Ballina Bota Elif Eralp, figura e re e së majtës gjermane që ëndërron të...

Elif Eralp, figura e re e së majtës gjermane që ëndërron të transformojë Berlinin

“CDU-ja e shpronësuar”, titullon e përditshmja e majtë Taz, një ditë pas fitores së partisë Die Linke në Berlin. Loja e fjalëve përmbledh premtimin kryesor elektoral të së majtës, të udhëhequr nga Elif Eralp: kalimin nën kontroll publik të një pjese të fondit të banesave që zotërohet nga grupet e mëdha të pasurive të paluajtshme, për të luftuar krizën e strehimit.

Me 25,7 për qind të votave, Die Linke doli bindshëm në krye të zgjedhjeve rajonale të 20 shtatorit, përpara CDU-së me 18,8 për qind dhe AfD-së me 16,3 për qind. Për këtë forcë politike – e cila e ka një pjesë të rrënjëve të saj te Partia Socialiste e Bashkuar e Gjermanisë, partia që qeveriste Gjermaninë Lindore – një rezultat i tillë në kryeqytet përbën një fitore historike që nga ribashkimi i vendit. Kjo fitore mund ta çojë 45-vjeçaren Elif Eralp në Rotes Rathaus, Bashkinë e Kuqe të Berlinit, nëse ajo arrin të formojë një koalicion me socialdemokratët e SPD-së dhe të Gjelbrit.

Programi i saj mbështetet mbi një premtim themelor: sigurimin e banesave të përballueshme në një qytet ku qiratë pothuajse janë dyfishuar brenda një dekade. “Dua që njerëzit të vazhdojnë të kenë mundësi ta përballojnë një banesë”, ka përsëritur ajo gjatë gjithë fushatës. Në faqen e saj të internetit, ajo shfaqet me një varëse të artë ku shkruhet “Mietendeckel” – tavani i qirave.

Ajo dëshiron gjithashtu të zbatojë rezultatin e referendumit të vitit 2021 për “socializimin” e banesave në pronësi të kompanive të mëdha të pasurive të paluajtshme, një nismë e miratuar nga 59 për qind e votuesve, por që nuk është vënë kurrë në jetë. Masa mund të përfshijë rreth 220 mijë banesa.

Propozimi është i debatueshëm, veçanërisht për shkak të kostos së tij, e cila, sipas skenarëve të ndryshëm, vlerësohet nga disa miliardë deri në disa dhjetëra miliardë euro. Die Linke argumenton, megjithatë, se të ardhurat nga qiratë që do të arkëtonte qyteti do të mundësonin që kjo shumë të rikuperohej gradualisht.

Vajza e refugjatëve politikë

Rrugëtimi jetësor i Elif Eralpit është i lidhur ngushtë me angazhimin e saj politik. E lindur në Mynih në vitin 1981, ajo është vajza e dy socialistëve turq që u larguan nga vendi i tyre pas grushtit ushtarak të shtetit të vitit 1980. Që në adoleshencë merr pjesë në protesta kundër energjisë bërthamore dhe kundër racizmit.

Pas studimeve për drejtësi, ajo punon, ndër të tjera, për grupin parlamentar të Die Linke në Bundestag. Në fillim të viteve 2010 vendoset në Berlin dhe angazhohet në luftën kundër racizmit, dëbimit të qiramarrësve nga banesat dhe gentrifikimit.

Video bonus

E zgjedhur në parlamentin rajonal të Berlinit në vitin 2021, ajo vazhdon të jetojë në Kreuzberg, një lagje popullore e kryeqytetit, së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre. “Njerëz si unë zakonisht nuk bëhen kryetarë bashkie në këtë vend”, deklaron ajo në një video të fushatës. Nëse arrin të marrë postin, ajo mund të bëhet personi i parë me origjinë turke që drejton Berlinin.

Një fushatë në stilin e Mamdanit

Për të fituar mbështetjen e votuesve, Elif Eralp e përqendroi fushatën te çështjet sociale dhe zhvilloi një fushatë intensive derë më derë. Ajo nuk ngurroi të fliste as për tema si siguria publike apo papastërtia në qytet, çështje për të cilat e majta zakonisht pozicionohet më pak.

Stili i saj – xhinse, atlete, xhaketë aviatori, vathë rrathë dhe buzëkuq – bie dukshëm në kontrast me imazhin tradicional të Die Linke. Ky ndryshim pasqyron edhe transformimin e vetë partisë.

“Die Linke dikur ishte një parti pensionistësh nga Gjermania Lindore, shpesh të vendosur në zonat rurale”, shpjegon politologu Markus Kollberg për Financial Times. “Tani, votuesja e saj tipike është një grua e re që jeton në qytet. Partia ka ndryshuar plotësisht.”

Eralp e pranon gjithashtu ndikimin e Zohran Mamdanit, i zgjedhur kryetar i Bashkisë së Nju Jorkut në vitin 2025. “Suksesi i një socialisti demokrat në Nju Jork, në zemër të kapitalizmit, është një arritje e jashtëzakonshme”, deklaronte Eralp përpara zgjedhjeve. “Kemi shkëmbyer shumë ide.”

Ekipet e dy kandidatëve kanë shkëmbyer përvoja dhe ide, ndërsa një strateg i Mamdanit shkoi madje në Berlin gjatë pranverës për të këshilluar Die Linke. Krahas çështjes së strehimit, lufta kundër së djathtës ekstreme përbënte gjithashtu një nga boshtet kryesore të fushatës së saj, në një kohë kur Alternativa për Gjermaninë (AfD) po forcon pozitat e saj në vend.

Megjithatë, fitorja në zgjedhje nuk ia garanton Elif Eralpit drejtimin e Bashkisë së Berlinit. Die Linke doli në vendin e parë, por tani duhet të gjejë partnerë për të formuar një shumicë në parlamentin rajonal.

SPD-ja dhe të Gjelbrit mund të jenë partnerë të mundshëm koalicioni, por çështja e strehimit përbën tashmë një pikë serioze mosmarrëveshjeje. Steffen Krach, kandidati socialdemokrat, është shprehur kundër projektit për shpronësimin e pronarëve të mëdhenj të banesave dhe ka lënë të kuptohet se kjo masë mund të bëhet pengesë për arritjen e një marrëveshjeje me Die Linke./L’Express.fr

Reagimet në Turqi: Pse mediat e Erdoganit po e lavdërojnë një politikane të majtë