Ballina Bota Sulm fatal nga një tufë lopësh në Austri: Humb jetën një alpiniste...

Sulm fatal nga një tufë lopësh në Austri: Humb jetën një alpiniste 67-vjeçare, bashkëshorti plagoset rëndë

Një ngjarje tragjike ka tronditur Austrinë të dielën, pasi një grua 67-vjeçare humbi jetën pas një sulmi të egër nga një tufë lopësh gjatë një ecjeje malore në rajonin alpin të Tirolit Lindor. Bashkëshorti i saj, 65 vjeç, mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua me helikopter drejt spitalit, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e sakta të incidentit.

Ngjarja ndodhi të dielën rreth orës 12:30, në një zonë kullote të sinjalizuar në territorin e komunës së Oberlienz-it, në distriktin e Lienz-it në Tirolin Lindor të Austrisë, një zonë e njohur për ecje malore dhe kullota alpine.

Sipas policisë austriake, çifti bashkëshortor po ecte në një zonë të shënuar për kalim nëpër kullota, kur papritur u sulmua nga një tufë lopësh. Autoritetet përshkruan tufën si një numër “mesatar dyshifror” kafshësh, që nënkupton disa dhjetëra lopë të mbledhura në të njëjtën kullotë. Sipas të dhënave paraprake, në atë zonë ndodheshin lopë të disa fermerëve të ndryshëm.

Gruaja 67-vjeçare pësoi plagë fatale dhe ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve emergjente. Bashkëshorti i saj 65-vjeçar u plagos rëndë gjatë përpjekjes për t’i shpëtuar sulmit dhe u dërgua me helikopter në një klinikë për trajtim mjekësor.

Policia konfirmoi se deri tani mbeten të paqarta arsyet pse kafshët reaguan në mënyrë kaq agresive. Një zëdhënës policor deklaroi se hetimet janë ende në zhvillim dhe po shqyrtohen të gjitha rrethanat e mundshme që çuan në sulm.

Ndryshe nga disa raste të mëparshme fatale në Alpe, hetimet paraprake tregojnë se çifti nuk kishte qen me vete në momentin e sulmit. Prania e qenve shpesh konsiderohet një faktor që mund të provokojë reagim agresiv te lopët, veçanërisht te lopët nënë që përpiqen të mbrojnë viçat e tyre. Ekspertët shpjegojnë se bagëtitë mund t’i perceptojnë qentë si grabitqarë dhe, si pasojë, të reagojnë me instinkt mbrojtës, i cili ndonjëherë mund të drejtohet edhe ndaj njerëzve që ndodhen pranë.

Megjithatë, në këtë rast, policia ka përjashtuar përfshirjen e një qeni, duke e bërë incidentin edhe më të pazakontë dhe duke ngritur pikëpyetje mbi shkakun real të agresivitetit të tufës.

Ky nuk është rasti i parë tragjik i tillë në Austri. Në shtator të vitit 2025, një burrë 85-vjeçar humbi jetën pasi u sulmua nga një tufë lopësh në zonën Ramsau am Dachstein, teksa po ecte së bashku me bashkëshorten dhe qenin e tyre. Po ashtu, gjatë verës së vitit 2024, një grua u vra nga një tufë lopësh në landin e Salzburgut ndërsa po shëtiste me dy qen të vegjël. Sulme të ngjashme janë regjistruar edhe në vitet 2017 dhe 2014.

Pas incidenteve të përsëritura, autoritetet austriake dhe fermerët kanë lëshuar vazhdimisht udhëzime për sigurinë në kullotat alpine. Vizitorëve u rekomandohet të mbajnë distancë nga bagëtitë, të mos kalojnë mes tufës dhe viçave, të shmangin lëvizjet që mund të perceptohen si kërcënuese dhe, në rast se kanë qen me vete, t’i mbajnë me zinxhir të shkurtër. Megjithatë, nëse ndodh një sulm, ekspertët këshillojnë që qeni të lirohet menjëherë, pasi zakonisht kafsha mund të largohet më shpejt dhe lopët ndalojnë ndjekjen.

Ngjarja e fundit në Tirolin Lindor ka rikthyer edhe një herë debatin mbi sigurinë e shtigjeve malore që kalojnë përmes kullotave alpine, veçanërisht gjatë sezonit të ecjeve, kur mijëra turistë dhe vendas frekuentojnë zonat malore të Austrisë./TetovaNews