Ballina Aktualitet Kultura “Të uroj” nga Viktor Hygo. Një ndër poezitë më të bukura të...

“Të uroj” nga Viktor Hygo. Një ndër poezitë më të bukura të shkruara ndonjëherë. Ia vlen ta lexoni!

“Të uroj”

Të uroj më së pari të duash
E duke dashur, do të të duan edhe ty
Dhe ata që s’të duan, harroji
E përtej harrimit, mëritë e vjetra kurrë mos t’i kujtosh!

Të uroj të vazhdosh të duash pa u dëshpëruar
Të uroj që edhe sikur mes miqve të tu
Të ketë të pasjellshëm, të pamatur e t’pamend
Ti, ti… qëndro gjithmonë trim e besnik

Pse mes tyre ka për të qenë edhe një i vetëm
Tek i cili ti mund të besosh padyshim
Pse jeta vetë është e tillë.

Të uroj gjithashtu të kesh armiq
Të shumtë, a një të vetëm, aq sa ti të kuptosh.
E kështu të mund të mësosh zemërgjerësinë prej tyre
Dhe ndër ta, të jetë qoftë edhe një i drejtë,
Aq sa ti të mos ndjehesh krejt i sigurt.

Të uroj më shumë të jesh i vlefshëm, po jo i pashembullt
E në çaste të vështira
Kur asgjë nuk shkon si duhet
Vlera jote të të japë forcë e kurajo të vazhdosh.

Të uroj po ashtu të jesh zemërgjerë
Jo me ata që lajthisin pak
Sepse kjo është e lehtë

Por me ata që gabojnë trashë e janë të pandreqshëm
Dhe duke shprehur zemërgjerësinë tënde
Ti mund të shërbesh si shembull për të tjerë.

Të uroj gjithashtu që duke qenë i ri
Të mos rrekesh të piqesh me të shpejtë
E kur rritur të jesh

Të mos këmbëngulësh të hiqesh më i ri
E duke qenë plak, të mos pushtohesh prej dëshpërimit
Sepse çdo moshë ka bukurinë e dhimbjen e saj.

Nuk të uroj të jesh i trishtuar. Oh jo!
Jo gjithë vitin, por ta njohësh trishtimin veç një ditë!
E kështu të çmosh
Që e qeshura e rigjetur është edhe më e mirë
Se një e qeshur e rëndomtë, e vakët, e shpëlarë që të dëmton.

Të uroj mes tjerash të mbjellësh një farë
Një farë të vockël fare
E ta shoqërosh gjithë rritjen e saj
Për të zbuluar prej sa shumë jetësh është ndërtuar një pemë.

Të uroj gjithashtu të kesh edhe pak para
Aq sa nevojiten e t’ia dalësh mbanë
E që së paku një herë në vit të reflektosh

Mbi ato para e të thuash: “Janë të miat, i kam fituar vetë!”
Për ta bërë të qartë e të njohur:
Se kush është pronar i kujt!

Të uroj gjithashtu të mbash sa më gjatë t’jetë e mundur
Gjithçka që dashuron
E nëse dashuritë shkojnë, të mund të qash pa u ankuar
E të vuash pa u ndjerë fajtor!

Të uroj së fundmi
Që nëse je një burrë, të kesh një grua të mirë
E nëse je një grua, të kesh një burrë të mirë.

Nesër, pasnesër e sërish të pasnesërmen
Edhe sikur rraskapitur të jeni
Ta gjeni buzëqeshjen si në t’parën ditë dashuruar
të jeni gjithnjë!

E nëse të gjitha këto ndodhin për ty
Atëherë, s’do të kem më asgjë të të uroj!

Artikulli paraprakKy ushqim mbron shëndetin mendor
Artikulli tjetërA e dini sa “Story” mund të postoni çdo ditë në Instagram?