Ballina Lajme FTESA PËR NË POLICI

FTESA PËR NË POLICI

Vetëm kah mëngjezi e kishte katulluar gjumi. Kur i doli, ishte bërë vonë. U çua menjëherë, se iu kujtua porosia që i kishte bë baba dy ditë më parë. I kishte thënë që, të shtunën, t’i shkonte te shtëpia për t’i ndihmuar në zgjerimin e një kapixhiku. Do të bënte dasëm e do ta martonte Taxhedinin, djalin që kishte me gruan e dytë. Mori sqeparin dhe shkoi. E gjeti duke punuar rreth prishjes së atij kapixhiku. I hyri edhe ai punës. Pas nja një ore, tamam në të përfunduar, ia behu djali tetëvjeç, Armendi.

– Babi, – ia bëri ai i zënë në frymë, duke zgjatur një letër që kishte në dorë, – dikush erdhi te dera e na e dha këtë letër.

Sapo i hodhi një sy, Lavdimit i ra sqepari nga dora. Ishte ftesë nga policia. Ndjeu këputje në këmbët. Ah, nënën, tha me vete, si shkova për nji fjalë goje! Shkoi u ul pak më tej, në një cung druri. Ishte e shkruar maqedonisht:

SVR – Tetovo.

Pokana

Za L. D. ul. Vardarska br. 55. dhe vazhdonte të shkruante në maqedonisht: …

(Personi të paraqitet menjëherë në Sekretariatin e Punëve të Brendshme, në dhomën nr.15. Për mosparaqitje do të dënohet sipas nenit…)

E gjithë kjo ishte e nënvizuar me tri vija të kuqe.

Oh, nëëënën! – ia bëri prapë me vete, duke u rënë gjunjëve. Hoqi vështrimin që andej. Më ka ndëgjuar dikush nga rruga, përtej murit, dhe më ka paraqit! Po po, me siguri më ka ndëgjuar dikush nga rruga! Ka mundësi edhe ndonjë polic apo agjent, se rrugët tash janë plot me të tillë. I mbajnë veshët nga të gjitha anët, si zagarët. Kjo do të jetë, me siguri, s’ka si të jetë ndryshe. Ai nuk mund ta bëjë këtë. E di se çka e pret pastaj. Eh, edhe unë, sa shumë kam bërtitur! Kushedi ku jam ndëgjuar!

– Hë, bre bir, – e ndërpreu baba nga këto mendime, – pse është ajo letër? – dhe u ul pranë tij.

Lavdimi e pa në sy, po nuk foli. U mendua nëse duhej t’i tregonte ose jo. Kur ai e pyeti edhe njëherë, ia tha:

– Më thërrasin në polici.

– Hë be! Po pse?

Lavdimi pa si iu mrrolën vetullat dhe një shqetësim që i mbuloi ballin.

– Nuk e di, bre babë, po mos u bëj merak, – i tha me një zë që iu duk se nuk ishte i veti. – Në ndonjë organizatë nuk jam. Për këtë të jesh i sigurt. Për tjetër, nuk di çka të të them. Megjithatë, derisa më thërrasin, diçka kanë, prandaj duhet të shkoj. Mos u bëj merak, a? – dhe u ngrit.

Kur doli në rrugë, ktheu kokën edhe njëherë prapa dhe pa që baba i ishte vënë mbas. E priti.

– Xhi mund të jetë kjo, bre bir? Mos ke bërë ndonjë send, helbete? – e pyeti ai me një zë që sa vinte e i këputej.

– Jo, bre babë, jo, s’kam bërë kurrgjë! Të thashë, mos u bëj merak! Ata bëjnë punën e vet.

Arritën te vendi ku kishte ndodhur zënka e djeshme me Dexhallin. Ndali hapat dhe bëri me gisht kah bahçja, prapa murit.

– Gje mbas dreke imi zënë me Safetin atej. Unë kam bërtitur shaum dhe…

Në këtë e sipër, hynë mbrenda. Ia tregoi fije e për pe.

– Me qenë, çekjo duhet t’jetë. Kam bërtitur, shaum kam bërtitur. Më kanë ndëgjuar sigurisht nga rruga, se tash rrugët janë plot me spiunë.

