Ballina Lajme Të pathënat e familjeve të Abdyl, Sami dhe Naim Frashërit

Të pathënat e familjeve të Abdyl, Sami dhe Naim Frashërit

Nga Kastriot Bezati

Familja e Abdylit dhe Ballkëze Frashërit

Abdyli, deri sa u bë 18 vjeç, e kaloi jetën në Frashër. Më 1857 shkoi në Janinë, ku jetoi më tepër se 20 vjet. “Kur ishte 18 vjeç, me vdekjen e të atit, Abdyli mbeti kryetar i një familje me shumë frymë. Me preokupimin për mbajtjen e familjes së madhe …, u mor me sipërmarrje të dhjetash, të taksës mbi bagëtinë e të taksave të tjera dhe, pas dy vjetëve, pasi i vdiq edhe e ëma, për të siguruar arsimin e pesë vëllezërve të tij më të vegjël, e la vendlindjen dhe e transferoi krejt familjen në Janinë. Aty ndërsa kryente punën e tij si nëpunës dhe qeverisjen e shtëpisë, natën me vëllezërit në mënyrë bashkëmësimi me ta ka nxënë arabisht, persisht, frëngjisht e greqisht dhe fillimet e diturisë e të shkencave” – thotë Sami Frashëri, Kamus ul Alam, Vëll. V, Istanbul, 1896. Abdyli, më 1865, tërhoqi familjen në Janinë, ku me përjashtim të vëllait të dytë, Sherifit, i cili e ndërpreu shkollën, ndoshta për t’i ardhur në ndihmë financiarisht familjes shumëfrymëshe, të tjerët, Naimi, Samiu, Tahsimi dhe Mehmeti, e filluan dhe e mbaruan gjimnazin “Zosimea”.

Abdyli u martua në moshën 35 vjeç, më 1874, “pasi vëllezërit e tij i mbaruan studimet”, – thotë vëllai i tij, Sami Frashëri. U fejua dhe pastaj u martua me Ballkëzin, vajzën e Ibrahim Frashërit nga familja e Lahçenjëve dhe të Xhenfize Çokut nga familja e Çokllarëve, të cilët quheshin ndryshe edhe Aliçkas. Në atë kohë Ballkëzi banonte pranë të atit, i cili ishte ushtarak i karrierës, në Janinë. Ishte motra e vetme e pesë vëllezërve, Mehmetit, Xhaferit, Fuatit, Sabriut dhe Qazimit, – thotë studiuesi Alfred Frashëri.

Abdyli u shqua si personalitet politik qysh më 1877 dhe, gjatë këtij viti, zgjidhet kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës, deputet i Vilajetit të Janinës në Parlamentin II Osman dhe kryetar i Komitetit Shqiptar të Stambollit. Në vitet 1878 – 1881, Abdyli, ngrihet në lartesitë e një burri të madh shteti, është udhëheqës, ideolog, politikan, diplomat, organizator, veprimtar dhe orator i shquar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Abdyli, nisur nga fotografitë, kishte një trup mbi mesataren, me një portret të gdhendur nga vetëtimat e gjëmimet e historisë, me vështrim të përqendruar në hallet e popullit dhe lirinë e Shqipërisë. “Kujtohem shumë herë me trishtim për Abdyl Frashërin. Një hop kohe e kam parë në jetën time: po përgjithnjë e gjallë është në trutë e mija fytyra e tij … mjekra e gjatë, pak e thinjur, balli i lartë dhe i gjerë, i jepnin Abdyl beut një hije me të vërtetë madhështore; po sytë – dy sy të mëdhenj e të thellë, që kishin shkëlqimin e yjeve edhe forcën e çelikut – dëftenin më shumë, gjithë flagën, gjithë fuqinë e këtij burri. Tepër i papjekur, mjerisht, nuk kuptoja në atë ditë të lumtur për mua, fjalët që dilnin si një zjarr i qërur nga goja e tij. Po ndjeja se ato fjalë ishin të drejta e të larta, ndjeja se ishin për të mirën tonë, për të mirën tënde e për të mirën time, për të mirën e të gjithë shqiptarëve … Shumë ditë më rrëkëllenin në mëndje fjalët e margaritarta që kisha dëgjuar … me trishtim, mendohem sa ka vuajtur ndofta, një i tillë burrë të rronjë e të japë shpirt larg Shqipërisë”, – shkruante Faik Konica më 1898, Efthim Dodona në “Kuvënde Shkencore në Frashër”, Tiranë, 2010.

Ballkëzia, e shoqja e Abdylit, lindi gjashtë fëmijë, nga të cilët djali i parë lindi më 1874 dhe, u quajt sipas emrit të gjyshit, Halid, vdiq shpejt, ndërsa djali i dytë, i cili lindi më 1876 dhe u quajt gjithashtu Halid, jetoi pak më gjatë por dhe ai vdiq fëmijë. Nga pesë djem dhe një vajzë që i lindën, Abdylit dhe Ballkëzit, vetëm djali i tretë, Mit’hati, dhe vajza e vetme, që u quajt sipas emrit të gjyshes, Emineja, jetuan. Dy djemtë e tjerë, që të dy me emrin Feridun, vdiqën njëri pas tjetrit që kur qenë fëmijë, – ka shkruar Kristo Frashëri.

Mit’hat Frashëri lindi më 25 mars 1880 në Janinë. Veprimtar politik, shkrimtar, publicist, përkthyes, i njohur me pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka. Në korrik 1908 themeloi gazetën “Liria” në Selanik, në vitet 1897-1928 botoi revistën “Kalendari Kombiar”, më 1909 themeloi revistën “Dituria”, që doli në Selanik, pastaj në Kostancë dhe më vonë në Tiranë. Më 1908, 14-22.11, mori pjesë dhe u zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit dhe nënkryetar i Komisionit të Alfabetit. Më 1909, 2-8.09, mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit. Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912 si delegat i Përmetit, Elbasanit dhe Pejës dhe nënëshkroi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë. Në qeverinë e Ismail Qemalit u emrua Ministër i Punëve Botore.

Në kabinetet e Turhan Pashë Përmetit, në vitet 28.05.1914 – 03.09.1914, ishte Ministër i Punëve Botore dhe Post-Telegrafës, ndërsa në vitet 25.12.1918 – 29.01.1920, ishte Ministër pa Portofol. Ishte anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1919 – 1920. Më 1920 përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, në vitet 1923-1925 ishte ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi. Në vitet 1926 – 1939 hapi në Tiranë librarinë “Lumo Skendo”. Në vitet e pushtimit fashist “themeloi e drejtoi organizatën e “Ballit Kombëtar”, që bashkëpunoi me pushtuesit gjermanë”, – thuhet në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, Vëll.I, 2008. Në përfundim të luftës u vendos në Itali e më vonë në Londër, ku krijoi Komitetin “Shqipëria e Lirë”. Mit’hati nuk u martua. U nda nga jeta më 03.10.1949, në hotelin “Ëinthrop” të Nju Jorkut dhe u varros në varrezat “Fernchff” të SHBA. Eshtë dekoruar me Urdhërin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.

Vajza e Abdylit, Emineja ose Mimika, siç e therriste i vellai, Mit’hati, u martua ne Fier me Kahreman Vrionin, 1889 – 1955, djalin e Omar pashe Vrionit, 1839-1928. Vrionasit shfaqen në jetën politike e shoqërore të Beratit në shek. XVII, por nga viti 1854 del një degëzimi i tyre edhe në Fier. Nisur nga “libri i bukur i zotit Teki Selenica”, si thotë më 1928 Norbert Jokli, “Shqipëria më 1927”, Tiranë, 1928, edhe në se nuk mund të jesh i mendimit se ky qytet është themeluar nga familja e Kahreman pashë Vrionit, mund të mendosh se qyteti i Fierit është zhvilluar apo rindërtuar nga Vrionasit, nga familja apo trungu familjar i Kahremanit, dhëndrit të Abdyl Frashërit.

Emineja kishte tre vajza, Selmanë, Lilinë dhe Lulunë, – më ka thënë më 18.07.1972 Bele Myteveliu, mbesë, si e konsideronte veten ajo, në familjen e Vëllezërve Frashëri. Lili u martua me Shadan Toptanin, ndërsa Luluja me një shqiptar në SHBA, i cili nga disa të dhëna jo shumë të sakta, quhej Nexhmi. Selmaja, 1915-1995, u martua më 1936 me Tajar Zavalanin, djalin e Fehim bej Zavalanit dhe të Qerime Frashërit. Qerimeja ishte motra e atdhetareve Sabri e Shefqet Frashërit, nga të cilët ky i dyti ishte delegat në Kongresin e Manastirit të vitit 1908 si delegat i Klubit të Korçës.

Dhëndri i Eminesë, Tajari, lindur më 1903 në Manastir dhe martuar më 1936 me Selmanë, kishte një motër dhe tre vëllezër, Adilenë, Asimin, Hysenin dhe Dalipin. Tajari ishte veprimtar politik, historian, publicist. U emërua sekretar i Komisionit Ndërkombëtar për Caktimin e Kufijve më 1923, anëtar i Shoqërisë “Bashkimi”, pjesëmarrës në Revolucinin e Qershorit 1924 dhe, po atë vit, sekretar i Legatës Shqiptare në Romë. Më 1925 shkoi në BS, më 1930 në Berlin ku bashkëpunoi me Fan Nolin në KONARE, më 1933 vjen në Shqipëri, pjesëmarrës në Grupin Komunist të “Të Rinjëve”, më 1940 vendoset në Londër dhe fillon punë në Seksionin e gjuhës shqipe të BBC.

Bashkëpunoi me A.Zogun e me Komitetin “Shqipëria e Lirë” në SHBA, me F.Nolin e Federatën “Vatra”, ishte ndër të tjera edhe sekretari i përgjithshëm i klubit të shkrimtarëve antikomunit i quajtur “Pen Club”. Eshtë përkthyesi në gjuhën shqipe i romanit “Nëna” të Maksim Gorkit dhe autori i veprës në dy vellime “Historia e Shqipërisë”, Londër, 1957 dhe 1966. Vdiq më 19.08.1966 në Londër. Eshtë dekoruar më 16.10.1995 me Urdhrin “Naim Frashëri” Klasit I.

Vjehrri i Selmasë, krushku i Eminesë, Fehimi, është një ndër themeluesit e Komitetit “Për lirinë e Shqipërisë”, kryetar i Klubit “Bashkimi” të Manastirit, drejtuesi i gazetës “Bashkimi i Kombit” e më pas “Drita”, një ndër organizatorët kryesorë të thirrjes së Kongresit të Manastirit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe më 1908. U nda nga jeta më 1935. Eshtë dekoruar më 21.11.2002 me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”.

Emineja, vajza e Abdylit, nga jeta jo e mirë që bënte, u nda nga i shoqi, Kahremani, dhe shkoi në Stamboll, ku punoi edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtëme të Turqisë, – shkruajnë vëllezërit Alfred dhe Neki Frashëri në librin “Frashëri në historinë e Shqipërisë”, Tiranë, 2007.

Abdyli u kap më 27 prill 1881 në afërsi të fshatit Buqës, jo shumë larg Elbasanit. U gjykua në Prizren nga një Këshill Lufte i Portës së Lartë dhe u dënua me vdekje, dënim që iu kthye në burgim të përjetshëm. U burgos më 10 maj 1881 në Kalanë e Prizrenit dhe dolli më 19 ose më 31 maj 1884. U internua në Anadoll, në Belikeser dhe, pas një viti, në Bandërma deri në maj 1886. U fal dhe u vendos në Stamboll.

