Ballina Aktualitet Opinione Mustafa Nano: Elvisi, si shumë imamë të tjerë këtyre anëve, bie në...

Mustafa Nano: Elvisi, si shumë imamë të tjerë këtyre anëve, bie në sy për mendjen e vet të thjeshtë

Mustafa Nano

Elvis Naçi, imami i xhamisë së Urës së Tabakëve, jeton me idenë se është një njeri shumë i rëndësishëm. Dhe ai nuk e beson se ka njerëz që nuk e njohin, siç isha unë deri në momentin që e takova për herë të parë në studion e programit “Opinion” para nja dy vjetësh. Nuk i besohej që nuk e njihja. “Unë kam dalë shpesh në TV”, më tha, dhe as që i shkonte në mendje se ka njerëz, mes të cilëve jam edhe unë, që shohin shumë pak TV. “Çfarë hipokriti që është”, duhet të ketë menduar për mua.

Që është i rëndësishëm, këtë nuk e luan as topi. Kjo është marrë vesh, tanimë. Por unë bëra edhe një testim të fundit. Hyra në “YouTube” dhe bëra një kërkim me emrin e tij. Gjëja më e freskët që ishte hedhur ishte një video me titullin “Hutbe/kush është njeriu më i mirë?” Dhe click-ova në atë video. M’u shfaq Elvisi, i veshur allafrënga, me këmishë të bardhë, me një kollare të kuqe si të Donald Trump-it e me një mjekër të lehtë, si të Jordi Alba-s. Sikur të mos e dish kush është mund ta marrësh për një talent scout, a një gigolo, a një futbollist tjetër të Barcelonës. Dhe sigurisht do të kapesh në befasi kur ai të fillojë të recitojë në arabisht: Al-hamdu Lillaahi nahmaduhu wa nasta’eenahu wa nastaghfiruhu, wa na’oodhu billaahi min shuroori anfusinaa wa min sayi’aati a’maalinaa. Mirëpo, nuk ka asnjë arsye për t’u çuditur. Ai është imam. Një imam popullor. Është më popullori në Shqipëri. Madje, edhe në trojet shqiptare. Videot e tij në “YouTube” ndiqen nga qindra mijëra vetë. Në “Facebook” ka rreth 700 mijë ndjekës. Politikanët apo njerëzit e showbiz-it duhet ta kenë zili famën e tij.

Ai është kundër islamikëve fanatikë e radikalë. Kështu thonë. Kështu thotë edhe ai vetë. Mirëpo duhet të biem dakord se çfarë është një islamik fanatik e radikal. Në një video që gjendet po në “YouTube” (ishte hera e parë që u vura të ndjek një hutbe në “YouTube”: dhe e fundit sigurisht), duke folur për Musanë, Isanë, Muhametin, e pejgamberë të tjerë, ai e ndal papritur ligjërimin e tij, ngaqë duket sikur e kap një dhembje. Por merret vesh shpejt se nuk bëhet fjalë për ndonjë shqetësim shëndetësor. Ai thjesht mbërthehet nga një si përdëllim i madh. Këmbët me sa duket nuk i mbajnë. Zë vend në ndenjëse, mbështetet mbi tryezë, ul kryet, dhe ia kris të qarit. Ju ftoj që shprehjen “ia kris të qarit” ta merrni për këtë që është: “ia kris të qarit”. Është besimtar fanatik e ekstremist një njeri i tillë? Sigurisht. Madje, i rrezikshëm. Unë do të kisha frikë të flija në një dhomë me një njeri që qan krejt papritur, teksa është duke folur për pejgamberët. Mirëpo, ky nuk është rasti i Elvis Naçit. Futuni dhe shiheni këtë skenë që është, përveç të tjerash, edhe argëtuese (https://www.youtube.com/watch?v=rJIEzqRWCpA), dhe do të më jepni të drejtë.

