Ballina Aktualitet Opinione Rama ka shumë “miq” si McGonigal

Rama ka shumë “miq” si McGonigal

Arbër Zaimi

Nga Arbër Zaimi

Ashtu siç nuk ka njeri të pagabueshëm, ashtu edhe nuk ka shoqëri imune ndaj korrupsionit. Por këto gjëra të ditura mbi limitet e njeriut, nuk mjaftojnë për të nxjerrë përfundimin se të gjithë njerëzit apo gjithë shoqëritë janë njësoj. Brenda atyre limiteve njeriu nga njeriu e shoqëria prej shoqërisë dallon, nga mënyra se si sillen. Përshembull, amerikanët me të dalë indikacionet e korruptimit të një zyrtari të tyre të lartë, ish-shef i kundërzbulimit në FBI, ata filluan të marrin masa institucionale. Hetime të thelluara jo vetëm mbi ato fakte e ngjarje mbi Charles McGonigal-in që tashmë janë publikuar, por edhe mbi gjithë aktivitetin e tij në të shkuarën. Shteti, me të drejtë, dyshon se mund të ketë edhe raste të panjohura ende të abuzimeve me pushtetin që ka patur ish zyrtari i lartë i FBI-së.

Ndërsa në anën tjetër, shoqëria shqiptare dallohet prej asaj amerikane. Tek ne një zyrtar edhe më i lartë, vetë kryeministri i vendit, del se ka patur marrëdhënie personale me MacGonigal-in, ku dyshohet se kanë trajtuar çështje koncesionesh për nxjerrjen e naftës në Shqipëri, por edhe çështjen e “heqjes qafe” të opozitës me metoda “ligjore”. A kujdesen institucionet tona të nisin hetime ndaj kryeministrit shqiptar, të paktën për gjërat që tashmë dihen? Do të kishte qenë në nderin e institucioneve shqiptare të reformuara me ndihmën e SHBA, që ato të vepronin me të njëjtin zell e guxim qytetar si vetë institucionet e SHBA. Modelin ja ku e kanë, atje nuk hetohet vetëm shefi i kundërzbulimit, por edhe presidenti e ish-presidenti.

Përfshirja e Ramës në aferën MacGonigal ngre dy shqetësime madhore:

E para – si trajtohen pasuritë e shqiptarëve. Si po jepen me koncesion mineralet, nafta, nëntoka, bregdeti, burimet ujore, rrugët, portet, aeroportet? A janë këto muhabete që zgjidhen kulisave, ku shefi ynë suprem shtrëngon duart me MacGonigalët e botës që punojnë për Deripaska-t e botës? Mjerë ne po të ishte kështu. E pra, ja ku janë modelet evropiane, duke filluar nga Norvegjia që ka numër banorësh jo fort të ndryshëm nga ne. Atje, kur diskutohen politikat e pasurive ekonomike të përbashkëta (nafta, peshkimi), mbretëron transparenca dhe vendimi merret për interesin e publikut. Lum ata që publikja e fortë i ka pasuruar. Mjerë ne që privatja e fshehur në prapaskena, na ka varfëruar.

E dyta – çfarë i ka bërë Edi Rama shpresës tonë për demokraci? Nëse ai e ka shfrytëzuar pozitën e një amerikani të korruptuar për të nisur hetime që damkosin opozitën, kjo lë të kuptohet shumë. Kjo nuk mund të jetë rast i vetëm. Vetë Rama e thotë se ka shumë “miq si MacGonigal-i”. A është e arsyeshme të mendohet se edhe atyre Rama mund t’u ketë kërkuar favore të ngjashme? Të tipit: vëre filan kritikun tim në listën e “antiamerikanëve”. Apo të tipit: hetoje filanin jo pse ka ndonjë arsye, por thjesht sa për t’ia nxjerrë namin e keq se është nën hetime. Natyrisht që është e arsyeshme të dyshohet te Rama, i cili duket se po vazhdon praktikën e njëjtë me diktaturën: eleminimi i kritikëve dhe i rivalëve, ama këtë gjë më nuk e bën përmes organeve shqiptare të inteligjencës, por përmes të korruptuarve në shërbimet e vendeve të tjera.

Një teoricien i shahut, Tartakoveri i shquar për aforizmat e tij paradoksale, thoshte: “Gjithmonë është më mirë të sakrifikosh gurët (e shahut) të tjetrit”. Kështu edhe Rama, po bëhet autokrat e shkatërrues i opozitave, jo duke sakrifikuar veglat e veta, por me veglat e vendeve të tjera. Si ia del? Jo se është shumë i mençur. Thjesht shfrytëzon dy gjëra: së pari gjen më të korruptuarit ndër ta, së dyti ka sigurinë se këtu tek ne korrupsioni nuk dënohet.

Pastaj pyesin, pse largohen shqiptarët masivisht nga Shqipëria…

Megjithatë, zullumi këputet për së trashi. Teksa me veprimet e tij qysh prej fillimit Rama është përpjekur të mbjellë vetëm cinizëm, mosbesim te njëri-tjetri, përbaltje të çdo kundërshtari – tani mbase ka ardhur koha që gjërat të ndryshojnë. E kjo nuk do të ndodhë duke pritur të shfaqen mes nesh engjëj, por duke vendosur së pari ta largojmë Ramën, atë që me çdo mjet e çdo pushtet vazhdon të na polarizojë, të na përçajë, që të na sundojë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews