Fjalët që ChatGPT pëlqen t’i përdorë po depërtojnë tashmë edhe në bisedat tona. Një studim e demonstron këtë shkencërisht.
Gjuha evoluon bashkë me ata që e përdorin. Dhe në këtë moment, kush tjetër përveç inteligjencave artificiale mund të konsiderohet ndër bashkëbiseduesit më aktivë! Ndoshta e keni vënë re te një koleg, ose edhe në mënyrën tuaj të të folurit, se shprehje si “do ta shqyrtoj më thellë këtë” apo “kjo është mjaft domethënëse” ju dalin nga goja paksa tepër natyrshëm.
Nuk është rastësi. Që nga shfaqja e ChatGPT-së në fund të vitit 2022, mënyra jonë e të folurit po ndryshon, në mënyrë të heshtur. Studiuesit sapo kanë paraqitur provën më të fortë deri më sot. Sipas tyre, inteligjencat artificiale bashkëbiseduese nuk mjaftohen më vetëm duke imituar gjuhën njerëzore: ato kanë filluar ta formësojnë atë në kahun e kundërt.
Tikat gjuhësore të inteligjencës artificiale
Studimi, i publikuar paraprakisht nga një ekip i Institutit Max Planck për Zhvillimin Njerëzor në Berlin, mbështetet në një korpus jashtëzakonisht të madh.
Më shumë se 737.000 orë bisedash, të marra nga afro 825.000 episode podkastesh, u përzgjodhën pikërisht për karakterin e tyre spontan dhe të paskenarizuar.
Duke krahasuar evolucionin e fjalorit para dhe pas publikimit të ChatGPT-së, studiuesit vunë re një rritje të menjëhershme të përdorimit të disa fjalëve që chatbot-i priret t’i gjenerojë më shpesh.
Edhe inteligjencat artificiale kanë tikat e tyre gjuhësore.
Për shembull, në anglisht përdoren shpesh fjalë si “delve” — të thellohesh, të hulumtosh më tej; “showcase” — të vësh në pah; “boast” — të mburresh ose të krenohesh me diçka; “intricacies” — hollësitë ose ndërlikimet; apo “meticulous” — tepër i kujdesshëm, metodik.
Thjesht rastësi? Aspak.
Përmes një metode statistikore, studiuesit arritën të përcaktojnë një lidhje të drejtpërdrejtë shkakësore mes përhapjes së këtyre fjalëve dhe lançimit të chatbot-it.
Për të verifikuar se nuk bëhej thjesht fjalë për një modë të përkohshme mediatike, ekipi zhvilloi edhe një eksperiment të regjistruar paraprakisht me 496 pjesëmarrës.
Pas një ndërveprimi të shkurtër me një chatbot që përdorte disa fjalë të pazakonta, pjesëmarrësit filluan t’i ripërdornin vetë këto fjalë.
Ky përvetësim vazhdonte edhe pasi pjesëmarrësit kryenin një ushtrim që kishte për qëllim t’ua largonte vëmendjen. Më pas, efekti u konfirmua edhe gjatë testeve ku ata duhej të zgjidhnin në mënyrë të detyruar midis alternativave të ndryshme leksikore.
Sipas autorëve, kjo dëshmon se fjalët nuk përsëriten vetëm për shkak të një imitimi sipërfaqësor. Ato vendosen në mënyrë më të qëndrueshme në fjalorin aktiv të njerëzve që ekspozohen ndaj tyre.
Një “ngjitje” gjuhësore shumë më e vjetër
Në të vërtetë, ky fenomen nuk është veçse një shfaqje e re e një refleksi njerëzor shumë të lashtë.
Prirja jonë për ta përshtatur në mënyrë të pavetëdijshme gjuhën tonë me atë të bashkëbiseduesve nuk është aspak diçka e re.
Ky mekanizëm, i quajtur “përshtatje e stilit gjuhësor”, është evidentuar nga psikologët e Universitetit të Teksasit në Austin.
Në një studim të publikuar në Journal of Language and Social Psychology, ata analizuan biseda në internet mes studentëve, por edhe regjistrime që lidhen me skandalin Watergate.
Të dhënat treguan se dy persona që bashkëbisedojnë priren ta përshtatin gradualisht përdorimin e fjalëve lidhëse me njëri-tjetrin, pavarësisht nga tema për të cilën flasin apo edhe nga shkalla e afërsisë që kanë mes tyre.
Ky studim themelor është konfirmuar më pas nga shumë kërkime të tjera në psikologjinë sociale.
Sa më shumë që dy bashkëbisedues ngjajnë me njëri-tjetrin në mënyrën e të shprehurit, aq më shumë priren të krijojnë një marrëdhënie besimi. Madje mund të zhvillohet edhe një tërheqje reciproke.
Problemi, theksojnë studiuesit nga Berlini, është se një chatbot si ChatGPT nuk është një bashkëbisedues i zakonshëm.
Ai komunikon njëkohësisht me qindra milionë njerëz, duke përdorur një fjalor që është në masë të madhe homogjen nga një bisedë në tjetrën.
Kështu, i njëjti refleks përshtatjeje që në mënyrë të natyrshme na afron me një mik ose koleg, sot po vepron në një shkallë të paprecedentë dhe në favor të një numri të vogël kompanish teknologjike, të cilat po ndikojnë në një pjesë të fjalorit të përdorur nga njerëzimi.
Për t’i rezistuar uniformizimit të mënyrës së të folurit, studiuesit sugjerojnë që në fjalorin tonë të rikthejmë edhe shprehje të pazakonta, të çuditshme ose tradicionale.
Në fund të fundit: guri që rrokulliset nuk zë myshk./PHYCHOLOGIES