– Of, oof, xhi paski bërë! – ia bëri baba me zë të shterrur.

Lavdimi hoqi teshat e vjetra, u vesh me ato që shkonte në punë dhe doli. Gjithë kohën, deri sa arriti te dera e Sekretariatit, disa herë tha me vete: Ah, nënën, si shkova për nji fjalë goje…

Te dera, një polic e pyeti se kush i duhej. Lavdimi ia zgjati ftesën. Si i hodhi një sy, i tha përsëri në maqedonisht:

– Hajde me mua!

Korridorin e gjatë ku kaluan dhe shkallët Lavdimi i kishte të njohura. Edhe atë të katit të dytë. Erdhen e u ndalën para derës numër 15. Polici hapi derën dhe i bëri me krye të hynte. – Prit këtu, – i tha.

Lavdimi nuk u ul në karriken që ishte afër tavolinës. E dinte që do vinte inspektori dhe do duhej t’i ngrihej. Pas një copë herë, u hap dera. Në të u duk Bedri Sinani. Ai zgjati kokën dhe i bëri me gisht të shkonte kah ai.

– Eja në zyrën time, – i tha, dhe vetë mori andej, nja dy hapa përballë, drejt një dere të hapur. Lavdimi i shkoi pas. Kur hyri, e mbylli derën dhe pa si udbashi u fut matanë tavolinës luksoze, në formë gjysmëharku, që mbulonte tërë skajin e zyrës mesatarisht të madhe. Pastaj u ul në fotelen ringishpil, mbështetasja e së cilës kalonte kokën e tij. Sipër, një televizor i madh dhe fotografia e Josipit.

– Ulu, – i tha ai, duke bërë me kokë kah karrikja që ishte përballë.

U ul. Puthiti këmbët dhe i futi duart në mes. I mbledhur kruspull, sytë i gozhdoi në sipërfaqen e tavolinës së zezë. Priti kur do t’i thosh se çka ke bërë, si je sharë e kë kishte sharë. Por jo, ai nuk e nisi me këto.

– Hë bre, Lavdim, – iu drejtua si me të qeshur, – çka është puna me ty? Ti prapë po përzihesh si 68-tën. E di ti se shpëtove atëherë pa u burgos, kur të gjithë shokët e tu u futën në burg? Çka është puna? Ti prapë po përzihesh.

– Nuk di për çka është fjala, – foli Lavdimi, duke e parë në sy, dhe priti. Nuk ia zuri emrin me kast, se, po t’ia zinte, duhej t’i drejtohej me lalë, si më i madh që ishte. – Nuk di çfarë të them. Nuk e di për çfarë më keni thirrur.

– Ti e di që 68-tën i vune vetes një bisht e tash prapë po përzihesh. Ti ke edhe vëllezër tjerë që unë t’i njoh, po ata nuk kanë bërë e nuk bëjnë kështu si ti. A?

– Nuk di për çfarë bishti e keni fjalën. Unë mendoj se nuk kam bërë gjë dhe s’ka pse të kem vënë bisht.

– E di ti, e di, e di shumë mirë! More pjesë në demonstratë dhe shpëtove pa një ferrë në këmbë. E sheh televizorin këtu? – dhe bëri me gishtin e madh sipër kokës së vet.

– E shoh, – ia bëri Lavdimi, duke parë andej.

– Eh, ty të kemi në televizor. Të shohim kah shkon, ku shkon, me kë shkon, ku ndalesh, me kë ndalesh, sa e çka bisedon. Të gjitha i shohim.

– S’e di. Ju bëni punën tuaj, kurse unë mendoj se nuk kam bërë gjë, – tha Lavdimi pas pak dhe uli kokën se nuk e shikonte dot. Me vete ia bëri: ma rr… qu… duke i thënë disa fjalë që nuk thuhen këtu. Sikur unë është gjithë populli dhe ju nuk mund ta shihni gjithë popullin se çfarë bën. Na, ma hëngësh… tha me vete prapë fjalë vullgare. Lele, he nënën, sa okolla i shkon nënës. Shih tash kur do të më thotë se çfarë ke bërë, si je sharë, kë ke sharë! Tuh, nënën, shkova për një fjalë goje! Qëndro tash. Ta ka bërë mendja e goja, tash do ta heqë koka, i tha vetes.

