Ballina Aktualitet Dy orë pasi iu dha lamtumira e fundit shtatzënës së vrarë, vetëvritet...

Dy orë pasi iu dha lamtumira e fundit shtatzënës së vrarë, vetëvritet dorasi (VIDEO)

Të premten iu dha lamtumira e fundit, në fshatin Llugaxhi të Lipjanit, gruas shtatzënë, të vrarë dy ditë më parë nga bashkëshorti i saj në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë. E në ditën që u varros 35-vjeçarja, dorasi ka kryer vetëvrasje në shtëpinë e tij, pas lokalizimit nga Policia.

I është dhënë lamtumira e fundit shtatzënës, që u vra dy ditë më parë nga bashkëshorti i saj, në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë.

Në ceremoninë e varrimit, në varrezat e fshatit Llugaxhi të Lipjanit, familjarëve të viktimës i qëndruan pranë qindra qytetarë e udhëheqës institucionesh.

Të afërm të 35-vjeçares thanë se kohëve të fundit kishin vërejtur shumë ndryshime tek e ndjera.

Dy orë pas varrimit të 35-vjeçares, Policia njoftoi se pas lokalizimit në shtëpinë e tij, dorasi kreu vetëvrasje. Sipas Policisë, ai nuk u dorëzua, pavarësisht se u aplikua masa e negocimit.

Familjarë të së ndjerës i kanë thënë KOHËS një ditë më parë se ajo i ishte nënshtruar dhunës fizike e psikike nga bashkëshorti, për çka rasti ishte iniciuar në Polici. Ajo u vra derisa ishte në prag të lindjes, ndonëse pati urdhër mbrojtjeje nga gjykata.

Pas përfundimit të ceremonisë së varrimit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përsëriti se do të ketë dorëheqje dhe shkarkime tek të gjitha hallkat e sistemit që dështuan ta zbatojnë urdhrin e mbrojtjes.

“Në rastin konkret, ata të cilët nuk i kanë kryer përgjegjësitë që i kanë do të japin dorëheqje dhe do të shkarkohen. Nuk është momenti që tani të flasim për këtë”, ka thënë Haxhiu.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për rastin e vrasjes së 35-vjeçares./koha.net

@tn.lajmelokale
@tetovanews