“Abdyl Frashëri … ka qenë një zotëri me zgjuarsi e guxim të jashtëzakonshëm, i mësuar dhe i durueshëm ndaj mundimeve trupore, trim sa nuk bëhet …E donte shumë familjen e farefisin … Ashtu si jeta e tij edhe vdekja e tij ka qënë e jashtëzakonshme, ka dhënë shpirt duke thënë fjalë burrërore dhe duke dhënë këshilla të mënçura”, – ka shkruar Sami Frashëri, Kamus ul Alam, Vëll.V, Istanbul, 1896. Vdiq më 1892 dhe u varros në varrezat e Merdiven-Qojit të Stambollit. Eshtrat e tij u sollën nga shteti në Shqipëri, në Përmet, më 19 mars 1978, nga një delegacion i përbëre nga Xhorxhi Robo, Luan Omari, Anastas Kondo dhe Duro Kopo.

Qëndroi arkivoli me eshtrat e Abdylit në shtëpinë e tij në Frashër, nga 20 marsi deri më 9 qershor, i mbështjellë me flamurin kombëtar, pastaj u çua në Tiranë dhe, më 11 qershor 1978, u vendos, si dhe arkivoli me eshtrat e Naim Frasherit, të cilat më parë preheshin në Kryegjyshatë, në Varrin Monumental apo Përmendoren e tre Vëllezërve Frashëri në Kodrat e Parkut të Madh të Tiranës, ku ngrihen apo lartësohen edhe bustet e tre vëllezërve, Abdylit, Naimit e Sami Frashërit, të derdhur në bronz mjeshtërisht nga Odise Paskali, Thoma Thomai dhe Spiro Bakallbashi. Arkivoli me eshtrat e Abdylit, u shoqërua nga Frashëri në Tiranë, edhe nga nipi i Sami Frashërit, Emin Ereri. Ballkëzia, e shoqia e Abdylit, u nda nga jeta 24 vjet më vonë në Stamboll, në mars 1916.

Nefiseja dhe Sherifi

Nefiseja u martua me Halim bej Përmetin. Nuk la fëmijë. Tuberkulozi u bë një fatkeqësi e madhe që nuk iu nda familjes shumëfrymëshe me “babëzot”, siç quhej në atë kohë kreu i familjes, Abdylin. Ishte kjo sëmundje që mposhti në fillim Nefisenë, edhe pse ajo kur u nda nga jeta kishte familjen e vet së bashku me të shoqin, Halimin. Më tej kjo sëmundje e rëndë e kohës preku Sherifin e pastaj edhe Naimin e Tahsimin.

Në librin “Tehajjulat” (“Endërrimet”), botuar më 1885, ndodhet edhe vjersha e titulluar “Mbi varrin e sime motre”, shkruar nga Naimi me 1880. Kujt i kushtohet kjo vjershë, Nefisesë apo Shahnishasë? Nefisesë i dimë vetëm lindjen, 1841, ndërsa Shahnishasë i dimë edhe lindjen, 1848, edhe ndarjen nga jeta, 1871. Këto vite jepen nga Alfred e Neki Frashëri, “Frashëri në historinë e Shqipërisë”, Tiranë, 2007. Naimi në vjershën “Në varrin e sime motre”, ndër të tjera shkruan: “Nuk po gjej këtu nga ti asnjë kujtim, / Përveç dheut moj, të varrit, ah ç’mjerim, / Por, mbasi ka gjashtë vjet që jemi ndarë, / Si takim e quaj që vij të të shohë varrë”. Duke besuar se të dhënat e cilësuara më lart, si për Nefisenë ashtu edhe për Shahnishanë, janë të sakta, mendojmë se vjershën “Mbi varrin e sime motre”, Naimi ia kushton motrës së madhe, Nefisesë, dhe, njëherësh, nisur nga ç’thuhet në një varg të vjershës, si dhe kuptohet por si ka edhe më shumë mundësi, Nefiseja është ndarë nga jeta në vitin 1874 dhe është varrosur ose në Përmet ose në Janinë, ku Naimi i shkonte pranë varrit dhe, në një rast, iu drejtua me fjalët: “Ah, sikur, moj, të më flisnje dot një fjalë, / Dhe të t’shihja dhe njëherë atë ballë!”.

Sherifi qëndronte më pranë shqetësimeve e halleve të Abdylit dhe kjo vinte nga mosha, ishte i dyti pas Abdylit. Ai u bënte ballë vështirësive dhe ishte i vendosur në kapërcimin e çdo pengese. Sigurimi i domsdoshëm me punë i mjeteve të jetesës për të mbajtur familjen shumëfrymëshe, e detyroi atë t’i qëndronte sa më afër vëllait të madh, Abdylit, duke mos mundur të vazhdonte, edhe pse kishte dëshirë e vullnet jo të vogël, studimet në gjimnazin “Zosimea”.

Sherifi, u martua kur ishte në Janine me vajzën e një berberi nga Shkodra, që banonte edhe ajo në Janinë, e cila quhej Hatixhe dhe thirrej më shpesh Hexhe, në fillim nga familja e saj ku lindi dhe u rrit e më pas edhe nga i shoqi, Sherifi. Jetoi vetëm 31 vjet, duke lënë të vogël vajzën, Asijen, të cilën e adaptoi dhe e rriti si fëmijën e vet, Naimi.

Kush ishin pasardhësit e Sami Frashërit

Familja e Sami dhe Emine Frashërit

Samiu mësimet e para i mori në Teqen bektashiane të Frashërit. Më 1865 vendoset në Janinë, ku kreu gjimnazin grek “Zosimea”. Punoi për pak kohë në sekretarinë e Vilajetit të Janinës dhe, kur ishte 21 vjeç, më 1871, u vendos në Stamboll dhe filloi punë në Zyrën e Shtypit, – shkruan Sami Frashëri në “Serveti Funun”, 1896.

Ishte një ndër organizatorët kryesorë të formimit të Komitetit Shqiptar të Stambollit më 18 dhjetor 1877, ndërsa më 12 tetor 1879, në moshën 29 vjeçare, zgjidhet kryetar i “Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqipe”.

Në vitet 1884-1885 drejtoi revistat “Drita” e pastaj “Dituria”. Hartoi për nevojat e shkollës shqipe libra, ndërsa më 1899 botoi “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë”, vepër që u përkthye në greqisht nga Fan Noli. Është autori i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke e arabe, përfshirë këtu edhe revistat e gazetat qe ai drejtoi në Turqi, midis të cilave në gjuhën shqipe “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhetë”, ndërsa në gjuhët turke e arabe, “Kamus ul Alam”, në 6 vëllime, për të cilën ai punoi 12 vjet, është autori i fjalorit normativ të gjuhës turke “Kamusi Turki” me 40000 fjalë e shprehje, si dhe autori i disa fjalorëve dygjuhësh frëngjisht-turqisht (1882) dhe “turqisht-frëngjisht (1885), arabisht-turqisht (Kamus-i Arabi). Shkroi në gjuhën turke drama e romane, ndër të cilat veprën “Besa”, botuar më 1875. Disa libra e broshura i përmblodhi te “Biblioteka e Xhepit” dhe, ndërkohë, ai drejtoi revistat e gazetat “Hadika”, “Tarabullus”, “Sabah”, “Aile”, “Hafta” dhe Terxhumani Shark”, që u bë organi legal i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Përktheu edhe shumë vepra, sidomos nga frëngjishtja.

Studiues të veçantë e kanë quajtur Samiun “një përmendore pune”. “Një njeri – një akademi”, – shkruan studjuesi turk Shexhaattin Tural. Të tre vëllezërit, Abdyli, Naimi dhe Samiu, janë simbole të atdhedashurisë dhe emblema të kulturës e diturisë në Shqipëri.

Guri Kr. Sevo, në kujtimet e tija të botuara më 1936, ndër të tjera shkruan: Një ditë e pyeta mësuesin tim, Petro Luarasi, “se cili është më i zoti, Naimi apo Samiu?”. Petro Luarasi iu përgjigj: “Nga cili sy sheh ti më mirë, nga i djathti apo i majti?”.

Samiu, në Stamboll u njoh dhe u martua me Emine Veliye, vajzën e Kazasker Sadedin Efendiut, një familje që ishte nga paria e Stambollit. U martua kur ishte 34 vjeç, më 1884. Me Eminenë bashkëjetoi 10 vjet dhe pati katër fëmije: Samijen, Sadiun, Sadijen dhe Ali Samiun. Me vdekjen e Eminesë, më 1894, pas një viti, më 1895, u martua për së dyti me Ballkëze Frashërin, vajzën e Ibrahim Pashës nga Laçenjtë e Frashërit, që në atë kohë jetonte në Stamboll, me të cilën pati një djalë, Skënderin.

Samija, vajza e madhe, u martua me Rashid Mansur Ererin, i cili për një periudhë ishte ministër i financave të Turqisë. La dy djem: Mehmetin dhe Eminin. Ky i dyti, Emin Ereri, ka ardhur disa herë në Shqipëri. Me të unë jam takuar dhe kam biseduar në Frashër tri herë: më 09.09.1973, kur punohej për ngritjen e shtëpisë së Vëllezërve Frashëri, më 16.06.1974, kur u përurua muzeu “Vëllezërit Frashëri” dhe më 09.06.1978, kur arkivoli me eshtrat e Abdyl Frashërit u nis nga Frashëri për në Tiranë.

Sadiu u nda nga jeta i ri. Sadija u martua me Subi Neshetin, Ali Samiu me Fahrijen dhe Skënderi me një vajzë që e kishte emrin Sabiha.

Ali Samiu, 1886-1951, studioi në shkollën e Gallatasarajit në Stamboll. Më 1905 krijoi klubin e futbollit, që u regjistrua zyrtarisht më 1912. Ali Samiu, apo si quhet nga viti 1934, Ali Sami Yen, ishte presidenti i parë i klubit sportiv të Gallatasarajt, prandaj edhe stadiumit të futbollit të Gallatasarajt, ndërtuar më 1964 me 25500 vende në qendër të Stambollit, iu dha emri “Ali Sami Yen”.

“Samiu ishte i dhënë shumë pas fëmijëve. Në çështjen e edukimit të tyre ai nuk ndalej përpara asnjë sakrifice”, – shkruan studiuesi turk A.S.Levend. “Deri në vitin 1899 në shtëpinë tonë kishte gjithmonë mysafirë. Midis tyre kishte priftërinj, hoxhallarë, shehlerë, dervishë, orientalistë, të huaj, të rinj e të vjetër. Respektonte mendimin e tjetrit dhe dinte të sillej me secilin. Me fëmijët sillej si fëmijë”, – shkruan Ali Sami, djali i Samiut, Hekmet Turhan Daghoglu, “Semsettin Sami”, Stamboll, 1934.

“Samiu … ka pasë shtatin e gjatë dhe …me bel të hollë, me ball të gjanë dhe pak të dalun përjashta. Ngjyrën e syve e ka pasë të zezë dhe shumë të shkëlqyeshme …Si në shtëpi ashtu edhe në shoqëri gjithmonë serioz dhe në të folun i ambël dhe buzagaz …me secilin person ka ngjallë respekt e dashuni të thellë”, – shkruan Niazi Sulçe, Nasho Jorgaqi, “Vëllezërit Frashëri”, 2008.

Samiu ka patur letërkëmbime të shumta. “Samiu ka patur letërkëmbim shumë të gjerë, të dendur, të cilin e zhvillonte në shtatë gjuhët që zotëronte: në turqisht, italisht, gjermanisht, arabisht, persisht, greqisht, shqip. Ai dërgonte 10-15 e deri ne 20 letra në ditë”, – thotë vajza e madhe e Samiut, Sania, që i ka qëndruar vazhdimisht pranë Samiut, Gazmend Shpuza “Gjurmime në epokën e Rilindjes Kombëtare”, Tiranë, 1980. Samiu jetoi thjeshtë, shpesh në varfëri, që nuk iu ndanë edhe borxhet. Sapo u nda nga jeta, shtëpia dhe biblioteka e tij prej 20000 vëllimesh, u shitën që familja e tij të vazhdonte të jetonte. Në një certifikatë që, Këshilli i Lagjes Eren Qoj, i lëshoi pas vdekjes së Samiut gruas se tij, Ballkëzit, ndër të tjera thuhet se ajo ka të drejtë të tërheqë 796 grosh – ja kjo ishte e gjithë pasuria financiare e lënë nga kolosi Sami Frashëri.

