Ballina Aktualitet Mijëra të sëmurë, por ende pa përgjigje: Kush qëndron pas helmimit në...

Mijëra të sëmurë, por ende pa përgjigje: Kush qëndron pas helmimit në Gostivar?

Analizat e ujit në Gostivar i janë dorëzuar Prokurorisë, por opinioni ende nuk ka përgjigje se çfarë i shkaktoi mbi 3.100 rastet e helmimit. Qeveria refuzon t’i publikojë rezultatet e analizave.

Tre persona janë arrestuar pasi rreth 3.100 qytetarë gjatë ditëve të fundit kërkuan ndihmë mjekësore për shkak të simptomave të helmimit në Gostivar. Analizat e mostrave të ujit, të marra në katër pika matëse në rajonin e Gostivarit, kanë përfunduar dhe i janë dorëzuar Prokurorisë Publike, por askush nuk po i bën të ditura rezultatet.

Policia njoftoi se është arrestuar Artana Asani, drejtoreshë e NP “Komunalec” – Gostivar, si dhe dy bashkëpunëtorë të saj: drejtori teknik Leon Nuredini dhe drejtuesi i ujësjellësit, Vadedin Dervishi. Pritet që ata së shpejti të paraqiten para Prokurorisë.

Institucionet kompetente presin që hetimi ta përcaktojë burimin e ndotjes së ujit, por edhe përgjegjësinë eventuale për krizën shëndetësore që i goditi qytetarët.

Në konferencën e sotme për shtyp, institucionet paraqitën një pasqyrë kronologjike të zhvillimeve gjatë ditëve të fundit, por nuk zbuluan se çfarë e ka shkaktuar saktësisht ndotjen e ujit.

“Derisa të marrim pëlqimin e Prokurorisë, nuk do t’i publikojmë rezultatet”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.

Nga Prokuroria Publike thonë se vazhdojnë të ndërmarrin veprime hetimore për mbledhjen e provave.

“Të gjitha provat e mbledhura deri në këtë moment, si dhe provat që pritet të dorëzohen në vazhdim, po analizohen për të përcaktuar gjendjen faktike, nga e cila do të rezultojë cilësimi juridik i një vepre eventuale penale dhe identifikimi i autorëve.

Procedura është ende në fazën parahetimore, e cila është e fshehtë. Menjëherë pas përcaktimit të të gjitha rrethanave dhe marrjes së vendimit përkatës nga Prokuroria, opinioni do të informohet”, njoftuan nga Prokuroria Publike.

Mbeten në fuqi rekomandimet për ndalimin e përdorimit të ujit

Ndërkohë, mbeten në fuqi të gjitha rekomandimet dhe ndalesat për përdorimin e ujit në Gostivar.

“Uji nuk guxon të përdoret as për pije dhe as për nevoja të tjera. Kur të marrim leje nga Prokuroria Publike, do t’i publikojmë rezultatet, në mënyrë që të mos ndikojmë mbi hetimin”, tha Klekovski.

Sipas tij, dyshimet janë përqendruar kryesisht te uji, pasi personat e prekur u përkasin grupmoshave të ndryshme dhe simptomat janë shfaqur në ditë të ndryshme.

“Bëhet fjalë për persona nga një deri në 80 vjeç. Nuk mund të lidhen të gjithë me të njëjtin burim ushqimi, prandaj ushqimi si shkak është pak i mundshëm. Si faktor i përbashkët mbetet uji, gjë që duhet të konfirmohet përmes analizave”, theksoi ministri.

Numri i rasteve të paraqitura zyrtarisht është dukshëm më i vogël sesa numri real i qytetarëve që kanë pasur simptoma ose dyshime për helmim.

Pacientët kryesisht trajtohen për shkak të dehidrimit dhe shqetësimeve gastrointestinale, ndërsa te një pjesë e tyre janë kryer analiza laboratorike shtesë.

Andonovska: Analizat kanë përfunduar, rezultatet janë në Prokurori

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska, deklaroi se institucioni ka vepruar menjëherë pas marrjes së kërkesës nga Prokuroria.

“Të enjten pasdite morëm kërkesë nga Prokuroria që të dilnim në terren dhe të merrnim mostra uji në rajonin e Gostivarit. Brenda një ore formuam ekipet dhe dolëm në terren. Puna përfundoi në orët e hershme të mëngjesit të së premtes, ndërsa mostrat menjëherë u dërguan për analiza”, tha Andonovska.

