Fernando Antonio Nogeira PESOA (Lisbonë 1888 – 1935), mendimtar dhe poet i shquar i kombit portugez. I rritur në Afrikën e Jugut, studion më pas në Lisbonë, ku u bë një prej simboleve të modernizmit portugez. Personaliteti i ndërlikuar, me interesa të gjera në fushat e okultizmit, ezoterizmit etj. Heteronimet e krijuara në veprat e tij janë shprehje e copëzimit të unit, në të cilin përkthehet kriza e qenies.
1.
Poeti është një shtiracak.
Shtiret kaq me mjeshtëri
sa arrin të shtiret se është dhimbje
dhimbja që ndien në gji.
2.
Të qenit poet nuk është një ambicie e imja.
Është mënyra ime për të qëndruar vetëm.
3.
Kam dhimbje koke dhe universi.
4.
Nuk dua të kujtoj as të njihem me vetveten.
Bëhemi shumë nëse shohim cilët jemi.
5.
Të shtiresh është të njohësh veten.
6.
Letërsia, si i tërë arti, është të rrëfesh se jeta nuk mjafton.
7.
Për jetën kam interesin e një deshifruesi sharadash¹.
8.
Mendimi duhet të niset nga e paepura.
9.
Sinqeriteti është një pengesë e madhe, të cilën artisti duhet ta mposhtë.
10.
U shumëfishova për të ndier vetveten,
për të ndier vetveten m’u lips të ndieja gjithçka,
jam i shqyer, nuk kam bërë gjë tjetër veçse jam grafulluar…
11.
Kaloj dhe qëndroj, si Universi.
12.
Të ndiesh gjithçka në të gjitha mënyrat,
të jetosh gjithçka nga të gjitha anët,
të jesh e njëjta gjë në të gjitha format e mundshme në të njëjtën kohë…
13.
Pushuan mbi buzët e mia puhtjet e të tëra takimeve,
u valëvitën mbi zemrën time shamitë e të gjitha lamtumirave…
14.
Më ka edukuar Imagjinata,
gjithnjë kam udhëtuar duke i dhënë dorën,
kam dashuruar, kam urryer, kam folur, kam menduar
gjithnjë për hir të kësaj,
e të tëra ditët kanë këtë dritare përpara,
e të tëra orët duken si të miat në këtë mënyrë.
15.
Vdekja është kthesa e rrugës,
të vdesësh është vetëm të mos kesh rënë në sy.
16.
Çfarë di? Çfarë kërkoj? Çfarë ndiej? Çfarë do të kërkoja
nëse duhej të kërkoja?
17.
Nga kati im i katërt mbi pafundësinë, në intimitetin e
lavdërueshëm të mbrëmjes në mbërritje, në një dritare që
bie mbi fillimin e jyve, ëndrrat e mia lëvizin me akordin
e një ritmi, me një largësi të drejtuar nga udhëtime e vende
të panjohura, ose hipotetike, ose thjesht të pamundura.
18.
Nostalgji! Ndiej nostalgji, madje, edhe për çka nuk ka qenë asgjë për mua, për angështimin e arratisë së kohës dhe sëmundjen e misterit të jetës. Fytyrat, që i shihja zakonisht në rrugët e mia të zakonshme: nëse nuk i shoh më, trishtohem; e megjithatë nuk kanë qenë asgjë për mua, përveçse simboli i tërë jetës. Të moshuarin anonim me getet e fëlliqura, me të cilin kryqëzohesha thuajse përherë në orën nëntë e gjysmë të mëngjesit? Shitësin e çalë të biletave të llotarisë, që më bezdiste pa patur sukses? Të moshuarin rrumbullak e të freskët, me puron në gojë, që pushonte te porta e duhantores? Duhanshitësin e zbehtë? Ç’do të bëhet me të gjithë ata, të cilët, vetëm pse i kam parë përherë, u bënë pjesë e jetës sime? Nesër edhe unë do të zhdukem nga Rua de Prata, nga Rua dos Douradores, nga Rua dos Fankeiros. Nesër edhe unë – shpirti që ndien e mendon, universi që unë jam për vetveten – po, nesër edhe unë do të jem dikush, që ka reshtur së kaluari nëpër këto rrugë, dikush, që të tjerët do ta evokojnë vagëllimthi me një: “Ç’të jetë bërë vallë?”. E gjithçka bëj tani, gjithçka ndiej e jetoj, nuk do të jetë asgjë më tepër se sa një kalimtar më pak në përditshmërinë e rrugëve të një qyteti çfarëdo.
19.
Shpirti im është një orkestër e mistershme; nuk e di cilave instrumente u bie e çirren brenda meje: tela e harpa, timpanë e tamburë. E njoh veten për një simfoni.
20.
Befas sot kam brenda një ndijesi absurde e të drejtë.
Kuptova, nga një ndriçim i fshehtë, se nuk jam askush.
Askush, absolutisht askush.
21.
Secili prej nesh është më tepër se një, është shumë, është një stërzgjatje e vetvetes.
22.
Në fund të kësaj dite mbetet ajo që mbeti nga e djeshmja dhe ajo që do të mbetet nga e nesërmja; ankthi i panginjshëm e i shumëfishtë i të qenit gjithnjë i njëjti person dhe një tjetër.
23.
Edhe pse nuk zotëroj virtyte të tjera, kam së paku një virtyt: risinë e përjetshmë të ndijesisë së lirë.
24.
Kam krijuar brenda meje personaliete të ndryshme. Krijoj në mënyrë të pandërprerë personalitete. Çdo ëndërr imja, sapo zë ta ëndërroj, mishërohet në një person tjetër, që zë ta ëndërrojë edhe ai, e ky nuk jam unë.
Për të krijuar u shkatërrova; kaq u jashtësova brenda meje sa brenda meje nuk ekzistoj përveçse në mënyrë të jashtme. Jam skena e gjallë, mbi të cilën kalojnë aktorë të larmishëm e recitojnë drama të larmishme.
25.
Ndiej se jam një hiç, në mos hija
e një fytyre të panjohshme në hijë:
dhe në sajë të mungesës ekzistoj, si zbrazëtia.
26.
As mos beso as mos kërko: gjithçka është e fshehtë.
27.
Larg meje në mua ekzistoj.
28.
Gjithçka kam menduar, gjithçka kam ëndërruar, gjithçka kam bërë e nuk kam bërë: gjithçka do të shkojë në vjeshtë, si fijet e shkrepëseve, që mbulojnë dyshemenë të shpërndara në drejtime të ndryshme, apo si fletët e letrës të mbledhura shuk në toptha të rremë, apo perandoritë e mëdha, të gjitha fetë, filozofitë, me të cilat janë zbavitur fëmijët e përgjumur të humnerës. E gjithë kjo qe shpirti im, prej aspiratave të mia më fisnike deri te shtëpia e varfër ku banoj, prej perëndive, që kam patur, deri te pronari im, zoti Vaskes: gjithçka shkon në vjeshtë, gjithçka në vjeshtë, në butësinë mospërfillëse të vjeshtës. Gjithçka në vjeshtë, po, gjithçka në vjeshtë…
29.
Ah, brenda meje janë të gjitha rrugët.
Çdo largësi, apo drejtim, apo qëllim
më përket, jam unë. Pjesa tjetër është ajo copë
e imja, të cilën e quaj bota ime e jashtme.
30.
Ah, kush do të më shpëtojë nga ekzistenca? Nuk është vdekja ajo që dua, por as jeta: është ajo diçkaja, që shkëlqen në thellësi të shqetësimit si një diamant i mundshëm në fund të një pusi, ku nuk mund të zbritet. Është e gjithë pesha dhe e gjithë dhimbja e këtij universi real e të pamundur, e këtij qielli flamur të një ushtrie të panjohur, e këtyre toneve që sa vijnë e zbehen në ajrin e rremë, prej ku drapëri imagjinar rritës i hënës shfaqet me një bardhësi elektrike të palëvizshme, të prerë me largësi e pandjeshmëri.