Porta e Lartë e ndoqi, e persekutoi, e internoi, e izoloi, aq sa vitet e fundit iu ndalua të dilte edhe nga shtëpia. U nda nga jeta ditën e shtunë, ora 21, ditën e 18 qershorit 1904. Eshtrat ndodhen në varret e njohura të Fario Kunit në Stamboll, – Gazeta “Telegraf”, 19.09-2011.

Shahnishaja, Tahsini dhe Mehmeti

Shahnishaja u martua me Ibrahim Lutfi Bërzeshtën, 1823–1904, nga Bërzeshta, në atë kohë e Kazasë së Starovës, ndërsa sot e rrethit të Librazhdit. Më 1866 mbaroi shkollën e lartë të mjekësisë ushtarake në Universitetin e Stambollit. Po atë vit u emrua me punë në Janinë. Më pas emrohet pedagog në Fakultetin e Mjekësisë të Stambollit. Më 1870 u dërgua në Jemen dhe, pas një viti, më 1871, u emrua profesor në Shkollën Mbretërore të Mjekësisë në Stamboll. Më 1876 u dërgua në Spitalin Ushtarak të Shkodrës dhe, pas disa muajsh, u kthye në Stamboll dhe krejt jetën e kaloj si profesor katedre në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Stambollit.

U gradua kolonel më 1888 dhe gjeneral më 1898. Ibrahim Bërzeshta, kunati i Vëllezërve Frashëri, ishte një personalitet erudit, njohës i disa gjuhëve të huaja, zotërues i disa disiplinave shkencore dhe një pedagog i talentuar. “Prof. dr. Ibrahim Lutfi Pasha konsiderohet si themelues i Universitetit të Stambollit dhe i terminologjisë shkencore mjekësore turke”, – shkruan mjeku i njohur me orgjinë shqiptare Prof. Besim Omer Pasha në librin “Nev-Sali”, 1905. Mori pjesë në lëvizjen kombëtare dhe ishte anëtar i Shoqërisë së Stambollit në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Shahnishaja, mbasi u martua, shkoi dhe jetoi në Turqi. Kishte një djalë, Vasifin, 1870-1931, – shkruajnë vëllezërit Alfred dhe Neki Frashëri, dhe një vajzë, Sadijen, e cila u martua me mjekun Refat Frasheri, – thuhet në librin e Dr. Kadri Kërçikut, “Zhvillimi i Shëndetësisë në Shkodër në shek. XVIII – XX”, Tiranë, 1962. Vasifi, kishte një vajzë dhe një djalë, Lejlanë dhe Orhanin, ndërsa Sadija, vajza e Shahnishasë dhe Refatit një djalë,. Skënderin. Dhëndri i Shahnishasë, Refati, 1862–1934, ishte nga Sulejmanbellinjtë e Frashërit, djali i Myftarit. Studjoi për mjekësi në Universitetin e Stambollit.

Pasi u diplomua punoi në spitalin ushtarak të Shkodrës deri në vitin 1898. Më vonë, deri më 1913, ishte drejtori i Institutit Bakteriologjik “Luis Pasteur” në Stamboll. Realizoi shumë studime në fushën e bakteriologjisë. Zbatoi vaksinimin kundër lisë me anën e gërvishtjes për herë të parë në Shqipëri. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës, krijoi Drejtorinë e Përgjithshme të Shëndetësisë dhe, në vitet 1920–1931, drejtor i kësaj drejtorie ishte mikrobologu i mirënjohur, Prof. Refat Myftar Frashëri. Refati eci në rrugën atdhetare të Vëllezërve Frashëri. Luftoi e punoi për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë në Shqipëri.

Naim Frashëri në poemën “Bagëti e Bujqësi”, botuar më 1866, ndër të tjera shkruan: “Dhe ti Mali-Plak që me sytë e tu ke parë, / Luftra të mëdha e punë që kanë ngjarë” dhe, ky mal, është Mali-Plak mbi Sopotin dhe Bërzeshtën në Librazhd, për të cilin kënga popullore ”Gjorg Golemi, Princi i Sopotit”, thotë: “Në Mal-Plak e mbi Sopot, / Gjorg Golemi kryezot!”. I këndon Malit-Plak dhe Sopotit, që ngrihet edhe mbi Bërzeshtën, ndoshta se ai kishte dëgjuar për Malin-Plak, Gjorg Golemin e Sopotin nga miku i tij, farmacisti ushtarak Halit Bërzeshta i njohur me emrin Bej Baba dhe nga kunati i tij, mjeku ushtarak, Ibrahim Bërzeshta, i shoqi i Shahnishasë.

Tahsini ishte i zgjuar dhe me kulturë, kishte shumë gjëra të përbashkëta me Samiun, i cili, ashtu si dhe Naimi, e vlerësonin shumë. “Hartoi disa punime. Punimi i tij i parë me titull “Meditime” kishte karakter filozofik … Shkroi gjithashtu katër drama me titull “Rexhepi gjakësor”, “Haxhi Efendiu”, “Xhelatët e fëmijve”, kurse titullin e dramës së fundit nuk e dimë. Të gjitha punimet i shkroi turqisht”, – shkruan Kristo Frashëri, “Abdyl Frashëri”, Tiranë, 1984.

Sëmundja e tuberkulozit ndau nga jeta në fillim Nefisenë, pastaj Sherifin dhe më vonë Tahsimin. E ndau Tahsinin kur ai ishte në Janinë. Kur vdiq Tahsini, Naimi ishte në Baden të Austrisë dhe, e mori vesh gjëmën e madhe, se “vdekja kish marrë Tahsinin” kur u kthye nga Austria në Janinë, – shkruan Nasho Jorgaqi , “Vëllezërit Frashëri”, Tiranë, 2008. Vjersha me titull “Në vdekje të vëllait”, shkruar më 1877, botuar në përmbledhjen poetike “Tehajjulat” (“Endërrimet”), më 1885, tregon dhëmbjen e madhe të Naimit, i cili ndër të tjera shkruan në këtë vjershë: “Tashti ngjyrat që la toka s’kam ç’i dua, / Pas kësaj kuptim më s’kanë, ah, për mua, / … Në mes resë së mjerimit mbeta sot, / I pashpresë jam tashti e dhimbje plot”.

Mehmeti u vendos në Janinë më 1865, ku edhe studjoi e përfundoi gjimnazin “Zosimea”. U martua me Vesimen, vajzën e Said Shermedin Toptanit, motrën e vëllezërve Murat dhe Refik Toptani, nga të cilët i pari ishte martuar me vajzën e të vëllait, me Asijen e Sherifit. Mehmeti punoi në Janinë, në Selanik dhe në Stamboll. Në Selanik ishte drejtor i doganave, në vitet ’90 të shek. XX. Në Stamboll, Mehmeti, botoi gazetën “Besa”, numri i parë i së cilës doli më 5 nëntor 1908.

Mehmeti dhe Vesimia kishin një djalë dhe tre vajza. “Gjyshi im, Mehmeti … lindi djalë të vetëm Hysrefin, babain tim. Po ashtu edhe im atë vetëm mua më pati djalë dhe tre vajza”, -thotë nipi i Mehmet Frashërit, qe mban edhe ai emrin e gjyshit, të Mehmet Frashërit, i cili njihet më shumë me emrin Pipi dhe jeton në Tiranë.
Shqipërinë e ngriti, e lartësoi dhe i dha emër mbi tokë Gjergj Kastriot Skënderbeu, e mbajtën më këmbë dhe i ndriçuan rrugën e lirisë vëllezërit Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri dhe i vuri mbi krye kurorën e vetëqeverimit Ismail Qemal Vlora.

Abdyli, “Hero i Popullit”, udhëheqës, burrë shteti, ideolog, politikan, diplomat, organizator dhe orator i shquar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Naimi, “Mësues i Popullit”, poeti më i madh i Rilindjes, edukatori, mësuesi dhe veprimtari i shquar i kulturës dhe arsimit, ndërgjegjja e kombit, këngëtari i madh i lirisë së njeriut dhe Shqipërisë. Samiu, “Mësues i Popullit”, dijetari dhe gjuhëtari i madh, shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi i shquar, ideologu kryesor i Rilindjes.

A nuk duhet sot që, edhe Abdyli, Naimi dhe Samiu, të cilët kanë qenë, janë dhe do të mbeten yje të pashuar për shqiptarët e Shqipërinë, të jenë së bashku në një Skulpturë Monumentale në një nga sheshet kryesore të Tiranës? Vëllezërit Frashëri, Abdyli, Naimi dhe Samiu, janë mrekullia e historisë dhe frymëmarrja e Shqipërisë.

Si djali i Sami Frashëri themeloi klubin e futbollit “Galatasaray”

Ka lindur në Kandili të Stambollit, më 20 mars 1886. Emri origjinal i tij është Ali Sami, dhe është i biri i Sami Frashërit.
Ali Sami “Yen” Frashëri në vitin 1905 krijoi klubin futbollistik Sport Klub Galatasaray dhe ishte president i parë për 13 vjet rresht, nga 1905-1918. Dhe përsëri për pak kohë në vitin 1925. Ishte trajner i parë i ekipit të futbollit në mes viteve 1905-1908. President i Komitetit Olimpik nga viti 1926-1931. Trajner i parë në një ndeshje ndërkombëtare kundër Rumanisë. Ali Sami Frashëri, vdiq më 20 korrik, 1951.

Ali Sami Frashëri është edhe një nga futbollistët e parë shqiptarë, gjithashtu është një nga trajnerët e parë shqiptarë, një nga presidentët e parë të një skuadre futbolli.

Ali Sami Frashëri gëzonte një respekt të jashtëzakonshëm në shtetin turk e veçanërisht në qytetin e Stambollit.
Ali Sami Frashëri vuri themelet e futbollit turk, ishte iniciatori i parë i krijimit të klubeve sportive si të: Basketbollit, hendbollit, volejbollit, notit, hipizmit etj. Kundërshtarët e përjetshëm të klubit të Ali Sami Frashërit ishin: SK Fenerbahçe, JK Beshiktash, Trabzonspor, Istanbulspor etj.
Ali Sami Frashëri ndoqi rrugën e babait dhe xhaxhallarëve të tij, që të gjithë intelektualë të shquar dhe shumë vizionar. Nën udhëheqjen e tij SK Galatasaray fitoi shumë trofe, ishte skuadra më e fortë dhe më e organizuar në Turqi dhe Ballkan.

Një kuriozitet sa i përket fanellave të SK Galatasaray:

Në fillimet e saja, atëherë kur edhe e themeloi, fanellat e SK Galatsarayit kishin ngjyrat kuq e zi, si dhe në anën e majtë emblemën me shqiponjën dy krenëshe, që simbolizonte edhe vet origjinën e Ali Sami Frashërit. Por me kalimin e kohës nga vetë shteti otoman, u detyruan dhe u obliguan që të hiqeshin fanellat me ngjyrën kuq e zi dhe ta hiqnin shqiponjen si emblemë të klubit, e t`i zëvendësonin me ngjyra verdh e kuq, që edhe sot e kësaj dite i bart SK Galatsaray.

Një kohë ka qenë edhe kryetar i shoqatës së arbitrave të Turqisë. Pas vdekjes së Ali Sami Frashërit drejtuesit e klubit Galasaray vendosën që stadiumit t`ia lënë emrin e legjendës së futbollit dhe sportit turk, emrin e shqiptarit tonë të madh “Ali Sami Yen”. Emrin e tij, Ali Sami Yen, mbanë edhe një rrugë në Stamboll. Kurse fjala Yen në biografinë e tij ishte pseudonimi, sepse ashtu e quanin dhe e njihnin dashamirët e futbollit turk, Ali Sami Yen.