– Nuk di gjë, jo, – foli me zë kur pa që tjetri priste e nuk ia hiqte sytë. I shtrëngoi duart me të dy këmbët dhe u mblodh edhe më shumë.

– Hajde, hajde, se nuk kam kohë të merrem me ty gjithë ditën. Kam edhe tjerë që më presin. Pse ti nuk e ke pru atë afishen që gjetët në shtëpi, po e ke çuar gruan? – vazhdoi udbashi.

Hë, ia bëri me kënaqësi Lavdimi, i çliruar nga makthi i madh që e kishte stisur tërë kohën. Mori frymë lirshëm dhe çliroi këmbët. Një lehtësim ia përshkoi shpirtin e trupin. Hesht, se tjetër gjë qenka, tha me vete. Nuk qenka ajo puna e djeshme, ajo që mendojsha unë. Drejtoi trupin dhe vuri këmbën mbi këmbë. U mbështet në mbajtësen e karrikës sa ajo, me kërcëllimën e saj, sikur i tha: – E, o derëzi, më ngadalë!

– A për këtë qenka fjala, a? – foli qetë-qetë duke e parë në sy. – Po pse s’ma thue me kohë, po e zgjate kaq shumë! Unë kujtova se kushedi për çfarë më ke thirrur! Eh, tash do të të tregoj pse. Atë e ka gjet gruja, dhe gruja e ka pru, o Bedri! – i tha, duke ia zënë për herë të parë emrin në gojë. Vetëm sa nuk e hapi gojën e të vazhdonte me uti, kur e mbylli me m.

– Mirë, mirë, – u ngut të thotë ai, – edhe të tjerëve ua gjejnë gratë, po nuk i bien ato, po burrat. Nuk asht adet që gratë tona ta bëjnë këtë. Kjo s’ka ndodh deri tash te askush, edhe pse ka shumë që janë gjetur dhe i kanë pru. Asht desht ti ta sjellish, jo ta çosh gruen!

Burra hamami janë ata, deshi t’i thotë, po hajde se ta kam lujt nënën tash që nuk qenka ajo që mendoja! Kurse atij, krejtësisht i lehtësuar, iu drejtua:

– Unë mendoj se kam bërë mirë, o Bedri … (me vete e tha muti). – Ta kisha gjetur unë, unë do ta sjellsha (me vete tha: agjetekoftë). Pastaj, unë nuk e kam gruen e mbyllët, si shumë të tjerë. Ajo është arsimtare dhe vetë e gjeti, vetë le ta binte. (Kësaj i mshoi me qëllim, se e dinte që vetë udbashi e kishte gruen të pashkolluar, të mbuluar e të mbyllur në shtatë dryna). – Po ta kisha gjetur unë, unë do ta sillsha! – i tha përsëri. (kurse me vete: ma rrofsh q… ma rrofsh! I kam gjetur edhe tri të tjera pastaj, po i kam gjetur vetë dhe nuk jam aq budalla e t’ua sjelli juve gjakpirsave. Si mund t’i sillja, kur në krye të tyne shkruante: lexoe, shpërndaje, armikut mos ia dorëzo. I kam lexuar kushedi sa herë dhe i lexoj ende. I kam të fshehura nën tjegullat e murit të oborrit, prapa shtëpisë, dhe aty gjenden edhe sot e kësaj dite, o udbash i fëlliqur!. S’pata çka t’i bëj gruas që e kisha shtatzanë, se do ta shihshe ti, kur ta shohish parzmën e qafës tënde!).

– Hajde, hajde! Se nuk kam punë vetëm me ty unë, – tha udbashi. – Më presin plot të tjerë. Shko në zyrën tjetër dhe të japësh deklaratë me shkrim si e keni gjetur. Ka aty edhe laps edhe letër. Shko!

