Nga Muhamet Ajeti (ish-gazetar i Radio Tetovës dhe pronar i Radio Focus-it)
Kur bie zullumi, zakonisht përpiqet të marrë sa më shumë viktima me vete, përndryshe nuk do të quhej zullum. Kështu po ndodh edhe me Ali Ahmetin, njeriun që për dy dekada iu shit shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut si shpëtimtar, por që sot nuk arrin të shpëtojë as vetveten nga rënia e lirë.
Ironia e fatit e deshi që, duke afruar pranë vetes njerëz me moral të dyshimtë, ai të largonte bashkëpunëtorët e ndershëm e të përkushtuar, duke i zëvendësuar me figura që nuk janë vetëm të papjekura politikisht, por që mbartin ende shenja të theksuara të papjekurisë njerëzore, dhe me prirje të theksuara adoleshente.
Ky është modeli klasik i çdo udhëheqësi që, kur pushteti i zgjatet përtej masës, fillon të humbasë busullën morale dhe politike.
Ashtu si diktatorët që eliminojnë pjesët më të ndershme të partive të tyre për të ruajtur rrethin e servilëve, edhe Ahmeti u mbyll në një botë ku besnikëria ndaj tij vlente më shumë se aftësia apo integriteti moral.
Kjo zgjedhje e çoi drejt vetëshkatërrimit.
Rasti i Kërçovës është shembulli më i qartë i kësaj rënieje.
Ai kandidoi një person me moral të dyshimtë, duke e imponuar si përfaqësues të partisë në një zonë me peshë simbolike për shqiptarët.
Por kur kuptoi se kishte gabuar rëndë, u tërhoq nga gara, duke mos e mbështetur më kandidatin e vet, dhe kështu e la atë të bjerë, bashkë me Kërçovën.
Rënia e Ali Ahmetit nuk është thjesht politike, ajo është morale, njerëzore dhe simbolike.
Ajo tregon fundin e një epoke që nisi me idealin e çlirimit dhe përfundoi me zhgënjimin e pushtetit.
Si çdo zullum që shembet, edhe ky po bie me zhurmë, duke marrë me vete jo vetëm fajtorët, por edhe ata që dikur besuan se po ndiqnin një shpëtimtar.















