Kupa e Kombeve të Afrikës për femra (AFCON), e organizuar nga Maroku dhe e përfunduar në mesin e gushtit me fitoren e Kamerunit, tërhoqi relativisht pak vëmendje në vendet perëndimore. Megjithatë, kjo garë ilustron qartë përparimin e rëndësishëm të sportit të grave në botën arabe.
Në një kompeticion që dikur dominohej nga vendet e Afrikës Subsahariane, tri përfaqësuese arabe – Algjeria, Egjipti dhe Maroku – u kualifikuan në turneun final, ndërsa Maroku ka arritur të paktën deri në gjysmëfinale në tri edicionet e fundit.
Ky zhvillim është rezultat i një politike strategjike për avancimin e sportit të grave, e zbatuar, ndonëse në mënyrë të pabarabartë, që nga fundi i viteve 1990 si në Afrikën e Veriut, ashtu edhe në Lindjen e Mesme.
Mund të dallohen dy strategji mjaft të ndryshme. E para mund të përshkruhet si një zhvillim jashtëzakonisht i shpejtë dhe i nxitur drejtpërdrejt nga shteti.
Shembulli më karakteristik është Arabia Saudite, e cila, që nga reformat e ndërmarra nën drejtimin e princit të kurorës, ka ngritur nga e para struktura për gratë pothuajse në të gjitha disiplinat sportive, ka trajnuar drejtuese dhe trajnere dhe ka ndërtuar infrastrukturë me synimin për të krijuar një pjesëmarrje të gjerë të grave në sport.
Një rol qendror në këtë proces ka luajtur Instituti për Zhvillimin e Liderëve, institucion që varet nga Ministria e Sportit dhe që për disa vite është drejtuar nga Mezna Al Marzooqi, një nga figurat kryesore të zhvillimit të sportit të grave në Arabinë Saudite.
Futbolli, sporti kombëtar, nuk ka mbetur jashtë këtij transformimi të shpejtë. Shumë vajza dhe gra të reja, pioniere të vërteta në këtë fushë, janë tashmë pjesë e klubeve të krijuara rishtazi, me shpresën që një ditë të luajnë në ligën profesionale të futbollit të grave ose në përfaqësuesen kombëtare, e cila tashmë është e renditur edhe nga FIFA.
Rritja e pjesëmarrjes së grave në sport ka prekur edhe nivelet më të larta, siç ndodh shpesh në Arabinë Saudite. Mes figurave të spikatura janë skermëtarja olimpike Lama Alfozan dhe princesha Mishael Faisal Al Saud, e cila mban disa poste me përgjegjësi në organizatat e çiklizmit.
“Plani Marshall” në Marok
Modeli i dytë është ai i Marokut, i cili është natyrshëm më i avancuar, pasi mbështetet mbi një traditë më të gjatë.
Përfaqësuesja e parë kombëtare e grave u krijua në vitin 1997, kampionati kombëtar në vitin 2008, ndërsa në vitin 2019 ai u profesionalizua.
Pika vendimtare e kthesës erdhi gjatë viteve 2019 dhe 2020, me atë që u quajt një lloj “Plani Marshall” për futbollin e grave. Buxheti për këtë sektor u rrit gjashtëfish dhe futbollistet fituan qasje në infrastrukturën moderne të kompleksit Mohammed VI.
Rezultatet nuk vonuan.
Futbollistet marokene arritën në finale të Kupës së Kombeve të Afrikës për femra në vitet 2022 dhe 2024, ndërsa Maroku u bë përfaqësuesja e parë arabe që u kualifikua në Kupën e Botës për femra më 2023. Kjo e ka shndërruar Mbretërinë në liderin e padiskutueshëm të botës arabe në futbollin e grave.
Këto dy modele zhvillimi janë ndjekur edhe nga vende të tjera, veçanërisht nga Egjipti dhe Tunizia, por pa arritur përmasat e zhvillimit të Marokut.
Modeli saudit ka frymëzuar gjithashtu vende të tjera të Gjirit, ndonëse në një shkallë më të kufizuar.
Në Gjirin Persik, Katari ka investuar gjithashtu në zhvillimin e futbollit të grave, por, në mënyrë paradoksale, përfaqësuesja e tij kombëtare nuk ka zhvilluar ndeshje që nga viti 2014. Ndërkohë, Bahreini, i cili krijoi në vitin 2003 përfaqësuesen e parë kombëtare arabe të grave, kishte qenë një nga vendet pioniere në këtë fushë.
T’u jepet fund klisheve
Sporti i grave, dhe veçanërisht futbolli, është shndërruar në një instrument të fuqisë së butë dhe të ndikimit ndërkombëtar për shumicën e vendeve arabe.
Megjithatë, dy modelet e zhvillimit pasqyrojnë realitete të ndryshme.
Në Marok, të drejtat e grave kanë përparuar prej shumë vitesh dhe zhvillimi i futbollit të grave është vetëm një tregues i mëtejshëm i forcimit të përgjithshëm të Mbretërisë, në një proces që është zhvilluar pothuajse organikisht.
Modeli saudit, i cili është ndjekur në forma të ndryshme edhe në vendet e tjera të Gjirit, është më shumë një tregues i të drejtave të reja që u janë dhënë grave, por njëkohësisht edhe një instrument komunikimi me pjesën tjetër të botës.
Këto dy modele pasqyrojnë dinamika të ndryshme politike, por njëkohësisht sfidojnë një numër të madh stereotipesh që lidhen me sportin e ushtruar nga gratë arabe dhe myslimane.
Larg interpretimeve të mbështetura vetëm mbi çështjet e identitetit, këto gra po shndërrohen në modele emancipimi dhe janë pjesë e një lëvizjeje më të gjerë e më të thellë shoqërore drejt emancipimit – një proces që në Perëndim shpesh perceptohet dobët ose keqkuptohet./L’Express.fr
Arnaud Lacheret është profesor i shkencave politike në Skema Business School, në kampusin e Dubait. Ai është autor, ndër të tjera, i librave “La femme est l’avenir du Golfe” dhe “Les Intégrés” (Le Bord de l’Eau).