Lavdimi doli dhe hyri në zyrën ku i tha. Mori lapsin dhe shkroi ashtu siç kishte ngjarë. E mori me mend që edhe e shoqja ashtu do ta kishte shkruar katër muaj më parë, kur e gjetën. E mendoi që, mbase, këtë e kërkonin ata, a do të përputhen deklaratat e të dyve.

Dhe ja si kishte ngjarë, megjithëse ai aty nuk i shkroi të gjitha:

Ishte muaj janar. Ata zbritën shkallët bashkë dhe Lavdimi u drejtua kah garazhi, ta hapë derën, kurse ajo kah dera e oborrit. Duhej ta nxjerrnin veturën. E shoqja ishte shtatzënë me Argjendin e ardhshëm dhe ai e çonte në punë, se rruga ishte me akull e trembeshin mos rrëshqiste diku. Pranë derës, mbrenda, ajo gjen një tufë letrash të shkruara me makinë, të lidhura me tel në skaj. E ngriti ta shohë. Ç’të shohë! Sipër ballinës një djallë e një vajzë të vizatuar, njëri me pushkë e tjetri me kazmë në krah. Nën të, nga skaji në skaj, fjalët: LEXOE, SHPËRNDAJE, ARMIKUT MOS IA DORËZO! E befasuar nga kjo, thërret:

– Lavdim, shih çka gjeta!
– Çka gjete! – i tha ai, duke kthyer kokën, ende pa e hapur derën e garazhit. Në dorën e saj pa tufën e letrave dhe la derën e u dha andej. Ia mori dhe pa po të njejtën gjë.
– Do ta çojmë! – tha ajo e trembur.
– Ku do ta çosh? – e pyeti.
– Në polici, ku!
– Je në vete? – tha ai, duke i rënë tamthit me gisht.
– M’i jep! – i tha ajo dhe ua ngjiti letrave.
– Nuk t’i jap! – kundërshoi ai. Por ajo nguli këmbë t’ia merrte me zor. Ia shkëputi nga dora.
– Do t’i çojmë! Ata i hudhin vetë! I provojnë njerëzit nëse do t’i çojnë ose jo! Kush i çon, e kush nuk i çon!

– Mos u bëj e marrë! Nuk është e vërtetë!
– E vërtetë, e vërtetë! I kanë parë njerëzit! Veselin e Pirrokut e kanë parë, atë që punon në polici. Andej, te rruga rreth lumit. Nga dritarja me dritë të fikët e kanë parë. Natën e kanë parë.
– Nuk e besoj! Folin njerëzit kot!
– Nuk folin kot, jo! – tha ajo dhe zgjati kokën mbi derë. Ec, ec! – ia bëri me zë të ulët, – ec ta shohësh policin si shkon teposhtë! Ai e ka hedhur! Jam e sigurtë! Hajde ta çojmë!
– Mos, se mbarre! – kundërshtoi Lavdimi me zë të ulët. Ai pa që e shoqja ishte bërë limon. Hej dreq o punë, tha me vete. Se mos më ngjan diçka. Është trembur shumë. Nga frika çka nuk ngjan. – Hajde pra, – tha pas pak, – çoe, dreqi e mori! Ti ama do ta çosh! Unë do të të pres te muri i lumit, përpara derës së policisë. Hajde!

Kur erdhën te muri, ajo bërtiti dhe u nis drejt derës kryesore. Lavdimi e pa nga dritarja e veturës kur ajo, te dera, i tregoi një polici ftesën dhe hyri pas tij. Më nuk e pa. Priti nja 15-20 minuta dhe ajo u duk përsëri te dera. E ndezi veturën e i dha gaz drejt Çarshisë së Epërme. Nuk i tha asnjë fjalë. Ishte bërë tym. As kur zbriti te shkolla nuk e përshëndeti. Erdhi në shtëpi dhe u shtri në krevat me duart vënë nën krye. U krodh në mendime. Rafiu i bën këto, tha me vete. Eh, i shkreti, sa shumë po flijohet. Nuk e paska ditur tamam derën time, se nuk ma hidhte ai mua…

Marrë nga libri:
Hamdi Islami – “Gjurmëve të Jetës”
Vëllimi 3
Tetovë, 2015