Ballina Aktualitet Thaçi dhe Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18...

Thaçi dhe Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 e Selimi me 13 – përmbledhja e plotë e aktgjykimit

Trupi Gjykues sot shqiptoi aktgjykimin në çështjen gjyqësore të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Trupi Gjykues konstatoi se të katër të akuzuarit ishin penalisht përgjegjës për krimet e luftës të ndalimit arbitrar kundër 385 personave, trajtimit mizor kundër 49 personave, torturës kundër 303 peronave dhe vrasjes së paligjshme kundër 96 personave.

Trupi Gjykues i shpalli të akuzuarit të pafajshëm për krime kundër njerëzimit pasi Prokurori i Specializuar nuk arriti të vërtetonte jashtë dyshimit të arsyeshëm se ishte kryer sulm i përhapur gjerësisht ose sistematik kundër një popullate civile. Gjithashtu të akuzuarit u shpallën të pafajshëm në lidhje me një numër incidentesh krime lufte.

Trupi Gjykues dënoi Hashim Thaҫin me 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet burgim, Rexhep Selimin me 13 vjet burgim dhe Jakup Krasniqin me 25 vjet burgim, duke llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim.

Aktgjykimi i plotë (KËTU)


Hagë, 16 shtator 2026

Përmbledhje e Aktgjykimit në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar k. Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit (KSC-BC-2020-06)

  1. Trupi Gjykues II do të shqiptojë sot Aktgjykimin në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar k. Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Trupi Gjykues përbëhet nga unë, Çarls L. Smith III, Kryegjykatës, gjykatësit Kristof Barte, Ginel Metro dhe Fergal Gejnor, gjykatës rezervë. Ky Aktgjykim shqiptohet publikisht, në emër të popullit të Kosovës dhe në prani të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuarit.
  2. U kërkoj me mirësjellje personave të ulur në galerinë për publikun të qëndrojnë në heshtje dhe të ruajnë qetësinë gjatë leximit të përmbledhjes së Aktgjykimit. Ju lutem mbani parasysh se këtu jemi në gjykatë dhe se po diskutohen dhe merren vendime për çështje të rëndësishme. Çfarëdo prishje e qetësisë, verbalisht apo fizikisht, do të çojë në marrjen e masave përkatëse nga gjykata dhe oficerët e sigurisë.
  3. Para se të kalojë te konstatimet e Trupit Gjykues në lidhje me akuzat kundër z. Thaçi, z. Veseli, z. Selimi dhe z. Krasniqi, Trupi Gjykues dëshiron të trajtojë disa aspekte të rëndësishme.
  4. Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë me veprimet dhe sjelljen e të akuzuarve, z. Thaçi, z. Veseli, z. Selimi dhe z. Krasniqi, sikurse paraqiten në Aktakuzë.
  5. Çështja ka të bëjë vetëm me faktet dhe rrethanat që lidhen me akuzat kundër të akuzuarve në këtë çështje gjyqësore. Kjo çështje gjyqësore nuk ka të bëjë me legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe synimin e saj për një Kosovë të pavarur. Kjo çështje gjyqësore nuk ka të bëjë me vlerësimin e përgjegjësive të njërës palë kundrejt atyre të palës tjetër. Kjo çështje gjyqësore nuk ka të bëjë me krimet që, padyshim, forcat dhe paraushtarakët serbë kryen kundër shqiptarëve të Kosovës. Kjo çështje gjyqësore nuk ka të bëjë me çfarëdo pretendimi për vetëmbrojtje.
  6. Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë vetëm me pyetjet se a janë kryer krimet e pretenduara në Aktakuzë dhe a mund të mbahen penalisht përgjegjës të akuzuarit për to. Konkretisht, për krimet që pretendohet se janë kryer kundër serbëve, romëve dhe, në veçanti, kundër shqiptarëve të Kosovës nga disa anëtarë të UÇK-së dhe nga vetë të akuzuarit.
  7. Lidhur me këtë aspekt, përgjegjësia penale para Dhomave të Specializuara është vetëm personale. Ky parim mishërohet në kornizën ligjore të Dhomave të Specializuara. Ai i jep juridiksion kësaj gjykate vetëm mbi persona fizikë. Rrjedhimisht, Dhomat e Specializuara përballin me përgjegjësi penale persona, vetëm për krime që ata i kanë kryer individualisht. Në këtë çështje gjyqësore, akuzat e paraqitura nga Prokurori i Specializuar kanë të bëjnë vetëm me përgjegjësinë penale individuale të të akuzuarve.
  8. Gjatë marrjes së vendimit në lidhje me këtë aspekt, Trupi Gjykues u udhëhoq nga parimi se roli i tij është të vlerësojë provat për të përcaktuar të vërtetën dhe për të siguruar që drejtësia të vihet në vend. Siç ka thënë burri i shtetit dhe kryeministri britanik Benxhamin Dizraeli: “Drejtësi është e vërteta në veprim.”
  9. Ishte përgjegjësi e Trupit Gjykues ta kryente gjykimin duke respektuar dhe iu përmbajtur parimeve të procesit ligjor të rregullt, zbatimit të standardit të vërtetimit jashtë dyshimit të arsyeshëm dhe të mosshpalljes fajtor të askujt pa qenë i bindur jashtë dyshimit të arsyeshëm për fajësinë e personit. Ky Trup Gjykues, gjatë këtyre tre viteve e gjysmë të fundit, ka qenë i përkushtuar për respektimin e këtyre parimeve.
  10. Tani do të filloj me përmbledhjen e Aktgjykimit. Do të lexoj një përmbledhje të konstatimeve kryesore të Trupit Gjykues, por kjo përmbledhje nuk është pjesë e Aktgjykimit, i cili është i vetmi dokument autoritativ që pasqyron konstatimet dhe verdiktin e Trupit Gjykues. Përmbledhja që nuk është version autoritativ, do të jetë e disponueshme në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara. Versioni konfidencial i Aktgjykimit do t’u vihet në dispozicion të akuzuarve, palëve dhe pjesëmarrësve në fund të seancës. Versioni i redaktuar publik dhe versionet e përkthyera të Aktgjykimit do të vihen në dispozicion në kohën e duhur.

Të akuzuarit dhe akuzat

  1. Do të filloj duke rikujtuar akuzat kundër të akuzuarve.
  2. Hashim Thaçi – i akuzuari i parë në këtë çështje gjyqësore – është shtetas i Kosovës, i lindur më 24 prill 1968 në Burojë, komuna e Skënderajt, Kosovë. Zyra e Prokurorit të Specializuar, në vazhdim e përmendur si ZPS, pretendon se z. Thaçi ishte anëtar themelues i UÇK-së, në anglisht Kosovo Liberation Army, më tej e përmendur me shkurtesën UÇK, si edhe anëtar themelues i Shtabit Qendror ose Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe se ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së nga 1998 dhe në 1999, dhe se, së paku nga marsi 1998 deri në shtator 1999, ai ishte gjithashtu: (i) shef i Drejtorisë Politike dhe asaj të Informimit të UÇK-së; dhe (ii) Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, përmendur më tej me shkurtesën QPK, dhe Kryekomandant i UÇK-së.
  3. Kadri Veseli – i akuzuari i dytë në këtë çështje gjyqësore – është shtetas i Kosovës, i lindur më 31 maj 1967 në Mitrovicë, komuna e Mitrovicës, Kosovë. ZPS-ja pretendon se z. Veseli ishte anëtar themelues i UÇK-së dhe i Shtabit të Përgjithshëm, ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm nga 1998 dhe në 1999, dhe ishte gjithashtu: (i) anëtar i Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe shef i Drejtorisë së Zbulimit të UÇK-së, e quajtur edhe “G-2”; (ii) shef i Shërbimit Informativ të Kosovës, i njohur me shkurtesën “SHIK”; dhe (iii) ministër i Shërbimit Informativ në QPK.
  4. Rexhep Selimi – i akuzuari i tretë në këtë çështje gjyqësore – është shtetas i Kosovës, i lindur më 15 mars 1971 në Aqarevë, komuna e Skënderajt, Kosovë. ZPS-ja pretendon se z. Selimi ishte anëtar themelues i Shtabit të Përgjithshëm, ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm nga 1998 dhe në 1999, dhe ishte gjithashtu: (i) shef i Drejtorisë Operative të UÇK-së; (ii) inspektor i përgjithshëm i UÇK-së; dhe (iii) ministër i Rendit Publik/ministër i Punëve të Brendshme në QPK.
  5. Jakup Krasniqi – i akuzuari i katërt dhe i fundit në këtë çështje gjyqësore – është shtetas i Kosovës, i lindur më 1 janar 1951 në Fatos (Negroc), komuna e Drenasit (Gllogocit), Kosovë. ZPS-ja pretendon se z. Krasniqi ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm nga 1998 dhe në 1999, dhe ishte gjithashtu: (i) anëtar i Drejtorisë Politike të UÇK-së; (ii) zëdhënës zyrtar i UÇK-së; (iii) zëvendëskomandant i UÇK-së; dhe (iv) zëdhënës i QPK-së.
  6. ZPS-ja ngriti ndaj të katër të akuzuarve gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit sipas nenit 13(1) të Ligjit, konkretisht për përndjekje (Pika 1), burgosje (Pika 2), veprime të tjera çnjerëzore (Pika 4), torturë (Pika 6), vrasje të paligjshme (Pika 8) dhe zhdukje me forcë (Pika 10). Sipas ZPS-së, veprimet dhe mosveprimet për të cilat u ngritën akuzat për krime kundër njerëzimit, ishin pjesë e një sulmi të përhapur gjerësisht ose sistematik kundër popullatës civile të kundërshtarëve. ZPS-ja gjithashtu ngriti pretendimin se të akuzuarit kishin dijeni për këtë sulm dhe se sjellja e tyre ishte pjesë e tij.
  7. ZPS-ja gjithashtu ngriti ndaj të akuzuarve katër akuza për krime lufte sipas nenit 14(1) të Ligjit, konkretisht për arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), trajtim mizor (Pika 5), torturë (Pika 7) dhe vrasje të paligjshme (Pika 9). Sipas ZPS-së, të gjitha veprimet dhe mosveprimet u kryen në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar dhe kishin lidhje me këtë konflikt ndërmjet UÇK-së dhe forcave të Republikës Federale të Jugosllavisë, më tej e përmendur me shkurtesën RFJ, konflikt ky që ekzistoi gjatë gjithë periudhës që mbulon Aktakuza. ZPS-ja pretendoi se krimet u kryen në, ose në lidhje me bazat dhe shtabet e UÇK-së, dhe/ose gjatë veprimtarive të UÇK-së, dhe se të akuzuarit kishin dijeni për rrethanat faktike që vërtetonin ekzistencën e konfliktit të armatosur dhe e dinin se viktimat ishin persona që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.
  8. ZPS-ja pretendoi se të akuzuarit kanë personalisht përgjegjësi penale, sipas formave të ndryshme të kësaj përgjegjësie, mbi bazë të nenit 16(1)(a) dhe (c) të Ligjit, për të gjitha krimet për të cilat u ngritën akuzat në Aktakuzë.
  9. Të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm për të gjitha akuzat.

Përmbledhje e gjykimit

  1. Tani do të bëj një përmbledhje të shkurtër të gjykimit. Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të ZPS-së dhe Mbrojtjes së Viktimave. Mbrojtja i bëri deklaratat hyrëse të saj më 4 dhe 5 prill 2023.
  2. Gjatë gjykimit, Trupi Gjykues mori provat e 273 dëshmitarëve, si në gjykatë ashtu dhe me shkrim. Trupi Gjykues pranoi 5.467 prova materiale. Trupi Gjykues bëri konstatim gjyqësor për 1.017 fakte të shqyrtuara në procese të tjera dhe për 29 fakte të pranuara. Gjithashtu, numri i faqeve të transkriptit në këtë proces gjyqësor arriti në 29.238 faqe.
  3. Në këtë gjykim morën pjesë gjithashtu 156 viktima.
  4. Pas dëgjimit të deklaratave përmbyllëse, më 18 shkurt 2026 çështja gjyqësore u mbyll dhe Trupi Gjykues vazhdoi me kuvendimet për shpalljen e Aktgjykimit.

