emri im. Dhe me atë përmbledhje që u paraqit, këtu po nis një nga proceset më të rëndësishme politike në historinë e Republikës së Turqisë. Natyrisht, ju do të merrni një vendim procedural dhe do ta zbatoni atë. Radha e mbrojtjes e kështu me radhë… Siç thatë pak më parë, folët për një listë. Një pjesë e saj u publikua dje. Pastaj, në atë rrëmujë, u hoq nga ekrani dhe më pas avokatët e siguruan në njëfarë mënyre. Edhe unë e pashë mbrëmë. Ky është vendimi juaj. Por para se ta merrni vendimin, mendoj se duhej edhe të dëgjonit. Nuk e bëtë këtë. Është vlerësimi juaj. Por këtu të thuash “nuk po ju dëgjoj” apo “nuk po ju jap të drejtën e fjalës” është një gjë që bie ndesh me drejtësinë e lartë turke… Unë nuk jam avokat, nuk jam jurist. Por mendoj se kjo nuk përputhet me Kodin e Procedurës Penale që keni në dorë. Një gjë e di: nëse drejtësia turke është themeli i shtetit, atëherë me këndvështrimin tuaj këtu askush nuk është fajtor. Ka një organ akuze… Për mua ai është i pavlefshëm. Për mua është krejtësisht i mangët. Për mua është krejtësisht i dyshimtë. Për mua është krejtësisht fajtor. Do të vijë dita kur këto do të gjykohen, do të diskutohen.
Por gjatë gjithë këtij procesi, ju, në emër të çdo miku tim këtu, pavarësisht nga organi i akuzës, po ushtroni një detyrë që kërkon të jeni të pavarur, të qëndroni në mes, të silleni me drejtësi dhe në fund të merrni një vendim. Një detyrë e shenjtë. Prandaj çështja për të cilën po flitet këtu është një çështje politike. Këtu ndodhet kryetari i bashkisë së 16 milionë stambollinjve. Tani, para jush. Një person që 15.5 milionë njerëz, me votën e tyre, e kanë cilësuar si kandidat për president të partisë së parë të Turqisë; një njeri që ka marrë firmat e 25.1 milionë njerëzve dhe, në një opinion publik ku afro 70% e shoqërisë e konsideron këtë çështje si çështje politike, të thuash “nuk po e dëgjoj propozimin tuaj” krijon që në fillim problem legjitimiteti për këtë gjykatë. Krijon problem besimi. Në fund të fundit, kush mund të ndërhyjë në vendimin që do të jepni ju? Ju do të vendosni. Do të thoni: unë mora këtë vendim dhe do ta bëj me këtë listë. Natyrisht, të gjithë do ta respektojnë ose, pavarësisht kundërshtimeve tona, rendi këtu do të funksionojë në njëfarë mënyre. Por të thoni: “Nuk po e dëgjoj Ekrem İmamoğlu-n. Nuk dua ta dëgjoj këtë propozim të tij”, ju krijon juve problem. Dëgjimi i shpjegimit tim se pse kërkesa ime 10-15 minutëshe duhet të marrë një formë tjetër, ju qetëson juve, qetëson edhe trupin gjykues. Prandaj, nëse e shihni të përshtatshme, dua t’ju shpjegoj shkurtimisht pse nuk duhet të jetë kështu dhe në çfarë kushtesh kemi ardhur deri këtu. Avokati im…
Kryetari i Gjykatës: Atëherë le ta bëjmë kështu. Të mos hyjmë në ato kushte, por të marrim kërkesën tuaj…
Ekrem İmamoğlu: I nderuar gjyqtar, a mund të bëhet kërkesa pa hyrë në ato kushte? Pikërisht këtë kanë dashur të thonë avokatët e mi kur ju thanë “le të flasë pak”. Përndryshe, unë nuk jam në gjendje të bëj miting këtu si ata që mbajnë miting brenda xhamisë. Unë jam i rënduar. Po gjykohem për 3000 vjet, i nderuar gjyqtar. 3000 vjet!
Kryetari i Gjykatës: Të drejtën e mbrojtjes do t’jua japim gjithsesi, zoti Ekrem.
Ekrem İmamoğlu: I nderuar gjyqtar, sa i sjellshëm! Ju falënderoj shumë që më dhatë të drejtën e mbrojtjes. Pra, sikur të mos ma jepnit edhe atë, çfarë do të ndodhte vallë?
