Ballina Aktualitet Fjalimi i plotë i kryeministrit Albin Kurti në Kuvendin e Përgjithshëm të...

Fjalimi i plotë i kryeministrit Albin Kurti në Kuvendin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje

Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje,

E nderuara kryesuese Arbërie Nagavci – njëherësh e zgjedhur dhe kryetare e grupit parlamentar të Vetëvendosjes në Kuvendin e Republikës, e nderuara kryetare e Grave për Vetëvendosje dhe kryetare e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruese e detyrës së Presidentes së Republikës – kërkoj falje nëse kam harruar ndonjë funksion tjetër që ka.

E nderuara nënkryetare e Lëvizjes Vetëvendosje, Mrika Limani Myrtaj,
I nderuar sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes, Alim Rama,
Dhe e nderuara koordinatore e komiteteve profesionale, Dejona Mihali.

I nderuari Avni – së shpejti do të udhëheq edhe seancën tjetër, besoj.

Kësaj radhe të legjislaturës së 11-të, e kështu pak e nga pak po të bëhet edhe ty një mandat si kryetar i Kuvendit – njerëzit do të fillojnë e të thonë: “Dehari tre ndoshta në verën e vitit 2026”.

Deputetë, ministra, zëvendësministra, kryetarë komunash, aktivistë, mbështetës të lëvizjes e qytetarë të Republikës sonë,

Kolegë, motra e vëllezër, zonja dhe zotërinj,

Ju falënderoj për mbështetjen dhe besimin që keni te ne si lëvizje dhe tek unë si kryetar, si kryeministër. Ju falënderoj për nominimin, që natyrisht është nder, por është edhe përgjegjësi e madhe. Është një detyrim historik ky që kam ndaj jush, është një detyrim që e kemi ndaj gjithë kombit shqiptar dhe ndaj Republikës sonë. Këtë detyrë do ta përmbushim e s’na ndal dot askush, sepse sytë, veshët, mendjen, zemrën i kemi të përqendruara te qëllimi ynë më sublim: përparimi i kombit tonë.

Pa mbështetjen tuaj të qëndrueshme dhe masive nga çdo fshat e nga çdo qytet, nga çdo lagje e nga çdo familje, nga brenda vendit e nga diaspora, ne nuk do të mundeshim t’i kapërcenim vështirësitë e mëdha shoqërore e historike të cilat janë paraqitur në të shkuarën tonë. Por me ndihmën tuaj, me bashkëpunim, me bashkëveprim të sinqertë me të gjithë ju, me sakrificë, me punë pa u lodhur asnjëherë, jam i sigurt se ne do të tejkalojmë çdo pengesë e çdo sfidë – përfshirë këtu edhe këto vështirësi disi absurde që po na paraqiten në të tashmen – dhe çdo pengesë e sfidë që, mbase, nuk do të mungojnë as në të ardhmen.

Jemi në një tjetër fushatë, në prag të saj formalisht, në një tjetër ballafaqim me të kaluarën përmbajtësisht – që nuk do të vdesë kurrë, siç duket, pa u përpjekur edhe njëherë ta marrë frymën. Por ja që ne jemi këtu, të pathyer, më të fortë se kurrë, me duar të pastra, me ballë të hapur.

Të dashur miq,

Sot është 9 maji. Në kryeqytetet e Evropës, kjo ditë festohet si Dita e Paqes dhe Bashkimit në fitore kundër nazifashizmit. Por për ne, në Prishtinë, ku jemi mbledhur për herën e 63-të në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, kjo ditë nuk është thjesht një datë e shënuar në kalendarët e diplomacisë – është një pasqyrë e vullnetit tonë. Janë dy shenja të kësaj date: nga njëra anë Evropa, dhe nga ana tjetër lufta dhe fitorja kundër politikës së dhunshme e antidemokratike, politikës së shkatërrimit e gjenocidit që përfaqësonte nazifashizmi.

Evropa për Kosovën nuk është një stacion i thjeshtë ku duam ne të mbërrijmë, por një vlerë që e mbajmë përbrenda nesh e që e tregojmë me punët dhe veprimet tona politike si subjekt politik dhe si qeverisje demokratike. Kur themi “Kosova në Evropë”, nuk e kemi fjalën për ndonjë farë zhvendosjeje gjeografike, por për zhvillim vleror. Ne po e ndërtojmë Evropën këtu, me drejtësi, me punë dhe me dinjitet. Kosova në Evropë, sepse tashmë Evropa është në Kosovë.