31.
Të genit lodh, të ndierit dhemb, të menduarit shkatërron.
32.
Humnera është muri që kam,
të genit unë nuk ka një masë.
33.
Jetova mjaft pa jetuar! Mendova mjaft pa menduar! Botë dhunash të paluajtshme, aventurash të kaluara pa lëvizje, rëndojnë mbi mua. Jam i lodhur nga ato që nuk i pata kurrë e nuk do t’i kem, i lodhur nga Perënditë që nuk ekzistojnë. Mbart me vete plagët e të gjitha betejave që shmanga. Trupi im lëngon për shkak të mundimit, që as nuk më vajti ndër mend ta marr.
34.
Jeta është një udhëtim eksperimental i ndërmarrë në mënyrë të pavullnetshme.
35.
Të udhëtosh? Për të udhëtuar mjafton të ekzistosh. Kaloj nga dita në ditë si nga stacioni në stacion, hipur në trenin e trupit tim, ose të fatit tim, i kthyer nga rrugët e sheshet, nga gjestet e fytyrat, gjithnjë të njëjta e gjithnjë të ndryshme, siç janë, tek e fundit, peizazhet.
36.
Kam kryesisht të mos pasurit e asgjëje, të fjeturit do të ishte gjumë po ta kisha.
37.
Disa kanë një ëndërr të madhe në jetë dhe nuk e realizojnë. Të tjerë nuk kanë në jetë asnjë ëndërr dhe nuk e realizojnë as atë ëndërr.
38.
Nuk e di kush jam, çfarë shpirti kam.
Kur flas me sinqeritet nuk e di se me çfarë sinqeriteti flas. Jam ndryshueshmërisht tjetër nga një unë, që nuk e di nëse ekziston (apo nëse është ata të tjerët).
39.
Ndihem i shumëfishtë. Jam si një dhomë me pasqyra të panumërta fantastike, të cilat përdredhin në reflekse të rreme një realitet të vetëm pararendës, që nuk është tek askushi dhe është te të gjithë.
40.
Që kur e njoh vetveten si ai, të cilin e përcaktoj “unë”, mbaj mend të kem vizatuar mendërisht, në paraqitje, lëvizje, karakter e histori, figura të ndryshme irreale, po për mua aq të dukshme e të miat sa vetë gjërat e asaj, që quajmë, mbase, në mënyrë abuzive, jetë të vërtetë. Kjo prirje, të cilën e zotëroj që prej kohërave kur kujtoj se kam qenë një “unë”, më ka shoqëruar gjithmë, duke e ndryshuar lehtë adaxhion muzikore, me të cilën më magjeps, po duke mos e tjetërsuar kurrë ngarkesën e saj të magjepsjes.
Sjell, kështu, ndër mend, atë që më duket se ka qenë heteronomi im i parë apo, më mirë, i njohuri im i parë jo ekzistues: njëfarë Chevalier de Pas i moshës sime gjashtë vjeçare, nëpërmjet të cilit i shkruaja letra vetvetes dhe figura e tij, jo krejtësisht e vagullt, ende i lë mbresë asaj pjese të dashurisë sime në kufi me nostalgjinë. Kujtoj, me më pak kthjelltësi, një tjetër figurë, së cilës nuk ia sjell dot më ndër mend emrin, po sigurisht edhe ai i huaj, që ishte, nuk e di në çfarë, rival i Chevalier de Pas… Gjëra që u ngjasin të gjithë fëmijëve? Pa dyshim; ose ndoshta. I jetova deri në atë pikë sa i jetoj akoma, pasi i kujtoj aq mirë sa më duhet të sforcohem për t’u ndërgjegjësuar se nuk qenë realitet.
Kjo prirje për të krijuar rreth meje një botë tjetër, të ngjashme me këtë, po me njerëz të tjerë, nuk iu largua kurrë imagjinatës sime. Ka kaluar faza të ndryshme, mes të cilave këtë të sotmen, në moshë të pjekur. Më ndihmonte një moto e shpirtit, absolutisht e huaj, për një arsye apo një tjetër, për atë që unë jam, apo për atë që supozoj se jam. E thoja menjëherë, natyrshëm, sikur të bëhej fjalë për ndonjë mikun tim, të cilit i shpikja emrin, i sajoja historinë, ndërsa paraqitjen – fytyrën, shtatin, teshat dhe gjestet – ia shihja menjëherë përpara meje. Dhe kësisoj u gatova; e popullarizova miq e të njohur të ndryshëm, që nuk kanë ekzistuar ndonjëherë, po që ende sot, në një largësi prej gati tridhjetë vitesh, unë i dëgjoj, i ndiej, i shoh. E përsëris: i dëgjoj, i ndiej, i shoh… Dhe kam nostalgji për ta.
41.
Unë shoh përpara meje, në hapësirën pa ngjyrë po të vërtetë të ëndrrës, fytyrat, gjestet e Kaeiros, të Rikardo Reisit dhe të Alvaro de Kamposit. U ndërtova atyre moshën dhe jetët.
42.
Po filloj nga pjesa psikiatrike. Origjina e heteronimeve të mia është gjurma e thellë e histerisë ekzistuese brenda meje. Nuk e di nëse jam thjesht histerik apo, më saktë, një histeriko-nevrastenik. Anoj nga kjo hipoteza e dytë, pasi tek unë shfaqen fenomene të tilla abulie, të cilat histeria nuk i regjistron ndër simptomat e veta. Sido që të jetë, origjina mendore e heteronimeve qëndron në prirjen time organike e konstante për shpersonalizim dhe shtirje. Këto fenomene, fatmirësisht për mua e për të tjerët, tek unë janë mentalizuar; dua të them se nuk nxjerrin krye në jetën praktike, të jashtme e në kontakt me të tjerët; shpërthejnë nga brenda dhe unë i jetoj i vetëm me qenien time.
43.
Ruajmë heshtjen mbi të padepërtueshmen e mbi iracionalen. Zbresim duke treguar velin, që nuk e ngritëm kurrë.
44.
E gjithë jeta është një simbologji e ngatërruar.
45.
Gjithçka këtu poshtë është simbol e hije. Jemi të bindur se jetojmë dhe kemi vdekur; besojmë se kemi vdekur dhe jemi duke jetuar.
46.
Kam krijuar brenda meje personalitete të ndryshme. Krijoj personalitete vazhdimisht. Çdo ëndërr imja, sapo duket e ëndërruar, mishërohet në një tjetër person, që mund ta ëndërrojë, po jo unë.
47.
Nëse nesër, duke udhëtuar për në Amerikë, do të ndeshesha befas me personin fizik të Rikardo Reisit, i cili, sipas meje, jeton atyre gjerësive gjeografike, asnjë shprehi habie nuk do të më ngjitej prej shpirtit në fytyrë; gjithçka do të ishte e drejtë, por, që më parë, gjithçka kishte qenë e drejtë. Ç’është jeta?
48.
Lexoj, dhe jam i kthjellët në synimet e mia; gjithçka e ethshme në jetën e pastër më braktis; një qetësi e plotë më pushton. Tërë pushimi i natyrës është me mua.
49.
Fjalët e mia të tanishme, sapo t’i kem thënë, do t’i përkasin menjëherë së shkuarës, do të qëndrojnë jashtë meje, të ashpra e fatale.
50.
Ah, e kuptova! Zoti Vaskes është Jeta. Jeta, monotone dhe e pamohueshme, ligjvënëse dhe e panjohur. Ky njeri banal përfaqëson banalitetin e Jetës. Ai, për së jashtmi, është gjithçka për mua, sepse Jeta për mua është e gjitha së jashtmi.
