Ballina Lajme Kombëtarja në hall nga dëmtimet dhe merkato, kuqezinjtë shpresojnë te koha

Kombëtarja në hall nga dëmtimet dhe merkato, kuqezinjtë shpresojnë te koha

Muaji mars do të jetë një nga muajit më të rëndësishëm për Kombëtaren duke qenë se kuqezinjtë do të luajnë ndeshjet e “Play Off” për Kupën e Botës që do të luhet këtë vit në Amerikë, Kanada e Meksikë. Kuqezinjtë kanë shansin më të mirë për të provuar për herë të parë Botërorin dhe për të bërë diçka të tillë, duhet të bëjnë ndeshje të mira ndaj Polonisë fillimisht e më pas në finale.

Për të bërë paraqitje të mira, natyrisht që Shqipëria shpreson të ketë grupin sa më të plotë dhe futbollistët në formën më të mirë, të paktën fizikisht. Por, situata në kampin kuqezi për momnetin nuk është më e mira duke qenë se shumë lojtarë po përjetojnë për momentin dëmtime dhe momente merkatoje me klubet e tyre, kryesisht reparti i mbrojtjes. Ditët e fundit, janë dëmtuar thuajse të gjithë mbrojtësit dhe sikur të mos mjaftonin dëmtimet, situata me klubet e atyre që nuk janë dëmtuar, është e tensionuar dhe në janar priten ndryshime.

MBROJTJA- Në ditët e fundit, Berat Gjimshiti u largua vetëm pak minuta pasi kishte nisur sfida dhe në ndeshjen e radhës për Atalantën, mungoi. Fillimisht u mendua për një dëmtim të rëndë të Gjimshitit, duke parë reagimet e tij në fushë pas dëmtimit, por më pas rezultoi se nuk bëhet fjalë për fraktura e gjëra serioze. Megjithatë, për kapitenin kuqezi kjo është hera e dytë radhazi që dëmtohet pasi edhe pak javë para fundit të viti, mungoi për shkak dëmtimi. Ndërkohë, shqetësime ka pasur edhe nga Torino, aty ku Ardian Ismajli u largua i dëmtuar nga ndeshja me Romën në Kupën e Italisë. Mbrojtësi kuqezi mori një goditje, por duket se as për të nuk ka gjë serioze. Megjithatë, si Gjimshiti, ashtu edhe Ismajli do të duhet të pushojnë për të marrë kondicionin më të mirë fizik, pasi edhe pak kohë më parë ka munguar për shkak dëmtimi.

Ditët në vijim, pritet të qartësohet situata me dëmtimin e mbrojtësve. Nga një dëmtim, vjen edhe Aliji që i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, ndërkohë që dëmtimi i pësuar në shtator, ka lënë pas me përgatitjet Marash Kumbullën. Mbrojtësi i Majorkës, nuk po arrin të zërë vendin e tij në formacionin titullar, duke pasur mungesë të konsiderueshme minutash. Sa i përket të tjerëve, Mario Mitaj që është padyshim një nga më të mirët në mbrojtje, nuk po kalon moment të mirë me Al Itihadin. Mbrojtësi kuqezi është në qendër të merkatos dhe po mendohet largimi nga Arabia, duke qenë se as minutat nuk kanë qenë të shumta për të. Nga Lacio mund të largohet Hysaj që në këtë merkato, pasi mediat italiane sigurojnë se shkodranit nuk do t’i rinovohet kontrata dhe në rast se Hysaj largohet, atëherë do të ketë ndoshta mundësi për më shumë minuta. Moment negativ është edhe për Ivan Balliun. Anësori i djathtë, sërish pati probleme me trajnerin pas zëvendësimit dhe është rasti i dytë që mbrojtësi ka incident për shkak të ndërrimit, teksa priten edhe masa administrative ditët në vijim për shkak të sjelljes dhe incidenteve.

MESFUSHA- Sa i përket mesfushës, kuqezinjtë janë më të qetë në këtë repart. Shqetëson më shumë Krisjtan Asllani që është në dyshime për një largim nga Torino, megjithatë deri në muajin mars, do të jetë caktuar e ardhmja e tij. Ndërkohë, stërvitje me grupin ka kryer edhe Nedim Bajrami në kohët e fundit dhe pritet që deri në mars të jetë gati, por siguri nuk ka për të për sa i përket minutave që mund të marrë te Rejnxhërs, ndërkohë që drejt riaftësimit është edhe Medon Berisha, një tjetër mesfushor që ka bërë shumë mirë këtë sezon me Leçen në Serinë A. Megjithatë, Berisha nuk ka qenë zgjedhje e parë e trajnerit Silvinjo deri më tani.

SULMI- Reparti i sulmit për Shqipërinë ka nisur të ndryshojë dhe konkretisht për Brojën që është duke marrë gradualisht fanellën e titullarit dhe rolin e protagonistit me skuadrën e Bërnleit. Por, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Uzunin që është pa minuta dhe pritet të jetë pa minuta edhe në javët në vazhdim duke qenë se është pjesë e kampionatit amerikan dhe për pasojë, do të rikthehet në fushë vetëm në mars kur të rinisë kampionati atje. Manaj nga ana tjetër pritet të largohet nga Al Sharjah për të firmosur në kampionatin kinez, ndërkohë që distanca dhe kilometrat, mund të jenë problem për lojtarin kuqezi. Lojtari më në formë që i përket sulmit, është Ernest Muçi, por ky i fundit nuk ka qenë në kohët e fundit një nga lojtarët më të pëlqyer për trajnerin Silvinjo, që shpesh herë e ka lënë jashtë.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL