Ballina Aktualitet Policia fik sinjalin e News24, kërkon nxjerrjen me forcë nga ambientet, gazetarëve...

Policia fik sinjalin e News24, kërkon nxjerrjen me forcë nga ambientet, gazetarëve iu ndalohet hyrja në redaksi

Policia e Shtetit ka rrethuar prej mëngjesit godinën e televizionit News24.

Pa paralajmërim dhe pa vendim gjykate, Policia kërkon lirimin e ambienteve ku aktualisht ndodhen redaksitë News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.

Në krye të uniformave blu ndodhet Ardi Veliu i cili pretendon se godina i përket kompanisë së prodhimi të armëve.

Energjia elektrike e televizionit është ndërprerë, ndërsa gazetarëve iu është ndaluar hyrja në redaksi.

AGSH: Bllokimi i sinjalit të News24 dhe gazetarëve të Gazetës Panorama dhe Balkanweb, veprim i alarmant! Shkelje flagrante e parimeve themelore të demokracisë dhe të lirisë së shprehjes

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar ashpër pas sulmit të Policisë së Shtetit, i cili sot me një akt të paprecedent ka ndërprerë sinjalin e Neës24 dhe ka larguar forcërisht nga redaksia gazetarët e Gazetës Panorama, Balkanweb dhe Gazetës Shqiptare.

AGSH e cilëson këtë si një alarm dhe një ngjarje tepër të rëndë, e cila cenon parimet themelore të demokracisë dhe lirisë së shprehjes!

REAGIMI I PLOTE I AGSH

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë është i alarmuar për ngjarjen ku Policia ka Bllokuar zyrat e News24, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.

Ky veprim i alarmant përbën një shkelje flagrante të parimeve themelore të demokracisë dhe të lirisë së shprehjes, të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ndërhyrja e policisë, pengojnë drejtpërdrejt punën e gazetarëve, është një akt i papranueshëm dhe përbën presion të hapur mbi median e lirë.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë kërkon nga institucionet shtetërore të ndërpresin menjëherë këtë aksion, të garantojnë aksesin e gazetarëve në ambientet e punës dhe të respektojnë standardet demokratike për lirinë e medias.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje organizatave vendore dhe ndërkombëtare për lirinë e shprehjes të monitorojnë nga afër këtë situatë dhe të reagojnë publikisht.

I bëjmë thirrje institucioneve që çdo konflikt me televizionet private të zgjidhet me mirëkuptim dhe jo me forcë.