Nga Peter-Philipp Schmitt
Johann Reichhart ishte xhelat që në Republikën e Vajmarit. Në «Rajhun e Tretë» u preu kokën mijëra njerëzve, por më 1946 mori pjesë edhe në ekzekutimet e kriminelëve kryesorë të luftës.
Më 8 prill 1943, Johann Reichhart duhej t’i priste kokën një çifti bashkëshortësh. Të paktën kjo nuk ishte diçka e përditshme për xhelatin. Në orën 19:18, në qendrën e ekzekutimeve të Plötzensee-s, në Berlin, fillimisht i preu kokën Otto Hermann Hampelit dhe dy minuta më vonë gruas së tij, Elise Hampel.
Krimi i tyre: të dy kishin shkruar kartolina dhe i kishin shpërndarë në hyrje ndërtesash dhe në sheshpushimet e shkallëve. «Poshtë qeveria e Hitlerit!», shkruhej, për shembull, në njërën prej tyre. Ose: «Gjermanë, hapni sytë! Mos lejoni t’ju nënshtrojnë me diktaturë, çfarë jemi më ne! Bagëti që nuk nxjerr zë!»
Gjithsej 192 prej këtyre akuzave me shkrim i përfunduan Gestapos në dorë. Në tetor 1942, çifti u denoncua dhe u arrestua, ndërsa më 22 janar 1943 u dënua me vdekje nga Gjykata Popullore për «minim të aftësisë luftarake» dhe «përgatitje për tradhti të lartë». Otto dhe Elise Hampel ndoshta do të ishin harruar prej kohësh, nëse Hans Fallada nuk do t’u kishte ngritur pas luftës një monument letrar. Në romanin e tij «Secili vdes vetëm», të dy vazhdojnë të jetojnë si çifti Quangel.

Të nesërmen ekzekutoi 20 veta në Shtutgart
Në pranverën e vitit 1943, Johann Reichhart ishte një njeri shumë i zënë me punë. Se kë, kur dhe ku e kalonte nga jeta në vdekje, e dokumentojnë listat e pagesave, të cilat, megjithatë, për shkak të luftës janë ruajtur vetëm pjesërisht. Më 22 shkurt, për shembull, në Mynih u preu kokën një motre, vëllait të saj dhe mikut të të dyve. Që të nesërmen ekzekutoi pesë veta në Nyrëmberg, një ditë më pas madje 20 në Shtutgart dhe ditën pasuese 18 në Vjenë, siç ka dokumentuar biografi i Reichhartit, Roland Ernst.
«Puna» e tij la gjurmë edhe tek ai vetë: Reichhart, ashtu si shumë kolegë të tij, ishte alkoolist. Vërtet, ai nuk ankohej kurrë për «shërbimin», të cilin e kryente me efikasitet dhe gjithmonë duke i kënaqur plotësisht ata që e ngarkonin me detyrë. Por, siç do të kujtonte më vonë e dashura e tij e asaj kohe, Elsa Wagner, sipas Ernstit, pas ekzekutimeve ai kthehej në shtëpi pothuajse gjithmonë i rraskapitur dhe nervoz.

Motra dhe vëllai të cilëve iu pre koka më 22 shkurt 1943 ishin Hans dhe Sophie Scholl. Fillimisht vrau atë, në orën 17:00. Pastaj të vëllanë. Thuhet se veçanërisht Sophie Scholl dhe guximi i saj i kishin lënë mbresa. «Nuk kam parë kurrë askënd të vdesë kështu», thuhet se deklaroi më vonë. Megjithatë, kjo thënie nuk është e dokumentuar me siguri. Edhe përballja me një vëlla e një motër nuk ishte diçka që Reichhartit i ndodhte çdo ditë gjatë punës. Dhe ai preu shumë koka, përfshirë ato të pothuajse të gjithë anëtarëve të njohur të «Trëndafilit të Bardhë»: krahas motrës e vëllait Scholl, edhe të mikut të tyre Christoph Probst, si dhe të Kurt Huberit, Alexander Schmorellit dhe Willi Grafit.
Dy vjet më vonë, më 29 janar 1945, Hans Leipelt ishte i fundit nga «Trëndafili i Bardhë» që u ekzekutua me gijotinë nga Reichhart në burgun Mynih-Stadelheim. Në prill 1945, gijotina u çmontua, pasi në fund të marsit Reichhart e kishte përdorur për herë të fundit për t’i prerë kokën dikujt. Vetëm pak muaj më vonë, në nëntor, ai iu kthye punës: për amerikanët. Ata e ngarkuan xhelatin e nazistëve të ekzekutonte nazistë për llogari të tyre. Thuhet se Reichhart deklaroi atëherë: «Për xhelatë ka gjithmonë nevojë.»