Me vdekjen e tij Turqia humbi themeluesin e futbollit turk, kurse shqiptaria birin e saj.

Nga vajzat, deri tek Asllan Rusi: Jeta e “panjohur” dhe cili ishte fati i pasardhësve të familjes së Naim Frashërit

Naim Frashëri, mësimet e para i mori në Frashër, ndërsa më 1865 vendoset në Janinë ku, më 1869 mbaroi gjimnazin “Zosimea” dhe, diplomën e kësaj shkolle “e ka me thënien: fort mirë””, – shkruan Mit’hat Frashëri, “Naim Frasheri”, Sofie, 1901. U pajis në këtë shkollë me kulturë bashkëkohore, mësoi greqisht, frëngjisht, italisht, ndërsa jashtë shkollës mësoi arabisht e persisht te i dituri Jakup Efendiu, – shkruan më 1896 në revistën “Serveti Funun”, vëllai i vogël i Naimit, Samiu.

Naimi, më 1871, shkoi në Stamboll. Nuk qëndroi më shumë se tetë muaj, sepse dhembja e kraharorit e detyroi të kthehet në Janinë. Në vitet 1874-76 punoi si drejtor dogane në Sarandë. Sëmundja e kraharorit dhe dhembjet në gjunjtë, nga reumatizma, “q’i erdhën nga të marrët të ftohtë në gjah”, e shtrënguan të largohet nga Saranda dhe të shkoj dhe të kurohet për gjashtë muaj në banjat e Badenit të Austrisë, – thotë Mit’hat Frashëri. Më 1878 punoi tetë muaj si drejtor të dhjetash (ashari mydiri) në Berat. Më 1882 rishkon në Stamboll, ku punoi në fillim në detyrën e anëtarit e pastaj të Kryetarit të Komisionit të Inspektimit dhe Kontrollit dhe, më vonë, të Kryetarit të Këshillit të Lartë të Arsimit dhe të Zëvendësministrit në Ministrinë e Arsimit., – shkruan studiuesi Laurant Bica, “Naim Frashëri në Kostandinopojë”, Vëll. I, Tiranë, 2009. Naimi, më 14 gusht 1882, nënshkroi lejen për botimin e “Gramatikës” së K. Kristoforidhit.

Recently Spotted Asteroid Set for Near Miss With Earth
Keep Watching

Shtëpia e parë e Naimit ishte në Këlliç Ali të Beshiktashit, lagje në pjesën europiane të Stambollit. Këtu ai nuk qëndroi gjatë. Shtëpia e dytë, ku Naimi jetoi kohën më të gjatë dhe mbylli sytë, ishte Këzëll Topraku, që gjendet ndërmjet Kadiqoit dhe Erenqoit, lagje në pjesën aziatike të Stambollit. Shtëpia e Këzëll Toprakut u kthye në faltore për shqiptarët. “Aty u mblodhën atdhetarë si Kristo Hoxhi e Jani Vreto, Hoxha Tahsini e Ismail Qemali, Pashko Vasa e Murat Toptani … Ndër të parët pat ardhur Çajupi … Sevasti Qiriazi …Edhe Faik Konica i ri, kur shkoi dhe e takoi Naimin”, – shkruan Nasho Jorgaqi, “Vëllezërit Frashëri”, 2008.

“Çdo patriot ka vajtur tek ky burim atdhetarizmi, – thotë Sevasti Qiriazi. Naimi, – vazhdon më tej ajo, – ishte me shtat të mesëm dhe i imët, kishte fytyrë fort të qetë dhe tërheqëse, ishte i kthjellët dhe i vërtetë, ishte një magnet dashurie”, – përfundon Sevasi Qiriazi.
Naimi më 1880 shkruan poemën “Shqipëria”, e cila botohet më 1897. Më 1886 botoi poemën “Bagëti e Bujqësi”, “Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve”, libra për shkollat: “Vjershat për mësonjtoret e para”, “E këndimit të çunave këndonjëtoria”, “Histori e Përgjithshme”. Më 1890 doli “Lulet e Verës”, pastaj “Mësimet” dhe “Fjala fluturake” më 1894, së fundi më 1898 poema e madhe epioke “Historia e Skënderbeut” dhe poema “Qerbelaja”. Naimi botoi 15 artikuj, 18 vjersha dhe 23 përalla në vargje në revistat “Drita” e “Dituria” dhe, në fund të shkrimeve të tij, firmoste me siglën “D”. Ç’do të thotë sigla “D”? Ndoshta do të thotë “Dangëlli” apo “Dulellarë”, siç njihej në fshat familja e Naimit, ndoshta ajo do të thotë “Dritë” apo “Dituri”, lejen e botimit të të cilave e nxori Naimi, ndoshta ajo sigël i përfshinte të gjitha: “Dangëllinë”, “Dulellarët”, “Dritën” dhe “Diturinë”.

Naimi, vitet e fundit të jetës, i kaloi i sëmurë në shtëpinë e tij në Këzëll Toprak. “Kishim katër vjet e gjysëm q’e qanim këtë njeri të madh: e dinim që sëmundja s’i kish shpëtim!”, – shkruan Mit’hat Frashëri. U nda nga jeta Naimi duke u gdhirë e shtuna, ora 2 e mëngjesit, dita e njëzet tetorit të motit 1900. Varrimi u bë të nesërmen, ditën e diel, 21 tetor 1900, në Teqen e Bektashinjëve të Merdiven Qoit në Stamboll. Varri u ngrit në krah të varrit të Abdyl Frashërit, i cili ishte i veshur i tëri me mermer të bardhë dhe, mbi të, një pllakë e zezë ku qenë gdhendur fjalët e Naimit: “Hybdyl vatan minel yman”, që do të thotë: “Të gjithë duhet t’i jemi mirënjohës Mëmëdheut”.

Eshtrat e Naim Frashërit shteti shqiptar i solli në Shqipëri në kuadrin e 25 vjetorit të Pavarësisë, më 2 qershor 1937. Ishte ditë e mërkurë, ora 15.30, kur mbërriti arkivoli me vija kuq e zi me eshtrat e Naimit.

Shefki Shatku, nënkolonel, Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, që i solli eshtrat nga Stambolli, ia dorëzoi arkivolin me eshtrat e Naimit kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Abedin Nepravishta. Populli kishte mbushur sheshet dhe rrugët e Tiranës dhe hidhte lule dhe vetëm lule mbi arkivolin me eshtrat e Naimit.

Ndodhi ajo që tha Faik Konica më 1901. “Treqind shqiptarë t’anës kombëtare e shpunë në vënt të funtmë. Treqind veta e përcuallë … Një ditë do të vijë që shqiptarët do t’i sjellin të mbeturat e Naim Beut në atë Shqipëri … Ahere, nuk do ta përcjellin treqind atdhetarë, por do ta presë një komb i tërë”, – shkruante Faik Konica, “Albania”, Bruksel, Nr.4, 20.04.1901. Në ceremoninë e organizuar në Tiranë, ndër shumë të tjerë, në emër të familjes së Naim Frashërit, foli deputeti Eshref Frashëri nga trungu i familjes së Dulellarëve të Frashërit, afër të cilit ishte familja dhe vajza e Nevrezit, Naime Rusi. Edhe para arkivolit me eshtrat e Naimit, ndër shumë kurora, ishte edhe kurora e vendosur nga mbesa e Naimit, nga Naime Xhelal Rusi. Arkivoli me eshtrat e Naim Frashërit u vendos në Teqen Bektashiane të Tiranës.

Naimi u martua, ndoshta në pjesën e dytë të viteve ’70 të shek XIX, me Hatixhenë, e cila thirrej shkurtimisht Hexhe, vajza e një berberi nga Shkodra, e cila jetoi dy apo tre vjet më shumë pas ndarjes nga jeta të Naimit.

Asija, vajza e Sherifit, që u rrit, u arsimua dhe u edukua nga Naimi në Janinë e në Stamboll, u martua me Murat Toptanin, djalin e atdhetarit Said Shermedin Toptani, pjesëmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe mik i Vëllezërve Frashëri, sidomos i Abdylit. Murati, ishte së bashku me kushëririn e tij, Abdi Toptani, delegat në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, nënshkruesi i Deklaratës së Pavarësisë më 28.11.1912, si delegat i Tiranës. U lind në Aka të Turqisë më 13 korrik 1968, ku ishte internuar nga Porta e Lartë familja e Saidit. E ëma e tij, Hanifeja, ishte vajza e Ahmet Pedis Kartajit nga Kaukazi. Murati kishte edhe një vëlla, Refikun, si dhe nje motër, Vesimen, e cila u martua me vëllanë më të vogël të Abdylit, Naimit e Samiut, me Mehmet Frashërin.
Murati, në Stamboll u regjistrua në shkollën “Madame Fyres”, ku studionte edhe Asija, vajza e Sherifit, e cila u njoh mirë me Muratin, sepse jo vetëm që ishin e qëndronin bashkë në shkollë, por edhe sepse Murati “ditët e pushimit tani i kalonte në lagjen “Këzëll Toprak” pranë Naimit”, – shkruan Ferid Hudhri, “Murat Toptani”, Tiranë, 1978. Më tej ai vazhdoi studimet e larta në shkollën “Sulltanie” të Stambollit, të cilat i mbaroi më 1894 dhe, edhe gjatë kësaj kohe, ai qëndronte pranë familjes së Naimit. Një vit më vonë, më 1895, Murati u martua me Asijen dhe martesa u bë në “Këzëll Toprak”, ku edhe banonte familja e Naim Frashërit.

Më 20 tetor 1897, Murati u arrestua nga Porta e Lartë në Çanakala dhe, për të dytën herë, arrestohet pas dy vjetësh, më 1899, po në këtë vend dhe, kësaj here, atij i internuan edhe familjen në Çanakala. Më vonë, Murati internohet nga Porta e Lartë në Konjë, provincë në juglindje të Turqisë, ku qëndroi deri më 1908. Shkolla për fëmijët ishte kujdesi i parë i Muratit në Konjë. “Kur e bën syrgjyn Muratin, Naimi kishte vdekur. Ishte rreth vitit 1903. Më thirrën mua t’i çoj fëmijët në Konjë … Murati kishte një shtëpi me dërrasa me dy kate … Ishte i ri. Kishte tre djem dhe një vajzë”, – i ka deklaruar Dhimitër Shuteriqit më 1960 përmetari Nexhip Kame Kajca, i cili ka shërbyer në shtëpinë e Frashërllinjëve në Stamboll.

Murati veprimtarin e zhvilloi kryesisht në Tiranë, në Stamboll, ne Napoli dhe në Bukuresht. Ishte një nga atdhetarët me kulturë të gjerë, zotëronte frëngjishten, turqishten, arabishten, persishten, gjermanishten dhe italishten. Si artist ka bërë vepra në skulpturë, pikturë dhe karikaturë. Më 1899, kur ishte në Napoli të Italisë, realizoi në skulpturë bustin e Skënderbeut. Shkroi poezi e artikuj publicistikë dhe, një pjesë e vjershave, u përmblodhën në librin “Vjershat e Murat Toptanit”. E respektonte dhe e donte Asijen, e cila ishte gjithashtu e pajisur me një kulturë të gjerë, njihte mirë frëngjishten, greqishten e turqishten dhe luante mirë edhe në piano. Në krijimin e vjershës “Dashuria” u frymëzua nga Asija, të cilës, Murati, i bëri edhe një bust të bukur kur ata ishin në Konjë të Turqisë. U nda nga jeta më 1917 në Tiranë. Është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 26.06.2012.

