Ballina Bota Fjala e presidentit turk Erdoğan në hapjen e Forumit Diplomatik të Antalias

Fjala e presidentit turk Erdoğan në hapjen e Forumit Diplomatik të Antalias

Në ADF 2026 (17 deri më 19 prill), i organizuar me temën “Përballja me pasiguritë gjatë projektimit të së nesërmes”, marrin pjesë më shumë se 5 mijë të ftuar, mes tyre mbi 20 krerë shtetesh dhe qeverish, më shumë se 50 ministra, nga të cilët mbi 40 janë ministra të Jashtëm, 75 përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, si dhe studentë. Edhe krerët e shteteve dhe qeverive që mbërritën në Antalia për të marrë pjesë në forum, u pritën në Aeroportin e Antalias nga Guvernatori Hulusi Şahin.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan mori pjesë në hapjen e Forumit Diplomatik të Antalias 2026, të organizuar në Qendrën e Kongreseve NEST në zonën turistike të Belekut, ku Anadolu Agency (AA) ishte e pranishme si “Partneri Global i Komunikimit”.

Në fjalimin e mbajtur aty, Presidenti Erdoğan theksoi se Antalia është qytet i historisë, kulturës dhe diplomacisë, duke shprehur kënaqësinë për mikpritjen e të ftuarve në këtë qytet të Mesdheut, të mbushur me bukuri të rralla.

Pas ngjarjes së dhimbshme që ndodhi të mërkurën në Kahramanmaraş, Presidenti Erdoğan falënderoi të gjithë ata që e telefonuan ose i dërguan mesazhe për të ndarë trishtimin e tyre, dhe shprehu dëshirën që askush, asnjë familje dhe asnjë shoqëri të mos përjetojë më dhimbje të ngjashme.

Presidenti Erdoğan, duke uruar që Forumi Diplomatik i Antalias, i cili po organizohet për herë të pestë këtë vit, të sjellë dobi për rajonin dhe mbarë botën, tha:

“Uroj që debatet, vlerësimet dhe shkëmbimet e ideve që do të zhvillohen në kuadër të programit, si dhe aktivitetet anësore dhe takimet dypalëshe gjatë forumit, të jenë të frytshme. Përgëzoj Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme, z. ministër dhe ekipin e tij, si dhe deputetin tonë të Antalias, Mevlüt Çavuşoğlu, i cili e udhëhoqi këtë forum gjatë kohës që ishte në detyrë, për organizimin me sukses edhe këtë vit të Forumit Diplomatik të Antalias, i cili është shndërruar në një markë globale si për nga pjesëmarrja dhe përfaqësimi, ashtu edhe për nga përmbajtja dhe dimensioni.”

“Këtë organizim e shohim si një platformë mendimi”

Presidenti Erdoğan deklaroi se, si Turqi, nuk e kanë kufizuar Forumin Diplomatik të Antalias brenda kufijve të konceptit të kontakteve diplomatike dhe tha:

“Ne e shohim këtë organizim si një platformë mendimi ku zhvillohen konsultime të thelluara mbi drejtimin ku po shkon bota, mbi vlerat rreth të cilave mund të bashkohet njerëzimi dhe mbi fushat e reja të ndërveprimit që mund të krijohen. Të gjithë jemi shumë të vetëdijshëm për këtë fakt; sot diplomacia nuk është më vetëm një fushë ku negociohen problemet, konfliktet dhe interesat. Diplomacia përfaqëson gjithashtu një terren ku diskutohet se mbi cilat parime do të formësohet e ardhmja e përbashkët e njerëzimit. Pesë vjet më parë nisëm këtë rrugë me synimin për të krijuar një platformë globale që do të mbajë pulsin e diplomacisë, dhe sot shohim se Forumi Diplomatik i Antalias është shndërruar në tribunë të përbashkët të mendjes globale, të ndërgjegjes botërore dhe sidomos të shpresës për të ardhmen. Besoj se diskutimet që do të zhvillohen për tri ditë nën temën ‘Të konceptosh të nesërmen, të menaxhosh pasiguritë’ do ta bëjnë edhe më të dukshëm këtë karakter unik dhe të veçantë të forumit. Besoj se forumi, me idetë tuaja largpamëse, do të japë kontribut në misionin e Turqisë si çelës i paqes dhe ju falënderoj secilin që tani.”

