Ballina Lajme ILIRËT DHE MAQEDONIA NË PERIUDHËN PRE- E PROTOHISTORIKE

ILIRËT DHE MAQEDONIA NË PERIUDHËN PRE- E PROTOHISTORIKE

Dr. Muzafer Korkuti
Tiranë

Në mijëvjeçarin e parë p.e. sonë ilirët banonin tërë pjesën perëndimore të Ballkanit dhe ishin një nga dy popujt më të mëdhenj të gadishullit. Në perëndim kishin si kufi natyror detin Adriatik, kurse në lindje lumenjtë Morava e Vardar.

Në sajë të kërkimeve shumëvjeçare të bëra nga arkeologët D. Simoska, V. Sanev, B. Kitonovski etj., në territorin e Republikës së Maqedonisë është arritur të formohet një pasqyrë e qartë dhe relativisht e plotë e parahistorisë së Maqedonisë. Është studiuar dhe është vënë në dukje më mirë lugina e Vardarit, si pjesë e rrugës kryesore të Ballkanit të Vjetër, e rrugës Moravë–Vardar. Është gjurmuar e është studiuar mjaft gjerë krahina e Pelagonisë, e cila në zhvillimin e saj kulturor ka qenë e lidhur ngushtë me Thesalinë (Greqi). Një vend të veçantë zënë kulturat e krahinës së Ohrit, të cilat, nëpërmjet luginës së Drinit dhe Qafës së Thanës, kanë qenë të lidhura ngushtë me kulturat e pjesës perëndimore e bregdetare të Adriatikut. Karakteri dhe zhvillimi kulturor i krahinës së Pollogut, për fat të keq, nuk njihet ende në masën e duhur, por edhe këtu, duke marrë parasysh afërsinë me krahinën e Kosovës dhe lidhjet me kulturat e luginës së Drinit, ka shumë mundësi të pritet një zhvillim i ngjashëm me atë të krahinës së Ohrit.

Duke u ndaluar sipas epokave kryesore, vlen të vëmë në dukje se në Pelagoni, për epokën e gurit të ri, një vend të veçantë zë grupi kulturor i Porodinit, i cili lidhet në treguesit themelorë me kulturën e fazës së hershme të Diminit në Greqi. Lidhje shumë të ngushta ka kultura e Porodinit me kulturën e neolitit të hershëm të vendbanimit të Rajcës, që ndodhet në fushën e Domosdovës, rrëzë Qafës së Thanës në Shqipëri. Kjo provohet nga qeramika e veçanërisht nga objektet e kultit të përfaqësuara nga tryezat dhe figurina zoomorfe prej balte.

Një dukuri krejt e re në neolitin e vonë dhe në eneolit paraqesin gjetjet e Ustie na Drina (Grykës së Drinit) në Strugë, ku është zbuluar një vendbanim i tipit palafit, i ndërtuar mbi hunj. Ai është i njëjtë me vendbanimin palafit të Maliqit, i zbuluar në brigjet e lumit të Devollit. Po ajo që i lidh më mirë dhe i vë në raporte të drejtpërdrejta kulturore Maliqin II të kohës eneolitike me Ngushticën e Drinit është begatia e jashtëzakonshme e veglave prej kocke dhe guri. Po shumë e pasur është edhe qeramika, e cila, veç lidhjeve të ngushta që ka me atë të Maliqit, është shumë afër me qeramikën e Cetushit, që ndodhet pranë qytetit të Peshkopisë, buzë Drinit, dhe më në veri me kulturën e vendbanimit të Reshtanit dhe të Hisarit I në Kosovë, edhe më në perëndim afrohet me grupin kulturor danilik, Danilo në Dalmaci, të bregdetit Adriatik.

Në Maqedoni, për periudhën kalimtare nga mijëvjeçari i tretë në mijëvjeçarin e dytë, janë përfaqësuese kulturat e Shuplevcit, në fshatin Dollno Orecovo, Cernobuki pranë Manastirit dhe Bakarno Gumno pranë Prilepit. S’është rast i vetëm në dukje karakteristikat e grupit kulturor Shuplevac–Bakarno-Gumno, se atë e kanë përcaktuar mjaft mirë arkeologët maqedonas. Dua të kujtoj se ky grup kulturor ka lidhje të ngushta me grupin kulturor Bubanj-Hum të Serbisë dhe me kulturën e Maliqit IIIa në Shqipërinë juglindore, si edhe me kulturën e bronzit të hershëm të Nezirit në Mat, Shqipëria e brendshme, me Hisarin II në Kosovë etj.