Atmosfera e frikësimit të dëshmitarëve

  1. Ky gjykim u zhvillua në një atmosferë të vazhdueshme të frikësimit të dëshmitarëve. Disa dëshmitarë të ZPS-së që dëshmuan para Trupit Gjykues në këtë çështje gjyqësore tërhoqën deklaratat e dhëna në të kaluarën, shmangën dhënien e detajeve themelore nga dëshmitë e mëparshme, gënjyen Trupin Gjykues, recituan fjali të mësuara paraprakisht ose ndryshuan dëshmitë që kishin dhënë më parë. Disa dëshmitarë mund të kenë pasur frikë ose nuk kanë qenë të gatshëm t’i tregojnë Trupit Gjykues historinë e plotë të tyre për shkak të shqetësimeve për sigurinë e tyre dhe të familjeve të tyre, të tjerë dëshmitarë për shkak të besnikërisë së gabuar.
  2. Megjithatë, shumica e dëshmitarëve që u paraqitën para Trupit Gjykues e bënë këtë me shumë guxim dhe vendosmëri; disa dëshmitarë e bënë këtë përkundër frikësimit dhe përpjekjeve për t’i shkurajuar që të dëshmonin.
  3. Fakti që Trupi Gjykues po shqipton këtë Aktgjykim është dëshmi e guximit dhe vendosmërisë së tyre.
  4. Për shkak të kësaj atmosfere të frikësimit dhe rrezikut të dëmit, me të cilin u përballën shumë prej viktimave dhe dëshmitarëve për shkak të përfshirjes së tyre në këtë proces, për mbrojtjen e identiteteve të tyre u desh të miratoheshin masa mbrojtëse. Si rrjedhojë, Trupi Gjykues nuk do të bëjë të ditur publikisht emrat e tyre apo të të afërmve të tyre, për të mbrojtur sigurinë e tyre.

Konteksti historik

  1. Tani do të trajtoj shkurtimisht rrethanat historike që i paraprinë periudhës që lidhet me akuzat aktuale.
  2. Sipas Kushtetutës së vitit 1974 të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, apo RSFJ-së, Kosova ishte krahinë autonome. Në mars 1989, mes tensioneve në rritje, Kuvendi i Serbisë faktikisht i hoqi Kosovës statusin si krahinë autonome. Në përgjigje të protestave, autoritetet e RSFJ-së u përpoqën të forconin kontrollin e tyre mbi krahinën dhe zbatuan politika diskriminuese kundër popullatës së etnisë shqiptare. Pas kësaj, marrëdhëniet ndëretnike dhe situata ekonomike në Kosovë u përkeqësuan edhe më shumë.
  3. Në dhjetor 1989, u krijua Lidhja Demokratike e Kosovës, e njohur edhe me shkurtesën LDK, e udhëhequr nga Ibrahim Rugova, e cila ishte një nga partitë kryesore politike në Kosovë. Synimi kryesor i LDK-së ishte kundërshtimi i regjimit të RSFJ-së/regjimit serb në Kosovë dhe çuarja e Kosovës drejt pavarësisë, fillimisht përmes metodave paqësore dhe demokratike, por, e përballur me kundërshtim politik në rritje, më vonë ajo filloi të mbështeste edhe rezistencën e armatosur.
  4. Në shtator 1991, Kuvendi i Kosovës fillimisht miratoi kushtetutën e Republikës së Kosovës të saposhpallur në kuadër të RSFJ-së dhe më pas, më 22 shtator 1991, miratoi një rezolutë me të cilën e shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Në një referendum, shumica dërrmuese e shqiptarëve të Kosovës votuan pro pavarësisë.
  5. Në fillim të viteve ’90, në Kosovë filloi rezistenca e armatosur. Kjo u udhëhoq, ndër të tjerë, nga anëtarë të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, e njohur me shkurtesën LPRK, e cila më pas u quajt Lëvizja Popullore e Kosovës, e njohur me shkurtesën LPK. Në prill 1993, LPK-ja mori zyrtarisht vendimin për të nisur përgatitjet për luftë të armatosur në Kosovë, ku përfshiheshin sulmet kundër forcave të RFJ-së/forcave serbe dhe kundër atyre që konsideroheshin si kolaboracionistë të autoriteteve të RFJ-së/autoriteteve serbe.
  6. UÇK-ja, e cila në fakt ishte vazhdim dhe zhvillim i krahut ushtarak të LPK-së, u shfaq në vitet ’90. UÇK-ja u themelua zyrtarisht në kuvendin e tretë të përgjithshëm të LPK-së në vitin 1993 dhe paraqitjen e saj të parë publike e bëri më 28 nëntor 1997. Së paku që nga viti 1994, UÇK-ja kishte një Shtab të Përgjithshëm.
  7. UÇK-ja ishte organizatë politike dhe ushtarake. Në synimet e UÇK-së përfshihej pavarësia e Kosovës. Si strategji për arritjen e këtij qëllimi, UÇK-ja zgjodhi të përdorte forcën ushtarake dhe dhunën ndaj atyre që e kundërshtonin.

E kaluara dhe pozitat e të akuzuarve

  1. Le të kthehemi te e kaluara dhe pozitat e të akuzuarve.
  2. Hashim Thaçi. Z. Thaçi ishte anëtar themelues i UÇK-së si dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, si para ashtu edhe gjatë gjithë periudhës që lidhet me akuzat. Në qershor 1998, me themelimin e Drejtorisë Politike të UÇK-së, z. Thaçi u bë shef ose drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK-së. Në gusht 1998, Shtabi i Përgjithshëm e emëroi z. Thaçi si përfaqësues politik të UÇK-së. Nga fundi i shkurtit 1999, z. Thaçi u bë Kryeministër i QPK-së dhe që nga ajo kohë e më tej, veproi edhe si Kryekomandant i UÇK-së.
  3. Kadri Veseli. Kadri Veseli ishte anëtar themelues i UÇK-së si dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, si para ashtu edhe gjatë gjithë periudhës që lidhet me akuzat. Nga maji 1998 deri në mars 1999, Kadri Veseli ishte shef i Drejtorisë së Zbulimit të UÇK-së ose G-2-shit, që ndonjëherë përmendet edhe me shkurtesa të tjera. Së paku nga gushti 1998, Kadri Veseli ishte anëtar i Drejtorisë Politike së bashku me Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin. Në fund të marsit 1999, kur QPK-ja themeloi një agjenci zbulimi të quajtur SHIK, Kadri Veseli u emërua shef i asaj agjencie.
  4. Rexhep Selimi. Z. Selimi ishte anëtar themelues i UÇK-së si dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, si para ashtu edhe gjatë gjithë periudhës që lidhet me akuzat. Nga marsi deri në gusht 1998, Rexhep Selimi ishte shef i Drejtorisë Operative të UÇK-së. Nga shtatori 1998, Rexhep Selimi ishte inspektor i përgjithshëm i UÇK-së. Kur u krijua QPK-ja, Rexhep Selimi u bë ministër i Rendit Publik.
  5. Jakup Krasniqi. Z. Krasniqi ishte anëtar i UÇK-së si dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, si para ashtu edhe gjatë gjithë periudhës që lidhet me akuzat. Në qershor 1998, z. Krasniqi u emërua si një nga dy zëvendëskomandantët e UÇK-së. Në korrik 1998, z. Krasniqi u emërua zëdhënës zyrtar i UÇK-së. Së paku që nga gushti 1998, z. Krasniqi ishte anëtar i Drejtorisë Politike të UÇK-së. Kur u krijua QPK-ja, z. Krasniqi u bë zëdhënës i QPK-së dhe më pas një nga ministrat e saj.

Konstatimet e Trupit Gjykues në lidhje me krimet për të cilat janë ngritur akuzat

  1. Tani do të trajtoj konstatimet e Trupit Gjykues në lidhje me krimet për të cilat janë ngritur akuzat në Aktakuzë dhe më pas do të kaloj te konstatimet e Trupit Gjykues në lidhje me përgjegjësinë e të akuzuarve. Fillimisht, do të trajtoj elementet kontekstuale, përkatësisht, të krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës.

Ekzistenca e një sulmi të përhapur gjerësisht ose sistematik kundër një popullate civile

  1. Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur gjerësisht ose sistematik kundër një popullate civile si kusht për krimet kundër njerëzimit, Trupi Gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk arriti të vërtetonte jashtë dyshimit të arsyeshëm, sipas nenit 13 të Ligjit, se ishte kryer sulm i përhapur gjerësisht ose sistematik kundër një popullate civile. Në lidhje me këtë, Trupi Gjykues konstatoi se, midis së paku prillit 1998 dhe gushtit 1999, anëtarë të UÇK-së kryen akte dhune dhe keqtrajtimi ndaj civilëve anembanë Kosovës dhe në disa zona në Shqipërinë veriore të kontrolluara nga UÇK-ja, ndër to edhe aktet e përmendura në nenin 13 të Ligjit. Trupi Gjykues gjithashtu konstatoi se këto akte përbënin sulm të përhapur gjerësisht dhe sistematik. Sidoqoftë, Trupi Gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk arriti të vërtetonte jashtë dyshimit të arsyeshëm se ky sulm u drejtua kundër një popullate civile. Në veçanti, Trupi Gjykues konstatoi se, ndonëse ekzistonte një politikë ose plan për shënjestrimin e personave që konsideroheshin kundërshtarë, viktimat u zgjodhën dhe u shënjestruan kryesisht, e për disa prej tyre, vetëm bazuar në faktorë individualë, e jo bazuar në përkatësinë e tyre në një popullatë civile të shënjestruar. Rrjedhimisht, Trupi Gjykues nuk është bindur se personat e shënjestruar nga anëtarë të UÇK-së në kontekstin e kësaj çështjeje gjyqësore mund të cilësohen si popullatë civile në kuadër të akuzës për krime kundër njerëzimit.
  2. Rrjedhimisht, Trupi Gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk arriti të provonte jashtë dyshimit të arsyeshëm se ishin kryer krime kundër njerëzimit si përndjekja (Pika 1), burgosja (Pika 2), veprime të tjera çnjerëzore (Pika 4), tortura (Pika 6), vrasja e paligjshme (Pika 8) dhe zhdukja me forcë (Pika 10).

Konflikti i armatosur – lidhja – dijenia

  1. Tani do të kaloj te konflikti i armatosur si parakusht për të gjitha krimet e luftës. Trupi Gjykues konstatoi se, të paktën nga fundi i marsit 1998 e deri më 20 qershor 1999 ose rreth këtyre datave, midis UÇK-së dhe forcave të RFJ-së/forcave serbe u zhvillua një konflikt i armatosur jondërkombëtar sipas nenit 14(2) të Ligjit dhe të drejtës zakonore ndërkombëtare. Ky konflikt u zhvillua në Kosovë, por e drejta humanitare ndërkombëtare në lidhje me atë konflikt ishte në fuqi edhe në disa vendndodhje të kontrolluara nga UÇK-ja, në Shqipërinë veriore. Trupi Gjykues gjithashtu konstatoi se krimet për të cilat janë ngritur akuzat u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar dhe kishin lidhje me të, çka përmbush kriterin e lidhjes. Trupi Gjykues gjithashtu konstatoi se viktimat ishin persona që gëzonin mbrojtje ligjore sipas standardeve në fuqi të së drejtës humanitare ndërkombëtare, pasi nuk merrnin pjesë aktive në luftime në periudhën përkatëse. Trupi Gjykues gjithashtu është bindur se të katër të akuzuarit ishin në dijeni të rrethanave që vërtetojnë ekzistencën e konfliktit të armatosur jondërkombëtar, lidhjen me të dhe statusin e mbrojtur të viktimave.
  2. Në vijim të këtij konstatimi, Trupi Gjykues arriti në përfundimin se incidentet mbi të cilat bazohen akuzat për krime lufte, të cilat filluan pas 20 qershorit 1999, pra, pas përfundimit të konfliktit të armatosur jondërkombëtar midis UÇK-së dhe forcave të RFJ-së/forcave serbe dhe pasi normat e të drejtës humanitare ndërkombëtare nuk zbatoheshin më për personat në fjalë, nuk mund të cilësohen si krime lufte. Rrjedhimisht, Trupi Gjykues konstatoi se nuk përmbushen kriteret e përgjithshme të nenit 14 të Ligjit në lidhje me këto krime.