Me të njëjtat vlera, ne po e ndërtojmë edhe demokracinë tonë, duke qëndruar pa kompromis kundër formave klienteliste, politikave tribale, të dhunshme, kundër korrupsionit e krimit, kundër lajmeve të rrejshme, kundër disfatizmit dhe degradimit të shtetit e të shërbimeve publike – kundër të gjitha atyre fenomeneve që populli ynë i urren dhe assesi nuk do të lejojë që të kthehen ndonjëherë.

Jemi sot saktësisht 29 ditë larg 7 qershorit. Pra nesër, katër javë, janë zgjedhjet e reja e të jashtëzakonshme, të cilat vijnë më pak se pesë muaj pas zgjedhjeve të kaluara, ku ne shënuam 51% të votave. E ato vinin 10 muaj pas zgjedhjeve ku ne fituam 42% të votave. Prej shkurtit deri në dhjetor, pra në vitin e kaluar, u rritëm për 9%. E nëse rritemi po aq prej dhjetorit deri në qershor, atëherë vërtet do të mund të prekim edhe 60%.

Nëse punojmë ashtu siç veç ne dimë, ashtu siç e kërkon situata, me sinqeritet dhe përkushtim, edhe kjo padyshim që është e mundur. Sa herë po na bllokojnë, ne po rritemi e ata po marrin përgjigje edhe më të fortë nga populli.

Megjithëkëtë, unë jam i mendimit që si shtet, si shoqëri, si institucione të sistemit që duhet të funksionojnë në mënyrë demokratike dhe efikase, ne nuk kishim nevojë për zgjedhje të tjera të reja kaq shpejt. Duket sikur dikush – mbase ndonjë strateg që rri në hije e që drejton nga prapaskena veprimet opozitare – po mendon që zgjedhjet janë të domosdoshme. Ndoshta janë për dikë, por jo për popullin e për shtetin.

E kjo po ndodh meqenëse përballë nesh kemi një opozitë që ka kuptuar se nuk mund ta mundë popullin, prandaj ka zgjedhur ta bllokojë shtetin. Ata mendojnë se duke bllokuar zgjedhjen e presidentit do ta bllokojnë vullnetin popullor. Por jeta nuk bllokohet me procedura, dhe vullneti i popullit është i gjallë. Vullneti i popullit shqiptar të Kosovës nuk është një nen kushtetues me të cilin mund të abuzojë dikush – është forcë e historisë që na shpie pandalshëm përpara.

Të nderuar pjesëmarrës të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes,

Poeti ynë kombëtar, Naim Frashëri, flet për qiriun që tretet vetë për të bërë dritë – pra për të bërë atë dritë e cila na mundëson të shohim e të njohim njëri-tjetrin: cili vërtet e do vendin dhe popullin tonë, e cili do thjesht pasuri e fitim për veten e vet. Drita është ajo që e bën natën ditë, dhe drita jonë, drita e Vetëvendosjes, buron nga e vërteta e thjeshtë se ne nuk i takojmë pushtetit, por pushteti i takon popullit.

Shpesh na akuzojnë se jemi teorikë, por shifrat e shtetit janë poezia më kokëfortë e realitetit tonë. Ja një shifër e këtillë: kur ne erdhëm në pushtet, ishin 10 terminale doganore private. Sot, të gjitha terminalet doganore janë shtetërore. Pra, kjo shifër kaq faktike, kaq e thjeshtë dhe e kuptueshme, na shpjegon se pse janë të qartë dhe nuk pranojnë asgjë tjetër, por vetëm të bllokojnë. Dikur merrnin para nga terminalet private, por sot paraja shkon tek ai që punon e kurrsesi tek ai që vjedh.

Sot ne kemi një ekonomi që prodhon vlerë. Nga 7 miliardë euro sa ishte Brutoprodukti Vendor kur e morëm detyrën, po e prekim 12 miliardshin tani. Kjo nuk është rritje në letër – është rritje në tavolinat e bukës, është rritje e mirëqenies dhe mundësive, është rritje e investimeve dhe e fitimeve. Edhe para nesh dikush fliste për rritje, por ishte rritje e vogël e për pak njerëz. Ne e bëmë rritje për të gjithë – mesatarisht 6% të Brutoproduktit Vendor çdo vit. Sivjet gjithashtu do ta kemi rreth 4%, sikurse në vitin e kaluar.

