Ballina Bota Pse situata në Francë ka dalë jashtë kontrollit: “Borxhi është si një...

Pse situata në Francë ka dalë jashtë kontrollit: “Borxhi është si një kamion që ecën me shpejtësi të plotë buzë greminës”

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Nga Béatrice Mathieu

Bëhet fjalë për një dokument prej 25 faqesh, të përfunduar së fundmi, në fillim të diskutimeve në Asamblenë Kombëtare për projektligjin e buxhetit të vitit 2027. Dokumenti është hartuar nga agjencia e vlerësimit të kreditit Fitch dhe analizon në hollësi financat publike të Francës dhe të ekonomive kryesore evropiane. Gjuhë e thatë, grafikë dhe tabela të vështira për t’u kuptuar nga lexuesit pa njohuri të specializuara. Por një grafik që paraqet ecurinë afatmesme të deficitit publik, borxhit dhe kostos së interesave në Francë është veçanërisht alarmues.

Deri në vitin 2030, në mungesë të një ndryshimi rrënjësor të politikës ekonomike, Fitch nuk parashikon asnjë përmirësim të financave publike franceze. Deficiti pritet të mbetet në afro 5,5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në fund të dekadës, ndërsa raporti i borxhit publik ndaj PBB-së do t’i afrohet nivelit 124%. Ndërkohë, kostoja e shërbimit të borxhit – shuma që Thesari i Shtetit duhet t’u paguajë çdo vit kreditorëve – pritet të arrijë afërsisht 4% të PBB-së, një nivel i paparë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Pas këtyre shifrave qëndron realiteti i tregjeve financiare, të cilat po tregohen gjithnjë e më pak të gatshme të financojnë pa rezerva dhe pa kërkuar garanci mbulimin e nevojave të përditshme financiare të shtetit francez. Ndonëse sot të gjitha vendet e botës marrin hua me norma interesi më të larta se gjashtë muaj më parë, rritja e kostos së huamarrjes ka qenë më e theksuar në Francë sesa në të gjitha vendet e tjera fqinje evropiane.

Në fakt, norma e interesit të obligacioneve shtetërore dhjetëvjeçare po i afrohet 5%, niveli më i lartë që nga viti 2002, ndërsa diferenca me normat e interesit të obligacioneve gjermane nuk ka qenë kurrë kaq e madhe që nga viti 2011. Një tjetër tregues i kësaj mungese besimi janë kontratat e njohura si CDS (Credit Default Swaps), instrumente financiare që ofrojnë mbrojtje kundër rrezikut që shteti francez të mos përmbushë detyrimet e borxhit. Kostoja e tyre është tashmë gjashtë herë më e lartë se ajo e kontratave të ngjashme gjermane dhe 60% më e lartë se ajo e CDS-ve greke!

Problemi i ka rrënjët shumë më herët

Pamundësia e qeverive të njëpasnjëshme për të dalë nga politika e mbështetjes financiare “me çdo kusht”, e nisur gjatë pandemisë së Covid-it, mungesa e vendosmërisë për të çuar deri në fund qoftë edhe një reformë strukturore, veçanërisht reformën e pensioneve apo atë të financimit të sistemit të mbrojtjes sociale, si dhe paqëndrueshmëria politike e shkaktuar nga shpërndarja e pasuksesshme e Asamblesë Kombëtare në qershor 2024, e shpjegojnë pjesërisht këtë situatë.

Këtyre faktorëve mund t’u shtohet edhe mungesa e guximit politik për të rishikuar në themel shpenzimet publike, për të ripërcaktuar kufijtë e ndërhyrjes së shtetit në ekonomi dhe për të shqyrtuar seriozisht efektivitetin e çdo politike publike, të çdo lehtësimi tatimor dhe të çdo forme ndihme shtetërore.

Por do të ishte reduktuese t’ia hidhnim të gjithë fajin vetëm viteve të qeverisjes së Macronit. Problemi është shumë më i vjetër.

Në një libër prej afro 650 faqesh, të botuar së fundmi dhe kushtuar historisë së politikave buxhetore të Republikës së Pestë Franceze, Julien Dubertret dhe Nicolas Ragache e përmbledhin kështu situatën:

“Periudha e fundit karakterizohet në të vërtetë nga shterimi i burimeve të të ardhurave publike dhe i potencialit të rritjes ekonomike të një vendi që ka nivelin më të lartë të tatimeve dhe kontributeve të detyrueshme në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD). Kjo dobësi, që e dallon Francën nga partnerët e saj kryesorë, është e habitshme, por në të vërtetë nuk është e re. (…) Ajo që po del papritur në pah janë pasojat e dekadave të tëra me korrigjime të pamjaftueshme të vendimeve buxhetore dhe të politikave ekonomike që kanë dëmtuar konkurrueshmërinë.”

Sot po paguajmë faturën e këtyre vendimeve.

“Borxhi francez është si një kamion që ecën me shpejtësi të plotë në një rrugë të ngushtë buzë greminës”, paralajmëron me shqetësim drejtuesi i një rrjeti të madh bankar.

Shkaku është rrethi vicioz në të cilin ka rënë vendi, i njohur si efekti “top bore”. Ky mekanizëm vihet në lëvizje kur norma mesatare e interesit për të gjithë borxhin publik ekzistues është më e lartë se norma e rritjes ekonomike. Në këto kushte, përkeqësimi i financave publike bëhet një proces që ushqen vetveten.

“Vetëm këtë vit, 80% e përkeqësimit të deficitit vjen nga rritja e kostos së shërbimit të borxhit”, thotë Amélie de Montchalin, presidente e Gjykatës së Llogarive.

Kjo kosto pritet të arrijë në 91 miliardë euro në vitin 2027, një shumë pothuajse e barabartë me të ardhurat që shteti mbledh nga tatimi mbi të ardhurat personale.

Për ta ndalur këtë mekanizëm, ekziston vetëm një zgjidhje: shteti duhet të krijojë teprica të konsiderueshme buxhetore, pa përfshirë pagesat e interesave të borxhit.

“Jemi shumë larg kësaj. Përkundrazi, Franca ka një deficit primar prej rreth 3,5% të PBB-së, ndërkohë që duhet të krijojë një suficit primar prej të paktën 3% të PBB-së. Dhe këtë duhet ta bëjë për disa vite me radhë. Sa më shumë të vonohet rikthimi i financave publike në një trajektore të qëndrueshme, aq më të mëdha do të jenë përpjekjet financiare që do të kërkohen, si në drejtim të uljes së shpenzimeve, ashtu edhe të rritjes së taksave”, paralajmëron Antoine Bozio, drejtor i Institutit të Politikave Publike.

Kaosi i ditëve të fundit e përkeqëson edhe më shumë këtë panoramë.

“Në sytë e investitorëve të huaj, imazhi i Francës rrezikon të ndryshojë: nga një vend ku reformat janë të vështira për t’u realizuar, në një shtet që mezi arrin të përmbushë funksionet e tij më themelore, mbrojtjen e pronës dhe të njerëzve”, shprehet i shqetësuar Christopher Dembik, këshilltar i lartë në bankën e investimeve Pictet.

Pra, një kamion në një rrugë të ngushtë buzë greminës.

(L’Express)