Krimet e paraqitura në Aktakuzë që përmbushin elementet kontekstuale të krimeve të luftës

  1. Tani do të trajtoj konstatimet e Trupit Gjykues në lidhje me krimet e paraqitura në Aktakuzë që përmbushin elementet kontekstuale të krimeve të luftës. Në lidhje me këtë, Trupi Gjykues rikujton se kur personave u hiqet liria në rrethana që lidhen me një konflikt, në parim, normat e të drejtës humanitare ndërkombëtare vazhdojnë të zbatohen në lidhje me personat e ndaluar, deri në momentin kur përfundon heqja apo kufizimi i lirisë.

Pika 3: Arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar

  1. Do të filloj me Pikën 3, arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar. Bazuar në tërësinë e provave që disponohen, Trupi Gjykues ka konstatuar se midis prillit 1998 dhe 20 qershorit 1999 së paku 385 personave iu hoq arbitrarisht liria nga anëtarë të UÇK-së në një sërë qendrash ndalimi të kontrolluara nga UÇK-ja në 14 komuna në Kosovë, dhe në disa vendndodhje në dy rrethe të Shqipërisë veriore.
  2. Viktimat u arrestuan nga anëtarë të UÇK-së, ndër ta dhe anëtarë të policisë ushtarake, dhe u çuan në qendrat e ndalimit të kontrolluara nga UÇK-ja në Kosovë dhe në Shqipërinë veriore. Shumë viktima u arrestuan nga anëtarë të UÇK-së në rrethana të ngjashme, në shtëpitë e tyre ose në rrugë dhe më pas u dërguan në një qendër ndalimi. Gjatë arrestimit nga anëtarë të UÇK-së, shumë viktima u rrahën, u keqtrajtuan verbalisht, iu lidhën sytë, iu lidhën duart apo këmbët dhe iu konfiskuan sendet personale. Provat tregojnë se përgjithësisht këta persona u arrestuan dhe u ndaluan me akuzat se ishin “kolaboracionistë të serbëve”, “kolaboracionistë”, “spiunë”, “tradhtarë” dhe akuza të tjera të ngjashme.
  3. Gjatë kohës që u mbajtën të ndaluar në qendrat e ndalimit, viktimat nuk ishin të lirë të largoheshin. Viktimat u mbajtën në dhoma të mbyllura me kyç ose të ruajtur me roja, të rrethuar nga anëtarë të armatosur të UÇK-së, të cilët nuk i lejonin të largoheshin; shumë prej të ndaluarve ishin të lidhur me zinxhirë, me pranga ose me duar të lidhura bashkë, të tjerë mbaheshin nën kërcënimin e armëve. Një dëshmitar i cili u mbajt i ndaluar në Llapushnik, tregoi se kur e futën në një stallë lopësh “aty ishin katër ose pesë grazhde për kafshët dhe të paktën shtatë persona të lidhur me zinxhirë ‘si kafshë'”.
  4. Në asnjë moment arrestimi dhe ndalimi i këtyre personave nuk u arsyetua me ndonjë proces penal, as me arsye logjike për të besuar se shqetësimet e sigurisë e bënin absolutisht të domosdoshme heqjen e lirisë së tyre. Në fakt, ndër të ndaluarit kishte mësues shkollash, bujq, pylltarë, punëtorë të thjeshtë dhe, në disa raste, gra dhe fëmijë. Me disa përjashtime shumë të kufizuara, nuk ka prova se ndonjë prej personave të ndaluar ishte i përfshirë në veprimtari kriminale, kishte marrë pjesë aktive në luftime apo në ndonjë veprimtari tjetër që shkaktonte shqetësime legjitime sigurie për UÇK-në që përligjnin ndalimin e tyre. Në fakt, viktimat u mbajtën në ndalim mbi bazën e akuzave të pafaktuara, jokonkrete dhe të thashethemeve se ishin kolaboracionistë të serbëve, si dhe për shkak të përkatësisë etnike apo pretendimeve për veprimtari të paspecifikuara “spiunimi” apo kontakte e veprimtari biznesi me serbë apo me policinë dhe ushtrinë serbe. Nuk ka prova të besueshme se personat e arrestuar dhe të mbajtur të ndaluar në objektet e ndalimit të UÇK-së ishin faktikisht “kolaboracionistë të serbëve”, “kolaboracionistë”, “spiunë” apo “tradhtarë”, siç u pretendua nga UÇK-ja.
  5. Ndonëse Trupi Gjykues dëgjoi dëshmi se disa arrestime dhe ndalime mund të kenë qenë të motivuara nga mëri personale, Trupi Gjykues konstatoi se edhe kur mëritë personale mund të kenë luajtur rol në arrestimin fillestar të personave, anëtarët e UÇK-së i formalizuan ndalimet e tyre, pa marrë parasysh burimin dhe vërtetësinë e akuzave ndaj atyre personave. Çdo herë, personat u ndaluan nga UÇK-ja dhe u mbajtën të ndaluar në objektet e UÇK-së; ata u quajtën “spiunë” dhe “kolaboracionistë”, u keqtrajtuan dhe në disa raste u vranë nga anëtarë të UÇK-së. Në fakt, mëritë personale mund t’i kenë bërë disa të ndaluar më të cenueshëm ndaj dëmtimit nga anëtarë të UÇK-së, apo nga persona të tjerë që kishin mëri të tilla.
  6. Në asnjë moment gjatë ndalimit të tyre, personave të ndaluar nuk iu dhanë garancitë bazë që u takonin sipas të drejtës humanitare ndërkombëtare, veçanërisht ato për një proces ligjor të rregullt bazë dhe trajtim njerëzor. Në veçanti, me disa përjashtime shumë të kufizuara, të ndaluarit nuk u informuan zyrtarisht mbi arsyet e ndalimit të tyre, nuk dolën pa vonesë para një gjykatësi apo autoriteti tjetër kompetent dhe nuk iu dha mundësia të kundërshtonin ligjshmërinë e ndalimit të tyre. Përkundrazi, ata mbetën në mëshirën arbitrare të ndaluesve.
  7. Trupi Gjykues konstatoi se mënyra e qëllimshme me të cilën viktimat u arrestuan dhe u ndaluan, pa u dhënë asnjë arsye për ndalimin e tyre dhe duke u mohuar çdo formë të procesit ligjor të rregullt, tregoi se të paktën disa prej anëtarëve të UÇK-së të përfshirë, synonin arrestimin dhe ndalimin e tyre pa arsye të vlefshme dhe në shpërfillje të çdo garancie mbrojtëse dhe forme të procesit ligjor të rregullt.
  8. Rrjedhimisht, Trupi Gjykues konstatoi se, midis prillit 1998 dhe 20 qershorit 1999, në 14 komuna në Kosovë dhe në disa vendndodhje në dy rrethe të Shqipërisë veriore, anëtarë të UÇK-së qëllimisht kryen veprime ose mosveprime që rezultuan në heqjen e lirisë fizike të së paku 385 personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime, pa bazë ligjore apo proces ligjor të rregullt, çka e bëri arbitrar arrestimin dhe ndalimin e tyre.
  9. Për këto arsye, Trupi Gjykues konstatoi se ZPS-ja vërtetoi jashtë dyshimit të arsyeshëm se ishte kryer krimi i luftës i arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar sipas Pikës 3, ndaj së paku 385 personave.