Shifrat tona janë pra fytyra e dinjitetit të ri të Kosovës. E kemi rritur edhe buxhetin e Republikës për 2/3 – nga 2.4 miliardë sa e gjetëm, sivjet është 4 miliardë euro. Ata që dikur vidhnin në gjithçka – nga asfalti deri te shkollat – sot çuditen se si mund të bëhet punë pa vjedhur. Sekreti është i thjeshtë, madje dhe publik: mjafton të punosh për zemrën e jo për xhep, të planifikosh me tru e jo me bark.

Kemi rritur pagën minimale nga 130, përkatësisht 170 euro sa e patëm gjetur, në 425 euro sa është aktualisht, dhe 500 euro siç do të bëhet prej 1 korrikut sivjet. Paga minimale 500 euro e patatueshme. Kush e do popullin, ia rrit të ardhurat atij; kush do pushtetin për vete, ia vjedh ato. Dhe jo vetëm që paga minimale do të jetë 500 euro e patatueshme për punëtorët, por edhe për bizneset, sidomos ato të vogla që duan të rriten – kjo është një ndihmesë e jashtëzakonshme, sepse 600 eurot e para do të jenë të patatueshme.

Kemi punësuar mbi 80.000 qytetarë të rinj në këto pesë vitet e fundit. Punësimin e kemi ngritur nga 350 mijë sa ishte në 430.000 qytetarë të punësuar. Papunësia ka rënë nga mbi 25% në më pak se 11%. Pra para pesë vjetëve, më shpesh se çdo i katërti ishte i papunë; tash, që po flasim, më rrallë se çdo i nënti është i papunë. Para pesë vjetëve vështirë ke mund të gjesh ndonjë familje pa dikë të papunësuar, ndërkaq tash nuk mjaftojnë as dy familje që ta gjesh dikë të papunë.

Përmes programit Superpuna, mbi 23.000 të rinj e gjetën vendin e punës me pagën minimale të garantuar për gjashtë muaj nga shteti. Kemi dyfishuar eksportet dhe investimet e huaja direkte. Investitorët pra vijnë aty ku ka shpresë, dhe Kosova është vend i shpresës e fitimit. Në gazetat amerikane e evropiane, këto javët e fundit po shkruhet për suksesin e Kosovës në punësimin rinor, sidomos për sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. Aty ku më parë shihej dyshim, ne mbollëm besim dhe po korrim zhvillim.

Për herë të parë në historinë e Kosovës kemi ofruar shtesa universale për mbi 400.000 fëmijë dhe rreth 80.000 nëna – lehona. Së fundmi, shtesat për fëmijë edhe u rritën. Dhe nuk ua morëm paratë taksave për t’ua dhënë pushtetarëve siç është bërë në të kaluarën, por ua shpërndamë ato fëmijëve e nënave, e gjithë popullit të Kosovës, sepse këta fëmijë janë e ardhmja, ashtu sikurse edhe familjet e tyre që janë e sotmja e ekonomisë dhe zhvillimit tonë.

Pensionet i rritëm për të gjitha kategoritë pa dallim dhe për katër vjet, gjashtë pensione të 13-ta janë marrë nga të moshuarit tanë të dashur. Pagat në sektorin publik i rritëm tre herë brenda mandatit. Arsimin e bëmë falas në të gjitha nivelet – bachelor, master – sepse mendja e ndritur e rinisë sonë është pasuria më e madhe e republikës. Investimi në dije është investimi më strategjik, dhe ne këtë e bëmë pa kursim.

Në shëndetësi, buxhetin e barnave esenciale e gjetëm 24 milionë euro, e trefishuam – tani e kemi mbi 100 milionë euro. Nga klinika pas klinike, kaluam te spital pas spitali në renovim, diku edhe rindërtim, por gjithsesi gjithandej modernizim. Do të ndërtojmë poliklinika specialistike në Drenas, Sharr, Viti, Rahovec e Leposaviq. Ajo që e kemi ndërtuar në Podujevë është shembulli se si do të duken edhe në këto komuna që i përmenda – poliklinika në shërbim të qytetarëve. Po ashtu edhe poliklinika të tjera stomatologjike anembanë vendit, sepse shëndeti nuk është privilegj por e drejtë themelore, dhe ne po e kthejmë atë në realitet të përditshëm të përvojës së jetesës së qytetarëve tanë.