Dhe nëse zyra e Rua dos Douradores për mua përfaqëson Jetën, ky kati i dytë ku banoj, në të njëjtën Rua dos Douradores, përfaqëson për mua Artin. Po, Artin që banon në të njëjtën udhë të Jetës, po në një vend të ndryshëm; Arti që të lehtëson nga Jeta pa të lehtësuar nga të jetuarit dhe që është aq monoton sa jeta, por i vendosur diku gjetkë. Po, kjo Rua dos Douradores përqafon mbare domethënien e gjërave për mua, zgjidhjen e të gjitha enigmave, ta zëmë se ekzistojnë enigmat; fakt, ky, që nuk mund të ketë zgjidhje.
51.
Mistere të mëdha banojnë pragun e qenies sime.
52.
Dashuria thelbësore është.
Seksi veçse rastësi.
Mund të jetë i njëjtë apo ndryshueshmëri.
Njeriu s’mund të kthehet kafshë:
është mish plot zgjuarsi,
edhe pse ndonjëherë i sëmurë.
53.
Si një balsam, që kuron thjesht nga ideja se është balsam,
mbrëmja e sotme dhe e të gjitha ditëve, pak nga pak,
monotone bie.
54.
Nuk di të jem i dobishëm as duke ndier, nuk di të jem praktik, i përditshëm, i kulluar, nuk di të jem një vend në jetë, një fat mes njerëzve, një vepër, një forcë, një vullnet, një kopsht perimesh…
55.
Gjithçka vdes tek unë, edhe vetëdija se mund të ëndërroj! Nuk arrij të gjej paqe në asnjë pozicion. Edhe gjëja më e butë, mbi të cilën rehatohem, është cepa-cepa për shpirtin tim. Të gjitha vështrimet që shikoj janë kaq të errëta, pasi përplaset pas tyre drita e varfëruar e kësaj dite, të prirur për të vdekur pa dhimbje.
56.
Besoj se po të isha dikush tjetër sot për mua do të shpalosej një ditë e lumtur, sepse do ta ndieja pa u menduar.
57.
Kthehem çdo ditë në çdo cep të çdo rruge, dhe sa herë jam duke menduar diçka, jam duke menduar diç tjetër.
58.
Pasi perëndimi i yjeve u zbeh derisa u zhduk në qiellin e agimit dhe puhia u bë më pak e ftohtë në të verdhën paksa portokalli të dritës mbi disa re të ulëta, më së fundi, unë, që nuk kisha fjetur, munda të ngrija lehtë trupin tim të sfilitur nga hiçi prej shtratit, nga ku mendova universin.
59.
Është kaq e vështirë të përshkruash atë çka ndien, kur ndien se ekziston vërtet dhe se shpirti është një entitet real, sa nuk e di cilat janë fjalët njerëzore, që mund ta përkufizojnë. Nuk e di nëse kam ethe, siç ndiej, nëse kam reshtur së pasuri ethe për të qenë fjetësi i jetës. Po, e përsëris, jam si një udhëtar që papritur ndodhet në një qytet të huaj pa e ditur si ka arritur; e më vijnë në mendje rastet e atyre që humbin kujtesën dhe janë të tjerë për shumë kohë. Kam qenë dikush tjetër për shumë kohë (nga lindja e nga ndërgjegjja) e zgjohem tani në mes të urës, me fytyrë nga lumi, duke ditur se ekzistoj në mënyrë më të qëndrueshme se ai që kam qenë deri më tani. Po qyteti është i panjohur, rrugët të reja, sëmundja e pashërueshme. Pres, pra, i mbështetur mbi urë, të kalojë e vërteta e të rimëkëmbem i rremë e në një hiç, i zgjuar e natyror.
60.
Ka ditë të cilat janë filozofi e na sygjerojnë interpretime të jetës, janë shënime në anë të fletës, plot me një tjetër kritikë, në librin e fatit tonë universal. Kjo është një prej atyre ditëve, e ndiej. Kam përshtypjen absurde se me sytë e mi të rënduar dhe me trurin tim mungues po ravijëzohen, si me një laps mendjeshkurtër, letrat e komentit të thellë e të kotë.
61.
Ashtu siç lajmë trupin duhet të lajmë edhe fatin, të ndryshojmë jetesë siç ndërrojmë të brendshmet: jo për kujdesje ndaj vazhdimësisë së jetës, siç bëjmë me ushqimin e gjumin, po për atë respekt të huaj ndaj vetes sonë, që me të drejtë quhet pastërti.
62.
Gjithjë kam refuzuar të kuptohem. Të kuptohesh do të thotë të prostituohesh. Parapëlqej të merrem seriozisht për atë që nuk jam, të mos njihem nga pikëpamja njerëzore, me nder e natyrshmëri.
63.
Perënditë, nëse janë të drejtë në padrejtësinë e tyre, duhet të na i ruajnë ëndrrat edhe kur janë të pamundura e të na japin ëndrra të mira edhe pse meskine. Sot, që nuk jam ende i vjetër, mund të ëndërroj mbi ishuj të Jugut e Indira të pamundura; nesër mbase Perënditë do të më japin ëndrrën e të qenit pronar i një duhantoreje të vogël, apo pensionist në një shtëpizë rrethine. Çfarëdo lloj ëndrre është e njëjta ëndërr, sepse të gjitha janë po ëndrra. Perënditë le t’i ndryshojnë sipas dëshirës ëndrrat e mia, po jo dhuratën e të ëndërruarit.
64.
Ne nuk plotësohemi kurrë. Jemi dy humnera: një pus me sytë ngulur drejt Qiellit.
65.
Nuk jam asgjë.
Nuk do të jem kurrë asgjë.
Nuk mund të dua të jem asgjë.
Përveç kësaj, kam brenda meje të gjitha ëndrrat e botës.
66.
skllevër kardiakë të jyeye,
e pushtuam botën para se të ngriheshim nga shtrati,
po zgjohemi dhe ajo është e patejdukshme,
u ngritëm dhe ajo është e huaj,
dolëm nga shtëpia dhe ajo është mbarë toka,
shtuar sistemin diellor dhe Udhën e Qumështit; dhe të Pacaktueshmin.
67.
Sot jam i mëdyshur, si dikush që ka menduar, gjetur e harruar.
Sot jam i ndarë mes besnikërisë që i detyrohem Duhauntores kundruall, si gjë reale prej së jashtmi,
dhe ndijesisë se gjithçka është ëndërr, si gjë reale prej së brendshmi.
68.
Po pronari i Duhauntores është projektuar mbi portë dhe aty ka mbetur…
Ai do të vdesë dhe unë do të vdes.
Ai do të lërë tabelën, unë do të lë disa vargje.
Në njëfarë çasti do të vdesë edhe tabela,
pastaj do të vdesë udha, ku ishte tabela edhe vargjet.
dhe gjua, në të cilën u shkruan vargjet.
Më në fund, do të vdesë planeti rrotullues, ku ndodhi e gjithë kjo.
Në të tjerë satelitë të të tjera sistemeve, diçka e ngjashme me njerëzit do të vazhdojë të bëjë gjëra si vargjet e të jetojë nën gjëra si tabelat.
69.
Sërish po të rishoh, qyteti i foshnjërisë sime të humbur frikshëm…
Qytet i trishtë e gazmor, ja, tek u ktheva për të ëndërruar…
Unë? Po a jam i njëjti që këtu jetoi, që këtu u kthye, e këtu u kthye për t’u kthyer, e për t’u rikthyer, e sërish për t’u rikthyer?
Apo jemi të gjithë Unë-t, që këtu kam qenë apo kemi qenë, një sërë kokrra-qenie të lidhura nga një fije-kujtesë, një sërë ëndrrash, me mua, të dikujt jashtë meje?