Kryetari i Gjykatës: Në cilat drejtime të tjera ka kufizim?
Ekrem İmamoğlu: Po e shpjegoj pra. Po them: le ta shpjegoj kufizimin, le ta paraqes kërkesën time, vlerësimi është i juaji. 15 minuta! Nëse më lejoni… I nderuar gjyqtar, e dini cila është fjala e fundit në përmbledhjen e aktakuzës që u lexua pak më parë dhe që që nga fillimi flet për këto? “Eee!” Besoni, “eee”! Pse?
Kryetari i Gjykatës: Këto i përfshini kur të bëni mbrojtjen tuaj…
Ekrem İmamoğlu: I nderuar gjyqtar, më lini pak… Nuk bëhet kështu. Më lini, vetëm me një fjali, si e kuptuat mbrojtjen? Natyrisht që do të mbrohem. Me çdo fjali do të mbroj veten. Pra, mos e bëni këtë. Po të më dëgjoni kështu, kjo punë mbaron për 10 minuta, 15 minuta; pastaj sërish ushtroni diskrecionin tuaj. Ju lutem, mos e bëni. E dini pse thuhet kështu? Sepse që nga fillimi i aktakuzës është paraqitur një qëndrim i qartë. E dini çfarë? Ekrem İmamoğlu kërkon të pushtojë Beylikdüzü-në, të pushtojë Stambollin, të pushtojë Turqinë, të pushtojë Partinë Popullore Republikane, dhe pasi të pushtojë CHP-në, të drejtojë gjithçka… Pra, thelbi i çështjes është politik. Duke folur për “krahët e oktapodit”, është e qartë se si prokurori i përgjithshëm me pamje politikani që ndodhet në krye të kësaj pune i ka dërguar mesazh Ankarasë përmes atyre “krahëve të oktapodit”. Është e qartë se pasi mori detyrën, ai e ka ushtruar këtë punë me identitet politik. Prandaj kjo është çështje politike.
Një çështje politike nuk ka nisur sot. Shikoni; në vitin 2019, ditën kur u anulua zgjedhja ose pak para anulimit, presidenti i këtij vendi, i zgjedhur me votën e popullit, me vullnetin e popullit, tha: “Askush të mos mendojë se do të fitojë zgjedhjet me 13-14 mijë vota.” Por edhe me një votë mund të fitohen zgjedhjet. Tha: “Askush të mos mendojë se do t’i fitojë zgjedhjet me 13-14 mijë vota.” Dhe i anuloi zgjedhjet. Nga ai mendim që anuloi zgjedhjet, në vitin 2024… Shikoni; para atij anulimi, unë u zgjodha kryetar i Bashkisë Metropolitane të Stambollit me 13 mijë e 600 vota, me vlerësimin e popullit. Pastaj kjo u bë 806 mijë vota. Pastaj arriti në 1 milion e 100 mijë vota. Në vitin 2024 ky mendim e ndërroi metodën: “Nuk bëhet me anulim zgjedhjesh, atëherë le të bëhet me arrestim”, paska thënë! “Mund ta arrijmë këtë me një operacion”, paska thënë, dhe ka marrë një vendim. Është vendim politik. Me atë vendim politik, ai politikan, pra prokurori me pamje politikani, erdhi në Stamboll nga një detyrë politike, nga posti i zëvendësministrit, e kreu misionin e tij; ky operacion, që sipas informacioneve tona u caktua 2-3 muaj pas zgjedhjeve të 2024-ës dhe që nisi në korrik-gusht, dhe personi për të cilin thuhej në atë kohë “nëse ka sukses në këtë punë do të bëhesh ministër”, u bë ministër i Republikës së Turqisë. Prandaj kjo punë ka qenë politike që nga fillimi.