Johann Reichhart rridhte nga një familje që merrej me përpunimin dhe asgjësimin e kërmave të kafshëve, një zanat që në gjermanisht njihej edhe me emërtimet Schinder ose Wasenmeister. Ata i përpunonin dhe i asgjësonin kufomat e kafshëve, shpesh në fusha dhe livadhe — në gjermanishten e vjetër: Wasen. Paraardhësit e Reichhartit siguronin të ardhura shtesë edhe si xhelatë, gjë që ishte e kuptueshme, pasi edhe ata që merreshin me kërmat nuk shiheshin me sy të mirë për shkak të profesionit të tyre të përgjakshëm dhe shpesh duhej të banonin jashtë fshatit. Shumica e xhelatëve në Gjermani merreshin kryesisht me këtë zanat; familjet e tyre konsideroheshin «të përjashtuara» dhe zakonisht martoheshin mes tyre.
Ushtrohej me kokrra lakre
Megjithatë, në kundërshtim me traditën familjare, Johann Baptist Reichhart, i lindur më 29 prill 1893 në Wichenbach të Palatinatit të Sipërm — sot Wörth an der Donau — fillimisht punoi si kasap dhe kuzhinier. Në një deklaratë të regjistruar më 1965 pranë Prokurorisë së Mynihut II, ai tha se prej rreth 300 vjetësh xhelatët në Bavari kishin dalë nga familja e tij. Xhelati i fundit përpara tij kishte qenë xhaxhai i tij, Franz Xaver Reichhart. «Ky xhaxha pak a shumë më detyroi ta merrja detyrën e xhelatit.»

Por kjo nuk është e vërtetë, shkruan biografi i tij Roland Ernst në librin «Ekzekutuesi — Johann Reichhart. Xhelati i fundit i Bavarisë». Ai kishte aplikuar zyrtarisht për këtë vend pune, siç del qartë nga dosja e tij e personelit. Me gjasë edhe sepse shpresonte të siguronte të ardhura të qëndrueshme. Reichhart ishte martuar më 1921 dhe më 1924 kishte tashmë dy fëmijë. Më 27 mars të atij viti nënshkroi kontratën me Ministrinë bavareze të Drejtësisë dhe kështu u emërua zyrtarisht xhelat. Fillimisht ndihmonte xhaxhain dhe ushtrohej me kokrra lakre, madje një herë edhe me një kufomë, për të mësuar zanatin e përgjakshëm.
Dhe i tillë ishte vërtet: makina e prerjes së kokës, e quajtur edhe makina me shpatë që bie, nuk ishte aspak shpikje e mjekut francez Joseph-Ignace Guillotin në kohën e Revolucionit Francez. Paraardhëse të saj ekzistonin që në shekujt XII dhe XIII; e njohur është, për shembull, Scottish Maiden, «Virgjëresha Skoceze», e cila funksiononte pothuajse njësoj si gijotina.
Gjatë prerjes së kokës, nga trupi shpërthejnë deri në dy litra gjak
Që nga viti 1877, ekzekutimet në Gjermani nuk kryheshin më publikisht. Xhelati dhe zakonisht tre ndihmësit e tij qëndronin thuajse vetëm mes tyre; përveç të dënuarit, të pranishëm ishin vetëm prokurori, mjeku i burgut dhe dy gardianë. Të dënuarin e vendosnin te dërrasa e ngritur vertikalisht, e lidhnin me rripa dhe më pas e ulnin në pozicion horizontal, në mënyrë që zverku t’i ndodhej nën tehun e gijotinës, dhe i prisnin kokën. Gjatë këtij procesi, nga trupi shpërthejnë deri në dy litra gjak, krahas kundërmimeve dhe lëngjeve të tjera trupore.
Pas luftës, gazetari Erich Helmensdorfer — i cili, ndër të tjera, nga viti 1976 deri më 1986 drejtoi redaksinë Rhein-Main të F.A.Z.-së — arriti të fitonte besimin e «xhelatit të heshtur», siç shkruan ai në kujtimet e tij gazetareske. Helmensdorfer e kishte takuar për herë të parë Reichhartin në Nyrëmberg, gjatë proceseve kundër kriminelëve të luftës më 1946. Në një artikull të botuar në «Die Zeit» më 1964, ai rrëfen për prerjen e parë të kokës që kreu Reichhart, një «ekzekutim të dyfishtë» që iu desh ta kryente më 4 qershor 1924 në Landshut.

