Ballina Bota Në prag të samitit të 26-të/Çfarë do të diskutojnë liderët e 20...

Në prag të samitit të 26-të/Çfarë do të diskutojnë liderët e 20 vendeve në samitin e Organizatë së Bashkëpunimit të Shangait në Bishkek

Ilja Arzumanov

Samiti i 26-të i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh), që do të mbahet në Bishkek më 31 gusht dhe 1 shtator, do të shënojë 25-vjetorin e organizatës. Pritet që liderët e më shumë se 20 vendeve të diskutojnë hapa praktikë për krijimin e një sistemi të pavarur pagesash dhe të një Banke Zhvillimi.

Një tjetër detyrë e rëndësishme e samitit është formulimi i një qëndrimi të përbashkët për Iranin. Vëmendje të veçantë do të tërheqë ashpërsia e formulimeve në Deklaratën përfundimtare të Bishkekut, ku organizata mund të dënojë veprimet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit në Lindjen e Mesme.

Kush pritet në Bishkek

Në samitin që do të zhvillohet në kryeqytetin e Kirgizisë më 31 gusht dhe 1 shtator, nën moton “25 vjet të OBSh-së: së bashku drejt paqes, zhvillimit dhe prosperitetit të qëndrueshëm”, do të marrin pjesë liderë nga më shumë se 20 vende, përfshirë dhjetë anëtarët me të drejta të plota të organizatës dhe shtetet partnere të saj.

Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar, ndër të tjera, presidenti rus Vladimir Putin, presidenti i Kinës Xi Jinping, kryeministri indian Narendra Modi, presidenti iranian Masoud Pezeshkian dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan.

Liderëve botërorë pritet t’u bashkohet edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres.

Përmasat e OBSh-së

  • 27 shtete gjithsej, prej të cilave 10 vende anëtare dhe 17 vende partnere;
  • 3,5 miliardë banorë;
  • 65 për qind e territorit të Euroazisë;
  • 30 trilionë dollarë Prodhim i Brendshëm Bruto i përbashkët;
  • 1 trilion dollarë tregti e brendshme ndërmjet vendeve të organizatës;
  • 409 miliardë dollarë shkëmbime tregtare të Rusisë me vendet e OBSh-së.

Çfarë përmban agjenda e takimit

Samiti i Bishkekut do të jetë vazhdim logjik i takimit të vitit të kaluar të liderëve të OBSh-së në Tianjin të Kinës, i cili nisi një reformë të gjerë të organizatës, thotë Vladimir Jevsejev, drejtues i Departamentit për Integrimin Euroaziatik dhe Zhvillimin e OBSh-së pranë Institutit të Vendeve të CIS-it.

Publicitet

Sipas tij, agjenda në Bishkek do të përqendrohet në zbatimin praktik të vendimeve dhe nismave të shpallura një vit më parë:

  • krijimi i Bankës së Zhvillimit dhe i një sistemi të pavarur pagesash të OBSh-së;
  • thjeshtimi i procedurës për anëtarësimin në organizatë;
  • vënia në funksion e sistemit të Qendrave të Sigurisë të OBSh-së.

Një nga detyrat e rëndësishme të samitit të Bishkekut do të jetë formulimi i një qëndrimi të përbashkët për situatën rreth Iranit dhe dënimi i politikës dhe veprimeve të SHBA-së dhe Izraelit, thotë Stanislav Pritçin, drejtues i Sektorit për Azinë Qendrore në Institutin e Ekonomisë Botërore dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Akademisë Ruse të Shkencave.

Ai vëren se deri tani OBSh-ja, si organizatë, nuk është shprehur për këtë çështje, pavarësisht asaj që ai e cilëson si agresion të drejtpërdrejtë ndaj njërit prej anëtarëve të saj me të drejta të plota.

Sipas Vladimir Jevsejevit, teksti i dokumentit përfundimtar të samitit — Deklaratës së Bishkekut — do të shërbejë gjithashtu si një tregues i ndikimit të Rusisë dhe Kinës brenda organizatës.

Teherani këmbëngul për një dënim të ashpër të politikës së SHBA-së dhe Izraelit. Nëse Rusia dhe Kina nuk e kundërshtojnë këtë, vende të tjera të OBSh-së, veçanërisht shtetet e Azisë Qendrore dhe India, janë më të ndjeshme ndaj presionit perëndimor dhe detyrohen të ruajnë ekuilibra. Për këtë arsye, sipas Jevsejevit, ato me shumë gjasë do të përpiqen të zbusin formulimet që mund të shkaktojnë reagim nga Uashingtoni.