Në një çështje politike, dhe në një mjedis ku nën asnjë pretendim nuk ekziston asnjë provë, asnjë proces i qëndrueshëm, nëse ju thoni: “Këtu do të dëgjoj vetëm veprim pas veprimi ose person pas personi, sipas kësaj radhe alfabetike”, atëherë me të vërtetë e menaxhoni gabim. Ky është propozimi im. Natyrisht që vlerësimi është i juaji. Është punë që ju e dini. Pasojat do t’i mbani ju, jo unë. Por unë jam i detyruar t’ju shpreh mendimin tim. Praktikat janë aq të vështira dhe problematike, saqë kur thamë “le të transmetohet drejtpërdrejt në televizion”, nga personi më i lartë i shtetit e deri te ai prokuror me pamje politikani në Stamboll, të gjithë thanë: “Sigurisht, le ta transmetojmë.” Por në pikën ku kemi ardhur, rrethohet gjithçka me xhandarë, populli vuan për të hyrë këtu, njerëzit ulen të ngjeshur mes xhandarëve tanë. Kjo nuk bëhet; me një tension të tillë ky proces nuk mund të menaxhohet. Një gjykim i drejtë është e drejta ime. I puth duart e bukura të çdo gruaje që është këtu me mua. Duhet ta dini ju se në çfarë padrejtësie e vuajtjeje kanë ardhur këtu të gjithë miqtë e mi.
A e dini çfarë vështirësie? Kur pashë dje shokun tim që ka stimulues kardiak, e pyeta: “Pse e ke krahun në varëse?” Ai tha: “Kam stimulues në zemër, kam problem.” Po flisni për korrespondenca e të tjera… I nderuar gjyqtar, duhet të tregoni kujdes. Ka dhjetëra miq tanë që prej një viti nuk e dinë pse janë këtu. Dhjetëra miq tanë… Ndërkohë në dosjen tuaj ka njerëz që kanë bërë kallëzim penal duke thënë: “Dhurova 8.5 milionë dollarë, do të më lironin, kishte bashkëpunim edhe me drejtësinë”, dhe kur ju merrni vendime për ta apo për biznesmenë të tjerë që keni vendosur t’i vendosni në krye të kompanive të tyre, nuk keni marrë vendim për mikun tim me stimulues kardiak. Këtu kam dhjetëra miq; shumë prej tyre ankohen: “Pse po rri unë këtu?” Nuk liruat asnjë person të vetëm. Pra populli po vihet në provë me fëmijët e tij, me familjet e tij. Këto nuk i keni bërë. Këto janë gjëra që na vënë në pozitë të vështirë dhe na heqin ndjesinë e gjykimit të drejtë. Disa biznesmenëve të zgjedhur u hiqet ndalimi i daljes jashtë vendit; u hiqen kufizimet. Por për njerëzit që testohen me fëmijët e tyre këtu nuk ndërmerret asgjë. Si do të besojmë? Si do të kemi besim?
Tani që ka kaq shumë shembuj; ka të sëmurë, ka të operuar. Ka njerëz që tani nuk mund të përkulin gjurin e të ecin, që sapo kanë dalë nga salla e operacionit. Le të shkojë ky njeri në shtëpi; çfarë rreziku ka të mbahet së paku në shtëpinë e tij? Kë po testoni me kë dhe me çfarë? Kjo nuk bëhet. Prandaj po e them sërish: sistemi këtu, ai që quhet “organ akuze” dhe personat e lidhur me të, të cilët kanë shkruar pretendime pa vlerë dhe kanë firmosur këtë “aktakuzë shpifëse”, kanë vepruar sipas logjikës “njeriu e njeh punën nga vetja”. Çfarë kanë bërë vetë, atë kanë përshkruar. Pastaj e kanë parë dhe sipas saj kanë shkruar, gjoja, një aktakuzë; por emri i saj është “shpifje”. Dhe mbi këtë shpifje, çfarëdo që kanë bërë gjatë 15-20 viteve të bashkiakut, të gjitha ia kanë faturuar Ekrem İmamoğlu-t. Kanë parë se nuk ka asgjë… Po, nuk ka asgjë, por pavarësisht kësaj e kanë bërë. Dhe mbi atë “aktakuzë-shpifje”, ne përballemi me një sistem nën presion.