Në bujqësi, 120.000 fermerë kanë marrë mbi 300 milionë euro grante dhe subvencione, dhe sipërfaqja e punueshme e tokës është rritur për 50% – rreth 80.000 hektarë që kanë qenë të punuara më herët, tash janë rreth 120.000 hektarë. Fermeri ynë tani e sheh tokën jo si barrë, por si mundësi. E kemi subvencionuar aksizën e naftës dhe po krijojmë skemën e sigurimit bujqësor nga fatkeqësitë natyrore, sepse fshati i fortë është themeli i shtetit dhe përparimi i kombit.

Sepse kemi besuar në një parim të panjohur për opozitën në Kosovë: pasuria rrjedh nga mosvjedhja. Pra, që të pasurohet shteti, duhet të mos vidhet qytetari. Dhe pikërisht këtë gjë e kemi bërë ne, me kaq shumë sukses, e do të vazhdojmë edhe për shumë vite në vijim.

Në siguri: Kosova nuk është më e pambrojtur sikurse dikur. Buxhetin e ushtrisë e trefishuam, blerjet për armatim e municion u qindfishuan. Kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, me 2.271 rekrutë të rinj për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Kemi ngritur moshën e rekrutimit nga 23 në 25 vjeç dhe kemi hequr tavanin prej 500 pjesëtarësh. Në mandatin e ardhshëm do të ndajmë mbi 1 miliard euro për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ju e dini që na kërcënonin bandat. Sot rendi dhe ligji janë në duart e sigurta të policisë edhe ushtrisë sonë. Në veriun e Republikës sonë, rendi dhe ligji nuk janë mysafirë të rrallë, por janë zot shtëpie. Nuk ka më të ashtuquajtura mbrojtje civile e brigadave të veriut – ka Policinë e Kosovës. Ata mund të bëjnë çfarë po bëjnë – postime nga Kraljeva e Serbisë – dhe vërtet është për të ardhur keq që fqinji ynë verior i mbron, i strehon dhe i financon këta terroristë, ndër të cilët spikat Milan Radojiçiq, kryekrimineli i sulmit terrorist në Banjskë. Sidoqoftë, me apo pa mbrojtjen e Serbisë, ata në Kosovë janë arrestuar e asgjësuar.

Në Banjskë, Policia e Kosovës sekuestroi nga terroristët 165 armë dhe sistem armësh, si dhe 63.083 municione, ku përfshihen granata, mina, eksploziv dhe predha. Përveç këtyre, në vitet 2021-2026, në veri të Kosovës, policia jonë ka kapur 611 armë të tjera dhe 17.765 municione. Pra, po t’i mbledhësh këto, del se arsenalet e kapura kanë qenë të mjaftueshme për shumë qindra terroristë që do të kishin armatim dhe municione të bollshme për të bërë trazira e destabilizim në Kosovë.

Ne mund të themi, bazuar në këto shifra, se përgjatë qeverisjes sonë të mirë, institucionet e rendit publik në vendin tonë kanë parandaluar një luftë të re – të cilën e kanë planifikuar dhe kanë synuar ata që urrejnë forcimin e Kosovës, ata që haptazi angazhohen me çdo mjet kundër stabilitetit, sigurisë e paqes në Kosovë, kundër qeverisë së Kosovës, kundër votuesit të Kosovës i cili vazhdimisht po tregon se e dëshiron qeverisjen e Vetëvendosjes.

Në veri të vendit, që përbën afër një të gjashtën e territorit, nuk ka më barrikada e struktura paralele, nuk ka më kapadai, zullumqarë, kontrabandistë, nuk ka më pika doganore që digjen – por kufij që mbrohen e ruhen. Ka rend dhe qetësi publike. Pra, sovraniteti shtetëror nuk matet me deklarata televizive në Prishtinë, por me sigurinë e qytetarit në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë. Ne kemi shtrirë sundimin e ligjit, e kemi shtrirë shtetin tonë në gjithë territorin e republikës, sepse e kemi dashur republikën më shumë se rehatinë tonë.

Në veri, ku para vitit 2021 nuk kishte asnjë stacion policor, sot kemi nënstacione rrotull kufirit që garantojnë sovranitetin e republikës në çdo cep të territorit. Heroi ynë, rreshteri Afrim Bunjaku, dha jetën për sovranitetin shtetëror, integritetin territorial. Lavdi Afrim Bunjakut dhe lavdi çdo ushtari e polici që e ruan territorin dhe popullin tonë.