70.
Të mëdha janë shkretëtirat dhe shpritrat të shkretë e të mëdhenj:
të shkretë, sepse nuk banohen nga askush përveçse prej atyre vetë,
të mëdhenj, sepse prej andej shihet gjithçka dhe gjithçka ka vdekur.
71.
Oh, enigma e dukshme e kohës, jetoj hiçin ku jemi!
72.
Mërzia… Të menduarit pa u menduar, me lodhjen e të menduarit; të ndierit pa ndier, me angështinë e të ndierit; të mosdashurit pa mosdashjen, me neverinë e mosdashjes; e tërë kjo qëndron në mërzinë, po pa qenë kjo vetë mërzia, vetëm një parafrazë e një tejbartje janë mërzi. Ka të bëjë me një ndijesi të drejtërdrejtë, sikur mbi hendekun e kështjellës së shpirtit të ngrihej ura lidhëse dhe mes kështjellës e tokave përqark të qëndronte mundësia për t’i parë, pa mundësinë për t’i përshkuar. Është një izolim yni brenda vetvetes, po një izolim ku pjesa ndarëse është e ndenjur siç jemi ne: ujë i qelbur, që rrethon pamundësinë tonë për të kuptuar.
73.
Ekziston një lodhje e zgjuarsisë abstrakte dhe është më e tmerrshmja ndër lodhjet. Nuk është e rëndë si lodhja e trupit dhe nuk është e shqetësuar si lodhja e emocionit. Është një peshë e përgjegjshmërisë së botës, një pamundësi për të marrë frymë me shpirt.
74.
Ajo që është mbi të gjitha lodhje mund të jetë ai shqetësimi binjak i lodhjes, kur kjo e fundit nuk ka arsye tjetër për të qenë përveç faktit se është. Ndiej një frikë të brendshme nga gjestet, që duhen skicuar; një drojë intelektuale nga fjalët, që duhen thënë. Gjithçka më duket e ndyrë që më përpara.
75.
Kam mbërritur në pikën ku mërzia është një person, shtirja e mishëruar e bashkëjetesës sime me vetveten.
76.
Kur do të zgjohem nga të qenët i zgjuar?
77.
Në shtëpinë përballë meje e përballë ëndrave të mia ç’lumturi mbretëron gjithnjë!
78.
Të gjitha letrat e dashurisë janë qesharake.
Nuk do të kishte letra dashurie, nëse nuk do të ishin qesharake.
79.
Binomi i Njutonit është i bukur si Afërdita e Milos.
Fakt është se pak e vënë re.
80.
Kam mbartur me vete brengën thelbësore të të qenit i vetëdijshëm.
81.
O det i njelmët, sa prej kripës sate janë lot të Portugalisë!
82.
Po, të shkruarit do të thotë të humbas, po të gjithë humbasin, pasi gjithçka është humbje. Por unë humbas pa hare, jo si lumi në grykëderdhjen, tek e cila lindi i paditur, po si pellgu i krijuar në plazh nga batica, uji i të cilit, i gëlltitur nga rëra, nuk do të kthehet më në det.
83.
Jam thuajse i bindur se nuk gjendem kurrë i zgjuar. Nuk e di a ëndërroj kur jetoj, a jetoj kur ëndërroj, apo se ëndrra dhe jeta formojnë tek unë një hibrid, një kryqëzim, prej të cilit qenia ime e vetëdijshme merr fizionomi në sajë të ndërdepërtimit.
84.
Ndonjëherë, dhe çdo herë ndodh gati papritmas, më shfaqet në mes të ndijesive një lodhje kaq e tmerrshme nga jeta, sa nuk ekziston as më e vogla hipotezë për ta mposhtur me veprimtari. Për ta asgjësuar, vetëvrasja duket e pasigurt; vdekja, qoftë sikur ta presupozojë pavetëdijen, ngjan madje e pamjaftueshme. Është një lodhje, e cila priret jo drejt reshtjes së të ekzistuarit (po të pranojmë se mund të jetë e mundur), po drejt diçkaje shumë më të urryer e të thellë: deri në reshtjen e të qenit ndonjëherë, ajo që nuk është e mundur.
85.
Çdo gjë në kohën e vet ka kohën e vet.
86.
Vetëm në iluzionin e lirisë
liria ekziston.
87.
Jam, në pjesën dërrmuese, vetë proza që shkruaj. Zgjidhem në periudha e paragrafë, shndërrohem në pikësim dhe, në paraqitjen e shfrenuar të imazheve, sikurse fëmijët maskohem si mbret me letër gazete; apo, duke ritmuar një ndjekje fjalësh, sajohem si të marrët me lule të thara, që janë të freskëta vetëm në ëndrrat e mia.
88.
Pak më interesojnë dashuria dhe lavdia.
Pasuria është metal, lavdia jehonë,
dhe dashuria hije.
89.
Diçka e hedhur në një qoshe, rreckë e rënë në rrugë, qenia ime e përbuzshme shtiret si vetvetja përpara jetës.
90.
Po vëmendja
e përpiktë kushtuar
formave dhe sjelljeve të objekteve
është një strehë e sigurt.
91.
Gjithnjë kam qenë një ëndërrimtar ironik, i pabesë ndaj premtimeve të fshehta. Gjithnjë kam shijuar, si dikush tjetër e i huaj, thyerjen e mburravecërive të mia, duke marrë pjesë rastësisht në atë që besoja se isha. Nuk u kam kushtuar kurrë besim bindjeve të mia. I mbusha duart me rërë, e quajta ar dhe i hapa duart duke e lënë të ridhte tutje. Fjalia kishte qenë e vërteta e vetme. Si u tha fjalia, gjithçka u bë, pjesa tjetër ishte rëra, që kishte qenë përherë.
92.
Sa marrim me vete nga kjo jetë e kotë vlen njësoj, si të ishte lavdia, fama, dashuria, shkenca, jeta,
si të ishte gati
kujtimi i një loje të luajtur mirë
dhe një ndeshje e fituar
ndaj një kundërshtari më të zotë.
93.
Shikon së largu jetën,
pa e pyetur kurrë.
94.
Kaq shpejt kalon gjithçka që kalon!
95.
Një fllad muzike dhe ëndrre, diçka që thuajse të bën të ndiesh, diçka që mos të të bëjë të mendosh.
96.
Jo dashuria, po rrethinat e saj ia vlejnë barra qiranë…
Sublimimi i dashurisë i ndriçon fenomenet e saj me më shumë qartësi se sa vetë përvoja. Ka virgjëri, që kuptohen mjaft mirë. Të vepruarit shpërblen, po ngatërron. Të zotërosh do të thotë të jesh i zotëruar, pra, të humbasësh. Vetëm ideja e arrin, pa u dëmtuar, njohjen e realitetit.
97.
Tek unë çdo dashuri verifikohet në sipërfaqe, po me sinqeritet. Gjithnjë kam qenë aktor dhe seriozisht. Sa herë kam dashuruar kam reshtur së dashuruari dhe kam përfunduar me vetveten.
98.
Besoj se ndjenja e thellë, që më shoqëron ngaherë, e mospërputhshmërisë në lidhje me të tjerët, i detyrohet faktit se zakonisht njerëzit mendojnë nëpërmjet ndjeshmërisë, ndërsa unë ndiej nëpërmjet intelektit.
99.
Pesha e të ndierit! Pesha e detyrimit për të ndier!
100.
