Ballina Aktualitet Kasami dhe Mexhiti para aktgjykimit në Hagë: Presim vendim që do të...

Kasami dhe Mexhiti para aktgjykimit në Hagë: Presim vendim që do të konfirmojë pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së

Bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti kanë reaguar në prag të shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë.

Në postime të publikuara në Facebook, Kasami dhe Mexhiti kanë përcjellë të njëjtin mesazh, duke e cilësuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si luftë për liri, dinjitet dhe çlirimin e Kosovës.

Ata e kanë quajtur procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së “të padrejtë dhe kundërthënës” dhe kanë shprehur pritjen që vendimi i gjykatës të konfirmojë pafajësinë e tyre.

Aktgjykimi në çështjen ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit është caktuar të shpallet të mërkurën, më 16 shtator 2026, në orën 10:00, sipas Dhomave të Specializuara të Kosovës. Seanca do të jetë publike dhe transmetimi do të jetë i disponueshëm edhe në gjuhën shqipe.

Kasami dhe Mexhiti shkruajnë:

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri, për dinjitet dhe për çlirimin e popullit tonë.

Procesi i padrejtë dhe kundërthënës ndaj komandantëve të UÇK-së në Hagë, duhet të përfundojë nesër dhe ne presim që të merret një vendim i drejtë që do të konfirmojë pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së që luftuan për çlirimin e Kosovës.

Publicitet

Lufta për liri nuk mund të barazohet me krimin; viktima me dhunuesin, ndërsa sakrifica për çlirimin e Kosovës nuk duhet të kthehet në agjendë politike për kundërshtuesit e pavarësisë dhe shtetshmërisë së Kosovës.

Liria e Kosovës u fitua me sakrificë, guxim dhe gjak. Emrin e lirisë sot e bartin me guxim e dinjitet liderët tanë që padrejtësisht ndodhen në Hagë.

Momenti i së vërtetës po afron.

Për ne, liria e Kosovës nuk është thjesht një fjalë, është amanet.

🇽🇰 Për lirinë, drejtësinë, dinjitetin. Për Kosovën.”

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi përballen me akuza për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Procesi gjyqësor nisi më 3 prill 2023, ndërsa faza e paraqitjes së provave u mbyll më 18 dhjetor 2025. Deklaratat përfundimtare u mbajtën nga 9 deri më 18 shkurt 2026. Aktgjykimi i 16 shtatorit do të jetë vendimi i shkallës së parë. /Tetova News