Shikoni, unë dua të kem besim. Prandaj jua përcolla dje kërkesën time për të folur. Qëllimi im nuk është të pushtoj foltoren. Kam ardhur në tetë-nëntë seanca këtu. Në çdo seancë jam ngritur nga vendi, kam ardhur këtu dhe kam kërkuar të drejtën e fjalës. Ju keni thënë “urdhëroni” ose “pak më vonë”, dhe unë jam kthyer e jam ulur. E pashë që para meje kishte të drejtë fjale, drita e kuqe ishte ndezur dhe fillova. Por ju thatë: “Nuk po ju jap të drejtën e fjalës.” Unë nuk kam ndonjë kureshtje të vij nga atje deri këtu për të folur. Ne jemi njerëz të sjellshëm, i nderuar gjyqtar. Unë jam kandidati për president i partisë së parë të këtij vendi. Unë jam kandidati për president i partisë që do të vijë në pushtet në zgjedhjet e para të Turqisë. (Duartrokitje dhe paralajmërimi i Kryetarit të Gjykatës…) Pikërisht prandaj ky paralajmërim juaj… Shikoni, po më vini në pozitë të vështirë, ju lutem mos e bëni. Nëse një kandidat për president nuk flet këtu… Bota po ju sheh ju, po na sheh ne. Kjo nuk bëhet. Unë nuk po e pushtoj foltoren; nëse më jepni dhjetë minuta, pesëmbëdhjetë minuta, njëzet minuta fjalë, nuk humbni asgjë. Vendimin do ta jepni sërish ju dhe ai vendim do t’ju ndjekë gjithë jetën. Shkoni ku të doni, ai vendim do t’ju ndjekë; siç ka ndodhur edhe në të kaluarën. Prandaj diskrecioni është i juaji; askush s’mund t’jua marrë atë të drejtë, as unë, askush. Në këtë kuptim, ju lutem, vendoseni në një rend këtë proces gjykimi.
Po thoni: “Do t’ju dëgjoj në fund.” Por çdo faqe e kësaj çështjeje është Ekrem İmamoğlu… Unë mund të flas edhe në fund, edhe në fillim. Edhe transparenca aty është e rëndësishme. Këtu ka avokatë të çmuar, njerëz shumë me përvojë. Është kryetari i Unionit të Dhomave të Avokatëve të Turqisë, është kryetari i Dhomës së Avokatëve të Stambollit, ka kryetarë të tjerë odash. Këta njerëz, kolegët tuaj, trokitën në derën tuaj për të marrë informacion. Unë pyeta sa herë; nuk ka asnjë informacion të vetëm. Ju thoni: “Shkoni, fotografoni atë dhe përfitoni prej andej.” Por një ditë më parë, në faqet e grupeve më të ndyra, më të ulëta, më pa dinjitet të Turqisë, si grupi Turkuvaz dhe Yeni Şafak, që pas TRT-së financuar me taksat e këtij populli publikojnë “lajme” të tilla, dalin këto informacione. Shikoni lajmet e pamoralshme, faqe pas faqeje, të publikuara që nga muaji mars për familjen time dhe për familjet, bashkëshortet, fëmijët e çdo miku tim këtu. Shikoni, edhe ju keni nënë e baba; Zoti ju dhëntë shëndet. Keni fëmijë, familje. Kur këto publikohen faqe pas faqeje, rresht pas rreshti, kolonë pas kolone, në ato institucione të ulëta e amorale që bëjnë lajme të pista për çdo mik timin, kjo bie mbi ju dhe vërtet ju dëmton.
Por e dini më shumë se ku dëmton? Dëmton konceptin “Drejtësia është themeli i shtetit.” Prandaj ju nuk duhet vetëm ta dëgjoni Ekrem İmamoğlu-n të parin apo të fundit; duhet ta dëgjoni edhe në mes. Edhe në mes, po t’ju thoja diçka për një çështje, a do t’ju bindja? Jo, sërish ju do të jepni vendimin në fund. Natyrisht që do të lexoni edhe absurditetet në aktakuzë. Për mua këto janë absurditete. Këta filluan duke thënë “organizata kriminale e Ekrem İmamoğlu-t”, pastaj, meqë u bë reklamë, papritur u bë “organizata kriminale e İmamoğlu-t”. Mendoni pak; ai prokuror me pamje politikani doli dhe e quajti “vjedhja e shekullit”. Po lexoj aktakuzën; shihni me sa vështirësi vijmë ne këtu. Zoti gjyqtar, nuk bëhet pa na dëgjuar ne, ju lutem. Duhet të na dëgjoni. Shikoni nga çfarë vështirësish po vijmë. Na quajti “vjedhja e shekullit”. A ka ndodhur ndonjëherë një paturpësi e tillë? Një arrogancë kaq e madhe e shekullit, një verbëri e tillë e shekullit?
Kryetari i Gjykatës: Le ta shënojmë këtë në procesverbal.