Elvis Naçi meriton notën katër si imam e notën dhjetë si aktor. Jim Carrey nuk do t’i derdhte dot ato lot ashtu, pa ndihmën e ndonjë solucioni lakrimogjen.

Shkurt, nuk duhet t’u japim rëndësi këtyre lotëve. Elvisi është duke bërë aty një lojë politike. Atij i duhet vëmendja e publikut. Sepse do të shtojë numrin e anëtarëve të grigjës së vet, ta konsolidojë këtë grigjë, ta bëjë kompakte. Të gjithë imamët e botës këtë gjë bëjnë. Për këtë paguhen (nëse nuk kanë qëllime të tjera pastërtisht politike, d.m.th. nëse nuk i shohin besimtarët si militantë politikë në funksion të ambicieve të tyre për pushtet e ndikim në shoqëri).

Por ne duhet t’i gëzohemi faktit që Elvis Naçi nuk është islamik radikal. Retorikën nuk e ka të tillë. Nuk është dëgjuar në asnjë rast, ç’është e vërteta, të përcjellë mesazhe ekstremiste, që në botën shqiptare do të kishin një funksion përçarës, për rrjedhojë antikombëtar. Edhe Allahut, që është emri me të cilin thirret në Kuran “krijuesi i madh, i gjithëdijshëm e i gjithëfuqishëm”, ai i drejtohet në stilin “shqiptar”, Zot. Dhe bën çmos të mbajë gjallë, a të rikuperojë, Islamin tonë të traditës, i cili ka qenë atdhetar, laik (në kuptimin që pajtohet me faktin se shteti ka punën e vet dhe feja ka të vetën), e properëndimor. Unë jam i sigurt se asnjë nga besimtarët që dëgjojnë predikimet e Elvis Naçit nuk bëhet ekstremist apo antishqiptar. Me fjalë të tjera, jam i prirur të besoj se askush nuk bëhet ekstremist e antishqiptar për shkak të Elvisit. Dhe për këtë atij i duhet hequr kapela. Sidomos në këto kohë kur në Shqipëri, a në viset e tjera shqiptare, gëlojnë lloj-lloj imamësh, për të cilët interesi e identiteti kombëtar janë një çikërrimë pa rëndësi përballë besimit në Zot. Për disa syresh, “çaprashitjet për atdheun” vetëm e bëjnë pis besimin në Zot.

Por Elvisi, si shumë imamë të tjerë këtyre anëve, bie në sy për mendjen e vet të thjeshtë. Nuk e them këtë me ligësi. Jo, nuk kam as ngasjen më të vogël për t’u treguar i lig me të. Jo për gjë, por ai më duket edhe njeri i mirë. Dhe kur flas për mendje të thjeshtë nuk kam parasysh se ai nuk ka kulturë europiane, d.m.th. që nuk ka lexuar Homerin, Danten apo Kadarenë, nuk ka dëgjuar Bet’hovenin, nuk di të shijojë Picasso-n e Chagall-in, nuk pëlqen Dua Lipën etj. Jo, me këtë kam parasysh se ai nuk mund ta kalojë një test mesatar të inteligjencës.

Fjalët e frazat e tij janë elementare. Mendimin e ka gjithashtu elementar. Fjalët shqipe që ai shtie në punë gjatë ligjërimeve të veta nuk e kalojnë numrin një mijë. Kush ka nerva e nge për ta ndjekur në hutbetë e tij në “YouTube”, do të shohë tek ai një njeri që përsërit pa u lodhur shprehje që ai i ka përdorur dje apo që do t’i përdorë nesër. Duket sikur dikush i ka dhënë leksionin: “Kur je përballë besimtarëve në xhami, vetëm fol, mos pusho, nuk ka rëndësi se çfarë thua, nuk duhet të kesh pauza, pauzat janë të rrezikshme, është më mirë një fjalë a frazë e kotë sesa një pauzë”. Dhe ai këtë bën. Është si një lodër e kurdisur. Unë thashë pak më herët se kush dëgjon Elvisin nuk bëhet ekstremist e antiatdhetar, dhe kjo është një gjë e mirë. Por në të njëjtën kohë është e sigurt që nuk bëhet kurrë inteligjent.