Më në fund po qetësohem. Shthurje e kujtimesh po zhduken nga shpirti im, sikur të mos kishin ekzistuar ndonjëherë. Qëndroj vetëm e gjakftohtë. E jetoj këtë çast sikur të ishte çasti i një kthimi fetar. E megjithatë asgjë nuk më tërheq drejt trashendentes, edhe pse asgjë më nuk më lidh me imanenten. Ndihem i lirë sikur të reshtja së ekzistuari duke ruajtur përgjegjshmërinë për të.
101.
Nuk kam bërë gjë tjetër veç ëndërrimit. Ky, dhe vetëm ky, ka qenë gjithnjë kuptimi i jetës sime. Nuk kam patur kurrë shqetësim tjetër të vërtetë veç jetës sime të brendshme.
102.
Sforcimi im i përulur për të treguar se kush jam, për të regjistruar si ndonjë makinë nervash edhe përshtypjet më të vogla të jetës sime subjektive dhe të mprehtë; e tërë kjo më është zbrazur si një kovë, tek e cila pengohet dikush, një kovë që u derdh përtokë si uji i gjithçkaje.
103.
Realiteti
gjithnjë është më shumë ose më pak
nga sa duam.
104.
Asgjë nuk dihet, gjithçka përfytyrohet.
105.
Kujtimi harron.
Të vdekur, vdesim ende.
106.
Nën numrin e vogël prej dymbëdhjetë muajsh viti rrjedh, e të shkurtër janë vitet.
107.
Nuk e di se kujt ia kujtoj të kaluarën time, pasi tjetër qeshë kur i tillë qeshë, as nuk e njoh veten, sikur të ndieja shpirtin që kam, shpirtin, që duke e ndier kujtoj.
108.
Çdo ditë Lënda më keqtrajton. Ndjeshmëria ime është një flakë në erë.
109.
Bota e jashtme ekziston si ndonjë aktor mbi skenë: qëndron aty, po është diçka tjetër.
110.
E shkurtër dita, i shkurtër viti, e shkurtër gjithçka.
Mungon edhe pak për t’u bërë hiç.
111.
Të brishtë si kërcell lulëkuqeje më mban çasti. Asgjë nuk dua.
112.
Lodhja e të gjitha hipotezave…
113.
Çfarë është secila jetë? Solo të shkurtra e gjumë.
114.
Je fillikat. Nuk e di askush, hesht dhe shtiru.
115.
Ji gjithçka në çdo gjë. Vendos gjithçka je edhe në më të paktën gjë që bën.
116.
Do të doja, si tingujt, të jetoja gjëra pa u përkitur atyre, pasojë me flatra ku realja është larg.
117.
Kështu u shndërrova në shtirjen e vetvetes, aq sa çdo ndjenjë natyrore e imja, menjëherë, sapo lind, më shndërrohet në një ndjenjë të përfytyrimit: kujtimi shndërrohet në ëndërr, ëndrra në të harruarit e tij, njohja e vetes sime në të mos menduarit për mua.
118.
Metafizika më është dukur ngaherë një formë e zgjatur marrëzie e fshehtë. Po ta njihnim të vërtetën do ta shihnim; tërë pjesa tjetër është sistem dhe periferi. Na mjafton, nëse reflektojmë, pakuptueshmëria e universit; të duash ta kuptosh do të thotë të jesh më pak se njeri, pasi të jesh njeri do të thotë të dish se nuk kuptohet.
119.
Të dashurosh është pafajësia e përjetshme, dhe pafajësia e vetme, të mos mendosh…
120.
Ka mjaft metafizikë në të mosmenduarit e asgjëje.
121.
I vetmi kuptim intim i gjërave
është se ato nuk kanë asnjë kuptim intim.
122.
Nga fshati im unë shquaj se ç’plesë e Universit mund të shihet nga toka.
123.
Ngrihem nga karrigia me një mundim të përbindshëm, po kam përshtypjen se e mbart me vete, kam përshtypjen se është më e rëndë, sepse është karrigia e subjektivizmit.
124.
Ajo, që ne shohim prej gjërave, janë gjërat.
125.
Të varfrat lule nëpër saksitë e kopshteve të rregullt: duket sikur kanë frikë nga policia…
126.
Natyra është pjesë pa një tërësi.
Ky është ndoshta ai mister për të cilin flasin.
127.
Re… Sot jam i vetëdijshëm për qiellin, pasi ka ditë kur nuk e shoh, vetëm e ndiej, duke jetuar në qytet pa jetuar në natyrën ku qyteti përfshihet. Re… Janë ato sot realiteti kryesor dhe më shqetësojnë sikur veshja e qiellit të ishte një nga rreziqet e mëdha të fatit tim. Re… Rendin nga grykëderdhja e lumit drejt Kështjellës; nga Perëndimi në Lindje, në një zhaurimë të shpërndarë e të thatë, herë të bardha, nëse grisen nga pararoja e kushedi kujt; të tjera herë gjysmë të zeza, nëse më nge, vonojnë të spastrohen nga era fishkëlyese; së fundi, të zeza me një të bardhë të fëlliqur nëse, gati sikur të donin të qëndronin, errësojnë më tepër me lëvizje se sa me hije pikat e rreme të arratisë, që udhët hapin mes radhëve të mbyllura të pallateve.
Re… Ekzistoj pa e ditur dhe do të vdes pa e dashur. Jam intervali mes asaj që jam e asaj që nuk jam, mes kësaj ëndrre për të qenë e asaj që jeta më ka bërë të jem, e mesmja abstrakte e mishore mes gjërave që nuk janë asgjë, plus hiçin e vetes sime. Re… Ç’pështjellim nëse ndiej, ç’siklet nëse mendoj, ç’kotësi nëse dua! Re… Vazhdojnë të kalojnë, disa kaq vigane (pasi shtëpitë nuk lejojnë matjen e saktë të përmasave të tyre), që duket sikur e zënë qiellin krejt; disa me përmasa të pasigurta, sikur të ishin dy të çiftuara apo një duke u thyer në dy, kuturu, në ajrin e lartë në përplasje me qiellin e lodhur; disa ende të vogla, të ngjashme me lodrat me forma të fuqishme, topa të çrregullt të një loje absurde, më vete, në një izolim të madh, të ftohta.
Re… Pyes veten dhe shpërndajem. Nuk kam bërë kurrë asgjë të dobishme dhe nuk do të bëj asgjë të justifikueshme. Atë pjesë të jetës sime, të cilën nuk e shkapërderdha në interpretime të pështjelluara të asgjëje, e shpenzova duke i kushtuar vargje prozastikë ndijesive të papërçueshme, me të cilat bëj timin universin e panjohur. Ndiejem i lodhur me veten objektivisht e subjektivisht. Jam i lodhur nga gjithçka e nga gjithçkaja e gjithçkasë. Re… Ato janë gjithçka, shembje të lartësive, të vetmet gjëra sot reale midis hiçit tokë e qiellit joekzistues; fërtele të papërshkrueshme të mërzisë, për të cilën atyre ua vë fajin: mjegull e kondensuar në kërcënime pa ngjyrë; flokë pambuku të fëlliqur të një spitali pa mure. Re… Janë si unë, një kalim i figurshëm mes qiellit e tokës, pre e një impulsi të padukshëm, re shtrëngatash apo të hesthura, që gëzohen nga bardhësia apo trishtohen nga zymtia, trillime të intervalit e të mosecjes, larg zhurmës së tokës, larg qetësisë së qiellit. Re… Vazhdojnë të kalojnë, vazhdojnë ende të kalojnë, do të kalojnë gjithnjë vazhdimisht, në një varg të ndërprerë shkulash të patejdukshme, si stërzgjataja e shpërthapur e një qielli të rremë të shqepur.
128.
Oh, natë ku yjet gënjejnë dritë, natë, e vetmja gjë e përmasës së Universit, më shndërro, trup e shpirt, në pjesë të trupit tënd, bëj që të humbas në faktin e të qenit thjesht terr e të kthehem në natë edhe unë, pa ëndrra që të jenë yje brenda meje, as diell që pritet të shkëlqejë në të ardhmen.