Të dashur aktivistë,

Opozita po e kërkon pushtetin duke bllokuar progresin. Kjo është sikur të kërkosh të bëhesh kapiten i anijes, duke ia shpuar fundin asaj. Ata refuzuan të votojnë gjatë vitit 2025 kryetaren e parlamentit, Albulena Haxhiun. Refuzuan të votojnë për Glauk Konjufcën – njeriun e dytë më të votuar në historinë e Kosovës. Për mua, kuptohet, refuzojnë gjithmonë – nuk duan të më shohin me sy. Dalin në televizionet e tyre për të thënë se si unë dashka të eliminohem me çdo mjet.

Refuzuan të votojnë, qysh e dini, edhe për 1.1 miliard euro marrëveshje ndërkombëtare dhe e çuan vendin në ato zgjedhjet e kaluara. Refuzuan buxhetin, refuzuan rritjen e pensioneve. Tash na i humbin dhjetëra milionë të mbështetjes nga Bashkësia Ndërkombëtare, përveç atyre mbi 10 milionë për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

Shtrohet pyetja: pse? Bindja ime e fuqishme është se qëndrimet e tyre vijnë nga frika. Frika e tyre nga fitorja jonë është më e madhe se dashuria e tyre për vendin. Më të madhe e kanë frikën e urrejtjen ndaj nesh sesa dashurinë për Republikën e Kosovës. Vetëm e vetëm se nuk pranuam pazaret e oligarkëve, ndarjet e terminaleve doganore dhe postet e ambasadorëve, ata u bashkuan të gjithë kundër nesh: PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – jo për ta ndërtuar shtetin, por për ta rikthyer atë në burim privat pasurimi.

Përballë këtij fronti të errësirës, ne me dritën e Naimit, apo edhe me dritën e Sokratit, i themi popullit: nuk ka kthim prapa – ka vetëm ecje përpara.

I keni dëgjuar pa numër herë teksa thonë: “Kurti po izolon Kosovën”. Unë u përgjigjem: Kosova kurrë nuk ka qenë më e pranishme dhe më e mirëpritur në kancelaritë e botës sesa tani – e përfaqësuar me dinjitet, në nivele më të larta se çdo herë tjetër, teksa jemi në udhë të mbarë, madje edhe me vendet mosnjohëse për njohje të reja, por edhe për integrimet evropiane e euroatlantike. Nëse vërtet doni të gjeni ndonjë izolim – po, jemi të izoluar nga korrupsioni, jemi izoluar nga pazarllëqet e natës, po, jemi izoluar nga krimi i organizuar. Por jemi të hapur ndaj vlerave, jemi të hapur ndaj dinjitetit, jemi të hapur për punë dhe për bashkëpunim.

Edhe nga opozita kërkuam bashkëpunim për presidentin. Por ata nuk e ofruan asnjë emër, apo edhe kur flisnin për ndonjë emër, nuk e ofruan asnjë nënshkrim. Apo kur edhe i treguan disa nënshkrime, nuk ishin nënshkrime për ndonjë emër. Hapjes sonë, ata iu përgjigjën me bllokim – e vetëm me bllokim. Prandaj edhe quhen “blloku opozitar”. Me fjalë të tjera, të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, opozita bllokon për shkak se tashmë kemi bllok opozitar. Është në qenien e tyre bllokimi. Ju e shihni se si mbështesin, ndihmojnë njëra-tjetrën dhe sa shpejt e kollaj bëhen bashkë kundër Vetëvendosjes dhe qeverisjes sonë.

Në vitin 2025 thanë: “Nuk e duam Albulenën”. Erdhi një akt gjykimi superkreativ i Gjykatës Kushtetuese, i cili tha që Albulena ka të drejtë tri herë të propozohet. Në vend të Albulenës e sollëm kryetaren e partisë Guxo, që gjithashtu është partnere e koalicionit tonë, Donika Gërvallën – thanë: “Nuk e duam Donikën”. Pas Donikës, ministrin e Financave Hekuran Muratin – thanë: “Nuk e duam as ministrin e Financave Hekuran Muratin”. Pas Hekuran Muratit erdhi ish-ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, tash kryesuese e grupit tonë parlamentar, Arbrie Nagavci – thanë: “Nuk e duam as Arbrien”. Në fund e votuan propozimin e Arbërit – që nuk e donin – Dimal Basha, siç e dini ju.

Dhe kur erdhi puna te qeveria, thanë: “S’vjen në konsiderim Albini”. Po ja ku është Glauk Konjufca, kandidat për kryeministër – thanë: “Nuk e duam as Glaukun, do të shkojmë në zgjedhje”.