Lindja dhe shfaqja e grupit kulturor Shuplevac–Bakarno-Gumno lidhet me një ngjarje shumë të rëndësishme, me ardhjen e popullsive indoevropiane nga lindja. Këtë e dëshmon prania e qeramikës trashanike si edhe plastika antropomorfe. Me ardhjen e fiseve indoevropiane dhe shkrirjen e tyre me vendasit filloi të formohej një kulturë e enëve të reja, e cila do të zhvillohej e do të konsolidohej gjatë tërë mijëvjeçarit të dytë p.e. sonë.

Ky zhvillim i pandërprerë kulturor gjatë epokës së bronzit është dëshmuar mjaft mirë arkeologjikisht në territorin e Shqipërisë juglindore, nga kultura e vendbanimit të Maliqit III dhe Trenit II. Në territorin e Maqedonisë Perëndimore, me përjashtim të grupit Armenohori, që shfaqet në Pelagoni qysh në fillim të epokës së bronzit dhe të Cerkvenilivadit pranë fshatit Vranishtë, 5 km në veri të Strugës, për periudhën e bronzit të mesëm e të vonë ka një mungesë të dhënash, që për mendimin tonë vjen nga kërkimet e pamjaftueshme arkeologjike.

Në periudhën e kalimit prej epokës së bronzit në atë të hekurit edhe më tej, në periudhën e zhvilluar të hekurit, kuadri i prehistorisë e protohistorisë së Maqedonisë bëhet përsëri i qartë dhe i plotë. Duke marrë parasysh karakterin specifik të zhvillimit të rajonit të Maqedonisë, është përcaktuar një sistem i veçantë kronologjik i ndarë në tri periudha, të quajtura hekuri I, II e III. Një ndarje e tillë përkon mjaft mirë edhe me kronologjinë e territorit të Shqipërisë juglindore.

Periudha e hekurit I, 1200–800 vjet p.e. sonë, është e lidhur me lëvizjen e madhe të popujve, e njohur me emrin dyndje dorike, dyndje egjeane, dyndje ilire. Ka mjaft të dhëna arkeologjike nga territori i Maqedonisë, i Pelagonisë, i Shqipërisë juglindore, që dëshmojnë se këto zona u përfshinë nga dyndja egjeane. Ilirët luajtën rol, por jo parësor, në këtë lëvizje të madhe të popujve. Prania në këtë territor e disa elementeve kulturore vendëse, si gjatë bronzit të vonë ashtu edhe gjatë hekurit I, provon se ndryshimet që ndodhën nga lëvizjet e popujve ishin të pjesëshme dhe nuk ndryshuan karakterin etnik të territorit të Maqedonisë dhe aq më pak atë të Shqipërisë juglindore. Prova më e mirë për këtë është qeramika e pikturuar mat, e njohur me emrin Tren-Bubusht ose qeramika devollite dhe e përhapur në Shqipërinë juglindore, në Maqedoninë perëndimore dhe në Epir. Ajo shfaqet në fillim të shek. XII dhe vijon të zërë vend parësor deri në shek. VII p.e. sonë, duke u bërë një tipar karakteristik për kulturën e këtyre trevave.

Për periudhën e hekurit I, me rëndësi është edhe ngritja e vendbanimeve të fortifikuara me mure me gurë të papunuar e me lidhje të thatë. Për Shqipërinë juglindore tipik është vendbanimi i Trenit, kurse në rrethinat e Ohrit kalaja e Trebenishtit. Një karakteristikë tjetër e përbashkët është riti i varrimit në tuma, Barç, Kuç i Zi në Shqipëri, Orllovo Çuka, Radanje, Kumanovë etj., në Maqedoni.

Periudha e viteve 800–700 vjet p.e. sonë është koha e ngulitjes dhe e formimit përfundimtar të fiseve ilire, si në pikëpamje kulturore, ashtu edhe etnike. Pjesa më e madhe e lëndës arkeologjike vjen nga varrezat. Ajo përbëhet nga enë balte, objekte zbukurimi dhe armë. Për t’u përmendur janë grupi i stolive të quajtura bronze maqedonase, si varëse në trajtë zogu, në formën e enëve në miniaturë e varëse të formave të ndryshme.

Duke u marrë me problemin etnik të bartësve të kulturës së tumave Orllovo Çuka e Radanje, Maqedonia lindore, Milutin Garashanin shkruan: “Përkatësia etnike e bartësve të kësaj kulture nuk ndesh në vështirësi të mëdha. Vetë zakoni i varrimit në tuma, në të dy këto raste flet për përkatësinë ilire, e cila vërtetohet edhe nga inventari kulturor. Edhe qeramika e këtyre dy nekropoleve, enë me një ose dy vegje mbi grykë oblike, zbukurimi me trekëndësha të incizuar etj., tregon se ka lidhje të ngushtë me gjetjen e grupit të Suharekës në Kosovë, të cilat u përkasin padyshim ilirëve dhe më shumë gjasë dardanëve.”