129.
Disa muaj kanë shkuar qysh prej shkrimeve të fundit. Përshkova një gjumë të intelektit, falë të cilit jeta ime u bë jeta e një tjetri. Pata dendur një ndijesi lumturie të tejbartur. Nuk kam ekzistuar, kam qenë një tjetër, kam jetuar pa menduar.
Sot, befas, u ktheva tek ai që jam apo ëndërroj të jem. Ishte një çast lodhjeje të madhe, pas një pune pa ndonjë rëndësi të veçantë. Mbështeta kokën pas duarve të mia, me bërrylat e ngjeshur pas tryezës së lartë të anuar. Dhe, symbyllur, rigjeta vetveten.
130.
Pa marrëzinë, ç’është njeriu veçse bishë e nginjur, kufomë e ndryshuar që bijon?
131.
Duhet të ketë shqyerje në hapësirë që të bien diku gjetkë…
132.
Ah, në ç’mënyrë gjërat e përditshme çikin mistere brenda.Në ç’mënyrë në sipërfaqen e prekur nga drita e kësaj jete kaq të ndërlikuar për faktin se është njerëzore, Ora, buzëqeshje e pasigurt, ngjitet në buzët e Misterit! Sa moderne duket e tërë kjo! Dhe në të njëjtën kohë kaq e lashtë, kaq e errët, me një domethënie kaq të ndryshme nga çka shkëlqen në gjithçka!
133.
Gjithçka ekziston, ekziston mbase sepse diçka tjetër ekziston. Asgjë nuk është, gjithçka bashkekziston: ndoshta me të drejtë duhet të jetë kështu. Ndiej se unë nuk do të ekzistoja në këtë orë (nuk do të ekzistoja, së paku, në mënyrën si ekzistoj, me këtë ndërgjegjësim të tanishëm për vetveten, i cili për faktin se është ndërgjegjësim e i tanishëm është këtij çasti tërësisht unë), nëse ajo llambë nuk do të rrinte e ndezur atje tej, diku, fener që nuk tregon asgjë në një privilegj të rremë lartësie. Ndiej këtë, pasi nuk ndiej asgjë. Mendoj këtë, pasi kjo është hiç. Hiç, hiç, pjesë e natës dhe e heshtjes; dhe e asaj që bashkë me të unë bëhem hiç, negativ, ndërprerje, hapësirë mes meje e meje, harresë e një perëndie të panjohur.
134.
në labirintin e vetvetes, tashmë nuk di cila udhë më sjell prej tij në realitetin njerëzor e të qartë…
135.
Midis trupit tënd dhe dëshirës sime për të qëndron humnera që ti ke vetëdije: sikur të të dashuroja pa ekzistuar ti!…
136.
Asgjë nuk më kënaq, asgjë nuk më ngushëllon, gjithçka (që ka ekzistuar apo jo) më nginj. Nuk dua të kem një shpirt e nuk dua të abdikoj prej tij. Dëshiroj atë që nuk dëshiroj dhe abdikoj ndaj asaj që nuk kam. Nuk mund të jem asgjë e nuk mund të jem gjithçka: jam ura e kalimit mes asaj që nuk kam e asaj që nuk dua.
137.
Një lodhje, e dhunshme dhe e pamatë nga të ekzistuarit…
138.
Kujtesa është aftësia për të ditur se duhet të jetojmë.
139.
Për pjesën më të madhe të njerëzve jeta është një telash i kaluar pa u vënë re: diçka e trishtë me disa hapësira të hareshme, diçka si barcaletat, që gjatë përgjimeve të vdekjes tregohen për të shkuar qetësinë e natës dhe detyrimin e përgjimit. Gjithnjë më është dukur i kotë fakti i konsiderimit të jetës si një luginë lotësh: është një luginë lotësh, po, por ku pak herë vajtohet. Hajne ka thënë se pas tragjedive të mëdha përfundojmë gjithnjë duke shfrytë hundët. Si çifut i mirë, pra, edhe universal, e ka parë me qartësi natyrën universale të njerëzimit.
140.
Nganjëherë ndiej një gëzim të shkurtër teksa mendoj se do të vdes
Se do të mbyllem në një arkivol druri kundërmues era rëshirë
Trupi im do të shkrihet në lëngje krupëndjellëse
Tiparet e trupit tim do të shpërbëhen në kalbësira të shumëllojshme e të ylberëzuara
E aty poshtë do të nisë të shfaqet kafka qesharake
e qelbur e shumë e lodhur duke rrahur qerpikët.
141.
Të jesh e njëjta gjë në të gjitha format e mundshme në të njëjtën kohë.
142.
Isha një poet i gjallë i filozofisë, jo një filozof me aftësi poetike. Dashuroja të admiroja bukuritë e gjërave, të zbuloja tek e paperceptueshmja, nëpërmjet gjërave të pakuptimta, shpirtin poetik të universitet.
143.
E keqja ime më e madhe është se nuk ia dal dot të harroj praninë time metafizike në jetë. Prej këtej rrjedh ndrojtja trashendentale, që terrorizon gjestet e mia, që u heq të gjitha fjalive të mia limfën e thjeshtësisë, të emocionit të drejtpërdrejtë.
144.
Disa figura i fut në tregime apo nëntituj librash dhe firmos me emrin tim ato çka thuhen prej tyre; disa të tjera i projektoj në absoluten dhe nuk i firmos me asgjë tjetër përveçse them thjesht se i kam bërë. Tipat e figurave dallohen në mënyrën që vijon: në ato që i shkëput plotësisht nga unë, madje edhe stili i tyre është i huaj dhe, nëse figura e kërkon, deri i kundërt në lidhje me timin; në figurat që nënshkruaj, ku nuk ka ndryshime me vetë stilin tim, përveçse në detajet e pashmangshme, pa të cilat ato nuk do të dalloheshin nga njëra-tjetra.
145.
Është kaq e vështirë të dish se ç’ndiejmë, kur vëzhgojmë vetveten.
146.
Kur ulem në kolltukun tim dhe një fije e hollë më lidh me jetën, me sa qartësi përshkruaj në reflektimin tim, duke i lënë në pushtetin e inercisë, peizazhet që nuk do të mund të rrëfej kurrë e fjalitë që nuk do të shkruaj kurrë! Rrokjezoj periudha të tëra, të përsosura në çdo fjalë; dëgjoj intriga dramash ekzistuese në përfytyrimin tim; ndjek varg për varg rokjezimin ritmik të poemave të tëra; dhe një i madh […] si një skllav i padukshëm më ndjek në gjysmëhije.
147.
Ndjenjat më të dhimbshme dhe emocionet më thumbbuese, janë ato absurdet: ankthi për gjërat e pamundura, pikërisht sepse janë të pamundura, nostalgjia e asaj që kishte qenë, keqardhja që nuk je dikush tjetër, pakënaqësia për ekzistencën e botës. Të gjitha këto gjysmënota të ndërgjegjes së shpirtit krijojnë brenda nesh një peizazh të dhimbshëm, një perëndim të përjetshëm të asaj që jemi. Të ndierit e vetvetes bëhet atëherë një fushë e shkretë në ngrysje e sipër, e trishtë me sitka ndanë një lumi pa mjete lundrimi, duke nxirë qartësisht mes brigjesh të largëta.
148.
Fama është një plebeizëm. Prandaj duhet ta plagosë një shpirt delikat. Është një plebeizëm, pasi të tërheqësh vëmendjen, të shihesh nga të gjithë, i nxit, një krijese delikate, një ndijesi bashkëgjakësie të jashtme me ata që shkaktojnë skandale nëpër rrugë, bëjnë gjeste e flasin me zë të lartë nëpër sheshe.