Ky vend, ky popull… A e dini çfarë është gjykata? Është vendi ku njeriu duhet të ndihet më i sigurt. Këtu unë nuk dua as që t’i ndodhë ndonjë e keqe ndonjë xhandari të vetëm, as nuk dua të ngre zërin kundër komandantit që drejton këtu. Unë jam rritur pranë Komandës së Regjimentit të Xhandarmërisë, në fshat, duke vrapuar pas tyre, duke u stërvitur. Kur isha 5-6 vjeç, vrapoja pas reparteve që stërviteshin në komandën e xhandarmërisë në fshatin tim. E di vlerën e ushtarit, e di vlerën e këtij flamuri; askush nuk ka pse ma mësojë këtë. Prandaj pse na vini kështu përballë njëri-tjetrit? Çfarë do të bëjmë ne? Këtu ka kryetarë bashkish, ka nëpunës e njerëz që ia kanë kushtuar jetën shtetit. Zoti gjyqtar, ju lutem, ju lutem… Unë tani nuk po bëj mbrojtje, po përpiqem t’ju këshilloj. E dini pse? Për procesin që vjen më pas, i nderuar gjyqtar. Tregoni durim. Sipas kërkesës së organit të akuzës, do të na gjykoni 12 vjet. “12 vjet”, po thonë! Edhe po të duhen 12 vjet, mjafton të mund të bëj mbrojtjen time. Mos u shqetësoni, po e përfundoj, po e përfundoj…
Dje u përjetua ajo rrëmujë. Në mëngjes, ushtarët, miqtë… A e dini çfarë duhet të bëni? Pas pushimit, ju lutem shumë. Lërini këta miq tanë. Le ta bëjnë detyrën e tyre diku tjetër. Na lini ne ta menaxhojmë këtë proces me ju këtu në mënyrë dinjitoze. Zemra ime nuk e pranon që ushtria jonë të vihet në këtë pozitë. Kur isha kryetar i degës së CHP-së, kam marrë pjesë në të paktën 20 seanca gjyqësore. Kam shkuar edhe në gjyqet e gylenistëve. Kam marrë pjesë atje mes avokatëve… Ishte tjetër gjykatë. Ka pasur pashallarë, pashallarë që i admiroja, erdhën, u përkulën, folën… Madje aty ishin edhe më afër. Jemi përshëndetur dorë më dorë. Edhe unë jam takuar ashtu. Folën, morën mendime. Ju thoni: nuk mund të takoheni, nuk mund të flisni. Jo, takoheshin, flisnin. Kishte edhe njerëz të ndryshëm me tespihe në duar. Kishte pashallarë. Tani mos e bëni këtë.
Në ç’vit jemi? Jemi në vitin 2026. Jemi në 100-vjetorin e Republikës. Shikoni, jemi të rrethuar nga zjarr. Po digjemi. Përreth është një top zjarri. Lufta po na kalon mbi kokë. Jemi në muajin e Ramazanit. Ramazani ynë i bekuar qoftë i bekuar. Në qiellin e botës islame po shkojnë e po vijnë raketa; askush s’e di ku shkojnë. Ka një dragua që nxjerr topa zjarri nga goja në të gjithë botën. Thotë: “Unë do ta trondit botën.” Gjoja do të bëjë udhëheqje botërore. Del topi i zjarrit, tundet edhe bishti i tij kështu. Njëherë e sheh në Amerikën e Jugut, njëherë në veri, njëherë në jug. Tani në Lindjen e Mesme. Dhe ne do ta mbrojmë Turqinë duke iu kapur bishtit të tij me atë udhëheqje? Nuk bëhet… Nuk bëhet… Turqia ka vetëm një kuptim të udhëheqjes: paqe në atdhe, paqe në botë. E dini çfarë do të thotë ajo paqe? Është paqe edhe në gjykatë. Është edhe harmoni në gjykatë. Lufta politike këtu nuk fitohet me shtypje e goditje. Fitoret fitohen me garë të drejtë, të barabartë, të lirë.