Pikat 5 dhe 7: Trajtim mizor dhe torturë

  1. Tani do të kaloj te Pikat 5 dhe 7, trajtim mizor dhe torturë. Bazuar në tërësinë e provave që disponojmë, Trupi Gjykues konstatoi se midis prillit 1998 dhe 20 qershorit 1999, 348 persona u trajtuan mizorisht dhe nga këta 348 persona, 303 persona u torturuan.
  2. Konkretisht, Trupi Gjykues konstatoi se anëtarë të UÇK-së në qendra të ndryshme ndalimi në Kosovë dhe në Shqipërinë veriore, krijuan kushte çnjerëzore ndalimi, kontribuan në krijimin e tyre dhe i mbajtën ato kushte çnjerëzore ndalimi. Të ndaluarit u mbajtën në vende dhe lloje të ndryshme ndërtesash, përfshirë ndërtesa që më parë kishin qenë shkolla, stalla bagëtish dhe bodrume. Të ndaluarit shpesh u mbajtën në dhoma që ishin tepër të vogla për të strehuar të gjithë të ndaluarit e mbajtur në to. Nuk kishte shtroja dhe mbuloja, ose ishin të papërshtatshme. Shumë të ndaluar u detyruan të flinin në dysheme betoni; disa prej tyre të mbuluar nga balta apo të rrethuar me jashtëqitje njerëzish apo bagëtish. Me disa përjashtime të kufizuara, të ndaluarve nuk u jepej ushqim dhe ujë i mjaftueshëm ose i përshtatshëm. Në fakt, në disa qendra ndalimi, të ndaluarit kaluan ditë të tëra pa asnjë ushqim. Gjithashtu, me disa përjashtime të kufizuara, të ndaluarve nuk iu ofrua kujdes shëndetësor. Të ndaluarve nuk u lejohej të laheshin; shumica e tyre nuk kishin WC të përshtatshme. Një dëshmitar që ishte mbajtur në Llapushnik, tregoi se “fillimisht të ndaluarve u duhej t’i kryenin nevojat fiziologjike në dysheme dhe më vonë përdornin një kovë si tualet.” Në shumë vende ndalimi, të ndaluarit u mbajtën të lidhur me zinxhirë, të lidhur me pranga ose iu lidhnin duart ose këmbët. Një dëshmitar që ishte mbajtur i ndaluar në Cahan, tregoi se e kishin mbajtur me duar të lidhura për 20 ditë rresht.
  3. Gjithashtu, Trupi Gjykues konstatoi se shumë nga anëtarët e UÇK-së të përfshirë në ndalimin e tyre, i keqtrajtuan fizikisht të ndaluarit. Në vende të ndryshme ndalimi, anëtarë të caktuar të UÇK-së i godisnin rregullisht me shkelma dhe i rrihnin brutalisht dhe vazhdimisht të ndaluarit, duke përdorur, ndër të tjera, qytat e pushkëve, shkopinj, shkopinj druri, bishta sëpatash, shufra metalike dhe kabllo elektrike. Të ndaluarit u varën kokëposhtë nga këmbët dhe u rrahën. Disa të ndaluar i detyruan të rriheshin me njëri-tjetrin. Shumë të ndaluar u rrahën deri në pikën sa nuk ishin më në gjendje të qëndronin në këmbë, patën vështirësi me frymëmarrjen ose humbën ndjenjat. Disa të ndaluar humbën jetën si pasojë e plagëve të marra nga rrahjet brutale prej anëtarëve të UÇK-së që i mbanin të ndaluar. Një i ndaluar që ishte mbajtur në Llapushnik, tregoi se kur anëtarët e UÇK-së po rrihnin një nga personat e tjerë të ndaluar me të, ky iu lut ushtarëve me fjalët “më jepni një plumb. Mos më lini të vuaj kështu”, ndërsa njëri prej ushtarëve iu përgjigj “nuk ka plumb për ty. Do të ta marrim jetën pak nga pak.”
  4. Anëtarët e UÇK-së gjithashtu u shkaktuan të ndaluarve vuajtje psikologjike. Të ndaluarit u detyruan të dëgjonin dhe shikonin se si rriheshin të ndaluarit e tjerë dhe se si bërtisnin nga dhimbja. Për shembull, një dëshmitar që ishte mbajtur i ndaluar në Llapushnik tregoi se dy të ndaluar “u rrahën aq egërsisht para të ndaluarve të tjerë, sa të gjithë të ndaluarit nisën të qajnë.” Një burrë që kishte kryer vetëvrasje u la i varur në dhomë që ta shihnin të tjerët. Disa të ndaluar i detyruan të varrosnin kufomat e të ndaluarve të tjerë. Në shumë qendra ndalimi, të ndaluarve u thanë se do të vriteshin, ose se të ndaluarit e tjerë me ta ishin ekzekutuar; të ndaluar të tjerë u bënë objekt i “ekzekutimeve të simuluara”. Të ndaluarit mund të dëgjonin dhe të shihnin se si rriheshin familjarët ose shokët e tyre, ose iu thanë se familjarët e tyre mbaheshin të ndaluar diku tjetër, por nuk lejoheshin t’i shihnin. Një dëshmitar, i afërmi i të cilit u rrah aq egërsisht në Llapushnik saqë më vonë vdiq para tij, u tha të ndaluarve të tjerë me të “Do të isha ndjerë më mirë sikur të më kishin vrarë mua sesa [të afërmin tim] se ai kishte fëmijë të vegjël dhe unë e doja shumë.”
  5. Trupi Gjykues konstatoi se këto veprime u shkaktuan të ndaluarve dëm dhe vuajtje të mëdha fizike dhe psikologjike. Shumë të ndaluar pësuan lëndime të rënda fizike ose psikologjike. Për shembull, të ndaluarve iu shkulën thonjtë e duarve, iu thyen gjymtyrët, përfshirë krahët, nyjet e këmbëve, këmbët dhe brinjët. Disa dëshmitarë treguan se edhe sot e kësaj dite, ata kanë dhimbje në këmbë, krahë apo në pjesë të tjera të trupit dhe nuk janë në gjendje të ecin apo t’i përdorin ato si duhet. Shumë të ndaluar humbën dhëmbët ose ende kanë blana nga rrahjet. Shumë dëshmitarë gjithashtu treguan për pasojat afatgjata psikologjike të vuajtjeve të tyre. Në veçanti, disa dëshmitarë treguan se vuanin nga dhimbjet e kokës, problemet me gjumin dhe depresioni afatgjatë.
  6. Trupi Gjykues konstatoi se mënyra e qëllimshme me të cilën të ndaluarit u mbajtën në kushte çnjerëzore dhe u rrahën brutalisht dhe vazhdimisht, tregon se të paktën anëtarët e UÇK-së të përmendur në Aktgjykim, synonin t’u shkaktonin të ndaluarve vuajtje të rënda mendore dhe fizike.
  7. Gjithashtu, të ndaluarit u bënë shpesh objekt i mënyrave të ashpra të marrjes në pyetje. Të ndaluarit u pyetën për punën që bënin, për bashkëpunimin e pretenduar me serbët, për kolaboracionistët e serbëve, pse ishin bërë spiunë, pse nuk i ishin bashkuar UÇK-së, dhe një i ndaluar u pyet pse nuk ishte “me Thaçin”. Në disa qendra ndalimi, të ndaluarit u detyruan të shkruanin deklarata, si dhe emrat e kolaboracionistëve të pretenduar. Mes akuzash të tjera, të ndaluarit u akuzuan personalisht se ishin “kolaboracionistë të serbëve”, “spiunë”, “tradhtarë”, “ushtarë të Rugovës”, se mbështesnin LDK-në, se i ishin bashkuar FARK-ut dhe se nuk e mbështesnin UÇK-në.
  8. Keqtrajtimi fizik dhe psikologjik, së bashku me kushtet çnjerëzore të ndalimit, u shkaktuan disa të ndaluarve lëndime afatgjata fizike dhe psikologjike.
  9. Rrjedhimisht, Trupi Gjykues konstatoi se të paktën disa prej anëtarëve të UÇK-së të përfshirë u shkaktuan qëllimisht dëm dhe vuajtje të rënda fizike dhe psikologjike së paku 303 personave me qëllim marrjen e deklaratave pranuese, ndëshkimin, frikësimin, shtrëngimin ose diskriminimin e tyre mbi baza etnike ose politike.
  10. Duke marrë parasysh keqtrajtimin që pësuan viktimat në tërësi, Trupi Gjykues konstatoi se midis prillit 1998 dhe 20 qershorit 1999, në 14 komuna në Kosovë dhe në disa vendndodhje në dy rrethe të Shqipërisë veriore, anëtarë të UÇK-së qëllimisht kryen veprime ose mosveprime, të cilat u shkaktuan vuajtje ose lëndime të rënda mendore ose fizike së paku 348 personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime, të cilët ata i arrestuan dhe i ndaluan arbitrarisht, ose që përbënin cenim të rëndë të dinjitetit njerëzor.
  11. Po ashtu, Trupi Gjykues konstatoi se midis prillit 1998 dhe 20 qershorit 1999, në 14 komuna në Kosovë dhe në disa vendndodhje në dy rrethe të Shqipërisë veriore, anëtarë të UÇK-së u shkaktuan qëllimisht dhimbje ose vuajtje të mëdha mendore ose fizike së paku 303 personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime, të cilët ata i arrestuan dhe i ndaluan arbitrarisht për qëllime të tilla si marrja e informatave apo e deklaratave pranuese, ndëshkimi, frikësimi, shtrëngimi ose diskriminimi, për çfarëdo arsyeje, i viktimës ose një personi të tretë.
  12. Për këto arsye, Trupi Gjykues konstatoi se ZPS-ja vërtetoi jashtë dyshimit të arsyeshëm se ishin kryer krimet e luftës të trajtimit mizor (Pika 5) dhe torturës (Pika 7), ndaj së paku 303 personave. Në lidhje me këta persona, Trupi Gjykues konstatoi se akuza për krimin e luftës të trajtimit mizor (Pika 5) mbulohet plotësisht nga akuza e torturës (Pika 7).
  13. Trupi Gjykues gjithashtu konstatoi se ZPS-ja vërtetoi jashtë dyshimit të arsyeshëm se krimi i luftës i trajtimit mizor ishte kryer ndaj së paku 49 personave. Konkretisht, Trupi Gjykues konstatoi se vepra penale e trajtimit mizor nuk mbulohej nga vepra penale e torturës në lidhje me katër viktima që u trajtuan mizorisht dhe u torturuan në qendra ndalimi të ndryshme dhe në lidhje me 45 viktima për të cilët u konstatua se ishin trajtuar mizorisht, por nuk ishin torturuar.

Pika 9: Vrasje e paligjshme

  1. Tani do të kaloj te Pika 9, vrasja e paligjshme si krim lufte. Trupi Gjykues ka konstatuar bazuar në tërësinë e provave që disponon, se midis prillit 1998 dhe 20 qershorit 1999, në 12 komuna në Kosovë dhe në një vendndodhje në një rreth të Shqipërisë veriore, anëtarë të UÇK-së kryen qëllimisht veprime ose mosveprime që rezultuan në vdekjen e së paku 96 personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime. Në veçanti, në vendndodhje të ndryshme të kontrolluara nga anëtarë të UÇK-së në Kosovë dhe në Shqipërinë veriore, viktimat e vrasjeve të paligjshme në këtë çështje gjyqësore u vranë me armë zjarri dhe viktima të tjera humbën jetën nga rrahjet brutale që pësuan. Kufomat e shumë prej viktimave të vrasjeve të paligjshme u gjetën në një gjendje që përbën cenim të mëtejshëm të dinjitetit të tyre.
  2. Për shembull, një dëshmitar, anëtari i familjes së të cilit ishte ndaluar nga UÇK-ja në Likoc dhe më pas ishte transferuar në një vend tjetër, tregoi se “familja [e viktimës] mësoi për vdekjen e tij nga mediat”. Dëshmitari gjithashtu tregoi se kur anëtarët e familjes së tij shkuan për të marrë kufomën e viktimës që ishte lënë buzë rrugës, viktima “e kishte krahun të thyer, kishte disa plagë në stomak dhe duart i kishte të mavijosura dhe me të çara”, dhe u gjet “i veshur me tesha të tjera nga ato që kishte pasur veshur kur ishte larguar.”
  3. Kufomat e disa viktimave të vrasjes së paligjshme nuk u gjetën kurrë, çka ua shtoi dhimbjen të afërmve të tyre të mbetur gjallë.
  4. Trupi Gjykues gjithashtu konstatoi se, duke marrë parasysh rrethana të tilla si ndalimi i viktimave të vrasjes së paligjshme para vdekjes së tyre, keqtrajtimet e rënda fizike të tyre, lëndimet në kufomat e tyre, përfshirë plagët nga armët e zjarrit, si dhe kushtet dhe mënyrën se si u gjetën kufomat e tyre, i vetmi deduksion i arsyeshëm që mund të nxirret nga provat e disponueshme, ishte se të paktën disa anëtarë të UÇK-së të përfshirë, synonin të vrisnin 96 persona.
  5. Rrjedhimisht, Trupi Gjykues konstatoi se midis prillit 1998 dhe 20 qershorit 1999, në 12 komuna në Kosovë dhe në një vendndodhje në një rreth të Shqipërisë veriore, anëtarë të UÇK-së qëllimisht kryen veprime ose mosveprime që rezultuan në vdekjen e së paku 96 personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.
  6. Për këto arsye, Trupi Gjykues konstatoi se ZPS-ja vërtetoi jashtë dyshimit të arsyeshëm se ishte kryer krimi i luftës i vrasjes së paligjshme sipas Pikës 9.

Përgjegjësia penale individuale

  1. Tani do të trajtoj llojin e pjesëmarrjes së të akuzuarve në kryerjen e krimeve për të cilat janë ngritur akuzat.
  2. Trupi Gjykues konstatoi se të katër të akuzuarit dhe persona të tjerë në udhëheqjen e UÇK-së, përfshirë ata që pretendohet se janë anëtarë të NKP-së, kishin dy objektiva: pavarësinë e Kosovës dhe vendosjen e kontrollit politik dhe institucional mbi atë që shpresonin se do të ishte një Kosovë e pavarur. Këto objektiva synohej të realizoheshin me anë të mjeteve ushtarake, politike dhe të tjera. Trupi Gjykues nuk e gjykoi të nevojshme të përcaktonte nëse këto dy objektiva ishin, në vetvete, kriminale apo të paligjshme.
  3. Trupi Gjykues gjithashtu konstatoi se, në përpjekje për realizimin e këtyre qëllimeve dhe në periudhën që lidhet me krimet për të cilat janë ngritur akuzat, të katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të NKP-së kishin të njëjtin qëndrim se element kyç i mjeteve dhe strategjisë për realizimin e qëllimeve të udhëheqjes së UÇK-së ishte shënjestrimi, eliminimi ose neutralizimi i disa personave të cilët konsideroheshin dhe përshkruheshin si pengesë për qëllimet e tyre, të cilët më tej do të përmenden si “kundërshtarë”.
  4. Shënjestrimi i kundërshtarëve mori formën e: (i) vrasjeve; (ii) arrestimeve dhe ndalimit pa proces ligjor të rregullt; dhe (iii) keqtrajtimit fizik dhe psikologjik dhe formave të tjera të keqtrajtimit, frikësimit dhe ngacmimit, ndër to dhe përdorimi i “luftës speciale” kundër tyre. “Lufta speciale” përfshinte përhapjen e një narrative të qëllimshme, e cila i paraqiste persona të caktuar si kolaboracionistë të autoriteteve të RFJ-së/autoriteteve serbe ose si pengesë ndaj luftës së UÇK-së dhe, rrjedhimisht, si kërcënim për UÇK-në. Kjo “luftë speciale” kishte efektin e legjitimimit dhe inkurajimit të dhunës ndaj tyre.
  5. Personat e shënjestruar nga UÇK-ja ishin të kategorive të ndryshme, përfshirë: (i) anëtarë dhe përfaqësues të forcave të tjera politike ose ushtarake, apo persona të lidhur me to, veçanërisht me LDK-në dhe FARK-un, të cilët nuk kishin hequr dorë plotësisht nga besnikëria e tyre ndaj këtyre organizatave; (ii) persona që pretendohej se ishin të lidhur me autoritetet e RFJ-së/autoritetet serbe; dhe (iii) anëtarë të pakicave etnike, ndër të cilët një numër romësh dhe serbësh.