Mund të më thotë ndonjëri se unë flas kështu, ngaqë nuk jam besimtar mysliman. Përgjigjja ime është: “Sigurisht!”. Edhe Elvisin në këtë rast nuk po e shoh si imam. E shoh si një personazh që vjen vërdallë, si shumë të tjerë, në skenën publike shqiptare. Dhe si i tillë, më rezulton një gjë e thjeshtë. Shumë e thjeshtë. Por jo deri atje sa të mos dijë se pak hile vlen më shumë se dija apo besimi.

Kam qenë në një debat televiziv me të. Në “Opinion”. Dhe atje më bëri përshtypje të veçantë, madje më nervozoi, fakti që pati insolencën të mos u dilte për zot disa frazave kuranike, që unë ia përmenda. Unë, me sa mbaj mend, thashë në atë program që në Kuran pohohet se “burrat janë një shkallë më lart sesa gratë” (2:228), se “burrat kanë të drejtë t’i rrahin gratë e tyre, nëse këto janë të pabindura” (4:34), apo se “myslimanët nuk duhet të lidhin miqësi me hebrenjtë e të krishterët” (5:52). Dhe ai tha në të tria rastet që “jo, nuk është e vërtetë që në Kuran thuhet kështu”. Dhe mua më iku truri. Mashtruesit dhe hipokritët ma heqin trurin më shumë se kushdo tjetër në këtë botë. Dhe po pyesja veten: “Ky njeri nuk e ka lexuar Kuranin, apo e ka lexuar dhe nuk u del për zot mesazheve kuranike?” Nuk do ta përjashtoja të parën, por besoj se është kjo e dyta. E bëjnë shpesh myslimanët këtë gjë.

Njerëzve si Elvis Naçi do t’ua donte puna që të përcillnin mesazhin: “Lexojeni Kuranin, që është fjala e Zotit”. Mirëpo ata nuk e bëjnë këtë. Bëjnë të kundërtën. Në fund të programit “Opinion”, teksa po i thosha se e kam lexuar Kuranin, se e kam lexuar më shumë se një herë, se e kam lexuar edhe në gjuhë të huaj, se kam lexuar edhe Hadithet sipas Bukharit (leximi i këtij të fundit ka qenë një humbje kohe, me që ra fjala), ai m’u drejtua me ca fjalë që ma bënë edhe bisedën me Elvisin një humbje kohe: “Ti nuk duhet ta lexosh vetë Kuranin. Duhet dikush të të ndihmojë për ta kuptuar. Duhet të kesh pranë një mysliman çfarëdo”. Do të duhej të fyhesha, por nuk u fyeva. Sepse ai nuk e tha atë për të më fyer. Ai e beson atë që tha. Ashtu siç beson se atë mund t’ia thoshte kujtdo në këtë botë, në daçi edhe Albert Einstein-it, Stephen Hawking-ut etj., etj. E dini se çfarë mendova në atë rrethanë (përveç mendjes së thjeshtë të tij)? Mendova se “sikur Zoti të ekzistonte, e sikur Kurani të ishte një libër i Tij, të parët njerëz që do të çonte në xhehnem do të ishin ata që u sugjeronin të tjerëve të mos e lexonin vetë fjalën e diktuar prej Tij, sepse mund ta keqkuptonin apo moskuptonin. Sepse, fjala e Zotit na qenka shkruar për t’u kuptuar vetëm nga pak njerëz. Ne të tjerët u dashka ta mësojmë nga këta, mes të cilëve është edhe Elvis Naçi.” إن لم يشأ الله. Që do të thotë: Zoti mos e dhëntë/thëntë!/Gazeta Liberale

@tn.lajmelokale
@tetovanews