Ka një president që ka kaluar nëpër të gjitha këto akuza. Zoti Erdoğan. A nuk është e vërtetë? Për ryshfet, korrupsion, terror… Është gjykuar në vitet ’90. Nuk u arrestua as edhe një ditë, as një ditë. Nuk u ndalua as edhe një ditë. Ndërsa ju po e mbani Ekrem İmamoğlu-n në burg prej një viti. E dini, zoti gjyqtar, se unë jam në izolim në 12 metra katrorë? Jam në izolim. Prej një viti jam në izolim në 12 metra katrorë. Pas një viti, për herë të parë i përqafova, u përqafova me miqtë e mi këtu. Një vit! Kujt i është bërë kjo në këtë vend? Ai politikan me pamje prokurori, i apasionuar pas ndërtimit… Çfarë qenka? Po ndërton një godinë gjykate anash, për një miliard lira, për një miliard e gjysmë. Nuk mbaron. Nuk mbaron as në fund të vitit. I apasionuar pas ndërtimit. E dini çfarë është kjo?
Kryetari i Gjykatës: Ju lutem, ta përfundojmë… Keni 20 minuta që po flisni.
Shikoni, po e mbyllni kështu këtu, e kuptoj kureshtjen tuaj; nuk bëhet. Po e krahasojnë Silivrin me Yassıada-n. Nuk po ofendoj. Shikoni; po them prokuror me pamje politikani. A është gjë e keqe?
Kryetari i Gjykatës: Po dilni jashtë mbrojtjes.
Jo, jo, s’ka fare lidhje. Mirë, po e mbaroj. Po e mbaroj. Fjalia ime e fundit… Thotë kështu: “Pse politike?” “Marrja nën kontroll e Partisë Popullore Republikane, së cilës i përket Ekrem İmamoğlu, dhe më pas shpallja e liderit të organizatës si kandidat në zgjedhjet presidenciale… Krijimi i fondit!” Pra po shikoj fjalët e thëna në vitet 2001, 2002; të njëjtat. A është shkruar kjo në pallatin me 1100 dhoma? Apo në godinën e drejtësisë? Nuk jam i sigurt. Shikoni; po ashtu, sikur pushteti t’i drejtohet opozitës, kryetarit tim të dashur, z. Özgür Özel, me fjalën “person”. Nga ana tjetër, fjala “person” nuk është diçka e keqe. Personi është gjë e mirë. Mjafton të jesh person. Mjafton të jesh individ. Të jesh person, të jesh individ, është diçka fisnike. Çfarë është individi për mua? Të jesh me mendim të lirë, me ndërgjegje të lirë. Të jesh individ është gjë fisnike. Por nëse jeni shërbëtor urdhrash, nëse i shërbeni njeriut si skllav, Zoti e ruajtë këtë vend prej asaj. Edhe drejtësinë e këtij vendi.
Në këtë kuptim, këtu do të bëjnë mbrojtje 107 miqtë e mi. Unë mendoj se edhe radha e mbrojtjes këtu është jokonsistente. Është vlerësimi juaj, por mendoj se është jokonsistente. Mendoj se nuk ka asnjë logjikë. Mendoj se, në tërësi, Ekrem İmamoğlu duhet të ketë të drejtën e shumëfishtë të fjalës si në fillim, ashtu edhe më pas, madje edhe në momentin kur ju do të jepni vendimin. Sepse, si për të kuptuar ju më mirë çështjen dhe për ta parë atë më gjerë e më të plotë, ashtu edhe pas mbrojtjeve që do të japin miqtë e mi, apo të pandehurit e lirë, apo edhe pas deklarimeve të atyre që kanë shpifur, në ndërkohë do të ketë edhe dialogë të tjerë, e kështu me radhë; por mendoj se do të ndihet nevoja edhe për komentin e Ekrem İmamoğlu-t. Nuk kam asnjë dyshim se avokatët e mi do t’jua paraqesin një nga një, në mënyrë të qartë, çdo veprim. Dhe secili nga miqtë e mi këtu do të bëjë një mbrojtje të tillë, saqë asaj aktakuze të turpshme, të pavlerë, të denjë për t’u hedhur në plehra, nuk do t’i mbetet asnjë vlerë. Kaq e qartë. Nuk kam asnjë dyshim.
Por që ky gjykim historik të jetë vërtet gjykim, Ekrem İmamoğlu ka nevojë të flasë më shumë se një herë. Mund të kërkojë të flasë edhe në mes. Këtë duhet ta vlerësoni. Mendoj se ndërtimi i një ure dialogu me avokatët e mi do të ishte mirë edhe për ju. Shikoni, po e përsëris, nuk bëj shaka, zoti gjyqtar. Anëtari në të djathtën tuaj… Kjo nuk është as pretendim, shikoni, as pretendim nuk është; hapni dhe shikoni 1-2 orët e fundit të mbledhjes së djeshme. Është në diskrecionin tuaj. E pashë dy herë se si bënte shaka këtu, si jepte shenja. Madje, shikoni, i nderuar gjyqtar. Pse po e them këtë? Nuk dua t’i lë miqtë e mi nën dyshim.