“Bota, përveç krizës së fuqisë, po përjeton edhe një krizë orientimi”

Duke theksuar se për ta kuptuar periudhën nëpër të cilën po kalon njerëzimi është e domosdoshme të analizohet drejt procesi dhe të lexohen saktë dinamikat, Presidenti Erdoğan tha:

“Të shpjegosh tronditjet që po ndodhin sot në sistemin ndërkombëtar vetëm me ndryshimin e balancave të fuqisë do të thotë të largohesh nga thelbi i çështjes. Po, shpërndarja e fuqisë po ndryshon. Po, po ngrihen aktorë të rinj. Po, konkurrenca po ashpërsohet, po thellohet dhe po bëhet më shkatërrimtare. Por të gjitha këto nuk e ndryshojnë faktin se ne po përballemi me një thyerje shumë më të ashpër. Sot bota, së bashku me krizën e fuqisë, po përjeton edhe një krizë orientimi. Në pikën ku kemi arritur, shihet qartë se ndodhemi në një prag serioz dhe të rrezikshëm. Sistemi që pretendohet se bazohet në rregulla hesht aty ku rregullat shkelen, ndërsa mekanizmat që kanë për detyrë të mbrojnë të drejtat e njeriut dhe sigurinë globale mbeten të pafuqishëm përballë sulmeve më të rënda, madje shpesh edhe indiferentë. Problemi kryesor këtu është drejtësia selektive, parimet e instrumentalizuara dhe vlerat tona të përbashkëta të nënshtruara ndaj marrëdhënieve të forcës. Prandaj, kriza që po përjeton sistemi global është, para së gjithash, një krizë morale dhe ekzistenciale. Për të parë përmasën ku ka arritur kriza, mjafton të shohim Gazën pas 7 tetorit.”

“Është e mangët t’i lexosh ato që ndodhin në Gaza vetëm si një tragjedi humanitare”

Duke tërhequr vëmendjen se në 2 vjet e gjysmë të fundit 73 mijë palestinezë kanë humbur jetën nga sulmet izraelite dhe mbi 172 mijë persona janë plagosur, Presidenti Erdoğan vijoi:

“Numri i fëmijëve që u shkëputën nga jeta ende pa lulëzuar ka kaluar 21 mijë. Numri i jetimëve dhe fëmijëve pa prindër ka kaluar 58 mijë. Pavarësisht armëpushimit, 754 palestinezë ranë dëshmorë dhe 2 mijë e 100 u plagosën. Së pari duhet ta pranojmë këtë këtu; është e mangët t’i lexosh ato që ndodhin në Gaza vetëm si një tragjedi humanitare. Gjenocidi në Gaza na ka treguar shumë qartë se çfarë lejon rendi aktual, çfarë shpërfill dhe kë mbron. Të gjithë duhet të vëmë dorën në ndërgjegje dhe të kërkojmë me guxim përgjigjet për këto pyetje: Nëse një sistem nuk mund t’i mbrojë foshnjat e pafajshme në inkubator nga plumbat, nëse nuk mund të parandalojë shënjestrimin masiv të civilëve, nëse institucionet dhe rregullat nuk mund ta ndalin shtypjen e shtypësve, a nuk është kjo një kalbëzim strukturor, një dekompozim ontologjik? A nuk është kjo tablo forma më e dukshme e krizës morale dhe të legjitimitetit? Pyes: si mund të pritet nga ne të kemi besim te një sistem që dje dështoi në Siri dhe Gaza, ndërsa sot në Bregun Perëndimor dhe në Liban nuk arrin të kalojë provën më themelore të njerëzimit? Për më tepër, si mund të mendohet që ne të mbetemi duarkryq përballë një sistemi që ndikon në të ardhmen e vëllezërve, miqve dhe fëmijëve tanë, sidomos në kohë krize?”

Duke thënë se, “Pa u mbyllur boshllëku i përfaqësimit që ne e kemi sjellë prej 13 vitesh në agjendën e njerëzimit me moton ‘Bota është më e madhe se pesë’, po e them shumë qartë: as kriza e sistemit nuk mund të zgjidhet dhe as ndërtimi i një bote më të drejtë nuk është i mundur apo i besueshëm”, Presidenti Erdoğan u shpreh kështu:

“Një sistem global që mbron vetëm ligjin e më të fortit, njerëzimin do ta çojë drejt konflikteve shumë më të thella, shumë më të mëdha, padrejtësive dhe rrugëve pa dalje. Lufta që për 40 ditë e mbuloi rajonin tonë me erën e barutit ka qenë shembulli më i fundit i kësaj. Në këtë luftë të pakuptimtë dhe jashtëzakonisht të kushtueshme, që nisi me provokimet e qeverisë izraelite, jemi të kënaqur me armëpushimin 15-ditor të shpallur falë nismave të Kryeministrit të Pakistanit, vëllait tim të çmuar Sharif.

