Ballina Kronika Kërcënoi kryeministrin Mickoski në rrjetet sociale, kërkohet paraburgim për 39-vjeçarin nga Kumanova

Kërcënoi kryeministrin Mickoski në rrjetet sociale, kërkohet paraburgim për 39-vjeçarin nga Kumanova

Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka nisur procedurë penale ndaj një 39-vjeçari nga fshati Çerkez, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Rrezikim i sigurisë”, sipas nenit 144, paragrafi 5 të Kodit Penal.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari përmes mesazheve në rrjetet sociale e ka fyer dhe kërcënuar kryeministrin Hristijan Mickoski.

Prokurori publik i ka paraqitur gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit.

Në kërkesën për paraburgim janë marrë parasysh rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, rreziku i arratisjes, si dhe sjellja e mëparshme e të dyshuarit.

Sipas Prokurorisë, 39-vjeçari figuron si autor edhe i veprave të tjera nga fusha e kriminalitetit të dhunshëm, përfshirë dhunën dhe fajden, ndërsa ndaj tij janë evidentuar edhe një numër më i madh kundërvajtjesh për prishjen e rendit dhe qetësisë publike.

Nga provat e siguruara lidhur me sjelljen e tij të mëparshme, Prokuroria e përshkruan të dyshuarin si person konfliktuoz, i cili përfshihet vazhdimisht në mosmarrëveshje, kërcënime dhe përleshje fizike.

Prokuroria vlerëson se ekziston rrezik real që shpërthime të tilla agresive të përshkallëzohen në vepra më të rënda penale, me pasoja që mund të rrezikojnë jetën.

Publicitet

Për propozimin e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit duhet të vendosë gjyqtari i procedurës paraprake. /TN