Kryetari i Gjykatës: Ku doni të arrini me këtë?
Dua të arrij këtu: ju keni detyrimin ta korrigjoni këtë. Ju lutem, këshillohuni duke krijuar një urë të shëndoshë me avokatët e mi dhe një bazë të shëndoshë ure edhe me avokatët e tjerë. A e shihni kaq të thjeshtë këtë?
Kryetari i Gjykatës: Çfarë ka këtu?
Jo, a e shihni kaq të thjeshtë këtë? Shikoni, unë nuk marr si bashkëbisedues atë person që, me lëvizje duarsh, mundohet gjoja të ma kthejë fjalën. Këta janë të rinj. Këta kanë ende shumë për të mësuar. Por nëse veproni kështu, nuk bëhet. Parimet, norma që do t’u jepni atyre këtu, do të hyjnë në histori bashkë me drejtësinë e lartë turke. Ta them kështu: edhe në Yassıada çështja nisi me muhabet “ti e unë”. Nëse nis edhe këtu kështu, nuk bëhet. Shikoni, ju falënderoj për qëndrimin tuaj sot. Më dhatë mundësi këtu. Nëse edhe unë kam pasur ndonjë gabim, më falni. Po, kaq qartë. Nuk ka gjë më fisnike sesa të kërkosh falje. Mund të ketë ndodhur që zëri im t’ju ketë tingëlluar keq. Mund t’ju ketë bezdisur. Mund ta keni marrë personale. Më falni. Nuk ka problem. Por nëse kemi bërë ndonjë gabim, le të kthehemi pas. Le të kthehet edhe shoku ynë. Nga pozita e tij nuk duhet ta bëjë këtë. Por ju lutem kuptojeni kështu, zoti gjyqtar: pa dialog, ky proces nuk mund të menaxhohet.
Unë këtu do të bëj mbrojtje për ditë të tëra. Por fjala ime e fundit sot është kjo: ju lutem, por ju lutem… Shikoni, jemi në muajin e bekuar të Ramazanit. Në Ramazan, teksa shkoja në iftar, m’u anulua zgjedhja. Dhe kjo nga presidenti i zgjedhur me vullnetin e këtij populli. Me gojën e tij. Po kështu, në Ramazan, m’u anulua diploma. Teksa shkoja në sofrën e iftarit. Në Ramazan, pa dalë ende drita, në kohën e syfyrit, më bastisën shtëpinë. Shikoni; shtëpinë ma bastisën, shtëpinë time! Dhe sërish në Ramazan po bëjmë këtë seancë. Shikoni çfarë u ndodh dhe çfarë u bëhet në këtë atdhe të bekuar njerëzve që i shohin njëri-tjetrin me ndërgjegje, moral e virtyt. Për çfarë? Për etjen për karrige. Ju lutem, por ju lutem… Shikoni, jemi në Ramazan, po vjen Bajrami. Dërgojini këta miq të mi në shtëpitë e tyre. Problemi i këtij sistemi është me mua. Unë jam gati ta menaxhoj këtë proces këtu bashkë me ju. Jam gati ta bëj mbrojtjen time. Këta njerëz gjykojini në liri. Këta njerëz të gjykohen në liri. Nënat të takohen me fëmijët e tyre. Fëmijët të shkojnë në shtëpitë e tyre. Njerëzit janë të sëmurë. Le të shkojnë, të trajtohen dhe të vijnë në seanca. Menaxhojeni me mua një proces të tillë. Kjo listë që keni bërë është e gabuar, zbatimi është i gabuar. Të drejtën time për të marrë fjalën shumë herë po jua paraqes në vlerësimin tuaj. Zoti u dhëntë shëndet të gjithë miqve të mi. Zoti e ruajtë këtë popull dhe këtë vend nga ata që i shërbejnë njeriut si skllav dhe nga shërbëtorët e urdhrave. Dita kur njerëzit me vullnet të lirë do t’i shërbejnë këtij populli dhe këtij vendi është afër. Ju përshëndes me respekt./Marrë nga Sözcü/TetovaNews















