Ballina Aktualitet ADNAN AZIZI: SULMET NDAJ NESH JANË PROPAGANDË E KOORDINUAR

ADNAN AZIZI: SULMET NDAJ NESH JANË PROPAGANDË E KOORDINUAR

Pas tubimit mbështetës për Lëvizjen Vetëvendosje të mbajtur në Tetovë, deputeti Adnan Azizi foli për raportet mes shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, akuzat e fundit për ndërhyrje në proceset politike në Kosovë, si dhe sulmet politike që, sipas tij, po drejtohen ndaj VLEN-it dhe drejtuesve të saj. Në këtë intervistë, Azizi i cilëson pretendimet ndaj tij si pjesë të një fushate të koordinuar dezinformuese, flet për afishet dhe akuzat që po qarkullojnë në Tetovë, vlerëson punën e pushtetit lokal dhe ndalet te zhvillimet e fundit në qeveri, duke paralajmëruar rikonstruim të kabinetit dhe vazhdimin e projekteve infrastrukturore në zonat shqiptare.

Pyetje: Zoti Azizi, mund të na thoni disa fjalë për tubimin e mbajtur sonte në Tetovë? 

Adnan Azizi: Ishte një tubim i organizuar nga qytetarë tetovarë në shenjë mbështetjeje për Lëvizjen Vetëvendosje, në kuadër të fushatës që po zhvillohet në Kosovë. Tetova ka qenë gjithmonë e lidhur shpirtërisht me shqiptarët e Kosovës. Përveç kësaj, ka shumë qytetarë të Tetovës që kanë shtetësi ose prejardhje nga Kosova dhe janë votues atje. Me kërkesën e tyre organizuam këtë tubim në sheshin “Iliria”, ndërsa sonte patëm nderin të kemi mysafire ushtruesen e detyrës së Presidentes dhe kryetaren e Kuvendit të Kosovës, zonjën Albulena Haxhiu.

Pyetje: Duke ndjekur një intervistë të kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami, në një emision në Tiranë, u përmend edhe emri juaj në lidhje me pretendime për ndërhyrje në Kosovë dhe një padi të ngritur kundër jush. Çfarë ka ndodhur?

Adnan Azizi: Kjo është pjesë e një propagande të paparë dhe të sinkronizuar kundër Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë dhe kundër VLEN-it në Maqedoninë e Veriut. Shpeshherë ata që, në mënyrë figurative, mund të konsiderohen përgjegjës për humbjen e palës kundërshtare, apostrofohen padrejtësisht dhe me informacione krejtësisht të pavërteta.

E pamë këtë edhe gjatë protestave studentore, kur disa nga ata që udhëhiqnin fushatën mediatike nuk dinin as vendin ku po zhvillohej protesta, por pretendonin se po raportonin drejtpërdrejt prej saj. Edhe përmendja e emrit tim, duke më lidhur me funksionin e shefit të kabinetit të Izet Mexhitit, është pjesë e të njëjtës fushatë të paskrupullt për të përbaltur personalitete këtu dhe në Kosovë.

Absolutisht nuk kam asnjë lidhje me pretendimet që po qarkullojnë. Madje nuk merrem me asnjë lloj aktiviteti të tillë. Mbështetjen tonë për Lëvizjen Vetëvendosje dhe për kryeministrin Albin Kurti e kemi deklaruar publikisht dhe me transparencë. Nuk jemi nga ata që veprojnë në prapaskenë. Gjithçka që bëjmë e themi hapur para qytetarëve dhe para shqiptarëve.

Albin Kurti është një flamurtar i çështjes kombëtare, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoninë e Veriut. Ai ka iniciuar unifikimin e faktorit politik shqiptar dhe për shumë shqiptarë përfaqëson modelin e një politikani të ndershëm, vizionar, të pakorruptuar dhe mbrojtës të vlerave kombëtare.

Pyetje: Këto ditë në Tetovë po shpërndahen afishe me pretendime se po shitet Tetova dhe në to shfaqen fotografitë e Bilall Kasamit dhe tuajat. Si i komentoni këto?

Adnan Azizi: E kam thënë edhe më herët dhe po e përsëris: kjo vjen nga dëshpërimi i kundërshtarëve politikë. Ata e dinë se Bilall Kasami i ka mundur dy herë radhazi me rreth 5.000 vota diferencë.

Edhe unë, si shef i shtabit në zgjedhjet e fundit parlamentare, kam qenë pjesë e një fitoreje ku VLEN-i e mposhti BDI-në me diferencë të konsiderueshme. Prandaj sot shpërndahen dezinformata për të larguar vëmendjen nga realiteti.

Nënkryetari i komunës ka prezantuar dokumente dhe fotografi për të dëshmuar faktet. Edhe ju si gazetarë mund të bëni verifikimet tuaja. Unë jetoj në të njëjtin vend ku kam jetuar prej vitesh dhe vazhdoj të banoj me qira, ashtu si para 15 vitesh.

Dielli nuk mbulohet me shoshë. Kundërshtarët politikë e dinë se puna që është bërë në Tetovë është e dukshme: shkolla, pishina, ujësjellës, kanalizime, rrugë, bulevarde dhe plane urbanistike. Pikërisht për shkak të këtyre rezultateve ata e kuptojnë se nuk kanë perspektivë politike dhe se diferenca prej 5.000 votash mund të rritet edhe më shumë në zgjedhjet e ardhshme.

Gjykatësi më i mirë mbetet qytetari. Në zgjedhjet e fundit qytetarët dhanë verdiktin e tyre, duke na shpërblyer për punën, sinqeritetin, transparencën dhe korrektësinë, ndërsa ndëshkuan kundërshtarët politikë.

Pyetje: Po bëhen gati dy vjet që VLEN është pjesë e qeverisë. Flitet për ndryshime në kabinet. Si e vlerësoni situatën?

Adnan Azizi: Në qeveri nuk ka pozita të sigurta. Ka vetëm detyrime, obligime dhe përgjegjësi. Në funksion të këtyre përgjegjësive bëhen edhe ndryshime, rokada apo zëvendësime në ekip.

Po, pritet të ketë rikonstruim të qeverisë. Megjithatë, kjo qeveri ka lëvizur me ritëm të shpejtë në realizimin e shumë projekteve dhe shqiptarët duhet të jenë krenarë për rezultatet e saj.

Po ndërtohet Korridori VIII, po realizohet autostrada Shkup–Bllacë, po punohet në aksin Tetovë–Prizren, po nisin investime të rëndësishme në shëndetësi, përfshirë Spitalin e Tetovës, si dhe projekte të tjera në Kërçovë dhe në qytete të tjera shqiptare.

Ne presim që në çdo komunë shqiptare të realizohen dhjetëra projekte zhvillimore. Vetëm gjatë vitit të fundit janë investuar 83 milionë euro në komunat shqiptare. Ky është realiteti dhe këto janë rezultatet konkrete që qytetarët mund t’i shohin vetë./TetovaNews

@tn.lajmelokaleFlet deputeti Adnan Azizi pas tubimit në Tetovë për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, ku more pjesë edhe Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës.♬ original sound – TN – Lajme Lokale