Sivjet nuk donin kurrfarë propozimi konsensual për President të Republikës. Dhe çfarë bëmë ne? Më pak se 30 orë para mesnatës, ndërmjet 5 dhe 6 marsit, propozuam Konjufcën – mbi 318.000 vota. Nëse s’kemi kandidat konsensual, atëherë po e prezantojmë atë që ka më së shumti mbështetje popullore, sepse fundi i kuptimit të demokracisë, ky është kuptimi i zgjedhjeve elektorale. Dhe kundër kandidatit Glaukut, më pak se tre orë para mesnatës ndërmjet 5 dhe 6 marsit, ishte deputetja jonë e nderuar doktoresha Fatmire Mulhaxha-Kollçaku – thanë: “Nuk i duam këta asnjërin”. Me dekret presidencial, u thanë të gjithë deputetëve: “Shkoni në shtëpi”.

Kur ishin bërë vetëm dy muaj e gjysmë që ishin mbajtur zgjedhjet – të fituara nga ne – morëm një kohë shtesë prej rreth pesë javësh. U përpoqëm me krejt çka të mundemi. Lidhjes Demokratike të Kosovës i thamë: “Ejani në bashkëqeverisje – zëvendës kryeministrin dhe katër ministri, që është dyfishi asaj që ka partia Guxo”. Thanë: “Jo”. Atëherë edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, edhe Partisë Demokratike të Kosovës u thamë: “Meqë keni shumë hall që ne po i marrim tri pozitat e larta shtetërore, le ta bëjmë një rotacion në kryesinë e Kuvendit: ju merrni kryetarin e Kuvendit, ndërkaq kryetarja jonë bëhet nënkryetare, nënkryetari juaj bëhet kryetar – ose dhe kryetari i partisë le të bëhet kryetar, është çështje e tyre. Së pari LDK-së? Jo. PDK-së? Po ashtu, jo.

Dhe kur as kjo nuk pati sukses, ne thamë: “Tërhiqen Glauku dhe Fatmirja, nëse ju na i sjellni tre emra”. Sepse PDK-ja me 22 deputetë dhe LDK-ja me 15 deputetë duhet të bëhen bashkë që të propozojnë një emër të vetëm. Ne u thamë: “Ju që bashkë kur bëheni mund të propozoni vetëm një emër, ju propozoni tre emra dhe ne ja garantojmë që njëri prej tyre zgjidhet”. Edhe a dinë si e garantojmë? Ju them: jua garantojmë sepse së pari ua japim nënshkrimet që ata të kualifikohen për aplikim, dhe në fund jua garantojmë që do të zgjidhet njëri prej tyre.

Asnjë përgjigje prej tyre. Dhe kur japim përgjigje – bllokim, refuzim. Tre kandidatë, PDK dhe LDK, që i kanë vetëm 37 nënshkrime në rastin më të mirë, kanë mundur të na i propozojnë. Ndërkohë që atyre u nevojiten 90 nënshkrime. Por ata me 37 – në rastin më të mirë – dhe ne si mazhorancë me 66 kandidatë do të mbërrinim edhe mbi 100 nënshkrime, kështu që 90 do t’i kishim të sigurta. Paramendoni seancën e Kuvendit të Republikës ku duhet të votohet për njërin prej tre kandidatëve që të gjithë të propozuar nga opozita – e cila përndryshe, kur bëhet bashkë (këtu po e fusim edhe subjektin tjetër AAK-në), PDK, LDK, AAK – të trija së bashku kanë 43 deputetë. Ne 57. Krejt me i ba bashkë, nuk bëjnë sa ne. Krejt me i ba bashkë, duhet me ua shtuar edhe 1/3 e tyre me u ba sa na. E ne ju thamë: “Ju propozoni tre kandidatë, ne jua zgjedhim njërin”. Thanë: “Jo”.

Partia Demokratike e Kosovës ndodhet në kuadër të familjes së partive liberale evropiane – Renew Europe, “Ripërtërije Evropën” – kështu quhet familja e partive liberale në Evropë, ku bën pjesë PDK-ja. Lidhja Demokratike e Kosovës bën pjesë në familjen evropiane të partive të djathta që quhet Partitë Popullore Evropiane. Le të shkojnë edhe PDK, edhe LDK, le të pyesin në familjet e tyre ideologjike evropiane: çka mendojnë ato për ofertën e kryeministrit dhe kryetarit Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje për bashkëqeverisje e për ndarje pushteti në shtetin demokratik? Por nuk guxojnë ta bëjnë këtë, sepse është absurd refuzimi i tyre për propozimet tona. Madhësia e vogël në të cilën kanë rënë – të mos pranojnë këto oferta gjeneroze tona – tregon se situata është irracionale. Por ne jemi subjekti fitues dhe racional. Ndërkohë që bllokimi është bllokim i humbësve dhe irracional.