Nata e mëparshme kishte qenë e tmerrshme. «Besoj se atë natë nuk mbylla sy, sepse më rëndonte shumë mendimi që duhej t’i merrja jetën një njeriu, çfarëdo që të kishte bërë. Në fund, fakti që një fuqi më e lartë, në emër të autoritetit shtetëror, ma kishte besuar këtë profesion, më solli njëfarë qetësie dhe mendova se duhej ta përmbushja detyrën që më ishte ngarkuar. Nata e gjatë, që për mua me siguri nuk ishte më pak e gjatë sesa për të dënuarit, kaloi, zbardhi dita dhe mua m’u desh ta ushtroja për herë të parë këtë zanat të rrallë.»
Reichhart bënte vetëm atë që i kërkohej
Edhe më vonë ai mbështetej vazhdimisht te arsyetimi se bënte vetëm atë që i kërkohej. «Shteti nxjerr ligjet dhe ato duhen zbatuar, mendoja unë, dhe nëse kontribuoja që ato të zbatoheshin, kjo nuk ishte krim.» Fakti që ekzekutoi si vrasës në Republikën e Vajmarit, ashtu edhe pjesëtarë të rezistencës në «Rajhun e Tretë», e më pas nazistë për pushtetin amerikan të pushtimit, nuk ia lëkundi bindjen. Sipas Helmensdorferit, në pleqëri Reichhart ishte kundërshtar i dënimit me vdekje.
Fillimisht, puna e xhelatit nuk i sillte ndonjë fitim të madh. Vërtet, merrte 150 dhe më vonë 300 marka të Rajhut për çdo ekzekutim, por më 1925 pati nëntë ekzekutime, ndërsa më 1926 dhe më 1927 vetëm nga tre. Edhe nën Adolf Hitlerin, shifrat fillimisht ndryshuan fare pak. Reichhart ekzekutoi pesë veta më 1933, tre më 1934, nëntë më 1935, shtatë më 1936 dhe nëntë më 1937. Por më 1938 numri arriti tashmë në 39 dhe më pas në qindra. Gradualisht ishte shtuar edhe numri i veprave për të cilat në «Rajhun e Tretë» mund të dënoheshe me vdekje — në fund të luftës ato ishin 40.
Në 23 vjet si xhelat, Reichhart vrau rreth 3.165 njerëz
Gjatë luftës kishte shtatë kryexhelatë, të cilët mbulonin dhjetë zona ekzekutimi, secila me një qendër të posaçme ekzekutimesh. Burgu Stadelheim ishte vendi kryesor i punës së Reichhartit, por ai shpesh zëvendësonte kolegët e tij, për shembull në Berlin-Plötzensee ose në të ashtuquajturën «Shtëpi Gri» pranë Gjykatës së Landit në Vjenë. Vetëm në Mynih, nga viti 1933 deri më 1945 u ekzekutuan të paktën 1.399 njerëz, shumica dërrmuese nga kryexhelati përgjegjës Johann Reichhart. Gjatë karrierës së tij 23-vjeçare si xhelat, ai vrau gjithsej rreth 3.165 njerëz — pak më shumë se 150 prej tyre pas luftës, deri më 1947.

Ashtu si xhaxhai i tij, Reichhart fillimisht i kryente ekzekutimet me redingotë të zezë dhe cilindër, ndërsa më vonë me kostum të zi dhe papion. Ai përpunonte edhe «teknikën»: siç shkruan Helmensdorfer, «e hoqi dërrasën e ekzekutimit, në të cilën duhej të lidheshin me rripa të dënuarit. Në errësirën e agimit, ndihmësit shpesh nuk arrinin t’i mbërthenin rripat mjaftueshëm shpejt. Gjithashtu, të dënuarit e hiqnin me shpatull fashën e syve, që u vihej për t’u kursyer pamjen e makinës së ekzekutimit.»
Sipas Helmensdorferit, te Reichhart ndihmësit tashmë vetëm ua hiqnin këmbët nga poshtë të dënuarve, «duke ua mbuluar njëkohësisht sytë; pastaj të dënuarin e shtynin rrufeshëm mbi bllokun e ekzekutimit, nën tehun që Reichhart e lëshonte në çastin e duhur me dorë të stërvitur. Sa më shpejt të ishte e mundur, sa më njerëzisht të ishte e mundur — kjo ishte motoja.»
Për nazistët, varja konsiderohej «çnderuese dhe thellësisht e turpshme»
Që më 1942, Reichhartit iu desh të mësonte edhe ekzekutimin me varje. Me këtë metodë, nazistët synonin t’i poshtëronin qëllimisht të dënuarit dhe të ushtronin mizorinë më të madhe të mundshme. Gijotina u dukej «tepër njerëzore», ndërsa varja konsiderohej «çnderuese dhe thellësisht e turpshme». Hitleri urdhëroi personalisht varjen e pjesëtarëve të rezistencës, për shembull të atentatorëve të 20 korrikut 1944, dënimin e të cilëve — mbytje e ngadaltë me tela të hollë pianoje, të varur në grepa kasapësh — e zbatoi kolegu berlinez i Johann Reichhartit, Wilhelm Röttger.
Amerikanët i njihnin aftësitë e Reichhartit. Që në nëntor 1945, me urdhër të ushtrisë amerikane, ai nisi të ekzekutonte në Landsberg kriminelë nazistë të luftës. Mes tyre ishin, për shembull, Claus Schilling, i cili si mjek kryente eksperimente mbi njerëzit në kampin e përqendrimit Dachau, dhe Engelbert Valentin Niedermeyer, pjesëtar i një njësie që pushkatoi rreth 4.000 robër sovjetikë të luftës.

