Ballina Bota Prodhuar në Gjermani: Inteligjencë artificiale e ftohtë dhe skara të nxehta

Prodhuar në Gjermani: Inteligjencë artificiale e ftohtë dhe skara të nxehta

Inteligjenca artificiale në zhvillim: Kabinet serverësh me ftohje të drejtpërdrejtë me ujë. (Rittal)
Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Nga Johannes Winterhagen dhe Holger Appel

Gjigantët amerikanë të teknologjisë porosisin pajisje në provincën gjermane të Hesenit, prodhuesit kinezë me kontratë përdorin kamera nga Schleswig-Holsteini, ndërsa në mbarë botën ushqimi piqet në skarë me ndihmën e qelqit të prodhuar në Mainz. Tri shembuj të teknologjive të avancuara gjermane që mbeten pak të njohura.

Rënia e industrisë gjermane mund të jetë e pashmangshme ose jo, por është e pamundur t’u shpëtosh diskutimeve për të. Në shumë vende, e sidomos në platformat digjitale, dëgjohet vazhdimisht se industria ndodhet buzë greminës dhe se, nga pikëpamja teknologjike, ajo ka mbetur prej kohësh prapa gjigantëve amerikanë dhe kinezë.

Ata që publikojnë pretendime të tilla, gjë që rrallëherë mund të quhet shkrim i mirëfilltë, shpërfillin potencialin inovativ që vazhdon të ekzistojë në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme gjermane, pavarësisht burokracisë, kostove të energjisë dhe kushteve të tjera të pafavorshme për zhvillimin e aktivitetit ekonomik në vend.

Tri shembuj tregojnë se çfarë është ende e mundur të realizohet në Gjermani.

Kompjuterë që mbahen të ftohtë

Në pamje të parë është një pajisje e thjeshtë, pa zbukurime, e projektuar vetëm për të përmbushur funksionin e saj. Kabineti elektrik mishëron cilësitë karakteristike të teknologjisë gjermane, aq sa pajisje të tilla gjenden në fabrika anembanë botës, pavarësisht nëse aty prodhohen karamele xhelatinoze apo automjete luksoze.

Brenda tij ndodhen të gjithë komponentët elektrikë dhe elektronikë që sigurojnë funksionimin e makinerive: që presat të shtypin, robotët e saldimit të saldojnë dhe, shkurt, që çdo proces të zhvillohet ashtu siç është parashikuar.

Historia e suksesit filloi 65 vjet më parë, në provincën e Hesenit, në një kohë kur kabinetet elektrike prodhoheshin individualisht, sipas kërkesave të secilit klient.

Ideja e Rudolf Loh, themeluesit të kompanisë Rittal, ishte e thjeshtë: përdorimi i përmasave të standardizuara do ta përshpejtonte montimin dhe instalimin.

Ishte periudha e mrekullisë ekonomike gjermane dhe punëtorët e kualifikuar ishin të paktën po aq të vështirë për t’u gjetur sa sot.

Djali i tij, Friedhelm, i cili u detyrua të merrte përgjegjësitë drejtuese që në moshë të re pas vdekjes së të atit, e kuptoi që në fillim të viteve 1990 se kabinetet e serverëve, me gjerësi të standardizuar prej 19 inçësh, kishin kërkesa të ngjashme me ato të kabineteve elektrike.

Në atë kohë sapo kishin filluar të zhvilloheshin qendrat e përpunimit të të dhënave për teknologjinë e informacionit. Dallimi kryesor ishte se dyert e kabineteve të serverëve prodhoheshin prej qelqi cilësor ose alumini, në vend të llamarinës së zakonshme.

Vendimi për të hyrë në këtë treg rezultoi jashtëzakonisht i favorshëm për kompaninë, e cila vazhdon të jetë në pronësi familjare, veçanërisht tani që epoka e inteligjencës artificiale është ende në fillimet e saj.

Sot, një në dy operatorë të qendrave gjigante të përpunimit të të dhënave, të njohur në industrinë e teknologjisë së informacionit si hyperscalers, blen kabinete serverësh nga Rittal.

Fakti që gjigantët amerikanë të teknologjisë porosisin pajisje në Gjermani lidhet me nxehtësinë që prodhojnë çipat me performancë të lartë, të cilët kryejnë njëkohësisht një numër të madh përllogaritjesh.