Të nderuar delegatë, aktivistë,

Ata po bllokojnë, por ne do të vazhdojmë. Republika e Kosovës ka ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiun; ka kryeministrin në detyrë, mua; ka qeverinë në detyrë, gjithë këta ministra e zëvendësministra. Ajo çka nuk ka Republika e Kosovës, është Parlamenti. Opozita e ka skenën – Parlamentin – se ajo në qeveri nuk është. Ajo e ka privuar veten nga skena e vet. Prandaj shteti ynë me punët e mbara e të mira do të vazhdojë.

Ky bllokim nuk është pra thjesht bllokim ndaj nesh – para së gjithash është bllokimi që ia bëjnë vetvetes së tyre. Pas zgjedhjeve ne sërish do të kërkojmë bashkëpunim për një president jo partiak, për një president të ri jashtë skenës aktuale politike, me integritet e me kompetencë, me vlera, me merita profesionale e kombëtare. Dhe ata e dinë që kjo ofertë e jona është shprehje e hapjes sonë, që është tipike për një subjekt demokratik.

Për atë që ata mbase nuk e dinë, dhe është mirë ta kuptojnë, është se edhe populli e di të vërtetn. Është kot që të përpiqen ta mbulojnë të vërtetn me sajesa, me sofizma, me narrativa false që i përsërisin nëpër mediat e tyre private. Një mendimtar i njohur thoshte se e vërteta nuk ka nevojë për shumicën që të mbetet e vërtet, por shumica ka nevojë për të vërtetn që të mbetet e lirë. Dhe në Kosovë, shumica e di fort mirë të vërtetn dhe ajo është e lirë. Dhe nga kjo liri, populli, shumica e votuesve që e dinë të vërtetn, e kanë 7 qershorin.

Kjo e vërtet edhe njëherë do të kthehet në votë. Edhe njëherë Vetëvendosja do të dalë e para. Edhe njëherë Vetëvendosja do të lëvizë përpara – më e madhe se e dyta dhe e treta së bashku. Edhe njëherë do të bëjmë thirrje që opozita të bëhet konstruktive për shtetin dhe popullin tonë. Ata duan të na lodhin, por ne nuk lodhemi dot, sepse misioni ynë është pakrahasimisht më i rëndësishëm se çfarëdo lojërash të tyre.

Mandati i ardhshëm nuk është thjesht vazhdimësi – është përshpejtim. Te punësimi, nuk do të ndalemi derisa t’i arrijmë 500.000 të punësuar. Kjo do të thotë se çdo familje në Kosovë do të ketë të paktën dy anëtarë të punësuar me paga dinjitoze. Investimet: 1 miliard euro në shpenzime kapitale. Do të përfundojmë autostradat që mbetën peng i korrupsionit të vjetër dhe i shpenzimeve të kurdisura. Do të ndërtojmë spitale që shërojnë dhe shkolla që edukojnë për shekullin 21. Edhe për ushtrinë tonë – 1 miliard euro investime. Edhe për prodhuesit tanë do të shpërndahen 1 miliard euro subvencione për teknologji, makineri të reja prodhuese.

Mërgata – ju e dini – departamenti ynë më i madh është jashtë vendit. Mërgata nuk është bankomati i Kosovës, është zemra e saj. Në mandatin e ri do të integrojmë kapitalin dhe dijen e tyre direkt në motorin tonë ekonomik.

Tek drejtësia – vetingu do të kryhet. Byroja për konfiskimin e pasurisë së paligjshme të pajustifikueshme do të funksionalizohet. Nuk do të lejojmë që gjykatat të jenë strehë e krimit, por patjetër të bëhen tempull i drejtësisë.

Do ta përfundojmë hekurudhën Prishtinë–Durrës. Do të ndërtojmë autostradën Prishtinë–Gjilan, rrugën e Dukagjinit. Pesë diga të reja për ujin dhe energjinë. Do ta kthejmë Brezovicën në xhevahir të turizmit dimëror me gjysmë miliard euro investim. Do të sjellim valutën digjitale të Kosovës. Do të ngremë kullën e TIK-ut dhe do ta afrojmë transportin publik anembanë me 10 euro në muaj për biletë të integruar.