Edhe ata, sipas dëshirës së aleatëve, duhej të vareshin, jo t’u pritej koka. Reichhart përdorte metodën e rënies së gjatë, Long Drop, në të cilën gjatësia e litarit përllogaritet sipas shtatlartësisë dhe peshës trupore. Synimi ishte që qafa të thyhej sa më shpejt, pa u shkëputur koka. Sipas Helmensdorferit dhe Roland Ernstit, Reichhart mori pjesë edhe në ekzekutimet e kriminelëve kryesorë të luftës në Nyrëmberg, megjithëse nuk i kreu vetë ato. Ai kishte ndihmuar në ndërtimin e trekëmbëshave dhe kishte trajnuar rreshterin amerikan John C. Woods.
Megjithatë, jo mjaftueshëm mirë: xhelati Woods gaboi në përllogaritje gjatë dhjetë ekzekutimeve të 16 tetorit 1946. Gjatësia e litarit nuk përputhej me shtatlartësinë dhe peshën, për shembull, të ish-ministrit të Jashtëm të Rajhut, Joachim von Ribbentrop. Për më tepër, kapaku i rënies ishte tepër i vogël, kështu që disa prej të dënuarve me vdekje, gjatë rënies, përplasën kokën në skajet e hapjes dhe u gjakosën. Thuhet se Ribbentrop u përpëlit në litar për 15 minuta, ndërsa të tjerë deri në gjysmë ore. Në fund, Woods gjeti një zgjidhje duke kapur me krahë këmbët e të varurit dhe duke e tërhequr poshtë.
Prokurori Walter Roemer bëri karrierë si jurist pas luftës
Kur u shtuan ankesat kundër xhelatit nazist Reichhart, ai u burgos më 1947. Në fillim të shtatorit u dënua me dhjetë vjet kamp pune, ndërsa prokurori që kishte nënshkruar të gjitha dënimet me vdekje në Mynih, përfshirë ato të Hans dhe Sophie Schollit, bëri karrierë në Republikën Federale. Walter Roemer, i cili gjatë ekzekutimeve në «Rajhun e Tretë» qëndronte gjithmonë në krah të xhelatit të tij Johann Reichhart, hyri më 1945 në Ministrinë bavareze të Drejtësisë. Në fund të karrierës, deri në daljen në pension më 1968, drejtoi departamentin e së drejtës publike në Ministrinë Federale të Drejtësisë në Bon, me gradën drejtor ministror.
Reichhart, përkundrazi, kaloi dy vjet në burg dhe, në fund, gjatë një procesi tjetër denazifikimi, u klasifikua vetëm në kategorinë «i ngarkuar me përgjegjësi», por pasuria iu konfiskua. Martesa e tij kishte dështuar që gjatë luftës, megjithatë, si njeri thellësisht besimtar, ai mbeti ligjërisht i martuar gjatë gjithë jetës. I biri, Hans, vrau veten më 1950, siç thuhet, edhe për shkak të profesionit të mëparshëm të të atit. Johann Reichhart vdiq i varfër më 26 prill 1972 në Dorfen, në rrethin Erding të Bavarisë së Sipërme.
Për një kohë të gjatë pretendohej se gijotina e Reichhartit nga burgu Mynih-Stadelheim ishte fundosur në Danub pas luftës. Më 2014 u bë e ditur se gijotina me të cilën, mes shumë të tjerëve, u ekzekutuan edhe motra e vëllai Scholl, ndodhej që nga lufta në depon e Muzeut Kombëtar Bavarez. Aty duhet të mbetet dhe të mos ekspozohet, në mënyrë që të mos bëhet «destinacion i parapëlqyer për turistët në kërkim të përjetimeve dhe për voajerët», siç shprehet qeveria bavareze.(F.A.Z.)