Qëllimi kriminal i përbashkët

  1. Trupi Gjykues konstatoi se ekzistenca e qëllimit kriminal të përbashkët mbështetej nga një numër faktorësh, ndër më kryesorët: (i) shënjestrimi dhe vrasja para luftës e shqiptarëve të dyshuar si kolaboracionistë dhe e serbëve etnikë si armiq, kriminelë ose pushtues, dhe përdorimi i komunikatave për të marrë përsipër përgjegjësinë për këto sulme dhe vrasje; (ii) shënjestrimi i mëtejshëm i shqiptarëve dhe serbëve dhe të tjerëve gjatë luftës për të njëjtat arsye të pretenduara; (iii) përdorimi i komunikatave dhe deklaratave politike në kohën e luftës për të marrë përsipër përgjegjësinë për “masat ndëshkuese” dhe për t’i paralajmëruar dhe kërcënuar kundërshtarët e tjerë; (iv) përdorimi i “luftës speciale” kundër atyre kundërshtarëve; (v) përsëritja e mesazheve të komunikatave nga Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi; (vi) ngarkimi i policisë ushtarake me detyrën e vëzhgimit dhe arrestimit të personave të dyshimtë, dhe i shërbimit të zbulimit me detyrën e kërkimit, identifikimit dhe neutralizimit të personave të dyshuar si kolaboracionistë; (vii) ngritja e qendrave të ndalimit për mbajtjen e këtyre personave dhe fakti që pati një praktikë të ngjashme sjelljeje në të gjitha ato qendra ndalimi dhe në të gjitha zonat e kontrolluara nga UÇK-ja; (viii) kërkimi i personave, ndër të tjera mbi bazë të listave të kolaboracionistëve dhe personave të dyshuar, ose mbi bazë të informacionit të marrë nga sektori i zbulimit; (ix) praktika e qartë e krimeve të kryera në të gjitha objektet e ndalimit të UÇK-së dhe modus operandi i personave përkatës; dhe (x) toleranca, pranimi dhe inkurajimi i atyre krimeve nga anëtarët e NKP-së dhe ekzistenca e politikës së përgjithshme të mosndëshkimit në lidhje me krimet e kryera ndaj kundërshtarëve.
  2. Nuk janë qëllimet të cilat të akuzuarit u përpoqën të arrinin ato që i bënë veprimet e tyre kriminale. Janë mjetet me të cilat ata u përpoqën t’i realizonin ato qëllime, veçanërisht arrestimi, ndalimi, keqtrajtimi dhe vrasja sistematike e atyre që të akuzuarit i konsideronin apo i cilësonin si kundërshtarë.
  3. Megjithëse përgjegjësia e të akuzuarve është individuale dhe personale, ajo që ata bënë nuk do të mund të ishte realizuar nga një person i vetëm. Atë e bënë bashkë, me vendosmëri, dhe me ndihmën e të tjerëve. Ata ranë në marrëveshje për qëllimin kriminal të përbashkët bashkërisht; vendosën të krijonin një sistem për realizimin e tij bashkërisht; ngritën objekte ndalimi bashkërisht; krijuan dhe përcaktuan rregullat për policinë ushtarake, shërbimin e zbulimit dhe njësitet speciale dhe u dhanë detyrën e përmbushjes së planit kriminal të tyre; i caktuan vetes dhe të tjerëve role, tituj e pozita në të cilat kontrolluan zbatimin e qëllimit kriminal të përbashkët; bashkërisht emëruan të tjerë në pozita të rëndësishme; lëshuan komunikata që përhapnin mendimet dhe politikat e tyre, sulmuan armiq dhe morën përsipër përgjegjësinë për vrasjet e paligjshme dhe ndalimet, bashkërisht; siguruan mosndëshkueshmëri të plotë për kryesit e këtyre krimeve si pjesë e asaj politike, përsëri bashkërisht.
  4. Të tjerë, veçanërisht Fatmir Limaj, Sabit Geci, Rrustem Mustafa dhe Latif Gashi, ishin zbatues të zellshëm të qëllimit kriminal që kishte në shënjestër kundërshtarët.
  5. Plani ishte aq i thjeshtë sa edhe i dëmshëm. Konkretisht, ai përfshinte: (i) ngritjen e objekteve të ndalimit në të gjitha zonat e kontrolluara nga UÇK-ja; (ii) identifikimin e personave që konsideroheshin si kundërshtarë të UÇK-së; dhe (iii) arrestimin dhe ndalimin, dhe, nëse ishte e nevojshme, vrasjen e tyre.
  6. Ky plan u zbatua sistematikisht dhe pamëshirshëm në të gjithë territorin e kontrolluar nga UÇK-ja dhe gjatë gjithë konfliktit. Asnjëri nga të akuzuarit nuk ndërmori hapa për ndërprerjen, parandalimin, zbutjen e pasojave ose tërheqjen e planit. Përkundrazi, secili prej tyre dhe të gjithë bashkë dhanë kontribut, inkurajuan dhe mundësuan zbatimin e tij. Plani ishte i tyre, dhe ata i qëndruan besnik derisa nuk mundën dhe nuk patën nevojë më.
  7. Në kundërshtim me çfarë ka argumentuar Mbrojtja, këto krime nuk ishin pasojë e gjakmarrjeve, hakmarrjeve personale, bandave të keqbërësve apo civilëve që ktheheshin në vend. Të gjitha ato ishin pasojë e një plani, plani kriminal, që ishte hartuar nga të akuzuarit dhe të tjerë, dhe të cilin e zbatuan personalisht dhe përmes të tjerëve gjatë gjithë konfliktit.