Asija dhe Murati kishin 11 fëmije, nënte djem dhe dy vajza, – thotë Bele Myteveliu. Sherifi ishte një nga djemtë, i cili u lind në Konjë dhe studimet e larta për teknologji dhe kimi industriale i mbaroi në Gjermani. Punoi 32 vjet në Kuçovë dhe ishte autori i shumë projekteve, novacioneve e shpikjeve të aplikuara me sukses në nxjerrjen dhe përpunimin e naftës. Më 1957 ishte ideatori i shuarjes së zjarrit në pusin e naftës në Marinëz të Fierit. Më 20 shtator 2001, Këshilli i Bashkisë së Kuçovës, me Vendimin Nr.69, e shpalli Sherifin Toptanin, nipin e Sherif Frashërit, “Qytetar Nderi” të Kuçovës.

Naimi dhe Hatixheja patën dy vajza, e para e quajtur Nerqeze, nuk jetoi as tre vjet, vdiq më 1881. Dhimbja e poetit, e babait, ishte e madhe. Në vjershën e titulluar “Mbi trupin e bijës sime të vdekur”, botuar në “Tehajjulat” (“Endërimet”), 1885, Naimi shkruan: “Mjeri unë, vaj moj bijë, mjeri unë!/ Moj e dashur, moj e ëmbla aq shumë!/ Pa ty mbeta, pa ty mbeta moj me lotë!/ U shkretofsh o qiell, moj zuzarja Rrotë!”. Vajza e dytë, Nevrezi, lindi në Stamboll. Ishte me kulturë, dinte frëngjisht dhe arabisht, njihte jo vetëm kulturën e Turqisë por edhe të Europës. I binte edhe pianos dhe, një piano, e solli me vete në pajë kur u martua me Xhafer Luarasin, – shkruajnë Alfred dhe Neki Frashëri. U nda nga i shoqi, Xhaferi, sepse në shtëpinë e tij gjeti zakone e mendime si dhe u ndesh me veprime, që ishin mbytëse për shpirtin e kulturën emancipuese e civilizuese të Nevrezit.

Nevrezi u martua në Stamboll me Shahin Kolonjën, atdhetarin veprimtarin, publicistin dhe propagandistin e ideve kombëtare e demokratike, i cili kishte lindur më 1865 në Starje të Kolonjës dhe, pasi kishte kryer filloren në Starje e Ruzhdijen në Korçë, më 1895, kishte kryer edhe Fakultetin e Juridikut në Universitetin e Stambollit. Punon në fillim si drejtor në Idadijen (Gjimnazin) e Edrenesë dhe pastaj në Idadijen e qytetit Gjymylxhime. Më 1897 emërohet kajmekam në Kozhan të Selfixhes, më pas, më 1900, po me këtë detyrë në malin e Shënjtë (Ajon Oros), ku kishte 30 manastire e jetonin 1500 murgj dhe, më vonë, emërohet po në detyrën e kajmekamit në Vlorë. Nga 14 deri më 22 nëntor 1908 morri pjesë si delegat i Kolonjës në Kongresin e Manastirit, kryetar i të cilit ishte Mit’hat Frashëri, ku u zgjodh edhe anëtar i Komisionit të Alfabetit, kryetar i të cilit ishte Gjergj Fishta. Po atë vit u zgjodh deputet i Korçës në Parlamentin Osman, që u hap më 17 dhjetor 1908.

Shahin bej Starja apo Kolonja, qysh në moshë te re, shkonte në shtëpinë e Naim Frashërit, në Këzëll Toporak. Takohej e bisedonte shpesh me Nevrezin dhe Asijen. Ishte një nga të rinjtë shqiptarë që vlerësohej nga Vëllezrit Frashëri. Viti 1900. Në tetor ai nuk ishte në Stamboll. Lajmi i vdekjes së Naimit e tronditi shumë. Në dhjetor ai shkon për t’i dhënë lamtumirën e fundit mësuesit të vet në varrezat e Merdiven Qojit, – shkruan Piro Tako, “Shahin Kolonja”, Tiranë, 1984.

Në gusht të vitit 1909, Nevrezi, vajza e Naim Frashërit, martohet me Shahin Kolonjën, me të cilin njihej qysh kur ajo ishte jo më shumë se dhjetë vjeç, më 1896. Kur u martua ajo ishte 26 vjeç, ndërsa Shahini 44. Dasma u bë në lulishten “Çuçuk Moda”, në Kadin Qoj, – shkruan studiuesi Piro Tako. Morën pjesë ndër shumë të tjerë edhe kunati i saj, Murat Toptani, i shoqi i Asijes, si dhe bashkëluftëtarët e ngushtë të Shahinit, Bajo e Çerçiz Topulli si dhe Mihal Gramenua.
Nevrezi, e shoqja e Shahinit, lindi një vajzë të bukur e të shëndetshme, që i vunë emrin e Naimit, e quajtën Naime.

Shahini u nda nga jeta më 1919 dhe, Nevrezi e rriti Naimene, duke patur edhe ndihmën e xhaxhait, Mehmetit, si dhe të vëllait të Shahinit, Zylfos, të cilit ia la si amanet në momentin e fundit të jetës Shahini.

Naimeja u martua me Xhelal Rusin, farmacistin e njohur, i cili kishte studiuar dhe ish diplomuar në Francë. “Ishte djali i Rahmi Rusit nga Leskoviku, i cili ishte patriot, bashkëpunëtor i At Stath Melanit, si dhe vëllai i Skënderit dhe i Mynever Rusit dhe, të tre fëmijët e Rahmiut, i cili vetë u nda nga jeta në Përmet më 1915, në vitet 1939-1944 mbajtën një qëndrim antifashist, u lidhën ngushtë me LANC-in”, – më thotë më 15 nëntor 2011 Myftar Taria, i lindur më 1921 në Starje të Kolonjës, por me orgjinë nga Tarenjtë e Frashërit, kur me ne në bisedë ishin edhe shokët e miqtë e Myftarit, studiuesi Alfred Frashëri dhe veterani i LANÇ-it, Iljaz Lumani. Naimeja dhe Xhelali, kishin tre fëmijë, një vajzë, që mbante emrin e gjyshes, të Nevrezit, e cila u vra gjatë bombardimeve më 1944 në Tiranë, kur ishte 12 vjeçe, dhe dy djem, Asllanin dhe Rahmiun, që edhe ky i dyti mbante emrin e gjyshit, të Rahmiut.

Asllani, lindur më 1945 dhe ndarë nga jeta më 1977, ishte një supervolejbollist, Mjeshtër i Merituar i Sportit. Ka luajtur volejboll me KS “17 Nëntori” dhe KS “Dinamo”. Ka fituar 7 herë Kupën e Republikës dhe ka zhvilluar 80 takime ndërkombëtare, nga të cilët 35 me skuadrën kombëtare, në vitet 1963-1975. Ka fituar medalje ari në spartakiadën kombëtare të vitit 1969.

Ishte një legjendë e volejbollit.

“Asllani ishte shoku im i skuadrës në ekipin e Dinamos. Ishte një nga viganët e volejbollit shqiptar”, – më thotë Mjeshtri i Merituar i Sportit, Kreshnik Tartari. Më 1997, stadiumit të lojërave me dorë në Tiranë, iu dha emri Pallati “Asllan Rusi”.

OXHAKU I FRASHËLLINJVE ME 7 DJEM DHE 2 VAJZA

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Jeta e Frashëllinjve në vite, shifra dhe fakte. Në dekada Frashëllinjtë e shquar të kombit shqiptar njiheshin si “tre vëllezërit Frashëri”, ndërkohë që ata ishin shtatë vëllezër dhe dy motra. Abdyli ishte djali i parë i Halit bej Frashërit dhe Eminesë nga Korça, bijë e Mirahorëve, mbesë e pashallarëve të Plasës. Abdyli lindi 185 vjet më parë më më 29 gusht 1839 dhe i vunë emrin e gjyshit, Abdullah Hysni, por në fshat u thirr Abdyl, kurse në rrethin familjar akoma më shkurt “Dule”. U nda nga jeta më 23.10.1892 në Stamboll. E dyta në radhë nga fëmijët e oxhakut të Frashëllinjve ishte vajzë dhe që e quajtën Nafizeja që ishte lindur 183 vjet më parë, më 1841. Fëmija i tretë ishte Sherifi që ishte lindur 181 vite më parë, më 13 dhjetor 1843, i cili u nda shpej nga jeta, më 8 maj 1874 në Janinë. I katërti dhe i pesti i fëmijëve ishte Naimi i lindur 178 vite më parë, më 25 maj 1846. Fakt është se nëna e tij Emineja lindi dy binjakë, por njëri nga të cilët vdiq në shpergënj, ndërsa tjetri, që ishte gjithashtu i dobët, i vunë një emër ogurmirë “Naim”, që në gjuhën arabe do të thotë “i fuqishëm”, i cili u nda nga jeta më 20 tetor 1900 në Stamboll. Fëmija i gjashtë ishte vajzë Shanishaja e lindur 176 vite më parë më 1848, Fëmija i shtatë ishte Samiu, djali që u bë burrë i madh i kombit i lindur 174 vite më parë, pra më 1 tetor 1850 dhe u nda nga jeta në Stamboll më 18.6.1904. Fëmija i tetë ishte Tahsimi që ishte lindur më 171 vite më parë, më 27 janar 1853. Fëmija i nëntë ishte Mehmeti që ishte lindur 168 vite më parë, më 26 tetor 1856 dhe u nda nga jeta në Tiranë më 21 dhjetor 1918 kur ishte 62 vjeç. Jeta dhe vepra e shquar e frashëllinjve është sa sinjifikative aq edhe me vlerë kombëtare. Ndërkohë që trungu familjar Halit bej Frashërit nga Frashëri dhe Eminesë korçare sollën në jetë gjashtë djem e dy vajza por që historia njeh me kontribute të jashtëzakonshme Abdylin, Naimin dhe Samiun. Mosha mesatare që kanë jetuar fëmijët e oxhakut të Frashëllinjve ka qenë tepër e vogël, vetëm 44 vjeçare (saktësisht 44.125). Në mënyrë kronologjike dhe të përmbledhur sipas vitlindjes Frashëllinjtë kanë këto të dhëna: Abdyli (1839-1892) vdiq 53 vjeç, Nafize (1841-1894) 53 vjeçe, Sherifi (1843-1874), vdiq 31 vjeçar, Naimi (1846-1900) vdiq 54 vjeçar (bashkë me Naimin lindi edhe një djalë binjak por nuk mundi të jetonte), Shanisha (1848-1871), vdiq 23 vjeçare, Sami që thirrej në osmanllisht Shemshedin (1850 – 1904) vdiq 54 vjeçar, Tahsimi (1853-1876) vdiq i ri 23 vjeçar, kur ishte student, Mehmeti (1856-1918) u shua në moshën 62 vjeçare. Që të gjithë fëmijët e Eminesë dhe Halit Frashërit lindën në Frashër. Edhe pse kanë kaluar më shumë se një shekull nga shuarja e Frashëllinjve fizikisht fama e vëllezërve Frashëri vijon të jetë si një rrezatim që nuk shuhet kurrë, për shërbimin e shquar ndaj kombit shqiptar.

*

Halit Bej Frashërit – oxhak i parë në Dangëlli!