Ajo theksoi se mostrat janë marrë në katër lokacione të ndryshme dhe se procesi ishte kompleks dhe zgjati disa orë.

“Shumë më e rëndësishme është që kolegët, edhe në kushte të tilla, treguan profesionalizëm, nuk u tërhoqën nga detyra dhe arritën t’i siguronin me sukses të gjitha mostrat e nevojshme”, shtoi ajo.

Andonovska tha se rezultatet e analizave tashmë i janë dorëzuar Prokurorisë.

“Presim që të gjitha rezultatet të na çojnë drejt përcaktimit të shkakut të ndotjes dhe përgjegjësisë. Në interes të hetimit, rezultatet nuk mund të publikohen derisa të marrim pëlqimin e Prokurorisë”, deklaroi drejtoresha e ISHP-së.

Ajo u bëri sërish thirrje qytetarëve që ta respektojnë me përpikëri ndalimin e përdorimit të ujit.

Katër persona të shtruar në spital

Aktualisht, katër persona janë të shtruar në spital: tre të rritur dhe një fëmijë.

Rastet e para janë paraqitur më 13 korrik, megjithëse dyshohet se problemi mund të ketë ekzistuar edhe më herët. Që atëherë, numri i të sëmurëve është rritur çdo ditë.

“Nuk ka ndryshime në gjendjen e tyre shëndetësore. Kryesisht bëhet fjalë për shqetësime gastrointestinale, ndërsa më rrallë për temperaturë të lartë dhe ethe. Te të gjithë po kryhen analiza laboratorike”, tha Klekovski.

Ai i hodhi poshtë akuzat se Ministria e Shëndetësisë kishte fshehur informacione nga opinioni.

“Në asnjë moment nuk ka pasur fshehje të informacioneve. Unë isha i pari që njoftova se rastet e para ishin regjistruar më 13 korrik. Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë t’i ndajë në mënyrë transparente të gjitha të dhënat”, deklaroi ministri.

Klekovski paralajmëroi edhe mbledhjen e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, i cili do të dalë me rekomandime shtesë lidhur me gjendjen në Gostivar.

Aktivizohet Shtabi i Krizës, uji do të dërgohet nëpër shtëpi

Komuna e Gostivarit ndërkohë ka aktivizuar Shtabin e Krizës, i cili do të koordinojë një pjesë të aktiviteteve për ndihmën ndaj qytetarëve.

Kryetari i Komunës, Valbon Limani, njoftoi se do të hapet një linjë telefonike përmes së cilës banorët do të mund të kërkojnë ndihmë dhe furnizim me ujë të pijshëm.

“Me propozimin tim tashmë është aktivizuar Shtabi i Krizës i Komunës së Gostivarit. Ai do të mblidhet dhe do të miratojë rekomandime, por edhe masa për mbështetjen e qytetarëve që kanë nevojë për ndihmë”, tha Limani.

Ai njoftoi se Komuna do të publikojë një numër telefoni, në të cilin do të mund të drejtohen personat që nuk janë në gjendje ta sigurojnë vetë ujin e pijshëm.

“Përmes ekipeve mobile, uji do t’u dërgohet drejtpërdrejt në shtëpitë e tyre”, shtoi kryetari.

Përgjegjësi morale dhe pezullime

Limani tha se pushteti lokal është në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet kompetente dhe se, pas publikimit të rezultateve, do të fillojnë aktivitetet për dezinfektimin dhe pastrimin e rrjetit të ujësjellësit.

I pyetur nëse ndien përgjegjësi morale për gjendjen e krijuar, ai u përgjigj se nuk ndien përgjegjësi personale, por konfirmoi se drejtoresha e NP “Komunalec” dhe një pjesë e drejtuesve përgjegjës për ujësjellësin janë pezulluar deri në përfundimin e hetimit.

“Po i presim rezultatet e analizave dhe, në bazë të tyre, do të veprojmë. Nuk dua që askush të shpallet fajtor paraprakisht, por gjithashtu nuk duhet të ketë pengim të punës së organeve kompetente”, deklaroi Limani.

Sipas ekspertëve shëndetësorë, nëse në ujë ka ndotje fekale, mund të shfaqen simptoma si diarre, të vjella, dhimbje barku dhe dehidrim, ndërsa te disa pacientë mund të paraqitet edhe një pasqyrë klinike më serioze.

Qytetarëve u bëhet thirrje që t’i respektojnë me përpikëri rekomandimet dhe ndalimin e përdorimit të ujit deri në përfundimin e hetimit dhe publikimin e rezultateve të analizave./dw