Të ardhmen nuk e presim – po e ndërtojmë me themele të forta e duar të pastra. Lojërat Mesdhetare 2030, Teatri i Operës dhe Baletit, Muzeu i Artit Bashkëkohor, fabrika e municioneve dhe dronët “Made in Kosova” – këto nuk janë ëndrra, por projekte konkrete të cilat tashmë kanë nisur. Ne nuk jemi ambiciozë për vete, sepse jemi të rinj – ne jemi të rinj sepse jemi ambiciozë për shtetin.

Të dashur aktivistë,

Në javët që vijnë, ju do të jeni zëri ynë, ju do të jeni shpirti i lëvizjes. Mos harroni: ne nuk kemi nevojë për vota të blera, sepse ne kemi mendje e zemra të vendosura për çështjen kombëtare shqiptare dhe për Republikën Demokratike të Kosovës.

Duhet të punojmë shumë. Por porosia ime për çdo aktivist është ajo që e themi gjithmonë: jo vetëm punë shumë, por punë për shumë veta. Shpërndajeni detyrën, angazhojeni fqinjin, mikun, familjarin. Sa më shumë njerëz të përfshirë, aq më e lehtë, aq më e madhe, aq më e thellë dhe aq më e pastër fitorja. Pragu i të tjerëve është 5%. Pragu ynë vitin e kaluar ishte 50%. E kësaj radhe po bëhet edhe më i lartë – 60%.

Kosova jonë e dashur është e vogël për t’u ndarë e për t’u shitur, por është e madhe për t’u forcuar e për t’u rritur. Me 7 qershor ne nuk votojmë vetëm për partinë – ne votojmë për të vendosur nëse duam të kthehemi prapa në errësirën e zhvatjes, apo të ecim përpara në dritën e zhvillimit.

Guximi nuk është mungesë e frikës, por gjykimi se diçka tjetër na është më e rëndësishme se frika. Dhe për ne, Republika, demokracia, sovraniteti, dinjiteti, pavarësia, mirëqenia e përparimi janë më të rëndësishme se çdo gjë. Kjo na jep guxim përtej çdo droje, përtej çdo frike – kjo na bën të mos ndalemi.

Me 7 qershor le të bëhemi bashkë për prindërit tanë që meritojnë pleqëri me dinjitet, për rininë tonë që meriton të ardhme në vendlindje, për Kosovën tonë që meriton të jetë e lirë, e pavarur dhe e zhvilluar.

Qeverisja jonë është demokratike. Kosova do të ketë edhe president të unitetit, në përputhje edhe me frymën tonë, e cila u shpreh së fundmi në Kuvendin e Republikës, përkatësisht në seancën e mbrëmë të legjislaturës së 10-të, kur u tërhoqën Glauk Konjufca e Fatmire Mulhaxha-Kollçaku vullnetarisht dhe propozuam lideren e shoqërisë civile, doktoreshën Feride Rushiti, për Presidente të Republikës. Por sërish, ashtu siç jemi mësuar nga hera – ne propozojmë, ata refuzojnë.

Por më 7 qershor do të ndodhë kjo në një mënyrë tjetër: ne që propozojmë, fitojmë; ata që refuzojnë, mbarojnë. Sepse e dimë çfarë duam: popullin e lirë, shtetin e fuqishëm, Kosovën fituese. Dhe do t’ia dalim, sepse kur Vetëvendosje ngre zërin, bllokadat e vjetra dridhen derisa të shemben. Kur populli bashkohet, nuk ka dikë që e ndal.

Me 7 qershor, fitorja nuk do të jetë e imja, por e çdo nëne që merr shtesën, e çdo punëtori që sheh rrogën e rritur, e çdo studenti që studion pa pagesë, e çdo ushtari që ruan kufirin, e çdo fermeri që kultivon tokën, e çdo polici që garanton sigurinë, e çdo mërgimtari që do të kthehet dhe do të ndihet krenar.

Së bashku, pa u ndalur, me zemër, me mendje, për fitore të thellë – nuk lëshojmë pe. Për Kosovën e të gjithëve, pa lënë asnjë prapa. Me punë dhe nder, me dije dhe guxim, drejt fitores – Vetëvendosje!

Ju faleminderit shumë për vëmendjen, pjesëmarrjen dhe mbështetjen masive e të vazhdueshme.