Të vendosur shumë pranë njëri-tjetrit në pllakat elektronike, këta çipa mund të gjenerojnë deri në 200 kilovat fuqi termike për çdo kabinet serverësh.

Në Haiger, ku ndodhet selia qendrore e kompanisë, drejtuesit e kuptuan herët se sasi kaq të mëdha nxehtësie nuk mund të largoheshin më në mënyrë efektive përmes sistemeve tradicionale të ftohjes me ajër.

Prandaj kompania zgjodhi teknologjinë e ftohjes së drejtpërdrejtë me lëng dhe filloi t’i shiste kabinetet së bashku me të gjithë komponentët e nevojshëm për këtë sistem.

Drejtuesit e kompanisë thonë se rritja aktuale e biznesit është dinamike. Duke pasur parasysh bumin e ndërtimit të qendrave të përpunimit të të dhënave për inteligjencën artificiale, ky vlerësim mund të konsiderohet madje i përmbajtur.

Sytë e prodhimit industrial

A janë vendosur të gjithë komponentët elektronikë në pozicionet e duhura, në mënyrë që ekrani në panelin e instrumenteve të automjetit të funksionojë më vonë pa probleme?

Dikur, kur jo gjithçka ishte domosdoshmërisht më mirë, por komponentët elektronikë në pllakat e qarqeve ishin shumë më të mëdhenj, në fund të linjës së prodhimit kishte një vend pune ku një punonjës, zakonisht grua, e vendoste pllakën elektronike nën një lupë të madhe, të fiksuar në një mbajtëse.

Sot, kontrolli i cilësisë vetëm me syrin e njeriut është një praktikë që po zhduket.

Shndërron imazhet në të dhëna: Kamerë stereoskopike për përdorim industrial. (Basler AG)

Në prodhimin industrial, kamerat i kanë zëvendësuar në masë të madhe sytë e njeriut, ndërsa sistemet e analizës së imazheve, të mbështetura në inteligjencën artificiale, kanë marrë përsipër funksionet e analizës dhe të vlerësimit që dikur kryheshin nga truri i njeriut.

Kamerat që zbulojnë defekte jashtëzakonisht të vogla gjatë prodhimit, jo vetëm në pllakat elektronike, por edhe çarje në sipërfaqen e gomave apo veshje mbrojtëse të papërshtatshme të qelizave të karburantit, ndryshojnë rrënjësisht nga kamerat që secili prej nesh mban në telefonin inteligjent.

Qëllimi nuk është vetë fotografia, edhe pse natyrisht preferohet që ajo të jetë sa më e qartë.

Synimi është të përftohen të dhëna që mund të lexohen dhe përpunohen automatikisht nga makineritë, në kohë reale, pra me një vonesë prej vetëm disa milisekondash, duke garantuar njëkohësisht funksionim të besueshëm 24 orë në ditë, 365 ditë në vit.

Sepse, nëse sistemi i kontrollit të cilësisë ndalon së funksionuari, zakonisht ndalet e gjithë fabrika. Në organizimin e prodhimit, kjo lidhet me të ashtuquajturin parim të tërheqjes (pull principle), sipas të cilit proceset e prodhimit udhëhiqen nga kërkesa e fazave pasuese.

Këto kërkesa të rrepta janë burimi i suksesit të Basler, një prodhues kamerash nga Ahrensburgu.

Kompania e mesme, me të ardhura vjetore pak më shumë se 200 milionë euro, eksporton mbi 80% të prodhimit të saj.

Rreth gjysma e eksporteve shkojnë në vendet aziatike dhe, nga kjo pjesë, afërsisht gjysma përfundon në Kinë.

Ne i pyesim drejtuesit nëse Kina nuk e ka arritur tashmë të njëjtin nivel teknologjik.

Përgjigjja është se, në këtë sektor, gjithsesi nuk mund të ndërtohet një gardh mbrojtës përmes patentave. Kompanitë duhet të qëndrojnë vazhdimisht në hap me zhvillimet teknologjike dhe, mbi të gjitha, të garantojnë furnizim absolutisht të besueshëm.

Me sa duket, sipërmarrësit kinezë i vlerësojnë edhe virtytet tradicionale të disiplinës, përpikërisë dhe besueshmërisë në punë, kur ato zbatohen në praktikë.

Pjekja në skarë me qelq

Gjermania është mjeshtre në hapjen e tuneleve, përdorimin e lazerëve, vendosjen e fiksuesve në mure dhe prerjen me sharrë.