Kontributi i qenësishëm

  1. Tani do të trajtoj kontributin e qenësishëm të të akuzuarve në zbatimin e qëllimit kriminal të përbashkët. Në lidhje me z. Thaçi, Trupi Gjykues konstatoi se z. Thaçi dha kontribut të qenësishëm në zbatimin e qëllimit kriminal të përbashkët. Në veçanti, Trupi Gjykues konstatoi se Hashim Thaçi, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe si shef i Drejtorisë Politike, ishte anëtar kyç në formulimin dhe zbatimin e qëllimit kriminal të përbashkët. Në këtë aspekt, Trupi Gjykues konstatoi se Drejtoria Politike kishte kompetencë pothuajse ekskluzive mbi vendimet politike të UÇK-së dhe krijoi vizionin politik të UÇK-së të cilin e shprehu publikisht. Këtu përfshihej shënjestrimi i “kolaboracionistëve” të pretenduar, krijimi i strukturës, organeve kompetente dhe rregulloreve për këtë qëllim, dhe përdorimi i “luftës speciale” kundër kundërshtarëve, përfshirë përmes publikimit të komunikatave dhe deklaratave politike e deklaratave të tjera publike. Në përputhje me qëllimin e përbashkët, z. Thaçi, së bashku me të akuzuarit e tjerë, emëroi persona besnikë në pozita komanduese kyçe duke mundësuar që ata të kishin kontrollin mbi UÇK-në gjatë gjithë kohës dhe që plani i tyre të zbatohej plotësisht dhe efektivisht deri në nivelet më të ulëta të hierarkisë. Shumë prej këtyre personave besnikë që u emëruan ose u zgjodhën nga të akuzuarit, kryen krime ose ishin në dijeni të kryerjes së krimeve në përputhje me qëllimin e përbashkët.
  2. Gjithashtu, z. Thaçi mori pjesë dhe inkurajoi kryerjen e krimeve në mënyra të ndryshme që përfshinin si vijon. Përmes publikimit të komunikatave dhe deklaratave politike dhe përdorimit të “luftës speciale”, z. Thaçi shprehu tolerancë dhe inkurajim për kryerjen e krimeve kundër kundërshtarëve. Z. Thaçi gjithashtu mori pjesë personalisht në krime, përfshirë në arrestimin, ndalimin dhe marrjen në pyetje të 13 parlamentarëve në Qirez dhe Baicë, në arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e paligjshme të Behajdin Allaqit, dhe kishte dijeni për arrestimin dhe ndalimin e disa personave të tjerë. Në lidhje me Behajdin Allaqin, Trupi Gjykues konstatoi se në vitin 1993, Behajdin Allaqi kishte pasur një mosmarrëveshje serioze me Hashim Thaçin dhe Azem Sylën, të cilët e akuzuan se kishte sjellë një spiun të pretenduar të Serbisë, Shaban Shalën, në radhët e lëvizjes politike të cilës i takonin, me çka i kishte vënë në rrezik të madh anëtarët e lëvizjes. Kjo rezultoi në marrjen prej z. Thaçi të rolit që i ishte premtuar Behajdin Allaqit. Trupi Gjykues gjithashtu ka konstatuar se para zhdukjes së tij, Behajdin Allaqi kishte qenë nën vëzhgimin e shërbimit të zbulimit të UÇK-së. Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kishin kërkuar të informoheshin për praninë e tij në shtabin e UÇK-së në Drenoc. Më 11 qershor 1998, ose rreth kësaj date, Behajdin Allaqi u nis prej shtëpisë së vet dhe shkoi në shtabin e UÇK-së në Drenoc. Pak më pas, mbërritën z. Thaçi dhe Kadri Veseli. Ata e morën Behajdin Allaqin në pranga. Behajdin Allaqi nuk u pa më kurrë dhe Trupi Gjykues është bindur se ai u vra. Për të fshehur përgjegjësinë, personat në fjalë ndërmorën masa të ndryshme. Më 1 nëntor 1998, u publikua Komunikata 61 nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ku thuhej se Behajdin Allaqi kishte rënë dëshmor në betejë. Kjo ishte mbulesë që kishte për qëllim të fshihte të vërtetën për atë që i kishte ndodhur Behajdin Allaqit. Po kështu, pas luftës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Azem Syla u përpoqën të qetësonin familjen e Behajdin Allaqit me ryshfet dhe premtime në mënyrë që të hiqte dorë nga kërkimi i drejtësisë dhe i së vërtetës. Është meritë e jashtëzakonshme e familjes që u rezistoi këtyre ofertave. Edhe Shaban Shala ishte arrestuar dhe keqtrajtuar nga UÇK-ja në Drenoc. Edhe ai u vra në rrethanat e përshkruara në Aktgjykim.
  3. Trupi Gjykues gjithashtu konstatoi se z. Thaçi në atë kohë kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh të kryera kundër kundërshtarëve, veçanërisht për arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm, keqtrajtimin dhe vrasjen e tyre. Me gjithë dijeninë që kishte, z. Thaçi nuk ndërmori asnjë hap për parandalimin, hetimin ose ndëshkimin e këtyre krimeve. Përkundrazi, sikurse u theksua më herët, z. Thaçi mori pjesë aktivisht në krime dhe i inkurajoi ato, ndër të tjera përmes ngritjes në detyrë të personave të përfshirë në krime. Ai gjithashtu përhapi ose ndihmoi në përhapjen e informacionit të rremë në lidhje me të ndaluarit dhe viktimat e krimeve të kryera nga anëtarë të UÇK-së, dha garanci të rreme për respektimin e të drejtës humanitare ndërkombëtare në emër të UÇK-së, kontribuoi në politikën e mosndëshkimit në lidhje me kryesit e krimeve kundër kundërshtarëve, dhe tregoi aftësi të paskrupullt për heqjen dhe eliminimin e pengesave politike ndaj ekskluzivitetit të rolit udhëheqës të tyre në luftë.
  4. Në lidhje me z. Veseli, Trupi Gjykues konstatoi se z. Veseli dha kontribut të qenësishëm në zbatimin e qëllimit të përbashkët. Konkretisht, Trupi Gjykues konstatoi se Kadri Veseli ishte shefi i Drejtorisë së Zbulimit, që ndër përgjegjësitë kryesore kishte identifikimin, sigurimin e informacionit, vëzhgimin dhe neutralizimin e personave që mendohej se ishin të dyshimtë si “kolaboracionistë”. Për këtë arsye, Drejtoria e Zbulimit ishte një nga mjetet kryesore përmes së cilit u zbatua qëllimi kriminal i përbashkët dhe z. Veseli ishte, gjatë gjithë periudhës përkatëse, anëtar kyç në zbatimin e qëllimit të përbashkët.
  5. Në përputhje me qëllimin e përbashkët, z. Veseli, së bashku me të akuzuarit e tjerë, emëroi persona besnikë në pozita kyçe për të siguruar zbatimin efektiv të planit të tyre. Sikurse u theksua më parë, shumë prej këtyre personave ose kryen krime, ose ishin në dijeni të kryerjes së krimeve në përputhje me qëllimin e përbashkët.
  6. Gjithashtu, Trupi Gjykues konstatoi se z. Veseli mori pjesë dhe inkurajoi kryerjen e krimeve. Në veçanti, z. Veseli u përfshi personalisht në zbatimin e “luftës speciale” të Shtabit të Përgjithshëm, si shef i Drejtorisë së Zbulimit dhe si anëtar i Drejtorisë Politike, u përfshi personalisht në procesin e identifikimit dhe shënjestrimit të kundërshtarëve, shumë prej të cilëve në fund u vranë, dhe mori pjesë personalisht në kryerjen e krimeve, përfshirë në arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e paligjshme të Behajdin Allaqit dhe në arrestimin, ndalimin, transferimin dhe lirimin e një të ndaluari tjetër prej UÇK-së. Trupi Gjykues gjithashtu konstatoi se z. Veseli në atë kohë kishte dijeni për krimet e kryera kundër kundërshtarëve, veçanërisht për arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm, keqtrajtimin dhe vrasjen e tyre. Me gjithë dijeninë që kishte, z. Veseli nuk ndërmori asnjë hap për parandalimin, hetimin ose ndëshkimin e këtyre krimeve. Përkundrazi, sikurse u theksua më herët, z. Veseli mori pjesë aktivisht në krime dhe i inkurajoi ato, dhe vazhdoi të drejtonte vetë organin që mbante përgjegjësinë më të madhe për shënjestrimin, arrestimin, ndalimin, dhe, në disa raste, vrasjen e atyre që konsideroheshin kundërshtarë.
  7. Trupi Gjykues thekson në këtë kontekst se i ashtuquajturi informacion zbulimi mbi bazën e të cilit shumë prej këtyre viktimave u arrestuan, u ndaluan dhe u vranë, nuk ishte më shumë se thjesht thashetheme të paverifikuara. Mbi bazën e atij informacioni, viktimat u quajtën dhe u cilësuan “spiunë” dhe “kolaboracionistë” dhe u trajtuan dhunshëm si të tillë. Në realitet, nuk ka asnjë tregues se viktimat në këtë çështje gjyqësore ishin spiunë apo kolaboracionistë. Në mendjen e personave përkatës, fakti që nuk kishin treguar besnikëri ose përkrahje të plotë për UÇK-në, apo kishin lidhje me ndonjë organizatë politike tjetër, ose kishin shoqëri me serbët apo ishin të punësuar në firma serbe, ishte i mjaftueshëm për trajtimin e tyre si kolaboracionistë të armikut ushtarak.
  8. Në lidhje me z. Selimi, Trupi Gjykues konstatoi se z. Selimi dha kontribut të qenësishëm në zbatimin e qëllimit të përbashkët. Trupi Gjykues konstatoi se Rexhep Selimi ishte anëtar themelues i UÇK-së dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm që para fillimit të konfliktit, dhe, në këto role, mori pjesë në shpërndarjen e komunikatave të paraluftës dhe të kohës së luftës. Trupi Gjykues gjithashtu arriti në konstatimin se pozita zyrtare e tij si inspektor i përgjithshëm i dha atij më pak pushtet mbi anëtarët e tjerë të UÇK-së, në dallim nga të akuzuarit e tjerë. Megjithatë, Trupi Gjykues konstatoi se z. Selimi, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe si shef i Drejtorisë Operative dhe inspektor i përgjithshëm i UÇK-së, luajti rol thelbësor në krijimin e zonave operative dhe të njësiteve të UÇK-së. Në këtë aspekt, Trupi Gjykues theksoi se krijimi i zonave operative dhe njësiteve në vetvete nuk ishte kriminal. Sidoqoftë, Trupi Gjykues konstatoi se z. Selimi i inspektoi rregullisht këto zona operative dhe njësite, si edhe mori raporte të shpeshta për “persona të dyshuar” dhe “kolaboracionistë”. Rrjedhimisht, Trupi Gjykues është bindur se z. Selimi ishte i vetëdijshëm se njësitet e UÇK-së, të cilat ishte përgjegjës t’i inspektonte, po shënjestronin “persona të dyshuar” dhe “kolaboracionistë” në përputhje me qëllimin e përbashkët. Për shkak të përfshirjes së tij në sulmet e paraluftës kundër kolaboracionistëve dhe ekzistencës së komunikatave ku merret përsipër përgjegjësia për ato sulme, ai ishte plotësisht në dijeni se kjo ishte politika e UÇK-së. Në përputhje me qëllimin e përbashkët, z. Selimi, së bashku me të akuzuarit e tjerë, emëroi persona besnikë në pozita kyçe, shumë prej të cilëve kryen krime ose ishin në dijeni të kryerjes së krimeve në përputhje me qëllimin e përbashkët.
  9. Po ashtu, Trupi Gjykues konstatoi se z. Selimi inkurajoi dhe mori pjesë në krime në mënyra të ndryshme që përshkruhen me plotësi në Aktgjykim. Konkretisht, z. Selimi mori pjesë në arrestimin dhe ndalimin e 13 parlamentarëve në Qirez dhe ishte i pranishëm në disa vende krimesh të paraqitura në Aktakuzë. Trupi Gjykues gjithashtu konstatoi se z. Selimi inkurajoi kryerjen e krimeve me anë të pjesëmarrjes në “luftën speciale” të Shtabit të Përgjithshëm, mosmarrjes së veprimeve për parandalimin, ndalimin ose ndëshkimin e krimeve kur merrte raporte për kryerjen e krimeve, dhe krijimit të precedentit se krimet ishin të pranueshme, përmes pjesëmarrjes personale në ato krime. Trupi Gjykues gjithashtu konstatoi se z. Selimi në atë kohë kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh të kryera kundër kundërshtarëve, veçanërisht për arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm, keqtrajtimin dhe vrasjen e tyre. Me gjithë dijeninë që kishte, z. Selimi nuk ndërmori asnjë hap për parandalimin, hetimin ose ndëshkimin e këtyre krimeve. Përkundrazi, sikurse u theksua më herët, z. Selimi inkurajoi kryerjen e krimeve dhe mundësoi që një numër anëtarësh të NKP-së dhe personash të tjerë të përfshirë në krime të ngriheshin në detyrë në vend se të ndëshkoheshin, si dhe me ngritjen në detyrë të personave të përfshirë në krime kur u bë ministër i Rendit Publik në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës (“QPK”). Në një rast, ai ndërhyri personalisht për të siguruar lirimin e katër anëtarëve të UÇK-së që ishin ndaluar për krijimin e një qendre të paligjshme ndalimi, dhe rrjedhimisht mosndëshkimin e tyre. Si inspektor i përgjithshëm, ai nuk siguroi që UÇK-ja të vepronte në përputhje me detyrimet e saj sipas të drejtës humanitare ndërkombëtare, dhe përkundrazi toleroi shkelje të rënda të kësaj të drejte.
  10. Në lidhje me z. Krasniqi, Trupi Gjykues konstatoi se z. Krasniqi dha kontribut të qenësishëm në zbatimin e qëllimit të përbashkët. Konkretisht, Trupi Gjykues konstatoi se Jakup Krasniqi, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe i Drejtorisë Politike, dhe si zëdhënës dhe zëvendëskomandant i UÇK-së, ishte anëtar kyç në formulimin dhe zbatimin e politikës së shënjestrimit të kundërshtarëve. Në veçanti, Trupi Gjykues konstatoi se z. Krasniqi, së bashku me Hashim Thaçin, përdori rolin e tij si anëtar i Drejtorisë Politike dhe zëdhënës i UÇK-së për formulimin dhe zbatimin e politikës së shënjestrimit të kundërshtarëve. Z. Krasniqi, përmes publikimit të komunikatave dhe deklaratave politike e fjalimeve publike të tjera, si edhe urdhrave, inkurajoi kryerjen e krimeve kundër personave që konsideroheshin si kundërshtarë, përfshirë përmes “luftës speciale” të UÇK-së. Në këto deklarata, ndër të tjera, u mor përsipër përgjegjësia për vrasjen e, dhe “masat ndëshkuese” kundër, “kolaboracionistëve” dhe u shpreh inkurajim dhe tolerancë për krimet kundër kundërshtarëve, si, për shembull, “kolaboracionistët paralajmërohen se do t’i vrasim nëse vazhdojnë në rrugën e gabuar”, duke përhapur dhe promovuar në këtë mënyrë qëllimin e përbashkët. Në përputhje me qëllimin e përbashkët, z. Krasniqi, bashkë me të akuzuarit e tjerë, emëroi persona besnikë në pozita kyçe dhe krijoi strukturën dhe organet, si policia ushtarake, shërbimi i zbulimit dhe kundërzbulimit, dhe njësitet speciale, me detyrën dhe përgjegjësinë e zbatimit të politikës kundër kundërshtarëve.
  11. Z. Krasniqi në atë kohë kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh të kryera kundër kundërshtarëve, veçanërisht për arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm, keqtrajtimin dhe vrasjen e tyre. Me gjithë dijeninë që kishte, z. Krasniqi nuk ndërmori asnjë hap të mirëfilltë për parandalimin, hetimin ose ndëshkimin e këtyre krimeve. Përkundrazi, z. Krasniqi u angazhua në përpjekjet për mohimin e kryerjes së këtyre krimeve dhe u përpoq ta portretizonte UÇK-në si organizatë që respektonte të drejtën humanitare ndërkombëtare, mohoi pretendime konkrete se disa anëtarë të UÇK-së po kryenin krime dhe, në takimet me ndërkombëtarët, i mohoi ose minimizoi këto praktika.
  12. Trupi Gjykues gjithashtu konstatoi se të katër të akuzuarit kishin qëllimin kriminal të përbashkët, dhanë kontribut të qenësishëm në realizimin e tij dhe synuan që krimet përkatëse të ndërlidhura me atë qëllim kriminal të përbashkët, të kryheshin.
  13. Për këto arsye, Trupi Gjykues konstatoi se të katër të akuzuarit – z. Thaçi, z. Veseli, z. Selimi dhe z. Krasniqi – janë penalisht përgjegjës, përmes kontributit të qenësishëm të tyre në ndërmarrjen kriminale të përbashkët, për krimin e luftës të ndalimit arbitrar (Pika 3) të kryer kundër 385 personave, trajtimit mizor (Pika 5) të kryer kundër 49 personave, torturës (Pika 7) të kryer kundër 303 personave, dhe vrasjes së paligjshme (Pika 9) të kryer kundër 96 personave.
  14. Trupi Gjykues gjithashtu konstatoi se një numër personash të tjerë – Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Latif Gashi, Shukri Buja dhe Sabit Geci – kishin dhe ranë në marrëveshje për qëllimin kriminal të përbashkët dhe morën pjesë në realizimin e tij. Rrjedhimisht, u konstatua se edhe ata ishin anëtarë të NKP-së së pretenduar, megjithëse në lidhje me ta nuk u bë konstatim fajësie dhe ata ende kanë të drejtën për t’u prezumuar të pafajshëm.