Halit bej Frashëri dhe mbarë frashërllinjtë përbëjnë një prej oxhaqeve që i përket origjinës nga trungjet fisnike, atdhetarë, patriotiokë, aristokratë shqiptarë. Kontributi është sinjifikativ në historinë shqiptare në dy shekujt e fundit për formimin e ndërgjegjes kombëtare dhe identitetit shtetëror si dhe për krijimin e një gjuhe të shkruar e një letërsie origjinale. Dyert e mëdha të Frashërit, nuk ishin pronarë të mëdhenj latifondistë, por funksionarë të lartë të perandorisë dhe tregtarë të mëdhenj dhe në më të shumtën e rasteve kanë banuar në qendër të sulltanatit në Stamboll. Titujt që shumë Frashërllinj kanë mbajtur kanë qenë në bej me grada (rytbe) që prej shekullit të XVII me ferman të Sulltanit por edhe me leje mbretërore nga Egjypti sikurse është rasti i familjes Frashëri. Në Frashër pashallarë kanë qenë dega e Vilakëve dhe e Sulejmanbellinjve të Frashërit, ndërsa stema personale në Frashër kanë pasur Adhamidhi dhe Totoni. Frashëri, ka qenë dhe është kryeqendra e Dangëllisë. Emrin e tij, fshati Frashëri, e ka marrë nga pema pyjore “Frashër”, ndërsa krahina, Dangëllia, e ka marër emrin nga fjala osmane “Dag-ili”, që do të thotë “Mal/Malësi”, ka shkruar Sami Frashëri. Emrin krahinës ia dhanë osmanët në fillim të shekullit XVII. Më parë, në shekullin XIV, krahina quhej “Malakas” dhe qendra e saj ishte fshati “Malakas”, i cili ndodhej jo shumë larg Frashërit, në shpatin perëndimor të malit Radomir, sikurse thotë Kristo Frashëri. Emërtimi turqisht “Dangëlli” është një përkthim i emrit “Malakas”, që në rrënjë ka fjalën shqipe “Mal” në kuptimin “Malësi”. Dangëllia, si hapësirë gjeografike, në ecurinë historike ka ndryshuar, herë ka pasur më shumë dhe herë ka pasur më pak fshatra, si përshembull: më 1850 përfshinte 48 fshatra, më 1896 kishte 28, në vitet ’40 të shekullit XX kishte 22, ndërsa sot njësia administrative Frashër ka 12 fshatra: Frashëri, Miçani, Zavalani, Gostivishti, Ogreni, Kreshova, Vërçishti, Gostomicka, Suropulli, Koblara, Kostreci, Selenica. Frashëri rrëzë malit të Kokojkës, 1030 metra mbi nivelin e detit, shtrihet në një hapësirë relievi rreth 15.5 km2. Frashëri, përmendet për herë të parë si vendbanim në Regjistrin ixhmal të Vilajetit të Përmetit dhe të Korçës, në vitet 1431-1432 evidentuar nga shkrimtari dhe historian i madh turk Halil Inalxhik. Në mesin e shekullit XX kishte 22 lagje dhe një treg me 20 dyqane, me rreth 300 shtëpi, sipas Kristo Frashërit. Ishte “një qytet i vogël malor”, shkruan Sami Frashëri në veprën e tij “Kamus-ul-Alam”. Lagjet: Sulejmanbellinjtë, Dukollarët/Dulellarët, Skënderajt, Lahçenjtë/Haxhillarët, Velibellarët, Kasollarët, Dhamellarët, Karafilbejtë, Cërrasit, Bakasit, Vilakët, Lopësit, Begmeçasit/Begasit, Qyrasit, Arapasit, Aliçkasit/Çokllarët, Liçollarët, Rasetasit, Kisha apo Ninkat, Panollarët, Çobenët dhe Beçllarët.

Në rrënjët e Frashëllinjve

Gjenealogjia e oxhakut të Dulellarëve, ndodhen në Institutin e Historisë, dhe mund të depërtojmë deri te katragjyshi i Vëllezërve Frashëri, Beqiri, i cili ka jetuar në shekullin XVIII. Studiuesi nga Turqia dhe Shqipëria e kanë thënë fjalën e tyre, sikurse është A.S.Levend, në librin “Semsettin Sami”(emri në turqisht i Sami Frashërit), Ankara, 1969, thotë se Katragjyshi Beqiri i Frashëllinjve ka qenë spahi, pa përcaktuar timarin e tij. Djali i parë i Beqirit ishte Fejzullahu, në fshat thirrej shkurtimisht Duko, ndaj dhe fëmijët e tij u quajtën Dukollarë. Djali i tij i dyte ishte Muhtari, shkurtimisht thirrej Tare dhe fëmijët e tij u quajtën Tarenj. Alfred Frashëri, në librin “Frashëri në historinë e Shqipërisë”, publikim i vitit 2007, thotë se Beqiri kishte edhe tre djem të tjerë: Kajmaku, Jakupi, Mahmuti. Fejzullahu, sipas traditës gojore, kishte një djalë, që u quajt Abdullah Hysni, shkurtimisht Dule, i cili pati dy djem, Halitin e Durmishin, sipas Kristo Frashërit. Familja që krijoi Halit Frashëri u njoh në Frashër si oxhaku i Dulellarëve, kurse pasardhesit e Durmish Frashërit ruajtën emrin e mëparshëm, vazhduan të thëriteshin familja e Dukollarëve, si thirreshin më parë edhe fëmijët e pasardhësit e Fejzullahut. Në periudhën e sundimit të Ali Pashë Tepelenës, Abdulla Hysni, Dulja, u vendos me familje në Janinë, ku më 1797 lindi Haliti dhe më 1801 Durmishi. Dy vëllezërit pas disa vitesh u kthyen në Frashër. Haliti në vitet ’20 të shekullit XIX hyri në shërbim të Mehmed Reshid Pashës me detyrën e serçeshmes, intedentit, ndihmës i serqedes, shkruan Sami Frashëri, “Kamus ul Alam”, Istanbul, Vëll. III, 1891). Më 1824, në luftimet që u zhvilluan në territorin grek ku edhe u plagos, Haliti, tregoi simpati për reformat centralizuese, por nuk u bë oficer i karrierës por mbeti serçeshme, spahi që e detyronte të shkonte në luftë me harxhe sa herë e thërriste Sulltanati. Më 1854, ai shkoi me harxhe në Thesali, ku mori me vete edhe djalin e madh, Abdylin. Te vjet më vonë më 1857, Haliti u nis me Abdylin në Janinë, ku dhe u nda nga jeta më 19 janar 1859. Haliti nuk pati fëmijë me gruan e parë. Me vdekjen e saj, u martua me Eminenë nga familja përmetare e Mirahorëve, por që banonte në Korçë. Shtëpia e Halit Frashërit ndodhej në shpatin e Kokojkës, në mes të fshatit, në lagjen Dulellarë, por që u rënua më 1892. Por 82 vite më pas më 16.6.1974 u ringrit mbi themelet dhe u kthye në muze memorial kushtuar vëllezërve Frashëri, ku ishin të pranishëm në përurim, edhe mbesa e Naimit, Naime Rusi, dhe nipi i Samiut, Emin Ereri. Ishte një përkujdesje dhe vlerësim nga ish rregjimi i kaluar. Shtëpia është me dy kate, ndërtuar me gurë të zinj dhe çati me rasa guri është ndërtuar me dhjetë dhoma dhe dy korridore me përmasa të mëdha, ku nga kati i parë në të dytin ngjitesh nëpërmjet shkallëve të drunjta me parmak. Përballë shtëpisë, mbi podiume, lartësohen pranë njëri tjetrit ashtu si kanë qënë në jetë, me vështrim nga fshati e lindja e diellit dhe me shpinë nga mali i Kokojkës, bustet e tre vëllezërve Abdylit, Naimit dhe Samiut, punime të skulptorit të shquar përmetar Odise Paskali.

Emine Mirahori nga Korça, mbesë e pashait të Plasës, nga oxhaku i Sinan Pashës

Emineja lindi më 3 maj 1814 në Korçë. I ati i saj, Islam Mirahori, ishte biri i Hysen Mirahorit, i cili i takonte brezit të dhjetë pasardhës të Iljaz Bej Mirahorit, dhëndrit të Sulltan Mehmetit I, themeluesit të qytetit të Korçës. E ëma e Eminesë, Zymbylja, ishte e bija e Mehmet Pashë Plasës, pesonalitet i trevës së Korçës, në shek. XIX. Iljazi u lind në hapësirën e viteve 1408 – 1420 në fshatin Panarit, i cili në atë kohë bënte pjesë në Kazanë e Përmetit. U muar devshirme nga Murati II, sulltan në vitet 1421 – 1451. U martua si me të bijën e sulltan Mehmetit II, 1430-1481, i cili hipi në fron më 1451 pas vdekjes së të atit Muratit II, Iljaz Mirahori luftoi për marrjen e Konstandinopojës më 29 maj 1453. Në kohën e sulltan Bajazitit II, 1481 – 1512, u emërua sanxhakbej i Janinës. U kthye në Korçë më 1484 dhe, në periudhën midis viteve 1484 – 1495, iu dhanë si pronë private nga Sulltan Bajaziti II disa fshatra, si: Panariti, Trebicka, Treska, Vodica, Stratobërdha të Kazasë së Përmetit dhe Leshnja, Vithkuqi, Boboshtica të Kazasë së Korçës, sipas profesor Ferit Duka. (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Vëll.II, 2008). Emineja u bë bashkëshortja e dytë e Halit Bej Frashërit, mbesë e pashallarëve të Plasës, nga martesa e të cilëve sollën në jetë tetë fëmijë. Në shkëlqimin më të madh të oxhakut të rëndë të Frashëllinjve e zënë tre frashëllinjtë e njohur në mbarë shqiptarinë: Abdyli, Naimi dhe Samiu. Poeti ynë kombëtar Naimi në një prej poezive të vëllimit “Lulet e Verës”, e shkroi enkas për Korçën e nënës së tij Eminesë, e cila ishte bijë e Mirahorëve, themeluesve të qytetit të qytetin e Korçës. Fakt është se nëna e tetë frashëllinjve Emineja ishte e bija e Islam Mirahorit dhe Zymbyles. Vetë Zymbylja, e ëma e Eminesë, ishte bijë e Mehmet pashë Plasës, pasardhës i Sinan Pashës, një prej pashallarëve më të fuqishëm të Toskërisë. Për gjyshin e vellëzërve Frashëri, nga dera e nënës që kishte fituar qytetari shprehja popullore: “Do të dijë der’ e Plasës?!”. Ndërkohë që është e njohur se, Plasa është një fshat në veri të Korçës, në shekujt XVII e XVIII ka qenë banimi i fisit të Sinan Pashës, i cili ishte ndër Pashallarët më të fuqishëm të trevës toske. Kjo familje e përmendun ka pasë në Plasë saraje të mëdha, ndër më të shquarat në trevën arbërore nën pushtimin osman. Populli në kohë të fuqisë së kësaj familjeje thoshte: “Do të dijë der’ e Plasës!” për të treguar se oxhaku ose fisi i Pashallarëve të Plasës nuk trembej as nuk merrte në sy çfardo rreziku”, pasi tregonte elementë të dukshëm të fuqisë dhe pushtetit ekonimik, politik dhe administrativ e ushtarak të këtij oxhaku me emër. Emine Mirahori, gruaja e Halid Frashërit, u nda nga jeta në Frasher më 28 prill 1861. Emineja pati shtatë djem dhe dy vajza, por që jo të gjithë jetuan gjatë sepse një djalë binjaku i Naimit u shua që në ditët e para të lindjes, tre nga fëmijët e saj u shuan në moshë shumë të re nga 23 deri në 31 vjeç.

*

Abdyl Frashëri fymëzues i autonomisë së LSHP-së misionar i shekujve për atdhetari

Abdyl Frashëri, deri sa u bë në moshën 17-18 vjeçare e kaloi jetën në Frashër. Më 1857 shkoi në Janinë, ku jetoi më tepër se 20 vjet. “Kur ishte 18 vjeç, me vdekjen e të atit, Abdyli mbeti kryetar i një familje me shumë frymë. Me preokupimin për mbajtjen e familjes së madhe …, u mor me sipërmarrje të dhjetash, taksës mbi bagëtinë dhe të taksave të tjera dhe, pas dy vjetëve, pasi i vdiq edhe e ëma, për të siguruar arsimin e pesë vëllezërve të tij më të vegjël, e la vendlindjen dhe e transferoi krejt familjen në Janinë.

