Ballina Aktualitet Opinione Vjollcë Berisha: Ta vjedhësh shtetin, ta rrjepësh popullin, të pasurohesh nga paratë...

Vjollcë Berisha: Ta vjedhësh shtetin, ta rrjepësh popullin, të pasurohesh nga paratë e popullit është emri tjetër i tradhtisë

Vjollcë Berisha

Mënyra më e përdorur, e shtrydhur deri në pikën e fundit, e patriotizmit, është patriotizmi deklarativ romantik që shpesh ka për qëllim bojatisjen kallpe të veprave të dështuara.
Të jesh patriot, ta duash kombin e atdheun, të jesh përnjimend ushtar e shërbetor i tij, do të thotë të jesh pararoja e prosperimit të tij.

Atdhetari nuk i mbush  b u r gj e t  me të pafajshëm, nuk lejon të kalben birucave të rinj për procese të montuara vetëm për të mos ia prishur rehatinë padronëve të (pu)shtetit, e të mos u prishet luksi i vilave marramendëse, makinave super të shtrenjta të vetë atyre që deklarohen patriotë e që e vjedhin përditë, paq dhe në dritë të diellit, popullin e vet.
Patrioti i njëmendtë nuk lejon të rrënohet çdo vlerë e standard në shtet. Ai nuk i mbyll sytë sistemit të kalbur shëndetësor, para arsimit totalisht të nëpërkëmbur, përpara mosinteresimit të plotë ndaj vlerave shtetërore e kombëtare.

Atdhetaria fillon nga gjërat e vogla. Patriot është edhe ai zanatçi që e bën pa mashtruar punën e vet dhe merr aq sa meriton vërtet… Është çdo udhëheqës lokal a qendror që bën përnjëmend diçka për ata që e kanë zgjedhur, është ai prijës që respekton njëmendi institucionin e Votës, që se dhunon me kërcënime atë. Patriot është çdokush që e kryen punën e vet me nder dhe më së miri, çdokush që përpiqet të jetë më i miri në fushën e vet dhe më pas ta transferojë këtë në të mirën e përgjithshme, në të mirën e atdheut.
Edhe injorant, edhe patriot nuk mundet. Të duhet dije edhe për ta dashur kombin.
Ta vjedhësh shtetin, ta rrjepësh popullin, të pasurohesh nga paratë e popullit është emri tjetër i tradhëtisë.

S’mund të thirret në atdhetari ai që i ka shkatërruar të gjitha standardet e meritokracisë. Ai që ka lejuar të punësohen edhe mësues të papërgatitur e të papërgjegjshëm, ai që ka lejuar shitblerjen e diplomave, duke bërë dy gabime njëherësh: prodhimin e kuadrove jo të denja dhe humbjen e besimit në shkollim. S’mund të jetë patriot ai që i ka lënë pa libra nxënësit, ai që i ka lënë pa medikamente spitalet, ai që ka lejuar vjedhjen e asfaltit në rrugët e qytetarëve, ai që e ka shtruar mirë udhën e zhgënjimit prej nga kalojnë mijëra të rinj dhe ikin rrugëve të botës, ai që na i ka zbrazur lagjet, ai që i ka fikur dritat e shtëpive edhe në fshatin nga vjen vetë (mjafton të bësh një udhëtim natën edhe në katundet e pushtetarëve legjendarë për ta vërtetuar lehtësisht këtë shkretim), ai që ka bërë të lëkundet thelbi i shtetit, duke e zhveshur gjyqësinë nga drejtësia, ai që e ka bërë mënyrë veprimi korrupsionin që ia zë frymën, si asgjë tjetër, prosperimit të një shteti, pasi të korruptohesh do të thotë t’ia bllokosh rrugën zhvillimit, të mos lejosh të vijnë pranë qytetarëve të mirat.

Këto shëmti kanë bashkëjetuar me ne me dekada, duke na u shndërruar në pjesë të jetës dhe e kanë humbur përgjithmonë të drejtën për ta përdorur monedhën e patriotizmit për të blerë rehatinë personale edhe më tej.

Partitë shqiptare në pushtet i kemi për ta shpier tutje kauzën tonë pavarësisht nga partneri qeveritar. Debati në parlament dhe vendimet që do të merren janë ato që duhet të diskutohen, jo kombinimet për formimin e shumicës. Kur theksi vihet te partnerët e komunitetit maqedonas, i bie që á priori e shmangim faktorin shqiptar nga të qenit faktor bosht në udhëheqjen e proceseve.

Asnjë kombinim parlamentar nuk e determinon vetvetiu fuqinë politike. I nevojshëm është vizioni ynë, këmbëngulja jonë dhe shkalla e patriotizmit qenësor jodeklarativ i përfaqësuesit shqiptar të pushtetit.
Dekonstruktimi i gënjeshtrës së pushtetit në ikje fillon mu nga abuzimi me fjalën patriotizëm.

Kështu që, le të themi “Jo, falemnderit” për këtë diskurs. Ky film është shfaqur moti dhe e kemi mësuar përmendësh.

Artikulli paraprakÇfarë thonë banorët e Zhelinës, fshati që rrëzoi qeverinë? (VIDEO)
Artikulli tjetërDeputeti Ismaili: Nënshkrimi im qëndron për rrëzimin e Qeverisë, të tjerat janë shpifje