Dënimi

  1. Tani do të trajtoj dënimin. Do të përmbledh shkurtimisht qëllimet e dënimit dhe faktorët që Trupi Gjykues mori parasysh në përcaktimin e dënimit të duhur për veprat penale për të cilat të akuzuarit janë penalisht përgjegjës.
  2. Trupi Gjykues rikujton se ndëshkimi dhe parandalimi janë ndër qëllimet kryesore të dënimit të një personi të shpallur fajtor për një vepër penale.
  3. Gjithashtu, Trupi Gjykues dëshiron të nënvizojë rëndësinë e nxjerrjes para drejtësisë të kryesve të krimeve kaq të rënda sa që janë shqetësim për bashkësinë ndërkombëtare në tërësi. Një qëllim tjetër i rëndësishëm i dënimit është njohja e dëmit dhe vuajtjeve që u janë shkaktuar viktimave dhe shoqërisë në përgjithësi.
  4. Ndër faktorët relevantë për përcaktimin e dënimit përfshihen: (i) para së gjithash, pesha e veprës penale dhe pasojat e saj; (ii) lloji dhe shkalla e përfshirjes së të akuzuarit; (iii) rrethanat individuale të personit përkatës; dhe (iv) ekzistenca e faktorëve të tjerë rëndues dhe lehtësues.

Pesha e krimeve dhe pasojat e tyre

  1. Sa i përket peshës së krimeve, Trupi Gjykues gjykoi se për nga shkalla dhe lloji, krimet e kryera ishin shumë të rënda. Në veçanti, krimet ishin të përhapura gjerësisht dhe u kryen nga anëtarë të UÇK-së në 14 komuna të Kosovës dhe në disa vendndodhje në dy rrethe të Shqipërisë veriore. Së paku 385 persona u arrestuan dhe ndaluan arbitrarisht, u trajtuan në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, u torturuan dhe në 96 raste, u vranë nga anëtarë të UÇK-së.
  2. Të gjitha këto krime janë të rënda, duke mbajtur parasysh se ndalimi arbitrar i bën viktimat të cenueshme edhe ndaj shkeljeve të tjera të të drejtave të njeriut; trajtimi mizor dhe tortura paraqesin cenim të rëndë të dinjitetit njerëzor dhe të mirëqenies fizike dhe mendore të njeriut, dhe vrasja e paligjshme është vetiu një nga krimet më të rënda.
  3. Trupi Gjykues gjithashtu mbajti parasysh se një numër i konsiderueshëm i viktimave ishin veçanërisht të cenueshme. Disa persona u arrestuan dhe u mbajtën të ndaluar bashkë me anëtarë të familjeve të tyre dhe u detyruan të dëgjonin dhe shihnin keqtrajtimin ose vrasjen e anëtarëve të familjeve të tyre. Disa nga të ndaluarit ishin gra dhe fëmijë. Për shembull, një foshnjë 12-14 muajshe u mbajt e ndaluar bashkë me nënën e vet për 10 ditë në Malishevë, dhe një djalë 14 vjeç u mbajt i ndaluar në Llapashticë. Persona të tjerë ishin edhe më të cenueshëm për shkak të moshës së shtyrë të tyre. Për shembull, një burrë 70 vjeç u rrah egërsisht në atë masë sa që fytyrën e kishte “të sakatuar” dhe të mbuluar në gjak.
  4. Së fundi, sikurse theksoi kur trajtoi krimet e paraqitura në Aktakuzë, Trupi Gjykues gjithashtu mori parasysh mizorinë edhe më të madhe të disa prej krimeve të kryera dhe faktin që viktimat në këtë çështje gjyqësore dhe familjet e tyre pësuan lëndime të përhershme fizike dhe psikologjike si pasojë e krimeve.
  5. Për këto arsye, Trupi Gjykues i vlerësoi peshën dhe pasojat e krimeve si jashtëzakonisht të rënda.
  6. Sikurse ka thënë profesor Hauard Zin: “Nuk ka flamur aq të madh sa të mbulojë turpin e vrasjes së njerëzve të pafajshëm.”

Lloji dhe shkalla e përfshirjes së të akuzuarve

  1. Trupi Gjykues gjithashtu vlerësoi llojin dhe shkallën e përfshirjes së të akuzuarve. Faktet relevante janë paraqitur më parë dhe nuk do të përsëriten.

Rrethanat rënduese dhe lehtësuese

  1. Trupi Gjykues në vijim do të vlerësojë rrethanat individuale të të akuzuarve, si dhe faktorë të tjerë rëndues dhe lehtësues.
  2. Hashim Thaçi. Së pari në lidhje me z. Thaçi.
  3. Në kuadër të rrethanave rënduese, Trupi Gjykues i dha peshë keqpërdorimit prej z. Thaçi të pushtetit që kishte. Në veçanti, Trupi Gjykues konstatoi se Hashim Thaçi përdori pozitën, rolin si udhëheqës, pushtetin dhe statusin e tij për zbatimin e aspekteve kriminale të qëllimit të përbashkët.
  4. Në kuadër të rrethanave lehtësuese, Trupi Gjykues u dha peshë të kufizuar vetëm këtyre faktorëve:
    a. rolit të z. Thaçi në mbështetje të themelimit të Dhomave të Specializuara;
    b. dorëheqjes së z. Thaçi nga posti i Presidentit të Kosovës dhe dorëzimit vullnetar e bashkëpunimit të tij me ZPS-në;
    c. paraqitjes së z. Thaçi për intervistat me ZPS-në në vitin 2020;
    d. faktit që z. Thaçi luajti, deri në njëfarë mase, rol konstruktiv në përpjekjet e UNMIK-ut për vendosjen e paqes;
    e. rrethanave familjare të z. Thaçi.
  5. Së fundi, Trupi Gjykues nuk u dha peshë të konsiderueshme faktorëve të tjerë të paraqitur si rrethana lehtësuese.
  6. Kadri Veseli. Në vijim në lidhje me z. Veseli.
  7. Në kuadër të rrethanave rënduese, Trupi Gjykues i dha peshë keqpërdorimit prej z. Veseli të pushtetit që kishte. Në veçanti, Trupi Gjykues konstatoi se Kadri Veseli përdori pozitën, rolin si udhëheqës, pushtetin dhe statusin e tij për zbatimin e aspekteve kriminale të qëllimit të përbashkët.
  8. Në kuadër të rrethanave lehtësuese, Trupi Gjykues u dha peshë faktorëve në vijim:
    a. z. Veseli është i martuar dhe ka fëmijë të moshës shkollore, edhe pse këtij faktori iu dha vetëm peshë e kufizuar;
    b. z. Veseli, me një përjashtim të vetëm, ka treguar sjellje të mirë gjatë gjithë procesit, edhe pse këtij faktori iu dha peshë e kufizuar; dhe
    c. z. Veseli iu dorëzua vullnetarisht ZPS-së, edhe pse këtij faktori iu dha vetëm peshë e kufizuar.
  9. Së fundi, Trupi Gjykues nuk u dha peshë të konsiderueshme faktorëve të tjerë të paraqitur si rrethana lehtësuese.
  10. Rexhep Selimi. Tani, në lidhje me z. Selimi.
  11. Në kuadër të rrethanave rënduese, Trupi Gjykues i dha peshë keqpërdorimit prej z. Selimi të pushtetit që kishte. Në veçanti, Trupi Gjykues konstatoi se mosparandalimi dhe mosndëshkimi prej z. Selimi i shkeljeve të së drejtës humanitare ndërkombëtare të kryera nga anëtarë të UÇK-së duke marrë parasysh pushtetin, dijeninë dhe mundësinë e tij për të ndërhyrë, përbënte keqpërdorim të pozitës dhe pushtetit të tij.
  12. Në kuadër të rrethanave lehtësuese, Trupi Gjykues u dha peshë faktorëve të mëposhtëm:
    a. z. Selimi ka grua dhe fëmijë me të cilët pohon se ka lidhje të fortë, edhe pse këtij faktori iu dha vetëm peshë e kufizuar;
    b. z. Selimi bashkëpunoi me ZPS-në dhe pati intervista me ZPS-në në vitin 2019 dhe 2020 në të cilat përgjithësisht dha përgjigje të sinqerta; dhe
    c. z. Selimi iu dorëzua vullnetarisht ZPS-së dhe bashkëpunoi me ZPS-në gjatë kontrollimit të shtëpisë së tij, edhe pse këtij faktori iu dha vetëm peshë e kufizuar.
  13. Së fundi, Trupi Gjykues nuk u dha peshë të konsiderueshme faktorëve të tjerë të paraqitur si rrethana lehtësuese.
  14. Jakup Krasniqi. Tani në lidhje me z. Krasniqi.
  15. Në kuadër të rrethanave rënduese, Trupi Gjykues i dha peshë keqpërdorimit prej z. Krasniqi të pushtetit që kishte. Në veçanti, Trupi Gjykues konstatoi se Jakup Krasniqi përdori pozitën, rolin si udhëheqës, pushtetin dhe statusin e tij për zbatimin e aspekteve kriminale të qëllimit të përbashkët.
  16. Në kuadër të rrethanave lehtësuese, Trupi Gjykues u dha peshë faktorëve të mëposhtëm:
    a. moshës së shtyrë të z. Krasniqi;
    b. rrethanave familjare të z. Krasniqi; dhe
    c. proprio motu, faktit që z. Krasniqi përgjithësisht ka treguar sjellje të mirë gjatë procesit gjyqësor.
  17. Së fundi, Trupi Gjykues nuk u dha peshë të konsiderueshme faktorëve të tjerë të paraqitur si rrethana lehtësuese.
  18. Këtu përfundon përmbledhja e konstatimeve të Trupit Gjykues.