Çfarë e pengon OBSh-në të krijojë sistemin e vet të pagesave dhe Bankën e Zhvillimit

Deklarata e Tianjinit përmbante vendime për krijimin e Bankës së Zhvillimit të OBSh-së dhe për formimin e një sistemi të pavarur pagesash të organizatës.

Gjatë vitit të fundit, ministrat e Financave të vendeve anëtare kanë zhvilluar disa raunde konsultimesh për këto iniciativa dhe në Bishkek mund të diskutohet tashmë për hapa konkretë drejt realizimit të tyre, thotë Vladimir Jevsejev.

Sipas Stanislav Pritçinit, pengesa për këtë proces janë si presioni i Perëndimit ndaj vendeve të OBSh-së, përfshirë kërcënimet e përsëritura të drejtpërdrejta për sanksione nga SHBA-ja, ashtu edhe një sërë çështjesh teknike.

Për shembull, është e vështirë të zgjidhet një monedhë kombëtare — rubla, juani ose rupia — si njësi kryesore llogaritëse, për shkak të luhatjeve të kursit të këmbimit mes tyre.

Si një nga alternativat po shqyrtohet krijimi i një monedhe të kushtëzuar të vetë OBSh-së, sipas modelit të ECU-së evropiane, e cila përdorej për llogaritje përpara se vendet e eurozonës të hiqnin dorë nga monedhat kombëtare në favor të euros.

Për më tepër, disa vende anëtare të OBSh-së, para së gjithash India, druhen nga dominimi financiar i Kinës. Një kategori më vete çështjesh teknike lidhet me mënyrën se si një sistem i pavarur financiar mund të bëhet realisht i drejtë dhe shumëpalësh, thotë Vladimir Jevsejev.

Sipas Stanislav Pritçinit, është e vështirë të arrihen me Kinën, e cila është e gatshme të shërbejë si platforma dominuese, kushte të balancuara që do të merrnin parasysh interesat e të gjithë aktorëve.

Në përgjithësi, palët synojnë një zgjidhje pluraliste, por pikërisht kjo e ngadalëson procesin.

Vladimir Jevsejev përmend gjithashtu precedentin negativ të Bankës së Re për Zhvillim të BRICS-it, e cila nuk financon projekte të shteteve që ndodhen nën sanksione të njëanshme perëndimore.

Një nga sfidat kryesore dhe njëkohësisht më të ndërlikuara, sipas tij, është që Banka e ardhshme e OBSh-së të mos ndjekë të njëjtën rrugë.

A do të vazhdojë zgjerimi i OBSh-së?

Një reformë e rëndësishme ishte thjeshtimi faktik i procedurës së anëtarësimit në OBSh.

Që nga 1 shtatori 2025, kategoritë “partnerë të dialogut” dhe “vëzhgues” janë bashkuar në një kategori të vetme — “partnerë të OBSh-së” — të cilët mund të pretendojnë më pas anëtarësim të plotë në organizatë.

Ky hap synon të përgatisë terrenin për zgjerimin e mëtejshëm, para së gjithash me vende të ASEAN-it dhe të Lindjes së Mesme.

Rusia, Kina dhe katër shtetet e Azisë Qendrore — Kazakistani, Kirgizia, Taxhikistani dhe Uzbekistani — e themeluan OBSh-në në vitin 2001.

Për Moskën dhe Pekinin, organizata u bë një hapësirë e rëndësishme për forcimin e pozitave të tyre dhe për ndërtimin e një partneriteti të balancuar në Euroazi.

Për Astanan, Bishkekun, Dushanbenë dhe Tashkentin, ndërkaq, ajo u shndërrua në një platformë globale që bashkoi aktorët më të rëndësishëm për Azinë Qendrore: Rusinë, Kinën dhe më pas edhe Indinë, shpjegon Stanislav Pritçin.

Sipas tij, përmes OBSh-së Azia Qendrore thellon dhe institucionalizon marrëdhëniet e saj me këto fuqi, çka përbën një komponent thelbësor të politikës shumëvektoriale të rajonit.