Punonte si nëpunës dhe qeverisjen e shtëpisë, natën me vëllezërit në mënyrë bashkëmësimi me ta ka mësuar arabisht, persisht, frëngjisht e greqisht dhe fillimet e diturisë e të shkencave”. (Sami Frashëri, Kamus ul Alam, Vëll. V, Istanbul, 1896). Abdyli si vëllai i madh i vëllazërisë më 1865, tërhoqi familjen në Janinë, ku me përjashtim të vëllait të dytë, Sherifit, i cili e ndërpreu shkollën, për t’i ardhur në ndihmë financiarisht familjes shumëfrymëshe, të tjerët, Naimi, Samiu, Tahsimi, Mehmeti, përfunduan me sukses gjimnazin “Zosimea”. Abdyli u martua në moshën 35 vjeç, më 1874, “pasi vëllezërit e tij i mbaruan studimet”, shkruan Sami Frashëri. U fejua dhe pastaj u martua me Ballkëzin, vajzën e Ibrahim Frashërit nga familja e Lahçenjëve dhe të Xhenfize Çokut nga familja e Çokllarëve, të cilët quheshin ndryshe edhe Aliçkas. Në atë kohë Ballkëzi banonte pranë të atit, ushtarak i karrierës, në Janinë. Ballkëzi Ishte motra e vetme e pesë vëllezërve, Mehmetit, Xhaferit, Fuatit, Sabriut dhe Qazimit, sipas Alfred Frashërit.
Abdyl Frashëri nuk ishte vetëm një menaxher i aftë dhe shumë i zoti i familjes së tij, por u shqua si personalitet politik qysh më 1877 kur zgjidhet kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës, deputet i Vilajetit të Janinës në Parlamentin II Osman, po ashtu dhe kryetar i Komitetit Shqiptar të Stambollit. Në vitet 1878 – 1881, Abdyli, lartësohet në sytë e opinionit mbarëshqiptar si një burrështetas i madh, udhëheqës, ideolog, politikan, diplomat, organizator, veprimtar e orator i talentuar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që funksionoi më 1978-1881. Abdyli kishte një trup mbimesatar, portret të gdhendur nga gjëmimet e historisë së vuajtjeve shqiptare, me vështrim të fukusuar në hallet e popullit dhe mëvetësinë e Shqipërisë.

“Kujtohem shumë herë me trishtim për Abdyl Frashërin. Një hop kohe e kam parë në jetën time: po përgjithnjë e gjallë është në trutë e mija fytyra e tij … mjekra e gjatë, pak e thinjur, balli i lartë dhe i gjerë, i jepnin Abdyl beut një hije me të vërtetë madhështore; po sytë, dy sy të mëdhenj e të thellë, që kishin shkëlqimin e yjeve edhe forcën e çelikut, dëftenin më shumë, gjithë flagën, gjithë fuqinë e këtij burri. Tepër i papjekur, mjerisht, nuk kuptoja në atë ditë të lumtur për mua, fjalët që dilnin si një zjarr i qërur nga goja e tij. Po ndjeja se ato fjalë ishin të drejta e të larta, ndjeja se ishin për të mirën tonë, për të mirën tënde e për të mirën time, për të mirën e të gjithë shqiptarëve … Shumë ditë më rrëkëllenin në mëndje fjalët e margaritarta që kisha dëgjuar … me trishtim, mendohem sa ka vuajtur ndofta, një i tillë burrë të rronjë e të japë shpirt larg Shqipërisë”, përcaktonte një nga shqiptarët e mëdhenj të shekullit të kaluar Faik bej Konica më 1898. (Efthim Dodona,“Kuvënde Shkencore në Frashër”, Tiranë, 2010).

Ballkëzia, e shoqja e Abdylit, lindi gjashtë fëmijë, nga të cilët djali i parë lindi më 1874 dhe, u quajt sipas emrit të gjyshit, Halit, por vdiq shpejt. Djali i dytë, lindi më 1876 dhe u quajt gjithashtu Halit, jetoi pak sepse dhe ai ndërroi jetë fëmijë. Nga pesë djem dhe një vajzë që i lindën, Abdylit dhe Ballkëzit, vetëm djali i tretë, Mithati, dhe vajza e vetme, që kishte emrin e gjyshes, Eminesë jetuan. Dy djemtë e tjerë, që të dy me emrin Feridun, vdiqën njëri pas tjetrit që kur qenë fëmijë, ka shkruar Kristo Frashëri. Abdyli gjatë veprimtarisë së LSHP, u kap më 27.4.1881 në afërsi të fshatit Buqës, pranë Elbasanit. U gjykua në Prizren nga një Këshill Lufte i Portës së Lartë dhe u dënua me vdekje. Dënimi ju kthye në burgim të përjetshëm. U burgos më 10.5.1881 në Kalanë e Prizrenit dhe dolli më 31.5.1884. U internua në Ballëkesir të Anadollit dhe pas një viti, në Bandërma deri më 31.5.1886, ditë kur u fal dhe u vendos në Stamboll.

Vëllai i tij Sami Frashëri shkruante për të: “Abdyl Frashëri ka qenë një zotëri me zgjuarsi e guxim të jashtëzakonshëm, i mësuar dhe i durueshëm ndaj mundimeve trupore, trim sa nuk bëhet … E donte shumë familjen e farefisin … Ashtu si jeta e tij edhe vdekja e tij ka qënë e jashtëzakonshme, ka dhënë shpirt duke thënë fjalë burrërore dhe duke dhënë këshilla të mënçura”. (Sami Frashëri, Kamus ul Alam, Vëll.V, Istanbul, 1896). Abdyli ndërroi jetë më 23.10.1892 dhe u varros në varrezat e Merdiven-Kojit të Stambollit. Eshtrat e tij u sollën nga shteti në Shqipëri, në Përmet, më 19.3.1978, nga një delegacion i përbëre nga Xhorxhi Robo, Luan Omari, Anastas Kondo dhe Duro Kopo. Qëndroi arkivoli me eshtrat e Abdylit në shtëpinë e tij në Frashër, nga 20 marsi deri më 9 qershor 1878, i mbështjellë me flamurin kombëtar, pastaj u çua në Tiranë dhe, më 11 qershor 1978, u vendos, si dhe arkivoli me eshtrat e Naim Frasherit, të cilat më parë preheshin në Kryegjyshatë, në Varrin Monumental apo Përmendoren e tre Vëllezërve Frashëri në Kodrat e Parkut të Madh të Tiranës, ku ngrihen edhe bustet e tre vëllezërve, Abdylit, Naimit e Sami Frashërit, të derdhur në bronz nga Odise Paskali, Thoma Thomai dhe Spiro Bakallbashi. Arkivoli me eshtrat e Abdylit, u shoqërua nga Frashëri në Tiranë, edhe nga nipi i Sami Frashërit, Emin Ereri. Ballkëzia, e shoqia e Abdylit, u nda nga jeta 24 vjet më vonë në Stamboll, në mars 1916. Më qershorin e vitit 1978 me ndërmjetësinë e dy kryeministrave Mehmet Shehu dhe Bulent Exhevit, eshtrat e Abdyl Frashërit u kthyen në Atdhe, ndërkohë që ishte koha kur në Shqipëri festohej 100 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

*

Naim Frashëri apostull, bilbil i shqiptarizmës dhe penëndritur i Shqipërisë

Naim Frashëri që ka merituar titullin “Naim Shqipëria” dhe është varrosur 5 herë

Naim Frashëri i dha emër dhe dimension të ri gjuhësor shqipes, prandaj ai njihet për së shumti nga vepra e tij. Përmendet se në “Zosimea” përfundoi studimet me “fort mirë”. Veprat e Naim Frashërit: “Istori e Shqipërisë”, “Ihtiraat ve ke, sfiyat, “Fusûli erbe’a. Francizcadan me’huzdur”, “Tahayyulat”, “Bagëti e bujqësija”, “E këndimit çunavet këndonjëtoreja”, në dy pjesë; “Ho alêthês pothos tôn skypetarôn hypo D.”, “Istori e përgjithëshme për mësonjëtoret të para”, “Vjersha për mësonjëtoret e para”, “Dituritë për mësonjëtoret e para“, “Luletë e verës”, “Mësime…”, “Parajsa dhe fjala fluturake”, “Ho Erôs. Poêmata prôtotypa eis asmata oktô met’ eikonôn”, “Fletore e Bektashinjet”, “Iliadë e Omirit-Këngë e parë, “Istori’ e Skënderbeut”, “Qerbelaja”, “Dëshira e vërtetë e Shqipëtarëvet”, Vepra të zgjedhura, 1-2. Nga Akademia e Shkencave, Tiranë,1980, 1985), Vepra 1-7. Rilindja, Prishtinë, viti 1986; Vepra letrare’, 1-5, Tiranë 1995, 1996 etj. Janë vepra që flasin qartë në çdo epokë. Referenca e brezave bën që poetë dhe jo vetëm t’i referohen dhe ta bëjnë më të njohur veprën edhe përmes veprave që lënë gjurmë. Një prej tyre është poeti kombëtar Lasgush Poradeci i ka shkruar dy poema plot frymëzim për Naim Frashërin, dy poema të jashtëzakonshme. Dhe në fakt asnjë poet shqiptar nuk ka folur si Lasgushi për përkushtim, atdhedashuri, përfytyrim kozmik, ide me fuqi e zjarr që krijon e mitizon monumentin e përjetësisë poetike, Naimin. Ai e sjell nga sheshi i Qerbelasë, përmes sakrificës titanike e konceptuale në shekuj, e depërton në trimëritë stërgjyshërore, që jehojnë me një të përmallshëm, por gjithë dritë mendimi naimjan: “Ndaj fërfëllon si yll me flakë,/Prej shkretëtirës së harrimit…”. Sa të jetë jetë dhe dritë përmbi dhe kënga, publicistika, studimet, kushtuar bektashiut e atdhetarit Naim Frashëri nuk do të rreshtin. Naimi është referencë e brezave të mëdhenj e të vegjël, do të jetë një udhërrëfyes për të treguar atë që shqiptarët gjykonin e mendonin për poetin kombëtar Naim Frashëri. Naim Frashëri ishte i vetmi që s’ka nevojë t’ia thuash mbiemrin për t’ia ndjerë hijen në formë Shqipërie të të afrohet sapo flasim për këtë bilbil dhe apostull të shqiptarizmës. Naimi gdheni këngë që janë rrënjosur thellë në memorien e kombit shqiptar: “T’i Shqipëri më ep nder më ep emrin shqipëtar,/Zemërën ma gatove plot me dëshirë e me zjarr!”. Nga ana tjetër është ndër të rrallët poet që ka merituar titullin “Naim Shqipëria”. Gjuha Naimjane është gjuha që flet për lirinë dhe i tregon rrugën përparimit të kombit tonë. Gjuha shqipe e Naimit është kushtrim për gjithë brezat e kombit shqiptar: “Gjuha: shpirti i shenjt’ i kombit, që kalon duke kënduar!/ Gjuha: zjarr, ku djeg me dritë një mendim i frymëzuar!/ Gjuha: afsh’ i gjall’ i jetës! Shpat’ e ndritur e lirisë!/ Gjuha: yll’ i vjershërisë! Gjuha: Verb’ i Perëndisë!”. Gjuha dhe stili naimjan nga pena e një pinjolli të Frashëllinjve, vjen e skalitur: “o shqipëtarë, në doni të nderoni kujtimin e këtij njeriu të madh që po e qan sot e tërë Shqipërija, mbani mënt fjalët e tij: Jeni të mirë, vetijpastrë, doni mëmëdhenë dhe gjuhënë tuaj!”. Homazhin, dhembjen dhe vlerësimin për poetin e shpreh gjithë elegancë elegjia e Çajupit: “Vdiq Naimi, vdiq Naimi,/Moj e mjera Shqipëri,/ Mendjelarti, zemërtrimi,/ Vjeshëtori si ai..”. Naimi është poeti kombëtar që ndikoi fuqishëm në jetën e shqiptarëve duke u bërë shkrimtari dhe poeti madhështor i Rilindjes sonë Kombëtare, atdhetari, mendimtari, veprimtari shquar i kulturës së letrave shqipe. Vargjet dhe proza, mendimi kritik dhe shprehës vijnë në libër në një unitet vlerash për poetin kombëtar Naim Frashëri, mendim dhe vlerësim që nuk do të mungojë asnjëherë për poetin dhe shkrimtarin e kalibrit të lartë të fjalës dhe mesazheve të gdhendura për shqiptarinë dhe kulturën kombëtare të kombit, prandaj do të ngelet titan dhe do të thirrët për ndihmë sa herë dallgët e globalizimit do të ngrihen në planetin tonë gjithënjë e më të vogël. Është fakt se të gjithë deshën që të merrnin sadopak flakë nga flaka e qiririt të naimizmit. Për këtë eshtrat e Naim Frashërit, ja luajtën nga vendi pesë herë, për ta nderuar dhe për të marrë nderim prej përjetësisë së tij. Kështu më 20.10.1900 varroset në Stamboll. Varri u ngrit në krah të varrit të Abdyl Frashërit, i cili ishte i veshur i tëri me mermer të bardhë dhe, mbi të, një pllakë e zezë ku qenë gdhendur fjalët e Naimit: “Hybdyl vatan minel yman”, që përkthehet: “Të gjithë duhet t’i jemi mirënjohës Mëmëdheut”. Pas 37 vjetësh më 2.6.1937, Naimi varroset tek Kryegjyshata botërore e bektashinjve që u kishte kënduar me aq pathos, në kohën e Mbretërisë shqiptare.