Besojmë se dritarja e mundësisë që hapi armëpushimi duhet të shfrytëzohet në mënyrën më efektive për vendosjen e paqes së përhershme. Sado të thella të jenë mosmarrëveshjet, nuk duhet lejuar që në zgjidhjen e tyre fjala të zëvendësohet sërish nga armët, dhe negociatat nga përballja e përgjakshme. Të mos harrohet se rruga më e shkurtër drejt paqes është dialogu konstruktiv dhe diplomacia. Dhe paqja, siç është shprehur në mënyrë të goditur partneri ynë i Aleancës Popullore, z. Devlet Bahçeli, ‘nuk është një zog me një krah’. Që palët të veprojnë me frymë pajtuese, me durim dhe me mendje të kthjellët, është me rëndësi të madhe për të arritur rezultat. Po ashtu, në këtë fazë kritike duhet të jemi të gatshëm dhe vigjilentë kundër përpjekjeve të Izraelit për të minuar procesin e negociatave.”

“E drejta e vendeve të Gjirit për qasje në dete të hapura nuk duhet të kufizohet”

Presidenti Erdoğan tha se qëndrimi i tyre lidhur me kalimin e Hormuzit, ku tensionet janë rritur, është shumë i qartë:

“Në njërën anë të Hormuzit është Irani, në anën tjetër është Omani. E drejta e vendeve të Gjirit për të pasur qasje në dete të hapura nuk duhet të kufizohet. Thelbësore është sigurimi i lirisë së lundrimit mbi bazën e rregullave të vendosura dhe mbajtja e Hormuzit të hapur për anijet tregtare. Po shihet se lufta ka përshpejtuar kërkimin për rrugë alternative për dërgimin e burimeve energjetike të zonave fqinje në tregjet ndërkombëtare. Dua të bëhet e ditur se, si Turqi, jemi të hapur për bashkëpunim me fqinjët tanë në fushat e energjisë dhe ndërlidhjes, me projekte vizionare si Rruga e Zhvillimit.”

Duke shprehur keqardhjen për shkatërrimin dhe humbjet e jetëve që ka sjellë lufta në Ukrainë, një tjetër vatër konflikti pranë rajonit, Presidenti Erdoğan vijoi:

“Ne ende e ruajmë besimin tonë se lufta do të marrë fund përmes një procesi negociues ku palët do të përfaqësohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Dua ta them këtu me gjithë sinqeritetin tim: Turqia është e gatshme të mbështesë çdo hap lehtësues për vazhdimin e negociatave të drejtpërdrejta, përfshirë edhe Samitin e Liderëve, nëse edhe palët janë të gatshme. Forcimi i paqes, stabilitetit dhe normalizimit në vendin tonë fqinj, Siri, ka rëndësi jetike për të ardhmen e rajonit tonë. Jemi të kënaqur me rrugën që ka bërë ky vend në 1 vit e gjysmë të fundit nën udhëheqjen e mençur të Presidentit sirian, z. Şara, dhe dua të shpreh se edhe më tej, me dëshirën e Zotit, do të jemi pranë popullit sirian.”

Presidenti Erdoğan tha se në vizionin e tyre për Ballkanin, të formësuar nga lidhje të thella historike, paqja, stabiliteti dhe mirëqenia vazhdojnë të mbeten përparësi dhe se, me këtë mendim, janë jashtëzakonisht shpresëplotë për Platformën e Paqes në Ballkan, të cilën e kanë vënë në jetë.

Duke theksuar se po e fuqizojnë dita-ditës Organizatën e Shteteve Turke, të cilën e shohin si garanci të paqes dhe qetësisë në Euroazi, Presidenti Erdoğan njoftoi se në tremujorin e fundit të këtij viti, në Samitin e 13-të të Botës Turke, që do të mbahet në Turqi, do ta marrin kryesimin e radhës nga Azerbajxhani.

“Mbështetja jonë e fuqishme për Korridorin e Mesëm lindje-perëndim përmes Detit Kaspik vazhdon”

Presidenti Erdoğan theksoi se gjatë periudhës së kryesimit do të rrisin edhe më tej ndikimin dhe dukshmërinë ndërkombëtare të organizatës dhe tha:

