Ballina Aktualitet Mickoski: Maqedonia duhet të jetë më e madhe se të gjitha dallimet...

Mickoski: Maqedonia duhet të jetë më e madhe se të gjitha dallimet tona

Kryeministri Hristijan Mickoski, në fjalimin e tij të sotëm me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë, dërgoi mesazhin se mësimi më i rëndësishëm duhet të jetë se shteti nuk ka njerëz për t’i ndarë dhe se, pavarësisht dallimeve, bindjeve dhe besimeve, Maqedonia duhet të jetë mbi gjithçka.

“Pas 35 vjetësh pavarësi, ndoshta mësimi më i rëndësishëm që duhet të nxjerrim është se shteti nuk ka njerëz për t’i ndarë. Jemi shumë pak që të ndahemi dhe jemi ndarë për një kohë shumë të gjatë për të mos e kuptuar se sa shtrenjtë na kanë kushtuar ndarjet.

Nuk është e nevojshme që të gjithë të mendojmë njësoj. Nuk është e nevojshme t’i përkasim së njëjtës parti politike, të kemi të njëjtat bindje apo të njëjtën pikëpamje për çdo çështje. Demokracia do të thotë të kemi dallime. Por shteti do të thotë të dimë se çfarë është më e madhe se dallimet tona, ndërsa Maqedonia duhet të jetë më e madhe se të gjitha dallimet tona.

Unë besoj në konceptin ‘Maqedonia e të gjithë njerëzve’. Besoj në një atdhe ku shteti nuk pyet se kush je, nga vjen, në cilën gjuhë flet, cilit Zot i lutesh apo për kë voton, por çfarë mund të bëjmë së bashku për vendin ku jetojmë”, theksoi Mickoski.

Ai tha se kjo nënkupton një shtet në të cilin maqedonasit, shqiptarët, turqit, romët, serbët, vllehët, boshnjakët dhe të gjithë bashkëqytetarët tanë kanë interes të përbashkët që ai të jetë i suksesshëm; një shtet ku dallimet nuk janë arsye për ndarje, por pjesë e shtëpisë sonë të përbashkët.

“Kjo do të thotë atdhe edhe për atë që jeton në Shkup, edhe për atë që jeton në fshatin më të vogël. Shtet i punëtorit dhe bujkut, i mjekut dhe mësuesit, i studentit dhe pensionistit, i sipërmarrësit dhe artistit.

Shtet i atyre që kanë qëndruar këtu, por edhe i atyre që janë larguar dhe ende e mbajnë atdheun brenda vetes. Atdhe i atyre që votojnë për pushtetin dhe i atyre që votojnë për opozitën. I atyre që pajtohen me mua, por edhe i atyre që kurrë nuk do të pajtohen me mua.

Publicitet

Sepse roli i një kryeministri nuk është të jetë kryeministër vetëm i atyre që kanë votuar për të. Qeveria nuk guxon të jetë qeveri vetëm e një partie dhe institucionet nuk duhet të jenë pronë e asnjë strukture politike. Ato i përkasin popullit.

Kjo, për mua, është thelbi i ‘Maqedonisë së të gjithë njerëzve’. Sepse pushteti kalon. Funksionet kalojnë. Fitoret dhe humbjet partiake kalojnë. Atdheu është ai që duhet të mbetet”, deklaroi kryeministri.

Ai theksoi se nuk do t’u kërkojë atyre që nuk pajtohen me të të fillojnë të mendojnë si ai, por do të kërkojë diçka shumë më të rëndësishme: kur bëhet fjalë për shtetin, të gjendet forca për të qëndruar pranë njëri-tjetrit.

“Prandaj, sot nga kjo foltore i ftoj të gjithë ata që mendojnë ndryshe që të vazhdojmë të debatojmë edhe më tej për çështjet ku kemi dallime, por të bashkohemi rreth një gjëje: të qëndrojmë fuqishëm në mbrojtje të interesave shtetërore të atdheut tonë të përbashkët.

Ta mbrojmë shtetin, i cili është dhe do të jetë i të gjithë njerëzve. Por kjo nuk duhet të mbetet vetëm një koncept politik; duhet të jetë kontrata jonë shoqërore. Një premtim ndaj njëri-tjetrit se askush nuk do të jetë më pak i rëndësishëm sepse është i ndryshëm, se askush nuk do të lihet pas dhe se shteti do të jetë mjaftueshëm i madh për të gjithë qytetarët e tij.

T’u lëmë një shtet ku nuk do të trashëgojnë urrejtje të vjetra, por mundësi të reja”, tha Mickoski.

Në fjalimin e tij ai u ndal edhe te procesi i marrjes së vendimeve, duke theksuar se karakteri i një njeriu lidhet me edukimin dhe personalitetin e tij, ndërsa personalitetin e ndërton edhe mjedisi në të cilin jeton.

“Për mua, më e rëndësishme sesa fama, fuqia dhe pushteti është të mos i zhgënjej dhe të mos i turpëroj prindërit dhe familjen time, të mos lë njollë për fëmijët e mi dhe, në fund, të mos i zhgënjej qytetarët e atdheut tim – shtetin që mua dhe familjes sime na ka dhënë gjithçka.

Nuk ekziston çmim për të cilin do të merrja një vendim me të cilin do ta turpëroja apo zhgënjeja atë.