Nënkolonel Shefki Shatku, Komandant i Xhandarmërisë shqiptare solli eshtrat nga Stambolli, dhe ia dorëzoi arkivolin me eshtrat e Naimit kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Abedin Nepravishta. Ishin mbushur sheshet dhe rrugët e Tiranës ku populli hidhte lule mbi arkivolin me eshtrat e Naimit. Ishte vërtetuar ajo që shkruante Faik Konica më 1901. “Treqind shqiptarë t’anës kombëtare e shpunë në vënd të fundmë. Treqind veta e përcuallë … Një ditë do të vijë që shqiptarët do t’i sjellin eshtrat e Naim Beut në atë Shqipëri … Ahere, nuk do ta përcjellin treqind atdhetarë, por do ta presë një komb i tërë”, – shkruante Faik Konica në gazetën “Albania”, (Bruksel, Nr.4, 20.04.1901). Më 9.4.1940 sërish në Kryegjyshatë nga mëkëmbësi mbretëror Francesko Jakomoni do zhvillonte një ceremony tjetër rivarrimi; më 20.4.1950 pranë kryeministrisë dhe më 10.6.1978 në kodrat e Liqenit artificial të Tiranës në ish-kodrën e dëshmorëve të LANÇ-it, atje ku prehen edhe sot aktualisht. Shekujt do të shkojnë dhe breza të tjerë shqiptarësh do të transmetojnë fjalët poetike: “Në mes tuaj kam qëndruar,/ Dhe jam duke u përvëluar,/Që tu japë pakëz dritë,/Natën ta bëjmë ditë,/Kur më shihni se jam tretur,/Mos kujtoni se kam vdekur,/Jam i gjallë dhe jam në jetë,/Jam në dritë të vërtetë..!”. Naimi do të mbetet “një Hije e Shenjtëruar, që endet mes të gjallëve” dhe që ndriçon të gjallët e kombit shqiptar. Naimi ishte një nektar i mendimit shqiptar bilbil gjuhe dhe apostull shqiptarizmi. Vitet do të kalojnë dhe vepra e Naimit vetëm do të lartësohet në sytë e shqiptarëve kudo ku jetojnë, sepse ata do ta thonë me krenari që, “Ne flasim gjuhën e bukur të Naimit”.

*

Sami Frashëri filolog dhe fenomen mbarëkombëtar i klasit aristokrat i mendimit

Samiu, një erudite i quajtur nga qindar studjues një “përmendore pune”

Samiu ishte fëmija i shtatë i familjes së Halitit dhe Eminesë, që mësimet e para i mori në Teqen bektashiane të Frashërit. Me nismën e vëllait të madh, Abdylit më 1865 vendosen në Janinë. I shquar për inteligjencë natyrale, Samiu kreu me sukses gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Ai punoi për pak kohë në sekretarinë e Vilajetit të Janinës dhe kur ishte 21 vjeç, më 1871, u vendos në Stamboll dhe filloi punë në Zyrën e Shtypit, sikurse shkruan vetë Sami Frashëri në “Serveti Funun”, më 1896. Ai ishte një ndër organizatorët kryesorë të formimit të “Komitetit Shqiptar të Stambollit” më 18 dhjetor 1877, ndërsa më 12 tetor 1879, në moshën 29 vjeçare, zgjidhet kryetar i “Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqipe”.

Në vitet 1884-1885 drejtoi revistat “Drita” e më tej edhe “Dituria”. Hartoi për nevojat e shkollës shqipe libra. Më 1899 botoi “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë”, vepër që u përkthye në greqisht nga Fan Noli. Është autori i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke e arabe, përfshirë këtu edhe revistat e gazetat qe ai drejtoi në Turqi, midis të cilave në gjuhën shqipe “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhetë”, ndërsa në gjuhët turke e arabe, “Kamus ul Alam”, në gjashtë vëllime, për të cilën ai punoi më shumë se një dekadë. Samiu është autori i fjalorit normativ të gjuhës turke “Kamusi Turki” me 40.000 fjalë e shprehje, autor i disa fjalorëve dygjuhësh frëngjisht-turqisht (1882) dhe “turqisht-frëngjisht (1885), arabisht-turqisht (Kamus-i Arabi).

Ai publikoi në gjuhën turke drama e romane, ndër të cilat veprën “Besa”, më 1875. Disa libra e broshura i përmblodhi te “Biblioteka e Xhepit”. Ai me cilësitë e jashtëzakonshme drejtoi revistat e gazetat “Hadika”, “Tarabullus”, “Sabah”, “Aile”, “Hafta”, “Terxhumani Shark”, që u bë organi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Samiu ishte një përkthyes i talentuar dhe kështu ai përktheu shumë vepra, sidomos nga frëngjishtja, ku studiues të veçantë e kanë quajtur Samiun një “përmendore pune”. “Një njeri, një akademi”, shkruan studjuesi Shexhaattin Tural. Fakt është se të tre vëllezërit, Abdyli, Naimi e Samiu, janë simbole të atdhedashurisë dhe emblema të kulturës e diturisë në Shqipëri. Në kujtimet e Guri Sevo (botuara më 1936), shkruan: “Një ditë e pyeta mësuesin tim, Petro Nini Luarasin, “se cili është më i zoti, Naimi apo Samiu?”. Petro Luarasi iu përgjigj: “Nga cili sy sheh ti më mirë, nga i djathti apo i majti?”.

Mjaft sinjifikative dhe domethënëse përgjigjia. Samiu, në Stamboll u njoh dhe u martua me Emine Veliye, vajzën e Kazasker Sadedin Efendiut, një familje nga paria e Stambollit. Au u martua kur ishte 34 vjeç, më 1884. Me Eminenë dhe bashkëjetoi 10 vjet me të si dhe kishin katër fëmije: Samijen, Sadiun, Sadijen dhe Ali Samiun. Me vdekjen e Eminesë, më 1894, pas një viti, më 1895, u martua për së dyti me Ballkëze Frashërin, vajzën e Ibrahim Pashës nga Laçenjtë e Frashërit, që në atë kohë jetonte në Stamboll, me të cilën pati një djalë, Skënderin. Samija, vajza e madhe, u martua me Rashid Mansur Ererin, i cili për një periudhë ishte ministër i financave të Turqisë. La dy djem: Mehmetin dhe Eminin. Emin Ereri, ka ardhur disa herë në Shqipëri.

Ali Samiu, 1886-1951, studioi në shkollën e Gallatasarajit në Stamboll dhe më 1905 krijoi klubin e futbollit, që u regjistrua zyrtarisht më 1912. Ali Samiu, apo si quhet nga viti 1934, Ali Sami Yen (Ali Samiu i ri), ishte presidenti i parë i klubit sportiv të Gallatasarajt, prandaj edhe stadiumit të futbollit të Gallatasarajt, ndërtuar më 1964 me 25500 vende në Stamboll, iu dha emri “Ali Sami Yen”. “Samiu ishte i dhënë shumë pas fëmijëve. Në çështjen e edukimit të tyre ai nuk ndalej përpara asnjë sakrifice”, shkruan studiuesi turk A.S.Levend. “Deri në vitin 1899 në shtëpinë tonë kishte gjithmonë mysafirë. Midis tyre kishte priftërinj, hoxhallarë, shehlerë, dervishë, orientalistë, të huaj, të rinj e të vjetër. Sami Frashëri dinte të respektonte mendimin e tjetrit dhe dinte të sillej me secilin. Me fëmijët sillej si fëmijë”, shkruan i biri i tij Ali Sami. (Hekmet Turhan Daghoglu, “Semsettin Sami”, Stamboll, 1934). “Samiu … ka pasë shtatin e gjatë dhe …me bel të hollë, me ball të gjanë dhe pak të dalun përjashta. Ngjyrën e syve e ka pasë të zezë dhe shumë të shkëlqyeshme …Si në shtëpi ashtu edhe në shoqëri gjithmonë serioz dhe në të folur tëi ambël dhe buzagaz …me secilin person ka ngjallë respekt e dashuni të thellë”, shkruan Niazi Sulçe, (Nasho Jorgaqi, “Vëllezërit Frashëri”, 2008).

Nga të dhënat për Sami Frashërin del se “Ai ka patur letërkëmbime të shumta. “Samiu ka patur letërkëmbim shumë të gjerë, të dendur, të cilin e zhvillonte në shtatë gjuhët që zotëronte: turqisht, italisht, gjermanisht, arabisht, persisht, greqisht, shqip. Ai dërgonte 10-15 e deri ne 20 letra në ditë”, shprehej dikur vajza e madhe e Samiut, Sania, që i ka qëndruar vazhdimisht pranë Samiut. (shkruar nga Gazmend Shpuza “Gjurmime në epokën e Rilindjes Kombëtare”, Tiranë, 1980). Sami Frashëri jetoi fare thjeshtë, shpesh edhe në varfëri. Nuk ju ndanë edhe borxhet. Sapo u nda nga jeta, shtëpia dhe biblioteka e tij prej 20.000 vëllimesh, u shitën që familja jo të jetonte por të mbijetonte. Kolosi Sami Frashëri nuk punoi kurrë për pasuri por për shqiptarinë, pasi edhe Porta e Lartë e ndoqi, persekutoi, internoi, e izoloi, aq sa vitet e fundit iu ndalua edhe të dilte edhe shtëpia. Në këto kushte ai u nda nga jeta ditën e shtunë, ora 21, ditën e 18 qershorit 1904, ndërkohë që eshtrat e tij ndodhen në varret e njohura të Fario Kunit në Erenkoy të Stamboll, një lagje ndërmjet Goztepe dhe Çatallçeshme përtej Bosforit. Edhe Ahmet Davutoglu kur ishte Ministër i jashtëm turk (13.2.2013) ka thënë se, “Sami Frashëri është një thesar për Turqinë dhe do të qëndrojnë e prehet në Stamboll”. Por këtë çështje do ta zgjidhë koha gjykoj, pasi Samiu ka qenë është dhe do të jetë prezent në dejet e gjakut shqiptar me veprat dhe kujtimin e tij të pashuar. Në 54 vite jete Samiu shkroi 54 vepra monumenbtale, ku Turqia e njeh si babai i Enciklopedistëve ndërsa Shqipëria si ideologun themelor të Rilindjes sonë kombëtare.