Në Podgori, gjatë hekurit II, zhvillimi kulturor paraqitet me disa veçori lokale. Krahas varreve me ciste (arka) në tumën e Visoit, shfaqen edhe varre të sheshta, Kamen, Rapash. Tuma, për nga arkitektura e saj, ka lidhje me tumat nga Shqipëria dhe me mjaft siguri mund të vihet në lidhje me ilirët. Byzylykët e gjetur në to lidhen ngushtë me format e njohura të byzylykëve me skaje të kryqëzuara nga Kosova.

Periudha e shekullit VI–IV p.e. sonë, nga ana kulturore, është koha e formimit të kulturës protourbane e importit të dendur të mallrave greke dhe e prodhimit të tyre sipas modeleve greke, për të cilat tani kishte nevojë aristokracia fisnore ilire. Në këtë periudhë shfaqen varre të pasura. Shembullin më të mirë e përbën varreza e Trebenishtit. Autori i gërmimit dhe i studimit të saj, V. Lahtov, në botimin monografik për këtë varrezë, ka përcaktuar tre fazat e zhvillimit të saj, që kapin vitet 1150–325 p.e. sonë, karakteristikat themelore për çdo periudhë dhe përkatësinë etnike. Në përfundim të analizës së materialit shprehimisht shkruan: “Mund të nxirret përfundimi se mbajtësit e kulturës së Trebenishtit kanë qenë fiset ilire jugore, të cilat kryesisht populluan edhe hapësirën e shtetit maqedonas.”

Nga ana shoqërore e historike, periudha e hekurit III është koha e forcimit të aristokracisë fisnore dhe e krijimit të bashkësive më të mëdha që historia i njeh me emrat Dardanë, Peonë, Maqedonë etj. Në këtë kohë krijohen edhe federatat, të cilat paraprijnë formimin e formacioneve të para shtetërore. Gjatë shekujve IV–I p.e. sonë shteti ilir dhe ai maqedonas, si dy shtete të fuqishme fqinje, u ndeshën përballë njëri-tjetrit dhe të dy së bashku përballë agresionit romak.

Si përfundim mund të themi se zona midis Drinit të Zi e Vardarit në periudhën e pre- e protohistorike ishte një zonë periferike ilire, e cila, duke ruajtur karakterin themelor të kulturës ilire, mbart më vete edhe elemente të rëndësishme të kulturave fqinje, pa humbur aspak, gjatë gjithë historisë, karakterin autokton të saj.

PRECIS

THE ILYRIANS AND MACEDONIA IN THE
PRE-AND PROTOHISTORIC PERIOD

Owing to the perennial researches of the archeologists D. Simoska, V. Sanev, B. Kitanovsk on Macedonia, a clear and a relatively complete picture has come to be formed regarding its prehistory. This paper shows the cultural relations in a narrow geographic area, which includes the territory between the Drini i Zi and the Vardar rivers during the pre-and protohistoric periods.

In the early neolithic period in Pelagonia a special position is occupied by the cultural group of Porodin, which is closely connected with the culture of the dwelling place of Rajcë at the foot of Qafë e Thanës in Albania. A complete new phenomenon in the late neolithic and neolithic periods comes to light with the finding of objects at Ustie na Drina in Struga, the culture of which is the same as that of the palofit dwellings of Maliq, excavated at the banks of the Devoll river. The culture of these two dwelling-places is the same with that of Cetush in Peshkopi, that of Reshtan and Hisar I in Kosova and of Doniloj in Dalmatia.

The culture of Shuplevac, of Cernobuki and of Bukarno Gumo are characteristic of the transitory period in Macedonia from the third to the second millenary. These have close connections with the cultural group of Bubanj-Hum in Serbia and with the culture of Maliq III in South Eastern Albania, as well as that of the early bronze age of Nezir in Mat, the internal Albania, with Hisar II in Kosova etc.

Characteristic of the bronze epoch is the continuous cultural development, archaeologically proved, in the dwelling-place of Maliq III and of Tren II. During the period of the middle and late bronze age there is a shortage of data because of insufficient archeological research. In the transition period from the bronze age to the iron one the pre-historic and protohistoric framework of Macedonia becomes clear and complete. In this period the setting-up of the fortified dwelling-places is important as well as the propagation and the great use of tumulus graves.

In conclusion one can say that the area between the Drini i Zi and the Vardar rivers in pre-and protohistoric periods was a peripheral Ilyrian zone, which preserves the fundamental character of the Illyrian culture bearing however important elements of a near-by one.

Marrë nga

Material i simpoziumit

„SHQIPTARËT E MAQEDONISË”

Boton:
MESHIHATI I BASHKËSISË ISLAME NË RM – SHKUP

1994