Por ajo di edhe të pjekë në skarë.

Edhe pse shumicës së njerëzve u shkon menjëherë mendja te Weber, kohët e fundit të apasionuarit pas pjekjes në skarë po orientohen gjithnjë e më shumë drejt Napoleon.

Nuk bëhet aspak fjalë për komandantin ushtarak francez, të paktën jo kur ke përpara një fileto argjentinase, por për një skarë që përbën një deklaratë më vete, të pajisur me Sizzle Zone, një zonë djegëse shtesë që prodhon temperatura jashtëzakonisht të larta për pjekjen e mishit.

Fatkeqësisht, gjatë çdo mbrëmjeje të ngrohtë, pak yndyrë pikon në dhomën e djegies. Pavarësisht pastrimit të rregullt, me kalimin e kohës kjo shkakton probleme në funksionim, fillimisht ndërprerje të vogla dhe më pas bllokim të plotë.

Rezistente ndaj ndryshimeve të menjëhershme të temperaturës: Qelq-qeramika e kompanisë Schott përballon luhatje të temperaturës deri në 820 gradë Celsius. (Outdoorchef)

Prandaj nevojitet një shpikje që të lejojë kalimin e nxehtësisë nga poshtë lart, por njëkohësisht të pengojë yndyrën të pikojë në drejtim të kundërt.

Qelqi ndoshta nuk është materiali i parë që të vjen ndër mend.

Por specialistëve të kompanisë Schott në Mainz u erdhi pikërisht kjo ide. Ata furnizojnë me këtë material prodhuesin e skarave Outdoorchef.

Më saktë, bëhet fjalë për qelq-qeramikë, e cila prodhohet në Gjermani dhe përdoret në pajisje që funksionojnë në temperatura shumë të larta.

Materiali quhet Nextrema, ndërsa Outdoorchef e tregton me emrin Blazinglas, duke premtuar as më pak e as më shumë sesa një “revolucion për të gjithë djegësit e njohur me rreze infra të kuqe”.

Kjo qelq-qeramikë përballon temperatura deri në 900 gradë Celsius, lejon kalimin e rrezatimit infra të kuq dhe parandalon efektet anësore që zakonisht konsiderohen të padëshirueshme, si ndezja e yndyrës, tymi apo flakët.

Bifteku dhe salsiçet janë, natyrisht, pjesë e zakonshme e gatimit në skarë, por drejtuesit e Schott premtojnë se materiali mundëson edhe përgatitjen e peshkut delikat, perimeve të shijshme dhe hamburgerëve të shkëlqyer.

Qelq-qeramika prodhohet në dy faza: fillimisht shkrirja e qelqit, përfshirë formësimin e tij në temperaturë të lartë, dhe më pas procesi i qeramizimit, gjatë të cilit materiali fiton strukturën dhe vetitë e tij të veçanta.

Rezultati është një material me karakteristika unike, ndër të cilat spikat zgjerimi termik pothuajse zero në një interval të gjerë temperaturash.

Ai është gjithashtu jashtëzakonisht rezistent ndaj ndryshimeve të menjëhershme të temperaturës. Luhatjet deri në 820 gradë Celsius nuk duhet të përbëjnë problem për këtë material.

Kjo rezistencë është e domosdoshme, për shembull, kur fillon papritur shiu ose kur pjesa prej qelq-qeramike duhet të pastrohet thjesht duke e zhytur në ujë të ftohtë.

Schott e di se tregu i pajisjeve për pjekje në skarë është jashtëzakonisht konkurrues. Nextrema përbën një avantazh të rëndësishëm për t’u dalluar nga konkurrentët.

Meqë ra fjala, qelq-qeramika mund të përdoret edhe si dritare transparente në kapakun e skarës.

Ose si pllakë për pjekjen e picës.

Në një formë të afërt teknologjikisht, ajo përdoret edhe në sipërfaqet e njohura të gatimit Ceran.

Apo në formën e materialit më pak të njohur Zerodur, që përdoret në teleskopët më të mëdhenj të botës.

Ja pra, sa shumë teknologji të nivelit më të lartë botëror mund të fshihet pas një mbrëmjeje krejt të zakonshme, kur qëndrojmë pa e vrarë mendjen pranë skarës me miqtë tanë.

(Frankfurter Allgemeine Zeitung – F.A.Z.)