“Në bashkërendim me Azerbajxhanin, po e çojmë përpara hap pas hapi procesin tonë të normalizimit me fqinjin tonë Armeninë. Në këtë kuadër, vazhdon edhe mbështetja jonë e fuqishme për nismën e Korridorit të Mesëm lindje-perëndim përmes Detit Kaspik, që është rruga më e besueshme në tregtinë midis Azisë dhe Evropës. Ne duam ta shohim Detin Egje dhe Mesdheun Lindor si një pellg stabiliteti dhe mirëqenieje. Për këtë arsye, ashtu siç refuzojmë qëndrimet e njëanshme dhe maksimaliste që përpiqen të përjashtojnë Turqinë dhe Republikën Turke të Qipros Veriore, po ashtu nuk i konsiderojmë të drejta as përpjekjet e kota që kërkojnë përfitim nga atmosfera e luftës. Qëndrimi i vendosur i turqve të Qipros ka dëshmuar sot para gjithë botës faktin se në ishullin e Qipros ekzistojnë dy popuj të veçantë dhe dy shtete të veçanta. Besojmë se atmosfera pozitive që kemi ndërtuar me fqinjin tonë Greqinë duhet të japë kontribut jo vetëm për zgjidhjen e çështjeve tona dypalëshe, por edhe për përfundimin e shkeljeve të të drejtave ndaj pakicës turke në Trakinë Perëndimore.”

Duke bërë të ditur se përpjekjet e tyre aktive për vendosjen e qetësisë dhe sigurisë në një tjetër “hapësirë vëllazërore”, Libi, vazhdojnë, Presidenti Erdoğan tha:

“Ne mbështesim sinqerisht integritetin territorial, sovranitetin dhe hapat zhvillimorë të vendeve afrikane. Jemi në krah të çdo përpjekjeje diplomatike për t’i dhënë fund konflikteve që vazhdojnë në Sudan që prej prillit 2023. Ndërsa mbështetja jonë për integritetin territorial dhe mirëqenien ekonomike të Somalisë, e cila vitet e fundit ka hedhur hapa të rëndësishëm drejt stabilitetit dhe sigurisë, mbetet e pandryshueshme.”

“Sfidat e përbashkëta me të cilat përballemi kanë nxjerrë në pah vlerën strategjike të partneritetit tonë me Evropën”

Presidenti Erdoğan tha:
“Si Turqi, ndërsa nga njëra anë ndjekim politika të jashtme paqësore në rajone dhe kontinente të ndryshme, nga ana tjetër po forcojmë lidhjet tona ekzistuese të aleancës.”

Duke kujtuar se Turqia, si një nga vendet kryesore të NATO-s, e cila është garancia e sigurisë kolektive të rajonit euro-atlantik, këtë vit do të presë më 7-8 korrik në Ankara Samitin e Liderëve, Presidenti Erdoğan tha se shpresojnë të marrin në samit vendime të rëndësishme që do ta çojnë aleancën fuqishëm drejt së ardhmes dhe se po e ndërtojnë që tani bazën për këtë.

Duke theksuar se historia, gjeografia dhe gjeopolitika ia kujtojnë në çdo rast se Turqia është pjesë e pandashme e Evropës, Presidenti Erdoğan tha:

“Sfidat e përbashkëta me të cilat përballemi sot e kanë nxjerrë edhe një herë në pah vlerën strategjike të partneritetit tonë me Evropën.

Ndërsa ruajmë objektivin tonë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, presim që Bashkimi, duke kapërcyer krizën e orientimit, t’i qëndrojë besnik vizionit të themeluesve të tij. Në nëntor të ardhshëm, po ashtu këtu, në Antalia, do të presim Konferencën e 31-të të Palëve të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike. Gjatë presidencës sonë të COP31, do të nxjerrim në pah politika që bashkojnë agjendën mjedisore me agjendën e të rinjve, siç është përhapja e Lëvizjes Zero Mbetje.”

Presidenti Erdoğan e përmbylli fjalën e tij me këto fjalë:

“Gjatë historisë, paqja, stabiliteti dhe drejtësia nuk janë siguruar vetëm me forcë, por edhe me solidaritet. Ashtu siç e ka theksuar mendimtari i madh Ibn Haldun, ajo që e mban në këmbë një shoqëri nuk është para së gjithash forca që zotëron, por ndjenja e solidaritetit që i jep kuptim asaj force, ndjenja e bashkësisë, vetëdija për fatin e përbashkët dhe solidariteti. Si njerëz me ndërgjegje, sa më shumë ta forcojmë frontin e paqes dhe të njerëzimit përballë frontit të luftës dhe gjenocidit, aq më të sigurt do të mund të shohim nga e ardhmja jonë. Prandaj sot çështja nuk është vetëm të ndërtojmë institucione, sistem apo rend të ri. Çështja kryesore është të mund të ngremë një bazë të re solidariteti. E konsideroj praninë tuaj në Forumin Diplomatik të Antalias si një mbështetje të çmuar për vendosjen e kësaj baze solidariteti.”