149.
Të jetosh është t’i përkasësh dikujt tjetër. Të vdesësh është t’i përkasësh dikujt tjetër. Të jetosh e të vdesësh janë e njëjta gjë. Po të jetosh është t’i përkasësh dikujt tjetër për së jashtmi, ndërsa të vdesësh është t’i përkasësh dikujt tjetër për së brendshmi. Të dyja gjendjet ngjasojnë, po jeta është ana e jashtme e vdekjes. Prandaj jeta është jetë dhe vdekja vdekje, sepse ana e jashtme është gjithnjë më e vërtetë se ana e brendshme, prandaj ana e jashtme shihet.
150.
Shtrihet, mes meje e botës, një mjegull, e cila më pengon t’i shoh gjërat siç janë në të vërtetë – siç janë për të tjerët. E ndiej.
151.
Aty-këtu, herë vullnetarisht, të tjera herë i detyruar, shkruaj. Po rrallë bëhet fjalë për “komunikime” të kuptueshme. Disa fjali merren vesh. E mbi të gjitha ngjet diçka shumë e habitshme: një prirje irrituese për t’iu përgjigjur pyetjeve të mia me numra; ashtu si edhe prirja për të vizatuar. Nuk janë vizatime sendesh, po rafigurime kabalistike e masonike, simbole okultizmi e gjëra të ngjashme me to, që më pështjellojnë lehtë.
152.
Ka hope, për shembull, kur tek unë zgjohen në mënyrë të përsosur agime “vizionesh qiellore”, gjatë të cilave shoh “fladin magnetik” të disa njerëzve e mbi të gjitha timin, në pasqyrë e në errësirë, që më rrezatohet nga duart. Nuk është një halucinacion, pasi atë çka shoh unë e shohin edhe të tjerë, ose, së paku, një tjetër, që zotëron të njëjtat aftësi si të miat, po më të zhvilluara. Në një hop të lumtur vizioni qiellor arrita të shoh, në Brazilierën e Risios, brinjët e një individi me spërmes teshave e lëkurës. Ky është vizioni qiellor në shkallën më të lartë.
153.
Nuk guxoj t’i shoh gjërat. Si vazhdon kjo ëndërr?
154.
Kjo është njëra prej atyre ditëve kur më rëndon, si një ngujim në burg, monotonia e gjithçkaje. Po monotonia e gjithçkaje nuk është gjë tjetër veçse monotonia e vetes sime. Çdo fytyrë, edhe e njëjta që pamë dje, sot është një tjetër, sepse sot nuk është dje. Secila ditë është dita që është dhe nuk ka pasur kurrë një të njëjtë me të në botë. Identiteti gjendet vetëm në shpirtin tonë (identiteti i ndjerë me vetveten, edhe pse i rremë), nëpërmjet të cilit gjithçka ngjason e thjeshtohet. Bota nuk është veçse gjëra të shkëputura e qoshe të veçanta; po nëse jemi miopë, ajo është mjegull e pamjaftueshme në vijim.
155.
Më vjen befas në mendje koha kur isha fëmijë dhe shikoja, siç nuk mund të shoh më sot, mëngjesin xixëllonjës mbi qytet. Ai asokohe nuk xixëllonte për mua, po për jetën, sepse unë asokohe, duke mos qenë i vetëdijshëm, isha jeta.
156.
Humbas nëse takohem, dyshoj nëse gjej, nuk zotëroj nëse kam fituar. Sikur të shtëtisja, fle, po jam i zgjuar. Sikur të flija, zgjohem e nuk i përkas vetvetes. Tek e fundit, jeta është një pagjumësi e madhe dhe ekziston një rizgjim i kthjellët me vrik në gjithçka mendojmë e bëjmë.
157.
Askush nuk e di çfarë do.
Askush nuk e di ç’shpirt zotëron.
158.
Bota i përket atij që nuk ndien. Kushti thelbësor për të qenë njeri praktik është mungesa e ndjeshmërisë.
159.
Gjithçka ia vlen barra qiranë nëse shpirti nuk është i angëstuar.
160.
Ideja e të udhëtuarit më josh për shkak të tejbartjes, sikur të ishte ideja për të joshur dikë tjetër.
161.
Nuk merakosem për rimat. Rrallë qëndrojnë dy pemë njësoj, njëra përbri tjetrës.
162.
Sikur të mund të isha pluhuri i rrugës
e këmbët e të varfërve të më shkelnin…
Sikur të mund të isha lumenjtë që rrjedhin
e të kisha rrobalarëse në bregun tim…
Sikur të mund të isha plepat mbi buzë të lumit
vetëm me qiellin sipër e ujin poshtë…
Sikur të mund të isha gomari i mullixhiut
që prej këtij rrihet e çmohet…
Sa më mirë se sa të qenit dikush, që përshkon jetën,
duke hedhur shikimin pas e duke qarë me lot atë çka iku.
163.
Të presësh më të mirën do të thotë të përgatitesh për ta humbur: kjo është e vërteta. Pesimizmi është goxha i fortë, është burim energjie.
164.
Nëse asgjë nuk vdes, si mund të vdesë forma? Vdes në lidhje me lëndën, si edhe lënda në lidhje me formën. Por, të mendosh se qoftë forma, qoftë lënda mund të shndërrohen në asgjë, është e pamundur, sepse asgjë nuk shndërrohet në asgjë. “Të shndërrohesh në asgjë” e të mos shndërrohesh, është të jesh i përjetshëm.
165.
Perënditë nuk kanë vdekur: ka vdekur aftësia jonë për t’i parë. Nuk kanë ikur: kemi reshtur ne së shikuari. Kemi mbyllur sytë, ose një vel mjegulle zuri vend mes nesh dhe atyre. Ekzistojnë, jetojnë siç jetonin, me të njëjtën hyjni e të njëjtën qetësi.
166.
Në të kundërt të shpikjes poetike, që është një shpikje me vlerë utilitare dhe të shpikjes shkencore, që është shpikje me vlerë vërtetësie, vepra e artit është një shpikje me vlerë absolute.
167.
Ndijesia estetike mund të bëhet shkencë dhe origjinaliteti të kultivohet si një disiplinë.
168.
Vetëm arti është i dobishëm. Fetë, ushtritë, perandoritë: gjithçka kalon. Vetëm arti mbetet, prandaj arti shihet: sepse zgjat.
169.
Përfytyrimi përmban, me vërtetësi, gjithë pushtetin tërheqës të falsifikimit. Të gjithëve u pëlqejnë falsifikatorët; është ndjenjë njerëzore e instinktive.
170.
Kush do të dëshironte ta përmblidhte në një fjalë karakteristikën thelbësore të artit modern, do ta gjente në fjalën ëndër. Arti modern është art ëndrrash.
171.
Poeti më i madh i epokës moderne do të jetë ai, që do të ketë aftësi më të mëdha ëndërrimtare.
172.
Romani është përralla me zana e atij që nuk ka imagjinatë.
173.
Cili mëngjes është ky mundim! E cilat hije largohen? E cilat mistere kanë qenë? Hiç: tingulli i tramvajit të parë është si një fije shkrepëseje, që ndriçon errësirën e shpirtit dhe hapat e lartë të kalimtarit të parë janë realiteti konkret, që më nxit me zë miqësor të mos jem kështu.
174.
Dhe nga dritarja e dhomës sime shikoj, të varfrin shpirt me trup të lodhur, shumë yje; shumë yje, hiç, hiçin, po shumë yje…
175.
Dhe metafizikat e harruara nëpër qoshet e kafeneve ngado,
filozofitë e vetmuara të nënçative të dështakëve,
idetë e rastësishme të shumë të rastësishmëve, intuitat e shumë askushëve,
mbase një ditë, në fluid abstrakt e substancë të paarsyeshme,
do të koagulohen në një Zot e do të pushtojnë botën.