Besoni, çdo vendim që marr, e marr me bindjen e thellë se duhet të bëjmë më shumë për shtetin dhe t’ia kthejmë atdheun popullit tonë.

Dhe sado që të tingëllojë si klishe, do t’ju them se për mua është një nder jashtëzakonisht i madh të punosh për popullin dhe ta jetojmë së bashku ëndrrën e shumë brezave para nesh”, deklaroi Mickoski.

Ai shtoi se shteti dhe institucionet e tij mbështeten mbi luftën për liri, mbi idetë dhe jetët e figurave të mëdha historike, mbi mosnënshtrimin e Goce Dellçevit, sakrificën e Pit Guli, urtësinë e Nikola Karevit, luftën e gjatë të Gjorçe Petrovit dhe Sandanskit, idetë dhe organizimin e Todor Aleksandrovit, luftarakësinë e Pavel Shatevit, vizionin e Metodija Andonov-Çentos dhe Petre Piruzes, guximin e Ibe Palikuqës, si dhe parimet dhe strategjinë e Mihajlo Apostolskit.

“Mbi këto themele është ndërtuar atdheu ynë. Dhe mbi këto themele punoi presidenti i parë i shtetit të pavarur maqedonas, Kiro Gligorov, si edhe kryeministri i parë, Nikola Klusev. Nën atë flamur përfundoi edhe jeta e Boris Trajkovskit.

Dua t’ju them se mund të numërojmë emra pa fund dhe ngjarje pa fund në këtë varg, dhe koha nuk do të mjaftonte. Por më e rëndësishme sesa debati i opozitës se kujt i përket Gligorovi është mesazhi ynë se për të gjithë ka vend dhe respekt nën këtë qiell dhe këtë flamur.

Nuk ekziston atdheu juaj dhe atdheu ynë, kryeministri juaj dhe kryeministri ynë, qeveria juaj dhe qeveria jonë, historia juaj dhe historia jonë.

Ka vetëm një atdhe, një ëndërr, një luftë. Një ide. Vetëm një dhe e vetmja Maqedoni. Dhe jemi shumë pak që të ndahemi”, deklaroi kryeministri.

Ai theksoi se gjatë historisë ka pasur shumë periudha kur ka qenë më e lehtë të besohej se atdheu nuk do të kishte sukses sesa se do të kishte sukses; ka pasur perandori që janë zhdukur, luftëra që kanë ndryshuar kufijtë, regjime që kanë menduar se do të zgjasnin përgjithmonë, periudha kur gjuha maqedonase është shtypur dhe kohë kur vetë ideja e shtetësisë maqedonase dukej e paarritshme.

“Por diçka ka mbetur. Ka mbetur fjala. Ka mbetur rrënja, historia. Ka mbetur pireji. Dhe ka mbetur ajo pjesë e panënshtruar e karakterit tonë, e cila, sa herë që dikush mendon se atdheu nuk ka më forcë të ngrihet, përsëri e çon atë në këmbë.

Kjo është trashëgimia jonë. Por trashëgimia jonë nuk është justifikim që të jetojmë vetëm nga e kaluara. Nderimi më i madh që mund t’u bëjmë atyre para nesh nuk është të flasim pafundësisht për veprat e tyre, por të krijojmë veprat tona”, tha Mickoski.

Kryeministri theksoi se Krste Misirkov, Koço Racin, Bllazhe Koneski, Ante Popovski dhe Petre M. Andreevski e kanë shkruar faqen e tyre; të njëjtën gjë e ka bërë edhe brezi i pavarësisë, ndërsa tani radha është e brezit të sotëm.

“Të shkruajmë një faqe që nuk do të jetë faqe ndarjesh, dëshpërimi dhe mundësish të humbura, por faqe pune, rindërtimi, dinjiteti dhe suksesi.

Të shkruajmë një kohë në të cilën populli maqedonas dhe qytetarët përsëri do të mësojnë të besojnë në aftësitë e tyre.

Të ndërtojmë një shtet që do të jetë më i fortë se çdo parti, më i madh se çdo individ dhe më i rëndësishëm se çdo funksion.

Sepse të gjithë ne jemi kalimtarë. Qeveritë janë kalimtare. Presidentët janë kalimtarë. Kryeministrat janë kalimtarë. Atdheu mbetet”, tha Mickoski.

Në fund, ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të besojnë në atdheun e tyre, jo sepse ai është i përsosur, por sepse është i tyre dhe sepse mund ta bëjnë më të mirë.

“Çdo njeriu tonë, çdo njeriu që këtë mëngjes është zgjuar herët për të shkuar në punë, bujkut që punon tokën e tij, mjekut që shpëton jetë, mësuesit që jep dije, policit dhe ushtarit që ruan shtetin, sipërmarrësit që rrezikon për të krijuar një vend të ri pune, të riut që pyet veten nëse e ardhmja e tij mund të jetë këtu; çdo njeriu tonë në Evropë, Amerikë, Kanada, Australi dhe kudo në botë, dua sot t’i dërgoj një mesazh të thjeshtë:

Besoni në atdheun tuaj.

Jo sepse është i përsosur, por sepse është i yni dhe sepse mund ta bëjmë më të mirë.

Jo sepse nuk kemi probleme, por sepse kemi forcë t’i zgjidhim.

Jo sepse historia na ka premtuar fitore, por sepse ne jemi të gatshëm ta meritojmë atë”, përfundoi Mickoski.