Ballina Arsimi “Po largohen nxënës e mësimdhënës nga vendi, shumë shkolla do të mbyllen”

“Po largohen nxënës e mësimdhënës nga vendi, shumë shkolla do të mbyllen”

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka alarmuar për mbylljen e shkollave si pasojë e mungesës së nxënësve por edhe të mësimdhënësve.

Ai tha kjo po ndodh si pasojë e largimit nga vendi.

Jasharaj ka radhitur disa arsye pse po ndodh largimi i mësimdhënësve dhe nxënësve, e sipas tij një nga më kryesoret janë kushtet e rënda ekonomike.

“Ata po dalin në Evropë me shpresën se do ta kenë jetë më të mirë, shkak i kësaj është gjendja ekonomike dhe venitja e shpresës për një të ardhme më të mirë në Kosovë”, tha Jasharaj për “Zërin”.

Jasharaj tha se nëse shteti nuk merr masa dhe kjo vazhdon të ndodhë, shumë shkolla në Kosovë do të mbyllen.

“Kjo rënie paraqet problem, por nëse vazhdohet kështu do të kemi edhe mbylljen e shkollave. Informacionet tona flasin se tani edhe punëtorët e arsimit kanë një tendencë për t’u larguar qoftë për të kaluar në një sektor tjetër qoftë për të shkuar në shtetet e Evropës”, u shpreh ai.

Ai përmendi shembullin e Komunës së Kamenicës, e që sipas tij është dashur të jetë alarm për Qeverinë.

“Fenomeni i largimit nga vendi është i pranueshëm me vite dhe nuk është një numër i vogël, rasti i Kamenicës është dashur t’i bëjë alarm Qeverisë për të bërë një planifikim se çfarë do të bëhet me këtë situatë”, tha ai, duke shtuar se SBASHK-u nuk ka asnjë mekanizëm në dorë për ta ndaluar këtë.

Ndërkaq për ministrin e Financave, Hekuran Muratin, ai shprehet se ministri në mënyrë ironike ka ngritur pagat e mësimdhënësve me vetëm 28 euro.

“Hekuran Murati po them ‘në mënyrë ironike e mbajti fjalën’ dhe bëri atë lëvizjen ironike nga 105 deri 110 vlerën e koeficientit, që nënkupton që kemi ngritje ironike të pagës, pra nëse e krahasojmë pagën me atë të janarit, ngritja është bërë vetëm 28 euro”, tha Jasharaj.

Kryetari i SBASHK-ut, ndër të tjera, tha se gara për t’u bërë mësues ose profesor tanimë ka ndryshuar, për shkak se po bëhet çdoherë e më pak i dashur si profesion, e për këtë Qeveria duhet ta ngrejë koeficientin.

“Profesioni i mësuesit po bëhet gjithnjë e më pak i dashur, Qeveria duke e parë këtë pakënaqësi duhet ta ngrejë më shumë koeficientin”, tha ai.

Jasharaj u shpreh se edhe pas insistimit të rregullimit të problemeve, nuk kishe asnjë ndryshim, e kjo sipas tij shkak të inatit të Nagavcit me grevën.

“Përkundër insistimit tonë për rregullimin e problemeve drejtuar zonjës Nagavci, ajo sikur e mban inatin e grevës”, tha ai

E mes të tjerash, ai flet edhe për kërkesat e pushimit pa pagës të mësimdhënësve, që sipas tij një pjesë e tyre nuk do t’i kthehen arsimit.

Por edhe pas kësaj Nagavci dhe Qeveria nuk po ndërmarrin masat e duhura dhe, sipas tij, nuk ka shumë mësimdhënës siç e thonë ata.

“Zonjës Nagavci dhe Qeverisë si duket nuk po i bëhet vonë. Ata nganjëherë kanë thënë se kemi numër të madh të mësimdhënësve, por që nuk është e vërtetë”, tha ai.

Përveç këtyre, ai tha se greva e heshtur edhe jo e rrezikshme do të ndodhë si shkak i pakënaqësisë së kushteve të mësimdhënësve.

“Këtë grevë nuk mund ta shpallë askush, por mësimdhënësit e pakënaqur me mungesën e kushteve të punës, sepse nuk angazhohemi për suksese të larta e arritje të larta me disa shpuza e shkumësa”, u shpreh ai.

Ndërkaq ai shpreh dëshirën për një takim me ministren e Arsimit, drejtoritë arsimore, si edhe Këshillin e Prindërve për planifikim të përbashkët.

@tn.lajmelokale
@tetovanews