Me mbërritjen e Presidentit Erdoğan në Qendrën e Kongreseve NEST, ai u prit nga Zëvendëspresidenti Cevdet Yılmaz dhe zyrtarë të tjerë.

Para programit, Presidenti Erdoğan bisedoi për pak kohë me Presidentin e Azerbajxhanit İlham Aliyev dhe Kryeministrin e Pakistanit Shahbaz Sharif, ndërsa në sallë hyri së bashku me bashkëshorten e tij, Emine Erdoğan.

Në programin e hapjes morën pjesë edhe Presidenti i Kazakistanit Kasım Cömert Tokayev, Emiri i Katarit Sheikh Temim bin Hamed Al Sani, Presidenti i Azerbajxhanit Aliyev, Presidenti i Sirisë Ahmed Şara, Presidentja e Moldavisë Maia Sandu, Presidenti i Republikës Turke të Qipros Veriore (RTQV) Tufan Erhürman, Kryeministri i Serbisë Duro Macut, Kryeministri i Pakistanit Sharif, Kryeministri i Gjeorgjisë Irakli Kobakhidze, si dhe Presidenti i Qeverisë Rajonale të Kurdistanit të Irakut, Neçirvan Barzani, mes të ftuarve të tjerë.

Ndërkaq, Drejtori i Komunikimit i Presidencës, Burhanettin Duran, bëri vlerësime lidhur me fjalimin e Presidentit Erdoğan.

Në mesazhin e publikuar në llogarinë e tij në NSosyal, Duran u shpreh kështu:

“Presidenti ynë, z. Recep Tayyip Erdoğan, në fjalimin e tij gjithëpërfshirës në Forumin e 5-të Diplomatik të Antalias (ADF2026), dha mesazhe të forta dhe shumëdimensionale në emër të paqes globale, stabilitetit rajonal dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Duke u ndalur te ajo që po ndodh në Gaza, Presidenti ynë theksoi se trajtimi i këtij procesi vetëm si një ‘tragjedi humanitare’ do të ishte një qasje e mangët. Ai deklaroi se gjenocidi në Gaza tregon qartë se çfarë lejon rendi aktual ndërkombëtar, çfarë shpërfill dhe kë mbron.

Duke iu referuar luftës që nisi me Iranin si pasojë e provokimeve të qeverisë izraelite, Presidenti ynë shprehu kënaqësinë për armëpushimin e shpallur dhe tha se ai duhet të shndërrohet në një mundësi të rëndësishme për paqe të qëndrueshme.

Duke nënvizuar se dialogu dhe diplomacia janë e vetmja rrugëdalje, Presidenti ynë tërhoqi vëmendjen te çështje kritike, nga Ngushtica e Hormuzit deri te siguria e furnizimit me energji dhe rrugët tregtare, duke vënë në pah rëndësinë e ruajtjes së lirisë së lundrimit.

Duke theksuar se Turqia është e gatshme të forcojë bashkëpunimin rajonal përmes projekteve vizionare si ‘Rruga e Zhvillimit’, ai vuri në dukje se në rrugët energjetike nuk fiton konkurrenca, por bashkëpunimi.

Presidenti ynë theksoi se Deti Egje dhe Mesdheu Lindor nuk duhet të jenë zona tensioni, por pellgje stabiliteti dhe mirëqenieje; nënvizoi se ne refuzojmë qasjet që përjashtojnë Turqinë dhe Republikën Turke të Qipros Veriore. Ai tha gjithashtu se atmosfera pozitive e krijuar me Greqinë duhet të kontribuojë edhe në forcimin e të drejtave të pakicës turke në Trakinë Perëndimore.

Duke u ndalur te shkatërrimi dhe humbjet e jetëve të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, Presidenti ynë ritheksoi besimin e tij se zgjidhja është e mundur përmes një procesi të drejtë dhe gjithëpërfshirës negociatash.

Turqia do të vazhdojë me vendosmëri të kontribuojë në paqen globale mbi bazën e dialogut dhe bashkëpunimit, duke luajtur rol konstruktiv në zgjidhjen e krizave, dhe duke mbrojtur drejtësinë dhe ekuilibrin.

Falënderoj të gjithë ata që kontribuan në këtë organizim të rëndësishëm, të mbajtur nën kujdesin e Presidentit tonë, z. Recep Tayyip Erdoğan, dhe me mikpritjen e Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme, dhe shpreh dëshirën që Forumi Diplomatik i Antalias të vazhdojë të kontribuojë për paqen globale, stabilitetin dhe bashkëpunimin.”/TN