176.
Nëse do të vrasësh veten, përse nuk do ta vrasësh veten?
177.
Dhe gjenden gjithnjë arsye për të emigruar, për kë nuk është i shtrënguar të qëndrojë në shtrat.
178.
Kam udhëtuar nëpër më tepër toka se sa ato që kam prekur…
Kam parë më tepër peizazhe se sa ato, mbi të cilat ndala sytë…
Kam provuar më tepër ndijesi nga të gjitha ndijesitë që kam ndier,
sepse, sado që ndieja, më ka munguar gjithnjë diçka për të ndier
dhe jeta gjithnjë më ka shkaktuar dhimbje, qe gjithnjë pak,
dhe unë jo i lumtur.
179.
Prej këtej, prej shtratit tim, nëse çel sytë e përgjumur nga një gjumë që unë nuk e kam, ndihet një ajër dëbore i shndërruar në ngjyrë, mbi të cilin pluskojnë fije sedefi të vakur. E, teksa e mendon me shqisa, drita e hënës është një mërzi e bërë hije e bardhë, që ngryset sikur sytë të mbylleshin mbi këtë bardhësi të padallueshme.
180.
Eja tejet solemne,
tejet solemne dhe e mbushur
me një dëshirë të fshehur për dënësë,
mbase sepse i madh është shpirti dhe e vogël jeta.
e jo të gjitha gjestet mund të dalin prej trupit tonë
e arrijmë deri aty ku arrin krahu ynë
e shohim vetëm deri ku sheh syri ynë.
181.
Ah, çdo mol është një nostalgji guri!
182.
Po, do të kalojmë të gjithë, do të kalojë gjithçka. Asgjë nuk do të mbetet prej atij që përdorte ndjenja e dorashka, prej atij që fliste mbi vdekjen e politikën lokale. Siç ekziston tani drita që shndrit fytyrat e të lumëve dhe getet e kalimtarëve, do të jetë mungesa e dritës ajo që do të lërë në errësirë hiqin e mbetur prej faktit se disa qenë shenjtër e të tjerët mbajtës getesh.
183.
Nuk do të ketë ndonjë lodhje të gjërave, të të gjitha gjërave, si ajo e këmbëve apo e një krahu?
184.
Duke menduar i krijova vetes jehonë e humnerë.
185.
Ah, sikur të mund të isha ti duke qenë unë!
Të kisha pandërgjegjshmërinë tënde të gëzuar dhe të isha i ndërgjegjshëm!
186.
Më merr në krahë, o natë e përjetshme, e më quaj birin tënd.
187.
Kam udhëtuar lega të tëra me hije brenda mendimit tim.
188.
Qoshet më shohin ngultas.
Realisht më buzëqeshin muret e lëmuara.
189.
Zoti nuk ka unitet, siç mund ta kisha unë?
190.
Në çdo pikë shiu jeta ime e dështuar vajton në natyrë. Ka pak nga shqetësimi im në rënien pikë-pikë, në breshëritë, me anë të të cilave trishtimi i ditës bie me furi më kot mbi tokë.
191.
E shkurtra hije e errët e një peme qytetare, e lehta zhurmë e ujit, që bie mbi shtatërvanin e trishtuar, e blerta e barit të rregullt (lulishte publike në të rënë të muzgut): ju jeni për mua, këtij çasti, mbarë universi, sepse jeni përmbajtja e plotë e ndijesisë sime të vetëdijshme. Nga jeta nuk dua gjë tjetër veçse ta ndiej të humbasë në këto mbrëmje të paparashikuara, nën tingujt e këtyre fëmijëve të panjohur, që lodrojnë në këto lulishte të bllokuara nga melankolia e rrugëve që i rrethojnë e të kurorëzuara, përveçse prej degëve të larta të pemëve edhe prej qiellit të vjetër, ku yjet rifillojnë nga e para.
192.
Jetoj gjithnjë në të tashmen. Nuk e njoh të ardhmen. Nuk e kam më të shkuarën. Njëri më mendon si mundësia e gjithçkaje, tjetri si realiteti i hiçit.
193.
Kam patur tërë projektet e mundshme. Iliada që ndërtova zotëronte logjikën e një frymëzimi e ndjekjen e hekurt të epodeve të panjohur nga Homeri. Krahasuar me përsosmërinë e studiuar të vargjeve të mia joekzistuese, saktësia e Virgjilit është e varfër, ndërsa forca e Miltonit e flashkët. Alegoritë e mia satirike qëndrojnë më lart se Sufiti për nga përpikëria simbolike e përsosmëria e detajeve. E sa Horacër kam qenë!
194.
Ëndrrat kanë vulgare këtë: se të gjitha ëndërrojnë.
195.
Nganjëherë, kur ngre kokën e lodhur nga librat, ku shënoj hesapet e të tjerëve dhe mungesën e një jete timen, ndiej njëfarë pështjellimi fizik, me origjinë mbase nga pozicioni i përkulur, po që i kapërcen numrat dhe zhgënjimin. Jeta më pështjellohet si një ilaç i kotë.
196.
Ulu në diell. Abdiko dhe bëhu mbret i vetvetes.
197.
Zhurma e ditës njerëzore rritet befas, si tingulli i një zileje që thërret. Kërcëllin brenda shtëpisë brava e ëmbël e derës së parë, që hapet drejt universit. Dëgjoj një zhurmë pantoflash në një korridor absurd, që shkon drejt zemrës sime. Dhe me një gjest të prerë, si dikush që, më në fund, vret veten, ngre nga trupi im i fortë mbulesat e thella që më mbrojnë. U zgjova. Zhurma e shiut davaritet në lartësi, në të jashtmen e papërkufizuar. Ndihem më i lumtur. Kreva diçka që nuk e njoh. Ngrihem, shkoj te dritarja, hap kanatet me një vendim tepër guximtar. Shkëlqen një ditë shiu të qartë e m’i përmbyt sytë me dritë të patejdukshme. Hap edhe xhamat e dritares. Ajri i freskët më njom lëkurën e nxehtë. Bie shi, po, por edhe pse gjithçka është identike, gjithçka është, tek e fundit, kaq më pak. Dua të freskohem, të jetoj, dhe përkul qafën ndaj jetës si ndaj një zgjedhe vigane.
198.
E më në fund, mbi errësirën e pullazeve të shkëlqyera, drita e ftohtë e mëngjesit të vakur shfaqet si një mundim Apokalipsi. Është sërish nata e pafund e dritës që rritet. Është sërish tmerri i gjithërishëm: dita, jeta, dobia e rreme, veprimtaria pa zgjidhje. Është sërish personi im fizik, i dukshëm, social, i përçueshëm nëpërmjet fjalësh, që nuk thonë asgjë, i përdorshëm prej gjesteve të të tjerëve e prej vetëdijes së të tjerëve.
199.
Papritmas, si një fëmijë i mistershëm, një gjel këndon pa e ditur se është natë. Mund të fle, sepse brenda meje është mëngjes. E ndiej gojën time të buzëqeshë, duke mëshuar lehtë pas rrudhave të buta të jastëkut, që më burgos fytyrën. Mund ta braktis veten në duart e jetës, mund të fle, mund të shpërfillem… E nëpërmjet gjumit të virgjër, që më errëson, risjell ndër mend gjelin që këndoi; apo është vërtet ai gjel që këndon për të dytën herë.
200.
Heshtja nis të fitojë një trup, të shndërrohet në një send.
Marrë nga libri „Poeti është një shtiracak“ të autorit Fernando Pesoa
Shqipëroi dhe përgatiti për botim: Ajsela Koka















