Ballina Aktualitet Gjykimi për zjarrin në “Puls”/Prokuroria duhet të nisë me paraqitjen e gjetjeve...

Gjykimi për zjarrin në “Puls”/Prokuroria duhet të nisë me paraqitjen e gjetjeve të autopsisë

Me paraqitjen e provave materiale të propozuara nga Prokuroria, sot në sallën e gjyqit në “Idrizovë” pritet të vazhdojë gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u plagosën.

Ekipi i prokurorëve që përfaqëson aktakuzën, në një takim informues me mediat dje bëri të ditur se kanë mbetur edhe disa dëshmitarë të propozuar — ata që për arsye psikike nuk mund të dëgjohen dhe një tjetër që ndodhet jashtë vendit — për të cilët, siç thanë, ekziston mundësia që, nëse nuk janë të qasshëm, të kërkohet të lexohen deklaratat e tyre.

Me këtë përfundon paraqitja e provave verbale dhe, siç u theksua, pritet të fillojë paraqitja e gjetjeve të autopsisë mjeko-ligjore për shkaqet e vdekjes së viktimave në zjarr.

Pas paraqitjes së gjetjeve të autopsisë dhe asaj që është konstatuar, siç është paralajmëruar, do të thirret edhe eksperti përkatës, i cili do të përgjigjet për gjithçka që nuk ka marrë përgjigje ose që ka hapur pyetje në opinionin publik.

Nga Prokuroria nuk mund të thonë sa seanca do të nevojiten për paraqitjen e provave materiale, dhe kjo, siç u tha, varet edhe nga mbrojtja dhe nëse e sa pengesa do të ketë, por kjo është çështje për të cilën gjykata duhet të kujdeset, me qëllim ekonomicitetin dhe efikasitetin e procedurës.

Përjashtimi i publikut, siç theksoi Prokuroria, do të kërkohet në varësi të mënyrës së paraqitjes së provave dhe sa thellë do të lejohet të shkohet në paraqitjen e tyre.

Procesi gjyqësor nisi më 19 nëntor të vitit të kaluar, pas së cilës në sallën e gjyqit në KPBU “Idrizovë” në Shkup, deri më tani janë dëgjuar prindërit, të mbijetuarit, mysafirët në klub, inspektorët, përfaqësues të institucioneve dhe të komunës së Koçanit, si dhe anëtarë të bendit që performonte atë natë.

Gjykimin e udhëheq gjyqtarja Dijana Gruveska Ilievska, ndërsa aktakuzën e përfaqëson një ekip prej 15 prokurorësh publikë.

Zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan shpërtheu më 16 mars 2025 gjatë një performance të grupit DNK dhe përfaqëson një nga tragjeditë më të rënda në historinë më të re të vendit. Në të humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u plagosën.