Banesa e vjetër më e shtrenjtë se e reja. Në një treg ku zakonisht ndërtimet e reja e diktojnë çmimin, të dhënat e Kadastrës për vitin 2025 tregojnë një pamje tjetër në një pjesë të Shkupit: blerësit kanë paguar më shumë për ndërtim të vjetër në adresë të mirë sesa për banesë nga ndërtimi i ri.
Shembulli më i theksuar vjen nga Alumina, një nga zonat më të kërkuara në komunën e Karposhit. Sipas Raportit Vjetor të Kadastrës, çmimi mesatar i banesave të vjetra në këtë zonë ka qenë 1.675 euro për metër katror, ndërsa banesat e reja kanë qenë mesatarisht 1.262 euro për metër katror. Dallimi është 413 euro për metër katror, që për një banesë prej 60 metrash katrorë do të thotë gati 24.800 euro çmim më i lartë në favor të ndërtimit të vjetër.
I njëjti drejtim shihet edhe në nivel më të gjerë. Në gjithë komunën e Karposhit, çmimi mesatar i banesave të shitura nga ndërtimi i vjetër në vitin 2025 ka qenë 1.558 euro për metër katror, ndërsa banesat e shitura nga investitorët kanë qenë mesatarisht 1.311 euro për metër katror. Dallimi aty është 247 euro për metër katror në favor të banesave të vjetra.
Kjo e ndryshon logjikën e zakonshme të tregut. Blerësit dukshëm po paguajnë premium për adresën, qasjen, infrastrukturën dhe jetën urbane tashmë të formuar. Në zona si Alumina, çmimin nuk e përcakton vetëm sipërfaqja, por edhe lagjja përreth saj: shkollat, kopshtet, dyqanet, transporti publik, afërsia me qendrën dhe ndjenja se vlera e banesës do të ruhet.
Një trend i ngjashëm ka edhe në komuna të tjera të Shkupit. Në Aerodrom, banesat e vjetra janë shitur me çmim mesatar 1.419 euro për metër katror, ndërsa banesat nga investitorët me 1.309 euro. Në Gjorçe Petrov, ndërtimi i vjetër ka arritur 1.170 euro, ndërsa banesat nga investitorët 1.061 euro për metër katror. Në Kisella Vodë, ndërtimi i vjetër ka qenë mesatarisht 1.334 euro, ndërsa banesat nga investitorët 1.268 euro. Në Qendër, dallimi është i vogël, por sërish shkon në favor të ndërtimit të vjetër: 1.692 euro kundrejt 1.681 euro për metër katror.
Të dhënat tregojnë se në një pjesë të Shkupit, çmimi po përcaktohet gjithnjë e më pak vetëm nga viti i ndërtimit. Kur hapësira është e kufizuar dhe kërkesa mbetet e lartë, ndërtimi i vjetër në adresë të mirë bëhet më i shtrenjtë se një banesë e re në të njëjtën komunë./Faktor/TN















