Ballina Aktualitet Opinione Edi Rama – rënie stili në Kishinau

Edi Rama – rënie stili në Kishinau

Nga Ilir Yzeiri

Në Moldavi, më 1 qershor 2023, u mbajt Takimi i Dytë i Krerëve të Politikës Europiane. Në kështjellën Mimi, në Bulboaka, 35 km larg kryeqytetit moldav, Kishinau, u mblodhën 45 kryetarë shtetesh të vendeve europiane. Çështjet kyçe që u diskutuan aty ishin bashkimi dhe përpjekjet për paqe e siguri, elasticiteti energjitik, shfrytëzimi i mundësive për lidhje rajonale, emigracioni, etj.

Ndërkaq, zgjedhja e Moldavisë ishte edhe një shenjë e fortë për t’i treguar Rusisë se Europa e bashkuar nuk do të lejojë një kërcënim tjetër ndaj këtij vendi, i cili disa herë ka qenë objekt i retorikës së luftës dhe ndikimit rus.

Po ashtu, ky takim u shenjua, për fat të keq edhe nga ngjarjet në veri të Kosovës, të cilat morën një vëmendje të veçantë aty. U gjet mundësia që edhe Armenia dhe Azerbajxhani të ulen në tryezën e bisedimve për të gjetur mundësinë e bashkëpunimit në vend të përplasjeve.

Mirëpo, në këtë takim, një ngjarje tjetër u bë virale në rrjetet sociale dhe mori po aq vëmendje sa edhe të tjerat. Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, në momentin kur gjithë përfaqësuesit e 45 vendeve të Europës ishin përballë kështjellës dhe sapo kishin mbaruar paraqitjen zyrtare përballë fotografëve, i hidhet në qafë kryeministres së Italisë Meloni dhe e puth lehtë në faqe.

Kjo skenë, në fakt, në pamje të parë, duket sikur thyen protokollin e ngurtë të takimeve zyrtare dhe është brenda stilit të shfaqjes së Edi Ramës, i cili njihet për paraqitjet e tij jo formale në takimet formale. Ai e përdor trupin e tij si artefakt mbi të cilin vendos në formë reklame veshje jo formale me ngjyra herë të errëta e herë me kontrast.

Deri tani ai kishte arritur ta ruante efektin pozitiv që vinte nga drejtpeshimi mes përdorimit të trupit të tij si artefakt në një sallon mode dhe përdorimit po ashtu si model në takime të formalizuara ku uniforma përcaktohet që në fillim ashtu si ajo e sportistëve që luajnë në një stadium të mbushur plot.

Ndërsa veprimi që Edi Rama, kryeministri ynë, kreu më 1 qershor duke iu hedhur në qafë e duke puthur në faqe kryeministren Meloni, ishte një rënie e theksuar stili, ishte shkelmimi përfundimtar që ai i bëri paraqitjes së tij dhe imazhit duke lëvizuar nga udhëheqësi postmodern që e përdor protokollin për të promovuar modelin e ti joformal dhe artistik, në gaztor entuziast. Ai u shfaq si imitim i zbehtë i Berluskonit, i cili, gjatë kohës që ishte në krye të Italisë, në takimet ndërkombëtare mbahet mend mw shumw për barsaletat me shije e pa shije që tregonte në këto takime, sesa për performancën politike. Një shfaqje e tillë e lodhshme i pat detyruar atëherë Merkelin dhe të tjerë që të liroheshin nga prania e bezdisshme e Berluskonit.

Unë e kam çmuar dhe e çmoj Edi Ramën si shtetar. Arma e tij më e fortë ka qenë marrëdhënia me ndërkombëtarët. Mirëpo, gjesti i fundit në Kishinau tregoi se lodhja dhe tejngopja me pushtet, vetëbesimi i tepruar, e bëri që të harrojë një çast se kontakti fizik për të shprehur mirënjohjen dhe respektin është një truk që përdoret vetëm atëherë kur hiqet uniforma formale e burrit të shtetit dhe jo në stadium.

Sepse pamja e 45 udhëheqësve të Europës përballë kamerave nga e gjithë bota riprodhon një spektakël madhështor në të cilin ata që filmohen, janë si aktorët që e kanë të përcaktuar tekstin dhe lëvizjet. Nëse dikush, qoftë edhe me dëshirën e mirë, del nga teksti e madje i hidhet në qafë aktorit tjetër, gjithë shfaqja dështon.

Ndaj Edi Rama në kështjellën Miri, 35 km larg kryeqytit Kishinau të Moldavisë pësoi një rënie të thellë stili.

Artikulli paraprakLAJM I FUNDIT/ Albin Kurti merr një telefonatë nga Shtëpia e Bardhë
Artikulli tjetërFOTO: ‘Çmendet rrjeti’, modelja holandeze tërbon ndjekësit me të pasmet bombastike