Tetovë, 31 maj – Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Ziadin Sela ka mbajtur sot Kongresin e saj të pestë partiak në Tetovë, duke zyrtarizuar një nga ndryshimet më të mëdha në historinë e subjektit politik. Me vendim të delegatëve, partia nga sot do të veprojë me emrin e ri Lidhja Shqiptare.
Kongresi u zhvillua në Qendrën për Kulturë në Tetovë nën moton “Lidhja është gjallë”, ndërsa morën pjesë 713 delegatë, përfaqësues të strukturave partiake nga vendi dhe diaspora, si dhe mysafirë nga spektri politik shqiptar.
Në hapje të kongresit u theksua se ndryshimi i emrit nuk përfaqëson vetëm një transformim formal, por fillimin e një etape të re politike, të mbështetur mbi trashëgiminë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, barazinë politike të shqiptarëve dhe angazhimin për avancimin e të drejtave kombëtare.
Gjatë punimeve u miratuan ndryshimet statutare, platforma politike e partisë dhe disa rezoluta programore që prekin çështje si barazia politike e shqiptarëve, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, decentralizimi, eurointegrimet dhe koncepti i shtetit binacional.
Një nga fjalimet kryesore të kongresit u mbajt nga deputetja Ilire Dauti, e cila tha se politika ndahet mes atyre që kërkojnë përfitime personale dhe atyre që sakrifikojnë për të ardhmen e brezave të rinj.
“Politika karakterizon dy kategori njerëzish: ata që benefitet i marrin për vete dhe ata që gërvishten e shpojnë duart e tyre për të larguar gjembat nga rruga për gjeneratat e reja”, deklaroi Dauti.
Ajo theksoi se Aleanca për Shqiptarët nën udhëheqjen e tyre gjithmonë ka ditur të përballet me sfidat dhe pengesat që kanë prekur shqiptarët, duke shtuar se ky mision do të vazhdojë tashmë përmes Lidhjes Shqiptare.
Kongresi u karakterizua nga një atmosferë mobilizuese, me pjesëmarrësit që e cilësuan ndryshimin e emrit si fillimin e një kapitulli të ri politik për subjektin e drejtuar nga Ziadin Sela.
Në pjesën përmbyllëse të kongresit u zhvilluan procedurat për zgjedhjen e organeve drejtuese të partisë dhe për zgjedhjen e kryetarit të Lidhjes Shqiptare, duke vulosur zyrtarisht transformimin e Aleancës për Shqiptarët në subjektin e ri politik që do të veprojë me emrin Lidhja Shqiptare.