Gjatë 25 viteve të ekzistencës së saj, organizata është zgjeruar tri herë:

  • në vitin 2017 iu bashkuan India dhe Pakistani;
  • në vitin 2023, Irani;
  • në vitin 2024, Bjellorusia.

Për Indinë, pjesëmarrja në OBSh është gjithashtu një mjet i rëndësishëm për të balancuar ndikimin e Kinës.

Për Pakistanin dhe Iranin, ajo është njëkohësisht përgjigje ndaj presionit të sanksioneve perëndimore dhe një mënyrë për t’u integruar në korridoret e reja tregtare euroaziatike.

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka deklaruar se pjesëmarrja e vendit të tij në OBSh hap një “perspektivë strategjike”, para së gjithash në bashkëpunimin tregtar, ekonomik dhe investues, si dhe në zhvillimin e infrastrukturës së transportit, logjistikës, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Sot statusin e partnerit të OBSh-së, dhe rrjedhimisht edhe mundësinë për t’u anëtarësuar në të ardhmen, e kanë 17 vende:

  • Mongolia — që nga viti 2004;
  • Sri Lanka — 2009;
  • Afganistani dhe Turqia — 2012;
  • Kamboxhia — 2015;
  • Azerbajxhani, Armenia dhe Nepali — 2016;
  • Egjipti, Katari dhe Arabia Saudite — 2022;
  • Bahrejni, Kuvajti, Maldivet, Mianmari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe — 2023;
  • Laosi — 2026.

Megjithatë, zgjerimi i mëtejshëm i OBSh-së mund të mbetet për një periudhë në pauzë, deri në përfundimin e reformave të brendshme të organizatës, vlerëson Vladimir Jevsejev.

Sipas tij, në një të ardhme të afërt është më i mundshëm zgjerimi i listës së partnerëve sesa shtimi i vendeve me status të plotë anëtarësimi.

Analisti politik tërheq vëmendjen se veprimet e Teheranit për bllokimin e Ngushticës së Hormuzit kanë shkaktuar pakënaqësi në monarkitë arabe të Gjirit Persik, të cilat janë partnere të OBSh-së.

Për këtë arsye, sipas tij, përfaqësuesit e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahrejnit nuk marrin pjesë në samit, ndërsa në përgjithësi procesi i tërheqjes së partnerëve të rinj nga Lindja e Mesme po përballet me presione.

Çfarë çështjesh të sigurisë do të diskutohen në Bishkek

Në Tianjin u njoftua krijimi i një sistemi prej katër qendrash sigurie të OBSh-së:

  • Qendra Universale për Kundërvënien ndaj Sfidave dhe Kërcënimeve të Sigurisë së Shteteve të OBSh-së;
  • Qendra për Sigurinë e Informacionit — të dyja në Tashkent;
  • Qendra për Luftën kundër Krimit të Organizuar Transnacional — në Bishkek;
  • Qendra Kundër Narkotikëve — në Dushanbe.

Në Bishkek, liderët e vendeve të organizatës do të informohen për rezultatet e para të punës për vënien në funksion të këtyre institucioneve.

Gjithashtu, në Deklaratën e Tianjinit, vendet e OBSh-së u zotuan për herë të parë zyrtarisht të bashkëpunojnë për parandalimin e rreziqeve që lidhen me inteligjencën artificiale.

Në Bishkek planifikohet të diskutohen mekanizmat praktikë për kontrollin e sigurisë së teknologjive civile dhe ushtarake të inteligjencës artificiale.

Historikisht, OBSh-ja lindi nga marrëveshjet për forcimin e besimit ushtarak në kufijtë ndërmjet Rusisë, Kinës, Kazakistanit, Kirgizisë dhe Taxhikistanit, por ajo nuk ka qenë asnjëherë një aleancë ushtarake, shpjegon Vladimir Jevsejev.

Bashkëpunimi i anëtarëve të saj në fushën e sigurisë përqendrohet në luftën e përbashkët kundër terrorizmit, separatizmit dhe ekstremizmit — objektiva për të cilat që nga viti 2003 zhvillohen stërvitjet e OBSh-së me emrin “Misioni Paqësor”.

Kësaj liste i shtohen edhe kërcënime të tjera joushtarake: krimi ndërkombëtar, trafikimi i paligjshëm i armëve dhe narkotikëve, si dhe sfidat e sigurisë kibernetike./Expert.ru