Vendimi

  1. Tani do të shqiptoj vendimin, në renditjen si vijon: z. Thaçi, z. Krasniqi, z. Veseli dhe z. Selimi.

Hashim Thaçi

  1. Z. Hashim Thaçi, ju lutem ngrihuni në këmbë.
  2. Në emër të popullit të Kosovës, për arsyet e shtjelluara në Aktgjykim dhe të përmbledhura më lart, dhe pasi ka shqyrtuar të gjitha provat dhe argumentet e palëve dhe Mbrojtjes së Viktimave, Trupi Gjykues, mbi bazë të neneve 43 dhe 44 të Ligjit dhe rregullave 158, 159 dhe 163 të Rregullores, ju shpall ju, Hashim Thaçi, FAJTOR për:
    a. Pikën 3, arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar si krim lufte sipas neneve 14(1)(c) dhe 16(1)(a) të Ligjit, kryer kundër së paku 385 personave;
    b. Pikën 5, trajtim mizor si krim lufte sipas neneve 14(1)(c)(i) dhe 16(1)(a) të Ligjit, kryer kundër së paku 49 personave;
    c. Pikën 7, torturë si krim lufte sipas neneve 14(1)(c)(i) dhe 16(1)(a) të Ligjit, kryer kundër së paku 303 personave; dhe
    d. Pikën 9, vrasje të paligjshme si krim lufte sipas neneve 14(1)(c)(i) dhe 16(1)(a) të Ligjit, kryer kundër së paku 96 personave.
  3. Trupi Gjykues ju shpall TË PAFAJSHËM për një numër incidentesh krime lufte sepse nuk u vërtetuan jashtë dyshimit të arsyeshëm, ose sepse akuza u përfshi në një akuzë më konkrete, ose sepse u konstatua se incidenti në fjalë nuk përfshihej në juridiksionin e gjykatës.
  4. Trupi Gjykues ju shpall TË PAFAJSHËM për krimet kundër njerëzimit të përndjekjes, burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme dhe zhdukjes me forcë sipas Pikave 1, 2, 4, 6, 8 dhe 10.
  5. Tani do të shqiptoj dënimin.
  6. Z. Thaçi, duke qenë se jeni shpallur fajtor për më shumë se një vepër penale, Trupi Gjykues ka përcaktuar nga një dënim më vete për secilën vepër penale për të cilën është dhënë verdikt fajësie, mbi bazë të rregullës 163(4) të Rregullores. Së pari do të jap këto dënime më vete, e më pas do të shqiptoj dënimin e njësuar për sjelljen tuaj kriminale në tërësi.
  7. Trupi Gjykues ka vendosur:
    a. dënim me 15 vjet burgim për krimin e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar (Pika 3);
    b. dënim me 4 vjet burgim për krimin e luftës të trajtimit mizor (Pika 5);
    c. dënim me 20 vjet burgim për krimin e luftës të torturës (Pika 7); dhe
    d. dënim me 23 vjet burgim për krimin e luftës të vrasjes së paligjshme (Pika 9).
  8. Trupi Gjykues ju dënon me një dënim të njësuar me 25 vjet burgim, në të cilin llogaritet koha e kaluar në paraburgim.
  9. Z. Thaçi, mund të uleni.

Jakup Krasniqi

  1. Z. Jakup Krasniqi, ju lutem ngrihuni në këmbë.
  2. Në emër të popullit të Kosovës, për arsyet e shtjelluara në Aktgjykim dhe të përmbledhura më lart, dhe pasi ka shqyrtuar të gjitha provat dhe argumentet e palëve dhe Mbrojtjes së Viktimave, Trupi Gjykues, mbi bazë të neneve 43 dhe 44 të Ligjit dhe rregullave 158, 159 dhe 163 të Rregullores, ju shpall ju, Jakup Krasniqi, FAJTOR për:
    a. Pikën 3, arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar si krim lufte sipas neneve 14(1)(c) dhe 16(1)(a) të Ligjit, kryer kundër së paku 385 personave;
    b. Pikën 5, trajtim mizor si krim lufte sipas neneve 14(1)(c)(i) dhe 16(1)(a) të Ligjit, kryer kundër së paku 49 personave;
    c. Pikën 7, torturë si krim lufte sipas neneve 14(1)(c)(i) dhe 16(1)(a) të Ligjit, kryer kundër së paku 303 personave; dhe
    d. Pikën 9, vrasje të paligjshme si krim lufte sipas neneve 14(1)(c)(i) dhe 16(1)(a) të Ligjit, kryer kundër së paku 96 personave.
  3. Trupi Gjykues ju shpall TË PAFAJSHËM për një numër incidentesh krime lufte sepse nuk u vërtetuan jashtë dyshimit të arsyeshëm, ose sepse akuza u përfshi në një akuzë më konkrete, ose sepse u konstatua se incidenti në fjalë nuk përfshihej në juridiksionin e gjykatës.
  4. Trupi Gjykues ju shpall TË PAFAJSHËM për krimet kundër njerëzimit të përndjekjes, burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme dhe zhdukjes me forcë sipas Pikave 1, 2, 4, 6, 8 dhe 10.
  5. Tani do të shqiptoj dënimin.
  6. Z. Krasniqi, duke qenë se jeni shpallur fajtor për më shumë se një vepër penale, Trupi Gjykues ka përcaktuar nga një dënim më vete për secilën vepër penale për të cilën është dhënë vendim fajësie, në bazë të rregullës 163(4) të Rregullores. Së pari do të jap këto dënime më vete, e më pas do të shqiptoj dënimin e njësuar për sjelljen tuaj kriminale në tërësi.
  7. Trupi Gjykues ka vendosur:
    a. dënim me 15 vjet burgim për krimin e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar (Pika 3);
    b. dënim me 4 vjet burgim për krimin e luftës të trajtimit mizor (Pika 5);
    c. dënim me 20 vjet burgim për krimin e luftës të torturës (Pika 7); dhe
    d. dënim me 23 vjet burgim për krimin e luftës të vrasjes së paligjshme (Pika 9).
  8. Trupi Gjykues ju dënon me një dënim të njësuar me 25 vjet burgim, në të cilin llogaritet koha e kaluar në paraburgim.
  9. Z. Krasniqi, mund të uleni.

Kadri Veseli

  1. Z. Kadri Veseli, ju lutem ngrihuni në këmbë.
  2. Në emër të popullit të Kosovës, për arsyet e shtjelluara në Aktgjykim dhe të përmbledhura më lart, dhe pasi ka shqyrtuar të gjitha provat dhe argumentet e palëve dhe Mbrojtjes së Viktimave, Trupi Gjykues, në bazë të neneve 43 dhe 44 të Ligjit dhe rregullave 158, 159 dhe 163 të Rregullores, ju shpall ju, Kadri Veseli, FAJTOR për:
    a. Pikën 3, arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar si krim lufte sipas neneve 14(1)(c) dhe 16(1)(a) të Ligjit, kryer kundër së paku 385 personave;
    b. Pikën 5, trajtim mizor si krim lufte sipas neneve 14(1)(c)(i) dhe 16(1)(a) të Ligjit, kryer kundër së paku 49 personave;
    c. Pikën 7, torturë si krim lufte sipas neneve 14(1)(c)(i) dhe 16(1)(a) të Ligjit, kryer kundër së paku 303 personave; dhe
    d. Pikën 9, vrasje të paligjshme si krim lufte sipas neneve 14(1)(c)(i) dhe 16(1)(a) të Ligjit, kryer kundër së paku 96 personave.
  3. Trupi Gjykues ju shpall TË PAFAJSHËM për një numër incidentesh krime lufte sepse nuk u vërtetuan jashtë dyshimit të arsyeshëm, ose sepse akuza u përfshi në një akuzë më konkrete, ose sepse u konstatua se incidenti në fjalë nuk përfshihej në juridiksionin e gjykatës.
  4. Trupi Gjykues ju shpall TË PAFAJSHËM për krimet kundër njerëzimit të përndjekjes, burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme dhe zhdukjes me forcë sipas Pikave 1, 2, 4, 6, 8 dhe 10.
  5. Tani do të shqiptoj dënimin.
  6. Z. Veseli, duke qenë se jeni shpallur fajtor për më shumë se një vepër penale, Trupi Gjykues ka përcaktuar nga një dënim më vete për secilën vepër penale për të cilën është dhënë vendim fajësie, në bazë të rregullës 163(4) të Rregullores. Së pari do të jap këto dënime më vete, e më pas do të shqiptoj dënimin e njësuar për sjelljen tuaj kriminale në tërësi.
  7. Trupi Gjykues ka vendosur:
    a. dënim me 10 vjet burgim për krimin e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar (Pika 3);
    b. dënim me 3 vjet burgim për krimin e luftës të trajtimit mizor (Pika 5);
    c. dënim me 13 vjet burgim për krimin e luftës të torturës (Pika 7); dhe
    d. dënim me 16 vjet burgim për krimin e luftës të vrasjes së paligjshme (Pika 9).
  8. Trupi Gjykues ju dënon me një dënim të njësuar me 18 vjet burgim, në të cilin llogaritet koha e kaluar në paraburgim.
  9. Z. Veseli, mund të uleni.

Rexhep Selimi

  1. Z. Rexhep Selimi, ju lutem ngrihuni në këmbë.
  2. Në emër të popullit të Kosovës, për arsyet e shtjelluara në Aktgjykim dhe të përmbledhura më lart, dhe pasi ka shqyrtuar të gjitha provat dhe argumentet e palëve dhe Mbrojtjes së Viktimave, Trupi Gjykues, në bazë të neneve 43 dhe 44 të Ligjit dhe rregullave 158, 159 dhe 163 të Rregullores, ju shpall ju, Rexhep Selimi, FAJTOR për:
    a. Pikën 3, arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar si krim lufte sipas neneve 14(1)(c) dhe 16(1)(a) të Ligjit, kryer kundër së paku 385 personave;
    b. Pikën 5, trajtim mizor si krim lufte sipas neneve 14(1)(c)(i) dhe 16(1)(a) të Ligjit, kryer kundër së paku 49 personave;
    c. Pikën 7, torturë si krim lufte sipas neneve 14(1)(c)(i) dhe 16(1)(a) të Ligjit, kryer kundër së paku 303 personave; dhe
    d. Pikën 9, vrasje të paligjshme si krim lufte sipas neneve 14(1)(c)(i) dhe 16(1)(a) të Ligjit, kryer kundër së paku 96 personave.
  3. Trupi Gjykues ju shpall TË PAFAJSHËM për një numër incidentesh krime lufte sepse nuk u vërtetuan jashtë dyshimit të arsyeshëm, ose sepse akuza u përfshi në një akuzë më konkrete, ose sepse u konstatua se incidenti në fjalë nuk përfshihej në juridiksionin e gjykatës.
  4. Trupi Gjykues ju shpall TË PAFAJSHËM për krimet kundër njerëzimit të përndjekjes, burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme dhe zhdukjes me forcë sipas Pikave 1, 2, 4, 6, 8 dhe 10.
  5. Tani do të shqiptoj dënimin.
  6. Z. Selimi, duke qenë se jeni shpallur fajtor për më shumë se një vepër penale, Trupi Gjykues ka përcaktuar nga një dënim më vete për secilën vepër penale për të cilën është dhënë vendim fajësie, në bazë të rregullës 163(4) të Rregullores. Së pari do të jap këto dënime më vete, e më pas do të shqiptoj dënimin e njësuar për sjelljen tuaj kriminale në tërësi.
  7. Trupi Gjykues ka vendosur:
    a. dënim me 6 vjet burgim për krimin e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar (Pika 3);
    b. dënim me 2 vjet burgim për krimin e luftës të trajtimit mizor (Pika 5);
    c. dënim me 8 vjet burgim për krimin e luftës të torturës (Pika 7); dhe
    d. dënim me 11 vjet burgim për krimin e luftës të vrasjes së paligjshme (Pika 9).
  8. Trupi Gjykues ju dënon me një dënim të njësuar me 13 vjet burgim, në të cilin llogaritet koha e kaluar në paraburgim.
  9. Z. Selimi, mund të uleni.
  10. Zyra Administrative tani do të shpërndajë Aktgjykimin në formë elektronike dhe do t’u japë të akuzuarve kopje të legalizuara të versionit në gjuhën angleze. Versioni në gjuhën shqipe do t’u jepet të akuzuarve pasi të jetë gati. Trupi Gjykues udhëzon sekretarin e gjykatës të shpërndajë Aktgjykimin.
  11. Trupi Gjykues rikujton se çështja e zhdëmtimeve, për të cilën ka marrë parashtrimet e palëve dhe Mbrojtjes së Viktimave para mbylljes së gjykimit, po shqyrtohet prej Trupit Gjykues dhe se, së shpejti, do të lëshojë urdhër për kalendarin në lidhje me këtë.
  12. Seanca mbyllet.